ATV

Blog

  • Anëtarja e Kryesisë së LVV-së: Koha për arrestimin e Sami Lushtakut

    Anëtarja e Kryesisë së LVV-së: Koha për arrestimin e Sami Lushtakut

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje për arrestimin e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, pas sulmit të dyshuar brutal të tij ndaj zëvendësminsitrit Hysni Mehani.

    Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Tinka Kurti, në një shkrim në rrjetin social Facebook, tha se është koha për arrestimin e Lushtakut.

    “Koha për arrestimin e Sami Lushtakut”, ka shkruar Kurti.

    Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar Sami Lushtakun dhe truprojat e tij për sulm brutal ndaj kandidatit për deputet dhe zëvendësministrit Hysni Mehani. Sulmi ndaj Mehanit ndodhi të enjten në një lokal në qendër të Skenderajt.

  • Kandidimi i hoxhës Osman Musliu për deputet, BIK: Vendimi për masa i takon Kryesisë

    Kandidimi i hoxhës Osman Musliu për deputet, BIK: Vendimi për masa i takon Kryesisë

    Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është deklaruar lidhur me kandidaturën për deputet e hoxhës Osman Musliu në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Zyrtari nga BIK Ramadan Shkodra ka konfirmuar se udhëzimi që ndalon kandidimin e imamëve në lista politike vazhdon të mbetet në fuqi, ndërsa çdo vendim eventual për masa ndaj hoxhës Osman Musliu do të jetë kompetencë e Kryesisë së BIK-ut.

    ”Udhëzimi është në fuqi. A do të merren masa, është kompetencë e Kryesisë. Kur të mblidhet Kryesia, del me qëndrim”, tha Shkodra për RTV21.

    Mediumi kishte pyetur BIK-un nëse hoxha Osman Musliu është pjesë e këtij institucioni dhe nëse ndaj tij do të ketë masa disiplinore, duke iu referuar një vërejtjeje të vitit 2025 ku thuhet se ndalohet “Të qenët kandidat në ndonjë nga listat e partive politike për pozita të caktuara në nivel lokal ose qendror”.

  • Shkencëtarët rusë: Vaksina kundër hantavirusit mund të kërkojë vite për t’u zhvilluar

    Shkencëtarët rusë: Vaksina kundër hantavirusit mund të kërkojë vite për t’u zhvilluar

    Një vaksinë kundër hantavirusit mund të zhvillohet në të ardhmen, por procesi i plotë i testimit dhe miratimit sipas standardeve ndërkombëtare mund të zgjasë disa vite, deklaroi epidemiologu rus dhe zëvendëspresidenti i Akademisë Ruse të Arsimit, Genadi Onishçenko.

    Në një intervistë për agjencinë TASS, Onishçenko tha se Rusia ka kapacitetet teknologjike për të prodhuar një vaksinë, duke përmendur përvojën e fituar gjatë zhvillimit të vaksinave kundër COVID-19.

    “Sfida kryesore nuk është shkencore, por teknologjike. Vaksina mund të krijohet në mënyrë të ngjashme me atë të koronavirusit, por nëse respektohen të gjitha standardet e regjistrimit të barnave, përfshirë provat paraklinike dhe tre fazat e testeve klinike, procesi do të zgjasë disa vite”, u shpreh ai.

    Eksperti theksoi gjithashtu se ekzistojnë më shumë se 40 lloje të hantavirusit, çka e bën të nevojshme përcaktimin se ndaj cilit variant duhet të fokusohet vaksina. Megjithatë, ai sqaroi se nuk është e nevojshme të zhvillohen menjëherë vaksina për të gjitha variantet.

    Hantavirusi është një grup virusesh që transmetohen kryesisht nga brejtësit dhe mund të shkaktojnë sëmundje serioze te njerëzit, përfshirë probleme të rënda respiratore dhe renale.

  • Kamp grumbullues për hendbollistët e rinj të Kosovës në Prishtinë

    Kamp grumbullues për hendbollistët e rinj të Kosovës në Prishtinë

    Kjo javë i është kushtuar aktiviteteve të kombëtareve të hendbollit, ndërsa Kombëtarja A e Kosovës nuk do të zhvillojë grumbullim zyrtar. Megjithatë, përzgjedhësi Jesper Ostlund së bashku me shtabin teknik kanë organizuar një kamp grumbullues për hendbollistët e rinj, të cilët konsiderohen kandidatë potencialë për ekipet e grupmoshave të Kombëtares së Kosovës.

