ATV

Blog

  • Dy zyrtarët e Istogut dënohen për korrupsion, një vit burgim efektiv për njërin e dy për tjetrin

    Dy zyrtarët e Istogut dënohen për korrupsion, një vit burgim efektiv për njërin e dy për tjetrin

    Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar dënim me tre vite burgim (së bashku) ndaj dy zyrtarëve komunal të Istogut, Lulzim Blakaj dhe Ismet Hasi, të akuzuar për korrupsion. Me këtë rast, Blakaj u dënua me një vit burgim efektiv, kurse Hasi me dy vite burgim efektiv.

    Shpalljen e këtij aktgjykimi, e bëri në seancën e së hënës kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata ndaj të akuzuarit të parë Blakaj, ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv prej një viti, ku të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

    I akuzuari Blakaj, u obligua për pagesat e shpenzimeve të procedurës penale në shumën prej 100 euro, paushallin gjyqësor 50 euro, si dhe për fondin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

    Ndaj të akuzuarit Blakaj, u shqiptua edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në adminstratën publike apo në shërbimin publik prej dy viteve pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Ndërsa, të akuzuarit Ismet Hasi iu shqiptua dënimi prej dy vite burgim efektiv.

    Po ashtu, Hasi u obligua për pagesat e shpenzimeve procedurale në shumën prej 100 euro, për paushallin gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe për fondin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro, këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.

    Ndryshe, më 20 shtator 2022, të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm kundrejt akuzës së Prokurorisë së Pejës. Ndërsa po në atë seancë, prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj e ka  përmirësuar teknikisht cilësimin juridik të aktakuzës, duke iu referuar nenit 81 (vepra penale në vazhdimësi) të Kodit Penal të vitit 2013, sipas aplikimit të Kodit Penal në kohën e kryerjes së veprës penale, duke e hequr “nenit 77 të Kodit të ri Penal”.

    Sipas aktakuzës të ngritur më 21 shkurt 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i pandehuri Lulzim akuzohej se më 8 tetor 2020 në Istog, në dokumentin zyrtar të titulluar “Autorizim”, kishte shënuar të dhëna të rreme duke i vërtetuar edhe me vulë zyrtare, pasi që tani i ndjeri H.R dhe i pandehuri Blakaj me të kuptuar se për cilat raste janë duke u hetuar, i pandehuri kërkon nga zyrtari ligjor, dëshmitari Faton Bujupaj që të përpilojë dokumentin zyrtar “Autorizim”, i datës 18 prill 2018 dhe të njëjtin ta dërgojë tek ish-kryetari për nënshkrim, duke e urdhëruar të njëjtin që të hartojë këtë dokument kinse ka ekzistuar qysh në vitin 2018, me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, par.1 të Kodit Penal.

    I akuzuari Ismet Hasi akuzohej se në vazhdimësi kishte keqpërdor detyrën zyrtare, ashtu që më 5 tetor 2017, 24 tetor 2017 dhe 23 mars 2018, në cilësinë e udhëheqësit të Sektorit pranë Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Istogut, me qëllim të përfitimit për kompaninë “MaCon” dhe me pronar Gani Rugova dhe kompanisë “Te Aleni SHPK”, me pronar Fadil Dreshaj, ka nxjerrë vendim, përmes së cilit ka bërë ndërrimin e përhershëm të destimit të tokës bujqësore nga Mal i klasit të 3-të në tokë jopjellore.

    Krejt kjo, thuhet se me qëllim të krijimit të mundësisë që kompania “MaCon” të shmang obligimin për t’u pajisë me pëlqim për ndërrimin e destimit të përkohshëm të pyllit ose tokës pyjore në tokë tjetër nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, si Institucion i vetëm në Republikën e Kosovës, kompetent sipas Ligjit për Tokës Bujqësore dhe Ligjit për Pyje të Kosovës për ndërrimin e destimit të tokës bujqësore

    Me këtë, akuzohej se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”, nga neni 422, par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77, par.1, pika 1.3 të KPRK-së.

  • Dy të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

    Dy të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

    Dy persona janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur në një sulm rus me raketa në qytetin e Ukrainës qendrore, Kryvyi Rig, të hënën në mëngjes, njoftoi ministri i Brendshëm i Ukrainës, Igor Klymenko.

    “Dy persona kanë vdekur dhe 20 janë plagosur deri tani. Pesë deri në shtatë persona janë nën rrënoja”, tha ministri.

