ATV

Blog

  • Profesori Bekim Bejta jep dorëheqje nga Universiteti i Prishtinës

    Profesori Bekim Bejta jep dorëheqje nga Universiteti i Prishtinës

    Profesori Bekim Bejta, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

    Në një letër drejtuar Senatit të UP-së, Bejta ka thënë se nga sot (19 korrik) lë vendin e punës në UP.

    “Unë, Bekim Bejta, profesor dhe hulumtues shkencor i Universitetit të Poitiers, Francë, po ju njoftoj që nga dita e sotme, nuk jam më profesor i Universitetit të Prishtinës. Domethënë unë po e braktisi (lë, lëshoj) këtë vend pune”, ka shkruar ai në njoftimin për dorëheqje.

    Bejta në prill të këtij viti është suspenduar nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në UP, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.

    Në fund të muajit mars të këtij viti në media është publikuar një audio-incizim në të cilin dëgjohet profesori Bejta duke iu drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.

  • Rrëzohet një aeroplan turistësh në Ulqin

    Rrëzohet një aeroplan turistësh në Ulqin

    Dy persona kanë mbetur të lënduar nga rrëzimi i aeroplanit në lagjen Shtoj të Ulqinit.

    Këtë e kanë konfirmuar për “Vijesti” nga Qendra Operative dhe Komunikuese e Drejtorisë së Policisë.

    Një person ka marrë plagë të rënda dhe një të lehtë.

    Sipas informacioneve të Televizionit Vijesti, ka mbetur i plagosur piloti dhe një person tjetër që ndodhej me të në avionin e vogël turistik.

    Televizioni Vijesti ka mësuar se i plagosuri rëndë është jashtë rrezikut për jetën.

    Avioni që u rrëzua po çonte turistët në një turne ajror të përditshëm në bregdetin e Ulqinit.

  • ​Mbrojtja e Thaçit përfundon kundra-pyetjet për oficerin britanik

    ​Mbrojtja e Thaçit përfundon kundra-pyetjet për oficerin britanik

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve edhe sot vazhdoi intervistimi i oficerit të inteligjencës britanike, Francis Ledwidge, i cili ka shërbyer gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    Në vazhdën e marrjes në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçi, oficeri britanik foli për dëbimet e shqiptarëve nga forcat serbe, derisa theksoi se edhe ai për një periudhë ishte zhvendosur në Shqipëri.

    Avokati, Kehoe pyeti dëshmitarin nëse konsideron se pas masakrës së Reçakut ishte situatë kaotike në terren, më pas dëshmitari i 14-të i ZPS-së tha se kjo situata ishte kaotike që nga momentin kur ata kishin arritur në Rahovec.

    Kehoe: A do të ishte e drejtë të thuhet se pas Reçakut gjërat u bënë shumë kaotike si në terren dhe u bënë edhe shumë të vështira për juve që duhet edhe të raportonit?

    Ledwidge: Gjërat ishin kaotike që nga momenti që ne mbërritëm në Rahovec të paktën flas për ekipin tonë, që prej ditës së parë ne kemi shumë të zënë me punë që nga lindja e diellit derisa perëndonte e kishim të pamundur që të punonin ndryshe, që nga momenti që kemi arritur ka pasur incidente të posaçme, incidente konkrete, vrasje, të shtëna shkelje të të drejtave të njeriut arrestime kemi gjetur njerëz të vdekur si dhe kishim edhe punën e përditshme të patrullimit.

    Teksa u pyet për një raport të OSBE që flet për dëbimet e popullatës shqiptare nga forcat serbe, dëshmitari, Ledwidge u shpreh se edhe ai me sytë e tij i kishte parë disa prej tyre.

    Kehoe: Mendoj se ju njerëzit e OSBE dhe në librin ashtu që është parë e thoni këtë se në periudhën nga marsi-qershor 1999 ish-jugosllavia forcat serbe dëbuan rreth 8063 mijë shqiptarë të Kosovës nga Kosova….dhe më pas në këtë dokument thoni se 80% e popullsisë shqipare rreth 1.4 milionë njerëz janë zhvendosur nga zonat e konfliktit deri në qershor 1999 a ka ndonjë arsye që t’i vini në pikëpyetje statistikat e OSBE në këtë libër

    Ledwidge: Jo përkundrazi e konfirmoj këtë ekipet tona pas dëbimit janë zhvendosur në Shqipëri unë vetë kam qenë njëri prej këtyre personave këto janë fakte të vërteta dhe që i pranoj plotësisht

    Kehoe: Duke filluar në shkurt e duke vazhduar mars prill e me radhë popullsia shqiptare e Kosovës është dëbuar me forcë nga forcat serbe qofshin ato ushtarake, policia apo para ushtarake apo paramilitarët

    Ledwidge: Po disa prej tyre i kam parë me sytë e mi

    Më pas, Kehoe parashtroi disa pyetje dhe rreth operacionit të forcave serbe në fshatin Bellacerk, Krushë e Madhe e Krushë e Vogël, që forcat serbe zhvilluan pas bombardimeve të NATO-së.