    Në këtë kamp pritet të marrin pjesë rreth 25 deri në 30 lojtarë të rinj, shumica prej tyre pjesë e klubeve vendore të hendbollit. Qëllimi i këtij organizimi është vlerësimi dhe zhvillimi i talenteve të reja, si dhe përgatitja e tyre për të ardhmen në fanellën e Kosovës.

    Grumbullimi po mbahet në Prishtina, ndërsa fokusi kryesor i kampit do të jetë puna në aspektin fizik dhe përgatitja atletike e lojtarëve. Seancat stërvitore do të udhëhiqen nga selektori Ostlund, i cili do të ketë mundësinë të përcjellë nga afër potencialin e hendbollistëve të rinj.

    Takimi i parë i lojtarëve është paraparë të mbahet të enjten në mesditë, në Hotel International Prishtina, ndërsa kampi do të zgjasë deri më 17 maj. Ky aktivitet shihet si një hap i rëndësishëm në ndërtimin e brezave të rinj për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të hendbollit.

  • Sami Lushtaku: Pushteti i Albin Kurtit tentoi të më sulmojë, nuk toleroj dhe reagova!

    Sami Lushtaku: Pushteti i Albin Kurtit tentoi të më sulmojë, nuk toleroj dhe reagova!

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas incidentit me asamblistin e VV-së në këtë komunë, Hysni Mehanin.

    Në postimin e tij, Lushtaku e ka akuzuar pushtetin e Albin Kurtit, që sipas tij, tentoi ta sulmojë sot.

    Sipas tij etiketat si “Sami Serbia”, qytetarët nuk i tolerojnë, prandaj thotë se ata reaguan.

    “Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”.

    Kryetari i VV-së në Skenderaj thotë se u sulmua nga Sami Lushtaku dhe njerëzit e tij

  • “U godit me grusht e pastaj me gotë në kokë” – Lëvizja Vetëvendosje reagon ashpër pas sulmit të Mehanit në Skenderaj

    “U godit me grusht e pastaj me gotë në kokë” – Lëvizja Vetëvendosje reagon ashpër pas sulmit të Mehanit në Skenderaj

    Hysni Mehani u sulmua fizikisht sot në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, ku sipas reagimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ai është sulmuar nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me truprojat e tij.

    Sipas VV-së, në momentin e incidentit Mehani ndodhej duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe disa aktivistë të partisë.

    Në reagimin e tyre thuhet se fillimisht Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Po ashtu, sipas VV-së, gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, është sulmuar edhe Sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, i cili ka pësuar goditje të rënda nga shoqëruesit e Lushtakut.

    Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur se Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa e ka cilësuar rastin si “sulm fizik banditesk”, duke kërkuar nga organet kompetente që të trajtojnë rastin me urgjencë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.

    Në reagimin e saj, VV-ja ka kërkuar gjithashtu edhe nga Partia Demokratike e Kosovës që ta dënojë këtë akt dhune.

    “Hysni Mehani u sulmua fizikisht nga Sami Lushtaku dhe shoqëruesit e tij, por askush nuk mund t’i frikësojë aktivistët dhe qytetarët e Republikës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

    Nga ana tjetër, persona të afërt me Sami Lushtakun kanë deklaruar se incidenti ka ndodhur pasi, sipas tyre, Mehani iu drejtua kryetarit të Skenderajt me fjalën “kriminel”.

    Vetë Hysni Mehani ka konfirmuar se është sulmuar fizikisht dhe i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të “mbrojë familjen” e tij.

  • LUGINA’S DAY 2026: Një ngjarje e madhe që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër

    LUGINA’S DAY 2026: Një ngjarje e madhe që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër

    Më 7 qershor 2026, të gjitha rrugët çojnë në Stadthalle Dietikon, ku do të mbahet një nga eventet më të mëdha dhe më të veçanta të komunitetit shqiptar në Zvicër – Lugina’s Day 2026.

    Ky organizim, i pari i këtij lloji, synon të bashkojë shqiptarët nga e gjithë Zvicra dhe më gjerë, duke krijuar një hapësirë unike për kulturë, bashkëpunim dhe netëorking.

    Sipas stafit të Luginas, qëllimi kryesor i këtij eventi është mbledhja e fondeve për realizimin e projekteve për Luginën.

