ATV

Blog

  • Ylli me dy ‘fytyra’ habit astronomët

    Ylli me dy ‘fytyra’ habit astronomët

    Astronomët kanë zbuluar një yll me dy ‘fytyra’ ku njëra përbëhet nga hidrogjeni dhe tjetra nga heliumi. Ylli i bardhë xhuxh është quajtur Janus, në nder të perëndisë romake të ndryshimit.

    “Sipërfaqja e yllit të bardhë xhuxh ndryshon nga njëra anë te tjetra. Kur ia tregoj vëzhgimet të tjerëve, ata shastisen”, shprehet Ilaria Caiazzo, udhëheqësja e studimit në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni.

    Fenomeni i çuditshëm mund të jetë pasojë e një faze të rrallë evolucioni që po kalon ylli i shuar. “Jo të gjithë, por disa yje xhuxhë ndryshojnë duke u mbizotëruar nga heliumi në vend të hidrogjenit”, shpjegon Caiazzo.

    Ana nga e cila ndodhet hidrogjeni është më e ndritshme. Në pjesën ku ndodhet heliumi, duken flluska dhe shtresa e hollë e hidrogjenit në sipërfaqe është shkatërruar duke e zhvendosur heliumin poshtë.

    Janus u pikas nga ZTF, një skaner në Observatorin Palomar pranë San Diegos. Ylli xhuxh rrotullohet çdo 15 minuta në aksin e tij, një fenomen që iu zbuloi astronomëve dy ‘fytyrat’ e tij.

  • ​Ambasadori i Norvegjisë nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Prishtinës

    ​Ambasadori i Norvegjisë nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Prishtinës

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i dhuroi “Çelësin e Qytetit”, Ambasadorit të Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Jens Erik Grondahl, në shenjë falënderimi për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy shtete= ve.

    Kryetari Rama është shprehur i lumtur që ia dhurojë çelësin ambasadorit Jens Erik Grondahl, për të gjithë mbështetjen që Norvegjia nëpërmjet tij ka dhënë dhe vazhdon të jap për Prishtinën.

    Me këtë rast, Ambasadori Grondahl falënderoi për këtë vlerësim kryetarin Rama dhe u shpreh se do ta vizitojë përsëri Prishtinën, pavarësisht se përfundon misionin e tij në Kosovë.

  • Mbappes i ofrohet kontratë 10-vjeçare në vlerë 1 miliard euro

    Mbappes i ofrohet kontratë 10-vjeçare në vlerë 1 miliard euro

    Paris Saint-Germaini po i mendon krejt mënyrat e mundshme për ta bindur Kylian Mbappen të qëndrojë në Francë.

    Sipas mediumit “Defensa Central”, yllit francez i është ofruar një kontratë stratosferike vetëm për ta bindur që të mos largohet nga “Parku i Princave”.

    Më saktësisht, nënkampionit të botës thuhet se i është ofruar një kontratë 10-vjeçare me një vlerë të pabesueshme prej 1 miliardi euro.

    Mbappe ëndërron të transferohet në Real Madrid, por kjo ofertë mund t’ia ndërrojë mendjen ish-futbollistit të Monacos.

    Ai ka kontratë edhe një vit me PSG-në dhe nuk po pranon ta vazhdojë atë për një vit tjetër, ashtu siç ishte paralajmëruar.

    Tash, mbetet të shihet nëse 24 vjeçari do të joshet nga paratë apo do ta ndjekë ëndrrën.

    Ndërkohë, thuhet se interesim për njërin prej futbollistëve më të mirë në botë kanë shfaqur edhe klubet e Premierligës, Liverpool e Arsenal.

  • Krasniqi: Deklarimet se mosardhja e Bislimit në Komision ishte për mungesë të kuorumit janë shpifje dhe manipulim

    Krasniqi: Deklarimet se mosardhja e Bislimit në Komision ishte për mungesë të kuorumit janë shpifje dhe manipulim

    Kryetarja e këtij komisioni, njëherësh deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se mosardhja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është arsye e dështimit të mbledhjes së Komisionit për Integrime e jo mungesa e kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    Krasniqi i ka quajtur shpifje deklarimet e Qeverisë se mungesa e kuorumit ia pamundësoi raportimin Bislimit.

    “Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë për raportim në Komisionin për Integrim Evropian, duke i ikur përgjegjësisë kushtetuese”, ka shkruar ajo.

    “Kjo është e vërteta e vetme, ndërsa deklarimet se mos-ardhja e tij ishte si rezultat i mungesës së kuorumit janë shpifje dhe manipulim. Ata që nuk ishin prezent i takojnë partisë në pushtet. Tani del se gjithçka ka qenë mirë e organizuar nga ta, për të pamundësuar raportimin, sepse duan ta fshehin para qytetarëve se kush në të vërtetë janë ata dhe në çfarë janë të angazhuar. Mashtruesit mbesin mashtrues”, ka shkruar Krasniqi.