    Kurse, dëshmitari i ZPS-së u shpreh se nuk i kundërshton mizoritë që kanë bërë forcat serbe karshi popullatës shqiptare.

    Kehoe: Një pjesë e kohës e punës ishte kaluar duke u marrë me shqiptarët e zhdukur dhe të vdekur dhe në paragrafin 16 përsëri thoni që arsyeja për këtë ishte se ata ishin në numër shumë më të madh shqiptarët rreth 7 mijë shqiptarë të zhdukur shqiptarë të Kosovës

    Ledwidge: Po rreth 1 mijë serbë të zhdukur që përfaqësojnë statistikisht ndoshta një proporcion më të lartë por nuk kundërshtoj mizoritë që janë kryer vrasjet në masë nga forca serbe disa element të UÇK kanë bërë të njëjtë gjë

    Kehoe: Nuk prisja që të thonit nga ju një gjë të tillë, por po iu them se ka pas shumë më shumë shqiptar të Kosovës dhe ju si OSBE është dashur që t’i kushtoni shumë më shumë kohë për të kërkuar këta persona të zhdukur

    Ledwidge: Në cilën periudhë kohore në misionin tonë disa më vonë mund të them se në dy periudha kohore para bombardimit dhe gjatë bombardimit dhe pas bombardimit kështu ka qenë saktësisht, sepse siç e thatë edhe ju numri i personave të vrarë nga autoritetet serbe ishte më i madh se sa numri i vrarë nga UÇK

    Oficeri ushtarak britanik, i cili po dëshmon në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve theksoi se pas periudhës së konfliktit ka pas prani të krimit të organizuar

    Kjo përgjigje e Ledwidge rrodhi pas pyetjes së bëri nga avokati Kehoe pasi lexoi edhe një raport të OSBE-së.

    Kehoe: Në periudhën pas konfliktit në Prizren dhe zonat tjera ku keni qenë ka ekzistuar një element i bandave kriminale që ekzistojnë aty

    Ledwidge: Natyrisht

    Kehoe: Në të njëjtën mënyrë ka ekzistuar një element që vinte nga Shqipëria që përfitonte nga situata rrëmujë në Kosovë pas konfliktit

    Ledwidge: Them sigurisht, sepse përvoja ime lidhur me këtë pikë me kthimin tonë nga Shqipëria…kam vërejtur dëgjuar pretendime të vajzave të reja që merreshin për qëllime të trafikimit me qenie njerëzore nga trafikant shqiptar, ashtu siç shefi i inteligjencës së UÇK në zonën tonë nuk i interesonte kjo gjë, UÇK në zonat pas konfliktit siç është rasti në Kosovë keni gjithmonë praninë e krimit të organizuar që përfiton nga kaosi dhe situata dhe ka pas dyshime për vrasje në seri jashtë elementit politik…besoj që krimi i organizuar ka qenë një karakteristik përpara konfliktit e kam fjalën para bombardimeve të NATO kjo ka qenë e dominuar nga bandat serbe në bashkëpunim me shqiptar, pastaj kanë vazhduar duke përfituar nga mungesa e rendit dhe ligjit dhe kaosi vazhdon deri sot

    Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe vazhdoi me pyetje për dëshmitarin e ZPS-së lidhur me atë se a ishte ai në dijeni për deklaratat e Thaçit përmes të cilave këshillonte shqiptarët për ndërprerje të dhunës dhe promovonte Kosovë ndër etnike.

    Më pas, dëshmitari u shpreh se nuk i kujtohet të ketë dëgjuar për këto deklarata dhe raportimet e tij për këtë çështje mund të kenë ndodhur bazuar në raportimet nga takimet.

    Ledwidge: Nuk i kam ndjek deklaratat e Thaçit për medie

    Kehoe: Po a ishit në dijeni të faktit që zotëri Thaçi po e bënte këtë

    Ledwidge: Nuk më kujtohet të kem qenë në dijeni të kësaj apo të asaj, sepse ne kishim punë të përditshme

    Kehoe: Në përmbledhjen e Prokurorisë ju thoni se rreth nëntorit 1999 ju zotëri Ledwidge ikishit dëgjua nga shumë njerëz që Thaçi kishte bërë një fjalim në një tubim në Rahovec ku kishte deklaruar se koha kur flitet serbishtja ka përfunduar..10’51Ju thatë zotëri Ledwidge se ju nuk dini asgjë rreth deklaratave të Thaçit