    Qëllimi i dytë është Inaugurimi i Altak (ALbanian TAKim), platëforma e parë shqiptare në bote për regjistrimin e eventeve shqiptare në gjithë Globin, pra është një lloj kalendari.

    Eventi do të nisë nga ora 13:00 me hapjen dhe mirëseardhjen e mysafirëve, ku të pranishmit do të kenë mundësi të shijojnë atmosferën festive.

    Gjithashtu do të prezantohen projektet strategjike të platformës “Luginas”, si dhe aktivitetet e shoqatave anëtare.

    Programi kulturor do të përfshijë valle tradicionale shqiptare, performanca artistike dhe prezantime multimediale.

    Lugina’s Day është një event i organizuar nga shoqata Luginas për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për ata nga Lugina.

    Elita 5, String String dhe Ernest Zymberi

    Një nga pikat kulmore të eventit do të jetë performanca live e grupit Elita 5, si dhe performanca instrumentale nga String String, që do të sjellin një kombinim unik të muzikës moderne dhe tradicionale.

    Pjesë e programit do të jetë edhe komediani Ernest Zymberi me stand-up komedi, i cili do të sjellë një dimension argëtues përmes humorit karakteristik, duke e bërë atmosferën edhe më dinamike dhe të afërt për publikun.

    Mbrëmja do të vazhdojë me DJ dhe muzikë festive, vallëzim, socializim dhe netëorking të komunitetit të Luginas.

    Platforma ALTAK

    Gjatë eventit do të prezantohet edhe platforma ALTAK, si një iniciativë e re për zhvillimin e projekteve komunitare për vitin 2026.

    Sipas stafit të Luginas, ky prezantim do të shoqërohet me inaugurimin zyrtar të platformës dhe një vizion të qartë për fuqizimin e komunitetit shqiptar në diasporë, duke krijuar ura konkrete bashkëpunimi dhe zhvillimi.

    Një event që shënon një fillim të ri

    Lugina’s Day 2026 nuk është vetëm një event, por një hap i rëndësishëm drejt organizimit dhe fuqizimit të komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës në Zvicër.

    Me një program të larmishëm, pjesëmarrje të gjerë dhe një atmosferë festive, sipas stafit të Luginas, ky event pritet të vendosë një standard të ri për organizimet komunitare në të ardhmen.

    Tashmë biletat janë në shitje – rezervoni vendin tuaj: Blej biletën!

  • Kadetët e FSK-së marrin pjesë për herë të dytë në forumin ndërkombëtar në Itali

    Kadetët e FSK-së marrin pjesë për herë të dytë në forumin ndërkombëtar në Itali

    Qendra për Studime Universitare e Forcave të Sigurisë së Kosovës mori pjesë në forumin “International Humanitarian Law ” në Itali për herën e dytë me radhë.

    “Ky aktivitet ndërkombëtar mbledh kadetë nga akademi ushtarake të ndryshme të botës për të shkëmbyer njohuritë dhe aftësitë e tyre në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”, njofton FSK.

    QSU premton se do të vazhdojë përkushtimin në mbështetjen e kadetëve për të qenë pjesë e iniciativave që avancojnë njohuritë, përvojën dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të FSK-së në arenën ndërkombëtare.

  • Shpallet në kërkim një i dyshuar për vjedhje në Drenas

    Shpallet në kërkim një i dyshuar për vjedhje në Drenas

    Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor në Drenas, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar.

    Sipas njoftimit në Facebook policia ka shpërndarë edhe fotografi të personit në fjalë, duke bërë të ditur se ai kërkohet në lidhje me veprën penale “vjedhje”.

    “Personi i dyshuar është shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se posedojnë informata që mund të ndihmojnë në identifikimin apo lokalizimin e të dyshuarit, të kontaktojnë organet kompetente përmes numrave dhe adresave zyrtare të publikuara në njoftim.

  • Kërcënohet prokurori në Mitrovicë, reagon kryeprokurori i Shtetit

    Kërcënohet prokurori në Mitrovicë, reagon kryeprokurori i Shtetit

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se çdo tentativë për të frikësuar apo penguar prokurorët e shtetit në ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet në asnjë formë.

    “Lidhur me këtë rast, menjëherë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin e merituar”, thuhet në njoftim.

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit shpreh mbështetjen e plotë institucionale për prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Prekazi, si dhe për të gjithë prokurorët e shtetit, të cilët me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi ushtrojnë detyrat e tyre ligjore dhe kushtetuese në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.