ATV

Blog

  • Ministria e Financave: Kemi filluar hapjen e zyrave të pensioneve në lokalitete të ndryshme

    Ministria e Financave: Kemi filluar hapjen e zyrave të pensioneve në lokalitete të ndryshme

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ka filluar hapjen e Zyrave të Pensioneve me lokalitete të ndryshme, me qëllim të ofrimit të shërbimeve për pensionistët në qendrat më të vogla të banimit.

    Sipas njoftimit, këto zyre synojnë shmangien e udhëtimit të pensionistëve nga këto lokalitetet në qytetet e mëdha dhe marrjen e shërbimeve afër vendbanimit të tyre.

    “Sot është hapur zyra e parë e tillë në Mamushë, në bashkëpunim me Komunën e Mamushës, komuna e cila ka siguruar hapësirën e nevojshme për këtë zyre”, thuhet në komunikatën e MF-së dërguar mediave.

    “Kjo zyre fillimisht do të jetë e hapur së paku 2 ditë në muaj me orar të plotë dhe do të ofrojë shërbime për mbi 300 pensionistë që gjinden në këtë Komunë si dhe në fshatrat përreth kësaj komune siç Medveci, Napëërbishti dhe fshatrat tjera”, thuhet tutje.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të vazhdojë hapjen e zyrave të tilla edhe në komunat tjera të Republikës së Kosovës, për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve për të gjithë pensionistët”.

  • Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Në samitin e këtij viti të NATO-s, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, Kosova nuk do të jetë në agjendë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanian ku po zhvillohet ky samit.

    Ajo tha se, edhe pse pritej që Kosova të ishte pjesë e agjendës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit dhe rritjes së numrit të trupave të KFOR-it, Kosova nuk do të trajtohet në agjendë, përveç nëse dikush nga anëtarët e ngrit si çështje.

    Vitaku tregon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një takim me kryetarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ky i fundit, edhe pse u pyet nga gazetarët, nuk foli për këtë çështje.

    “NATO është aty për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës. Ne po zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. Kemi shtuar praninë tonë për shkak të ndotjes së situatës, dhunës dhe tensioneve që kemi vërejtur në disa javët e fundit”, iu tha gazetarëve nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Bëhu pjesë e aventurave të RC Cola gjatë gjithë verës…

    Bëhu pjesë e aventurave të RC Cola gjatë gjithë verës…

    Kompania Royal Beverage me brendin amerikan të pëlqyeshëm nga të gjithë shqiptarët

    Gama e produkteve të kompanisë tonë është e gatshme për secilën avanturë tuajën.

    Shijo shijet tona dhe në çdo kohë!

    Rc Cola me brendet e saj ka rezervuar një aventurë fantastike gjatë gjithë verës.

    Eja bashkohu edhe ti në aventurën tonë.

    Rc Cola e cila ofron një shije të kthjelltë dhe të freskët që pëlqehet nga shumë njerëz është zgjidhja për ditët e nxehta që po na ofrohen, poashtu është një alternativë e shkëlqyeshme për ata që preferojnë shije të veçantë dhe unike.

    Royal Beverage këtë vit është përkujdesur edhe për më të vegjlit duke ofruar shije të veçanta dhe të parezishtueshme për ta!

    Bëhu edhe ti je pjesë e botës magjike me produktet RC!

  • Gold AG diplomon në studimet bachelor, suksesin ia dedikon nënës së tij

    Gold AG diplomon në studimet bachelor, suksesin ia dedikon nënës së tij

    Këngëtari i njohur Arian Agushi, i njohur për publikun si Gold AG, ka diplomuar në studimet bachelor të Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB.

    Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Gold AG ka shkruar se diplomimin ia dedikon nënës së tij dhe ka njoftuar se do të vazhdojë studimet edhe në nivelin master.

    “Faleminderit pa fund gjithë profesorëve dhe gjithë stafit të kolegjit AAB. Faleminderit kolegëve për dashninë, respektin dhe ndihmën në çdo aspekt. Nanën time mësuese kur u larguam nga Presheva në vitin 1997, kur e pyesnin pse po shkoni në Prishtinë, u thoshte të gjithëve për shkollimin e Arianit. Dëshira e saj gjithmonë ka qenë që unë ta kem një fakultet. Dëshirën e saj e plotësova me diplomim e po e vazhdoj me master. Nanë e di që ty nuk të duhet diploma ime, por unë herët a vonë do t’ia shoh hajrin fjalës tënde”, ka shkruar ai në facebook. /atvlive.tv

  • Amerika e sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulinin

    Amerika e sanksionon shefin e BIA-s, Aleksandër Vulinin

    Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja , ka sanksionuar Aleksandër Vulinin, që momentalisht mban pozitën e Shefit të Inteligjencës serbe.

    Sipas njoftimit të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sanksionimi i Vulinit nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur përgjegjës ata që janë të angazhuar në afera korruptive që çojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Veprimi i sotëm mban përgjegjës Aleksander Vulin për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. /atvlive.tv

  • Publikohet pjesa e dytë e audio-incizimit mes Kusari-Lilas dhe Simiqit

    Publikohet pjesa e dytë e audio-incizimit mes Kusari-Lilas dhe Simiqit

    Nacionale ka publikuar pjesën e dytë të përgjimeve që ka bërë shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me deputetin serb, Slavko Simiq.

    Në këto përgjime, Simiq i thotë Kusari-Lilës se ka folur pesë herë me Radojiçiqin. Aty, Kusari-Lila nuk ndërhyn, edhe pse mbrëmë në Dukagjini thoshte se është takuar vetëm një herë.

    Kur Simiq po e lavdëronte Milan Radojiçiqin, të dyshuarin për vrasjen e Ivanoviqit, Kusari-Lila e pyet pse e kanë vënë në listën e zezë. Madje e orienton ta diskutojnë këtë temë me ambasadorin amerikan.

    Pra, nuk ia përmend veprimtaritë kriminale të Radojiçiqit.

    Biseda:
    Kusari-Lila: E pse e kanë vënë në listën e zezë të Amerikës.

    Simiq: E pse e kanë vënë?

    Kusari-Lila: Vallë jo për shkak të Kurtit.

    Simiq: Janë disa raste të mëhershme.

    Kusari-Lila: Për shkak të Zvonko Veselinoviqit.

    Simiq: Janë njerëz biznesmenë dhe familjarë, janë të respektuar se kanë asnjë njollë.

    Kusari-Lila: E di Sllavko, por nuk janë të pastër për amerikanët.

    Kusari-Lila: E di që keni takime me ambasadorin amerikan pse nuk e pyesni

  • 18 kardiologë i kërkojnë drejtorit të ShSKUK-së shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë

    18 kardiologë i kërkojnë drejtorit të ShSKUK-së shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë

    18 mjekë specialistë të Klinikës së Kardiologjisë, i kanë dorëzuar peticion drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, raporton EO.

    Peticioni i drejtohet drejtorit Elvir Azizi, kryesuesit të Bordit Naim Bardiqi dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia

    Në këtë peticion kanë hedhur firmat e tyre 18 mjekë të kësaj klinike, të cilët po kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kamberit nga detyra e drejtorit për disa arsye.

    Në kërkesën që e ka siguruar Ekonomia Online, specifikohen arsyet e kërkesës për dorëheqje si; parregullsi menaxheriale, diskriminim e abuzim duke keqpërdorur pozitën të cilën e ka.

    Në letrën e nënshkruar nga 18 kardiologë, përmendet edhe sulmi fizik nga doktor Artan Ahmeti ndaj kolegut të tij, Fisnik Veliu.

    I pari sipas tyre është ngritur në pozitë dy javë pas aktit të dhunshëm, përkundër se ndaj tij ishte ngritur procedure e veprës penale

    “Më këtë ju njoftojmë zyrtarisht se ne Kardiologët e shërbimit invaziv, elektrostimulimit dhe të reparteve të Klinikës së Kardiologjisë dënojme ashpër sulmin fizik të ndodhur më datën 31.05.2023,në prezenc të kolegëve Kardiolog dhe familjarëve të pacientit, nga Dr.Artan Ahmeti – Kardiolog në cilësi të Zv. Drejtorit të Klinikës se Kardiologjisë, njëherit Kryetar i komisionit për ankesa në SH.S.K.U.K si dhe asistent pran Fakultetit të Mjekësisë në katedren e internos, kryen sulm fizik ndaj Kolegut Dr.Fisnik Veliu – Kardiolog i shërbimit invaziv”.

    “Aktualisht i paraqituri në komision disiciplinor nga Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Dr.Lulzim Kamberi i cili të lartcekurin e ngrit në pozitë dy javë pas aktit të dhunshëm, përkundër se ndaj tij ishte ngritur procedure e veprës penale, sulm fizik në vendin e punës, pran organeve përgjegjëse të drejtësisë, rast ky i njohur për opinionin publik përmes mediave elektronike”, thuhet në letrën e nënshkruar nga mjekët.

    Sipas tyre, Kamberi në cilësinë e drejtorit të Klinikës, ushtron presion e dhunë psikike me qëllim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve për rastin e rrahjes.