    Ledwidge: Unë nuk e thash këtë, unë thash se nuk i kam ndjekur komentet deklaratat e zotërit Thaçi në medie ndoshta më është raportuar në takimet tona me njerëzit nga medie në lidhje me këto deklarata mirëpo këto deklarata të politikave nuk ishin pjesa kryesore e punës tonë

    Kehoe: Domethënë nuk iu kujtohen këto komente që ka bërë Thaçi në medie në Kosovë para popullit të Kosovës

    Ledwidge: Po ashtu e thash që nuk më kujtohet qoftë kështu apo ashtu

    Tutje, mbrojtja e Thaçi ka vazhduar tutje ta pyes dëshmitarin e ZPS-së se ishte në dijeni për një vizitë në korrik të Thaçit në Mitrovicë për të qetësuar dhunën atje. Më pas, dëshmitari tha se atë kohë nuk ishte në dijeni po javën që shkoi lexoi për këtë gjë.

    E pas insistimit të avokatit të Thaçit, Kehoe rreth asaj se dëshmitari a e kishte dëgjuar deklaratën e Thaçit se kishte thënë se ka përfunduar koha kur flitet serbishtja, oficeri i inteligjencës britanike, Francis Ledwidge ritheksoi se nuk ka qenë i pranishëm kur është bërë ajo deklaratë nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

    Siç u shpreh ai puna e tij ishte të gjente njerëzit e zhdukur dhe të trajtonte shkeljet e të drejtave të njeriut.

    Ledwidge: Nuk e kam dëgjuar atë deklaratë, puna ime ishte të gjeja njerëzit e zhdukur

    “Puna ime ishte të gjeja njerëzit e zhdukur dhe të trajtoja çështje e shkeljeve të të drejtave të njeriut, mendoj se nuk kam dëgjuar në atë kohë ishte posaçërisht e vështirë për ata që nuk ishin shqiptar të dalin në rrugë të Prizrenit dhe për këtë edhe në Rahovec dhe siç thash ishte diku rreth apo në Ditën e Flamurit mund edhe mos të ketë qenë, por unë nuk kam qenë i pranishëm kur është bërë ajo deklaratë’”, u shpreh ai.

    Më pas, kundra-pyetjet i vazhdoi mbrojtja e Kadri Veselit.

    Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

    Oficeri ushtarak britanik, Francis Ledwidge dëshminë e tij para Speciales e nisi gjatë seancës së djeshme, kur ndaj tij parashtroi pyetje ZPS, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk kishte pyetje për dëshmitarin e 14-të në rastin Thaçi dhe të tjerët.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • RLIOF gati për Gala Mbrëmjen ‘Rame & Friends’

    RLIOF gati për Gala Mbrëmjen ‘Rame & Friends’

    Mos e lëshoni rastin të përjetoni emocione të paharrueshme… Gala Mbrëmja ‘Rame Lahaj&Friends’ ndalet edhe një herë në zemër të Prishtinës, me yjet e operas.

    Programi qëndror i edicionit të 3-të festivalit ndërkombëtar ‘Rame Lahaj’ risjellë para publikut tenorin kosovar të skenave botërore, nën shoqërinë e miqve të tij si: soprano e njohur Yulia Suleimanova, tenori Alessandro Safina e baritoni Massimo Cavalleti.

    Nën dirigjimin e Pier Giorgio Morandi, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës, ju presim në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në një natë magjike!

    Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” nis rrugëtimin e pesë netve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas.

    Biletat për Gala Night Rame Lahaj & Friends po shiten shumë shpejt! Edhe 4 ditë na ndajnë nga koncerti. Siguroje biletën tënde këtu: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2616 dhe pikat fizike të shitjes.

  • Lajçak fton në takim trilateral në nivel të kryenegociatorëve

    Lajçak fton në takim trilateral në nivel të kryenegociatorëve

    Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka organizuar një takim në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

    Lajçak fillimisht takon kryenegociatorin serb Petar Petkoviq, ndërsa me vonë do zhvillojë një takim të ngjashëm edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.

    Pas këtyre dy takimeve shpresohet të mbahet një takim i përbashkët, i ashtuquajtur trilateral ku do marrin pjesë Lajçak, Bislimi dhe Petkoviq.

    Fokus i takimit të sotëm do jetë zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të arritur më 27 shkurt në Bruksel si dhe hapat drejt depërshkallëzimit në veri të vendit.

    Është ky takimi i parë pas trazirave në veri, i cili mbahet në dritë të marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe BE-së, në lidhje me hapat e depërshkallëzimit. /rtk/

  • ​Azemi thirrje presidentes: Mos e dekretoni Ligjin e pagës minimale

    ​Azemi thirrje presidentes: Mos e dekretoni Ligjin e pagës minimale

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi i ka bërë thirrje sot presidentes Vjosa Osmani që mos ta dekretojë Ligjin e pagës minimale.