    Klymenko tha se njëri nga sulmet i shkatërroi disa kate të një blloku banesor, ndërsa tjetri e dëmtoi një ndërtesë arsimore, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e postoi një video në Facebook e cila shfaqi tym të zi duke dalë nga një vrimë e madhe e krijuar në fasadën e një blloku banesash.

    Pamjet treguan po ashtu një ndërtesë të pabanueshme e cila ishte shkatërruar pjesërisht.

    Zelensky tha se rusët po “vazhdojnë t’i terrorizojnë qytetet dhe njerëzit paqësorë”.

    “Por ky terror nuk do të na frikësojë apo gjunjëzojë neve”, shtoi Zelensky.

    Ndërkohë, Ukraina është duke kërkuar ta çojë luftën në Rusi, duke goditur atë me sulme me dronë sa më thellë territorit të saj.

    Sulmi i fundit, të dielën, i dëmtoi dy ndërtesa vetëm pak kilometra larg Kremlinit./REL

  • Dafina Zeqiri dhe Elgit Doda bëhen bashkë për bashkëpunimin e parë muzikor

    Dafina Zeqiri dhe Elgit Doda bëhen bashkë për bashkëpunimin e parë muzikor

    Bashkëpunimet në estradën shqiptare për sezonën e verës janë të shumta.

    Kësaj radhe, forcat i bashkuan Dafina Zeqiri dhe Elgit Doda.

    Ata do të sjellin bashkëpunimin e parë të tyre, që do të quhet “Si mua je ti”.

    Dyshja në fjalë nuk e kanë bërë të ditur datën dhe orën e publikimit të këngës, por në fotografit e publikuara në rrjetin social Instagram shihet se janë gati duke u bërë për xhirimet e klipit.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Giti (@elgitdoda)

  • Australia thotë se “shpresa ka humbur” për gjetjen e ushtarëve të zhdukur

    Australia thotë se “shpresa ka humbur” për gjetjen e ushtarëve të zhdukur

    Australia tha të hënën se çdo shpresë për gjetjen e katër ushtarëve që u zhdukën pas një përplasjeje helikopteri humbi.

    “Frika jonë më e keqe është konfirmuar”, tha kryeministri Anthony Albanese në parlament, sipas një postimi në Twitter të shpërndarë nga llogaria e tij zyrtare.

    “Ka qenë një fundjavë shumë e vështirë për kombin tonë”, shtoi ai.

    Personeli ushtarak australian – kapiteni Danniel Lyon, nëntogeri Maxwell Nugent, oficeri i garancisë Joseph Laycock dhe nëntetari Alexander Naggs – u shpallën të zhdukur pasi një helikopter i ushtrisë u rrëzua në brigjet verilindore të vendit, shkruan Anadolu Agency.

    “Unë e di se çdo anëtar i Dhomës së [Parlamentit], së bashku me çdo australian, po mendojnë për familjet e të zhdukurve,” shtoi ai.

    Në një postim të veçantë në Twitter, Ministri i Mbrojtjes Richard Marles tha se përpjekjet e kërkimit kanë “zbuluar rrënoja të konsiderueshme nga helikopteri”, duke e quajtur incidentin “katastrofik”.

    “Me çdo orë që kalon, tani është e qartë se çdo shpresë për të gjetur” ushtarët e zhdukur “ka humbur,” tha ai.

    Ministria e Mbrojtjes e vendit kishte thënë se një helikopter i Ushtrisë Australiane MRH-90 Taipan u rrëzua pranë ishullit Lindeman, në brigjet e Queensland.

    Helikopteri po merrte pjesë në aktivitete stërvitore gjatë natës si pjesë e stërvitjes së vazhdueshme Talisman Sabre 2023 me SHBA-në kur u raportua i zhdukur në mbrëmjen e së premtes vonë.

    Stërvitja Talisman Sabre 2023, stërvitja më e madhe ushtarake e Australisë me SHBA, që përfshin rreth 30,000 personel ushtarak nga 13 vende, filloi më 22 korrik dhe do të vazhdojë deri më 4 gusht.

  • Grabitje nën kërcënimin e armëve në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

    Grabitje nën kërcënimin e armëve në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një grabitje në magjistralen Prishtinë-Ferizaj ku tre të dyshuar, njëri me armë e tjetri me çekan, kanë hyrë në një market. Aty raportohet të kenë grabitur para të gatshme dhe sasi të cigareve dhe më pas janë larguar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë trajtuar stafin e maketit që ishin të shqetësuar.

    Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante.

  • Arrestohet një zyrtar policor në Podujevë, dyshohet për “dhunë në familje”

    Arrestohet një zyrtar policor në Podujevë, dyshohet për “dhunë në familje”

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar dje (e diele) një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

    IPK-ja kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Podujevë ka kryer veprën penale dhunë në familje.

    “Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njoftoi IPK.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

  • MINT: Vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë për Klan Kosovën

    MINT: Vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë për Klan Kosovën

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar të hënën se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

    “Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

    Po ashtu sipas kësaj ministrie në bazë të këtij dokumentacioni, i cili gjendet më poshtë (shih f. 1 dhe 3), Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë.

    “Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike””, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, sot (e hënë) në mesditë mban protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

     

  • Mjekët paralajmërojnë për probleme shëndetësore afatgjate, pas tërmetit në Turqi

    Mjekët paralajmërojnë për probleme shëndetësore afatgjate, pas tërmetit në Turqi

    Gjysmë viti nga tërmeti shkatërrues në Turqinë jugore, shoqata e mjekëve e këtij vendi ka paralajmëruar për dëme shëndetësore afatgjate.

    Tërmeti 7.8 ballësh e goditi Turqinë juglindore më 6 shkurt të këtij viti, duke shkaktuar shkatërrim të madh. Dridhja fillestare u përcoll nga një seri dridhjes të tjera.

    Dhjetëra mijëra njerëz u vranë dhe miliona të tjerë mbetën pa shtëpi. Tani, rrënojat janë hequr pothuajse plotësisht, por problemet shëndetësore afatgjate po vazhdojnë, ka thënë për DPA Selahattin Mentes, kryetar i Shoqatës së Mjekëve në qytetin Adana, në jug të Turqisë.

    Gratë dhe fëmijët janë posaçërisht në rrezik, tha ai. Ka mungesë të të ushqyerit të baraspeshuar, i cili mund të shkaktojë çrregullime në zhvillim te fëmijët. Në rrezik janë edhe gratë shtatzëna.

    “Një numër i madh i lindjeve të parakohshme dhe abortimeve janë vërejtur në këtë rajon”, theksoi Mentes.

    Operacione të vështira duhet të kryen në Adana, dhe spitalet atje janë të mbingarkuara tashmë. Mjekët në këtë rajon të Turqisë kanë vërejtur edhe një rritje në depresion.

    “Ka pasur shumë vdekje, njerëzit kanë humbur gjithçka dhe jeta që ata kanë tani u ofron pak atyre”, shtoi ai.

    Ai i akuzoi autoritetet se i kanë hedhur në mënyrë të pakontrolluar rrënojat nga ndërtesat e rrëzuara.

    Ata nuk e dinin nëse ato përmbanin toksinë, si asbest, dhe nëse ato do të depërtonin deri në tokën ujore. Ai tha se mungesa e këtyre njohurive është telash i madh.

    “Ne nuk e dimë se si do të jetë shkalla e kancerit të mushkërive në pesë apo 10 vjetët e ardhshme, ashtu siç nuk e dimë se si ushqyerja e dobët do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve”, përfundoi ai.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një burrë në Pejë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një burrë në Pejë

    Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë në Pejë, është arrestuar një burrë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, në spitalin rajonal të Pejës.

    “Pejë 30.07.2023-17:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhune fizike ndaj nënës se tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal të Pejës”, thuhet në raport.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Sot dalin në shitje biletat për ndeshjen Drita – Viktoria Plzen

    Sot dalin në shitje biletat për ndeshjen Drita – Viktoria Plzen

    Biletat për ndeshjen kthyese të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës ndërmjet Dritës dhe Viktoria Plzenit do të dalin në shitje nga dita e sotme (e hënë).

    Kështu ka njoftuar skuadra gjilanase të dielën në mbrëmje.

    “Klubi jonë FC DRITA ju njofton se biletat për ndeshjen e kthimit FC DRITA – FC Viktoria Plzen do të dalin në shitje nesër (e hënë) në mënyrë fizike nga ora 11:00 para teatrit të qytetit. Gjithashtu ditën e ndeshjes biletat do të dalin në shitje tek stadiumi ‘FADIL VOKRRI’ në dy pika të shitjes”, thuhet në postimin e skuadrës në Facebook.Ndeshja e parë e zhvilluar në Çeki ka përfunduar me rezultat të barabartë, 0:0.