    “Drejtori i Klinikës se Kardiologjisë Dr.Lulzim Kamberi dhe shefat gjatë kësaj kohe ushtrojnë presion dhe dhune psikike më qellim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve okular nga stafi i lartë, mesëm dhe specializanteve për të relativizuar peshën e aktit të dhunës dhe shpalljen e dhunuesit si të pafajshem në këtë rast. Shkarkimi ose dorëheqja e Drejtorit të Klinikës se Kardiologjisë Dr.Lulzim Kamberi për anshmërinë e dëshmuar ndaj një numri të vogël të stafit të lartë shefave, në këtë rast si dhe shumë raste të tjera, duke mbrojtur haptas aktin e dhunës fizike, paraqet akt të lartë moral dhe ligjor”, thuhet ndër të tjerash në këtë letër.

  • ​Osmani: Gjenocidi në Srebrenicë, simbol i tmerrit të krimeve serbe

    ​Osmani: Gjenocidi në Srebrenicë, simbol i tmerrit të krimeve serbe

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, ka pritur në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës, Semsudin Mehmedoviq, si dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë, përfshirë zëvendëskryeministren Emilija Redzepi dhe deputetë të Kuvendit të Republikës.

    Në takim, Presidentja Osmani ka potencuar se vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe. Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës.

    Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës, sepse ky mohim ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

    Sipas komunikatës së Presidencës, në diskutim me deputetin Mehmedoviq, Presidentja Osmani ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi.

    Gjatë takimit, deputeti Mehmedović falënderoi Presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për rolin e saj në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës për Gjenocidin në Srebrenicë.

    – Gjenocidi i Srebrenicës

    Më shumë se 8,000 burra dhe djemë boshnjakë u vranë kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan qytetin lindor të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht nga prania e trupave paqeruajtëse holandeze.

    Forcat serbe po përpiqeshin të merrnin territorin nga boshnjakë dhe kroatët për të formuar një shtet.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së.

    Trupat holandeze nuk arritën të vepronin, ndërsa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2,000 burra dhe djem vetëm më 11 korrik.

    Rreth 15,000 banorë të Srebrenicës u larguan në malet përreth, por trupat serbe gjuajtën dhe vranë 6,000 njerëz të tjerë.

    Trupat e viktimave janë gjetur në 570 vende në të gjithë vendin.

    Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.

    Më 8 qershor 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së lanë në fuqi në një gjykim të shkallës së dytë një vendim që dënonte Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë.

  • Parlamenti britanik dënon kërcënimet e Vuçiqit ndaj deputetes Kearns

    Parlamenti britanik dënon kërcënimet e Vuçiqit ndaj deputetes Kearns

    Kryetari i Dhomës së Ulët së Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të ka dënuar kërcënimin që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, ia ka bërë deputetes konservatore, Alicia Kearns.

    Sir Lindsay Hoyle ka thënë se është “krejtësisht e papranueshme”, përpjekja për të frikësuar anëtarët e parlamentit, kur ngritën shqetësimet mbi sigurinë.

    Deputeti konservator, Anthony Mangnall, ka ngritur alarm mbi kërcënimin që e ka marrë deputetja britanike që kryeson Komitetin e Zgjedhur të Punëve të Jashtme, nga Presidenti serb.

    Deputetja kishte shprehur shqetësimin se po bëhej kontrabandë e armëve nga Serbia në Kosovë përmes autoambulancave dhe se ato po deponoheshin në kisha ortodokse serbe.

    Më pas, Vuçiq kishte thënë se po kryenin hetime ndaj Kaerns, për të parë se çka bën ajo, kush e paguan dhe pse po e vendoste Serbinë në këtë pozitë.

  • Nisin punimet, mbyllet për qarkullim një rrugë në Ferizaj

    Nisin punimet, mbyllet për qarkullim një rrugë në Ferizaj

    Ministria e Infrastrukturës njofton se nga nesër (e mërkurë) 12 deri më 14 korrik 2023, do të zhvillohen punimet për asfaltimin e zgjerimit të rrugës “Brahim Ademi dhe Driton Islami” deri te Parku i Lirisë në Ferizaj.

    Sipas Ministrisë, për shkak të zhvillimit të këtyre punimeve, do të bëhet ndërprerja e përkohshme e qarkullimit të automjeteve në këto rrugë, duke filluar nga ora 8.00- 17.00.

    “Kërkojmë nga qytetarët që gjatë këtyre ditëve të shfrytëzojnë rrugët tjera, për të qarkulluar”, thuhet në njoftim.