    Përmes një komunikate për media, janë dhënë arsyetime se përse nuk duhet të dektretohet Ligji për pagën minimale.

    “1. Nuk është përfill propozimi i KES gjegjësisht Neni 9 alineja 19

    2. Nuk është përfill vendimi i komisionit te grupit parlamentar per buxhet dhe

    financa, i cili i ka propozua Parlamentit të Kosovës, që paga minimale për vitin 2023 të jetë 450 eu, kurse për vitin 2024 të jetë 100 euro.

    3. Paga minimale është kosto e 4 anëtarëve të të punësuarit, e kjo pagë shpesh nuk e mbulon as vet punëtorin.

    4. Është paga më e ultë në rajon”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Më 13 qershor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për pagën minimale.

  • ShBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

    ShBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

    Projektligji vjetor i mbrojtjes i Senatit amerikan do të shtojë Kosovën në listën e vendeve të Europës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake të ShBA-së në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.

    Ky projektligj e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe ato të Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve që përfshin edhe Serbinë.

    Siç shkruan Defense News, kjo vjen si përpjekje për të thelluar lidhjet ushtarake Kosovë-SHBA pasi administrata e Biden dhe ligjvënës të shumtë kërkojnë të zbutin marrëdhëniet e përkeqësuara të Kosovës me Serbinë në mes të tensioneve në rritje.

    “Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në një raport të komisionit shoqërues të projektligjit thuhet.

    Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

    “Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, thuhet në raport.

    Komisioni për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për këtë çështje më 18 korrik, megjithëse ligjvënësit kanë qenë disi të ndryshëm në lidhje me presionin për të ushtruar ndaj Kosovës dhe Serbisë në mosmarrëveshje.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023 në fund të majit që ishte pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, pasi i refuzoi thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

  • Ndihmon me dokumentacion të kërkuarin nga Interpoli, arrestohet zyrtari i MB-së

    Ndihmon me dokumentacion të kërkuarin nga Interpoli, arrestohet zyrtari i MB-së

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person, pasi që për të njëjtin dyshohet se ka ndihmuar me dokumentacion një person i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve.

    Personi në fjalë ka qenë duke punuar në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie.

    “I lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., kështu duke i mundësuar personit M.D., që të nxjerrë letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    Prokurori i Shtetit, lidhur me këtë çështje penale, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të luftimit të këtyre raste.

  • Jabllanoviq: Lajçak e Petkoviq të kenë kujdes nga Bislimi, mos i jepni ujë

    Jabllanoviq: Lajçak e Petkoviq të kenë kujdes nga Bislimi, mos i jepni ujë

    Politikani serb dhe kryetari i partisë ‘kosovskih Srba’, Aleksandar Jabllanoviq ka ironizuar rreth takimit të sotëm në Bruksel, mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit Lajçak.

    Jabllanoviq i ka paralajmëruar Lajçakun e Petkoviqin të jenë të kujdesshëm nga Bislimi.

    Ai ka shkruar se ata duhet ta marrin një ombrellë dhe të mos i japin ujë Bislimit.

    “I paralajmëroj z. Miroslav Lajçak dke Petar Petkoviq që të jenë “të kujdesshëm” në takimin e sotëm me Bislimin. Sigurohuni që të sillni një ombrellë dhe kurrë mos i jepni Bisljimit ujë, kurrë ujë, ai dhe lideri i tij e duan gazin lotsjellës të policisë.😷😷 Kosovë #demokraci“, ka shkruar ai.

  • “Superpuna” suspendon 20 biznese, ministri Murati tregon arsyet

    “Superpuna” suspendon 20 biznese, ministri Murati tregon arsyet

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se 20 biznese janë suspenduar nga platforma “Superpuna”, si rezultat i mos respektimit të Termeve dhe Kushteve të platformës, të cilat thuhet se janë vërejtur gjatë monitorimit në teren të përfitueseve.

    Nga kjo platformë kanë udhëzuar bizneset që t’u përmbahen detyrimeve të tyre, që të kenë mundësinë të përfitojnë.

    “Superpuna njofton se 20 biznese janë suspenduar nga platforma, si rezultat i mos respektimit të Termeve dhe Kushteve të platformës, të cilat janë vërejtur gjatë monitorimit në teren të përfituesëve.

    Monitorimi i bizneseve përfituese nga platforma superpuna është i rregullt dhe i vazhdueshëm. Andaj, udhëzojmë bizneset që t’u përmbahen detyrimeve të tyre, ashtu që në vazhdimësi të kenë mundësinë të përfitojnë nga politikat mbështetëse të Qeverisë”, thuhet në njoftim.