  • Greqia vazhdon përpjekjet për të pestën ditë për të shuar zjarret

    Greqia vazhdon përpjekjet për të pestën ditë për të shuar zjarret

    Greqia u përpoq të frenonte një zjarr në perëndim të Athinës, i cili dogji tokën pyjore për të pestën ditë të premten, pasi një tjetër valë nxehtësie goditi vendin.

    Zjarrfikësit, të mbështetur nga avionë që bartin ujë dhe me ndihmë nga personeli shtesë nga Qiproja, Franca, Izraeli dhe Italia, u përpoqën të kontrollonin zjarrin që shpërtheu në zonën më të gjerë të Athinës të hënën, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar evakuime të banorëve.

    “Ne po vazhdojmë të luftojmë zjarrin në perëndim të Athinës. Po i frikësohemi rindezjes së tij”, tha një zyrtar i zjarrfikësve për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Mbi 100 shtëpi dhe biznese janë dëmtuar rëndë nga ky zjarr dhe një tjetër pranë Athinës, të cilin autoritetet arritën ta shuajnë më herët gjatë javës.

    Qeveria njoftoi të premten se do të ndajë ndihma për familjet e prekura, duke përfshirë ndihmën financiare dhe subvencione për shtëpitë me qira.

    Dy zjarre të tjera në pyje në ishullin Rodos dhe në lagjen Lakonia në Greqinë jugore u vunë nën kontroll të premten.

    Ministri për Krizat Klimatike, Vasilis Kikilias u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë vigjilentë.

    Rreziku i zjarreve në ditët në vijim do të mbetet i lartë dhe parashikohet vapë e mëtejshme.

    “Po kalojmë një periudhë shumë të vështirë treditore, të premten, të shtunën dhe të dielën, me kushte ekstreme të motit dhe temperatura shumë të larta të përcjella me erëra të forta”, tha ministri, duke shtuar se pas një pushimi të shkurtër, nga mesi i javës së ardhshme parashikohet një tjetër vapë.

    Me temperaturat që priten të arrijnë 45 gradë Celsius të shtunën dhe të dielën, Ministria e Kulturës tha se të gjitha vendet arkeologjike, përfshirë monumentin e Akropolit, do të mbyllen mes orës 12 dhe 17:30./REL/

  • Legalizohet marihuana në Shqipëri por vetëm për këto qëllime

    Legalizohet marihuana në Shqipëri por vetëm për këto qëllime

    Pas seancës maratonë me debate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

    Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

    Me debate në Kuvend, opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

    Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha.

  • Kritikat e Bislimit, Stano: S’i komentojmë, marrëveshjet dhe kërkesat e BE për de-eskalim të përmbushen pa vonesa

    Kritikat e Bislimit, Stano: S’i komentojmë, marrëveshjet dhe kërkesat e BE për de-eskalim të përmbushen pa vonesa

    Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, që kryeministri Albin Kurti ia ka besuar negociatat me Serbinë, pas takimit që ka pasur të mërkurën me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, ka dhënë detaje për temat që kanë diskutuar.

    Bislimi ka thënë se Kosova është e shqetësuar me draftet e propozuara apo planin e Miroslav Lacak për finalizmin e planit të sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Themelore. Bislimi propozimin e Lajcak e ka cilësuar si të anshëm në favor të Serbisë dhe që s’garanton zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

    Lidhur me këto kritika të kryengociatorit kosovar, Gazeta Express ka kontaktuar Brukselin zyrtar. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë për Gazetën Express se nuk i komentojnë komentet e zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi.

    “Ne s‘komentojmë komentet“, ka thënë Stano.

    Ai tutje ka treguar për temat që kanë diskutuar palët në takimin me Miroslav Lajcak dhe ka potencuar se BE-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin angazhimet në kuadër të dialogut të Brukselit dhe të përmbushin planin e BE për de-eskalim pa vonesa të tjera.

    Gjithashtu ka kërkuar që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm.

    „Në takimin e të mërkurës, lehtësuesi i BE-së dhe palët diskutuan individualisht disa çështje aktuale në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç janë zbatimi i Marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, energjia, zbatimi i Deklaratës për Personat e Pagjetur, de-përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe çështjet tregtare. BE pret që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre të Dialogut dhe kërkesat e BE-së për de-përshkallëzimin pa vonesa të mëtejshme, të angazhohen në mënyrë konstruktive në proces dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm“, ka thënë Peter Stano për Gazetën Express.

    Të mërkurën në Bruksel ka pasur synime edhe për një takim trepalësh, megjithatë ka qenë qëndrimi i Miroslav Lajcak që një takim i tillë s’do të prodhonte ndonjë rezultat final sa i përket planit të sekuencimit dhe se për diçka të tillë është i nevojshëm një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borell, të enjten ka shkuar në pushimet e verës dhe me shumë gjasë një takim Kurti-Vuçiq mund të aranzhohet pas kthimit nga pushimi i verës, diku rreth fundit të muajit gusht.

  • Kamenica, njëri ndër qytetet me më së shumti gjelbërim në Kosovë

    Kamenica, njëri ndër qytetet me më së shumti gjelbërim në Kosovë

    Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se komuna ka shtuar kapacitetin e punëtorëve për të siguruar një nivel të dëshirueshëm të pastërtisë në qytet, në mënyrë që të mirëpresin sa më mirë diasporën këtë verë.

    “Po përkujdesemi. E kemi shtuar edhe kapacitetin e punëtoreve që këto ditë vere ku ne edhe mirëpresim diasporën, pastërtia në qytet të jetë në nivelin e dëshirueshëm.
    Gjithashtu jemi në përpjekje që të themelojmë një ndërmarrje publike që puna primare e saj të jetë mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta”, tregoi Rahimaj.

    Ai tha se Kamenica është qyteti me më së shumti gjelbërim në Kosovë.

    “Nuk është që po e them vetëm unë, e kanë konfirmu edhe të tjerët. Është një qytet që njihet për infrastrukturën e saj që e ka ruajt vijën urbane, gjithashtu është edhe një prej qyteteve më të gjelbërta në Kosovë. Po besoj se këto atribute i kanë parë edhe të tjetër, ne vetëm po i shpalosim dhe po krenohemi me to”, tha Rahimaj.

    Në këtë bisedë me ATV-në, ai foli edhe për gjendjen e komunës si dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen.

    “Ka sfida të natyrave të ndryshme. Ne sfidat e i përcaktojmë bashkë me qytetarët se cilat mund t’i zgjidhim. Sigurisht që ne si qeveri kemi objektiva që duam t’i arrijmë, por primare për ne janë problemet që qytetarët i kanë në lokalitetet e tyre. Kemi mbajtur 27 dëgjime buxhetore dhe shumë shpejt para kuvendit do të propozojmë edhe buxhetin për vitin 2024. Në aspektin e sfidave të gjithmbarshme është procesi i zhvillimit jo në nivelin e duhur, një zhvillim i ngadaltë, por edhe procesi tjetër që ka të bëjë me procesin e migrimit, ku të rinjtë dhe të rejat nuk e shohin si perspektivë të mjaftueshme Kamenicën”, tha Rahimaj. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të kryetari të Kamenicës, Kadri Rahimaj, me ATV-në e gjeni në videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Ndalet rastësisht t’i bëjë një pyetje në shesh, qytetari dhe gazetarja dalin të ‘njofshëm’

    Ndalet rastësisht t’i bëjë një pyetje në shesh, qytetari dhe gazetarja dalin të ‘njofshëm’

    Cilat janë shprehja më e shpeshtë që i përdorim në përditshmëri? Kjo ishte pyetja që gazetarja e ATV-së u bëri qytetarët që kishin dalë sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

    “Tu thafshin krahët”, ishte shprehja e një qytetari, të cilën ai thotë se e përdor shpesh, por vetëm në momente shakaje.

    Gjatë bisedës më këtë qytetar, kur gazetarja e pyet atë se nga cili qytet vjen, del se të dy janë nga i njëjti qytet.

    Për më shumë, bisedën e gazetares së ATV-së me qytetarë në shesh e gjeni në videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • E filloi atletikën për të hequr peshë, por tani Muhamet Ramadani e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-23

    E filloi atletikën për të hequr peshë, por tani Muhamet Ramadani e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-23

    Atletika njihet si mbretëresha e të gjitha sporteve. Edhe pse nuk është shumë e zhvilluar në Kosovë, edhe në këtë sport, si në çdo sport tjetër, Kosova ka talentë të shumtë.

    Njëri nga ta është Muhamet Ramadani, i cili së fundmi ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-23, krahas shumë medaljeve të tjera që i ka fituar në vazhdimësi.

    Në një intervistë ekskluzive për emisionin që po transmetohet çdo natë në ATV, “n’malAn’det”, ai tregoi më shumë rreth kësaj arritje, derisa nuk la pa përmendur edhe fillimet e tij në këtë sport.

    “…Kam filluar karrierën prej moshës 13 vjeçare, afër 14, arsyeja që kam filluar të merrem me sport ka qenë mbipesha, preferenca e babit ishte që të filloj me atletikë (në fillim veç për ta larguar peshën)… Para disa dite e kemi nxënë vendin e tretë në Evropë…”, potencoi Ramadani.

    Gjithashtu, ai përmendi se nuk është ky i vetmi sukses, meqenëse kishte fituar edhe medalje të tjera përfshirë medaljen e artë, vendin e parë në Portugali, e gjithashtu Ramadani është 5 herë kampion i Ballkanit me U-18 dhe U-23.

    Për t’i dëgjuar intervistat ekskluzive të mërgimtarëve anë e kënd botës, ju ftojmë që përmes linkut të mëposhtëm, ta shikoni emisionin veror të ATV-së “n’malAn’det”: