ATV

Blog

  • ​Çitaku: Mehaj duhet të jap disa përgjigje në letrën e tij të dorëheqjes

    ​Çitaku: Mehaj duhet të jap disa përgjigje në letrën e tij të dorëheqjes

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku deklaroi se shumë ministra të Qeverisë Kurti nuk duhet të kenë as komoditetin e dorëheqjes. Sipas saj, shumë nga anëtarët e kabinetit qeveritar janë nën hetime dhe janë të përfshirë në afera të shumta. Pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ajo tha se i njëjti duhet të përgjigjet në disa pyetje, ku pretendohet se ka pasur mospajtime deri në përplasje fizike.

    Në konferencë për media, Çitaku u shpreh se ish-ministri i Mbrojtjes duhet të tregojë se çfarë ka ndodhur me mjetet e Fondit të Sigurisë.

    “Kryeministri ka shumë ministra që janë nën hetime, që kanë shkelur kushtetutën, që janë të përfshirë në afera të shumta, të cilët ai do duhej shkarkuar. E të cilëve nuk do të duhej dhënë as komoditeti i dorëheqjes. Për ministrin Mehaj nuk i dimë detajet, mirëpo ai ka nevojë që të jap disa përgjigje para se të largohet. Çfarë ka ndodhur me Fondin e Sigurisë, ku kanë shkuar ato mjete, cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij, a janë të vërteta pretendimet se ka pasur mospajtime deri në përplasje fizike brenda ambienteve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ka shumë pyetje të cilave ministri Mehaj do duhej dhënë përgjigje në letrën e tij të dorëheqjes”, deklaroi ajo.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kuurti ka njoftuar se ka emëruar kolonelin e FSK-së, Ejup Maqedonci në pozitën e ministrit të Mbrojtjes. Ai ka thënë se pranuar dorëheqjen e ministrit të deritanishëm Armend Mehaj, e cila sipas tij është bërë për shkaqe familjare. /KP

  • Bislimi pas dorëheqjes së Mehajt: Me shpresën që përsëri do na kryqëzohen rrugët e bashkëpunimit

    Bislimi pas dorëheqjes së Mehajt: Me shpresën që përsëri do na kryqëzohen rrugët e bashkëpunimit

    Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka reaguar pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

    Bislimi ka falënderuar Mehajn për kontributin, teksa ka thënë se kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

    “Falenderim dhe mirënjohje e veçantë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. I uroj shumë suksese në angazhimet e tij të ardhshme Armendit, me shpresën që përsëri do na kryqëzohen rrugët e bashkëpunimit”, ka shkruar Bisliomi në një postim në “Facebook”.

  • Kush është Ejup Maqedonci, ministri i ri i Mbrojtjes?

    Kush është Ejup Maqedonci, ministri i ri i Mbrojtjes?

    Kryeministri Albin Kurti ka pranuar dorëheqjen e ministrit Mehaj, i cili ka kërkuar lirimin nga detyra.

    Mehaj ka ofruar dorëheqje për arsye familjare.

    Ministri i deritashëm i Mbrojtjes, Armend Mehaj, do të zëvendësohet nga koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

    Maqedonci është ushtarak i karrierës.

    Kolonel Maqedonci ka përfunduar dy Kolegje ushtarake dhe dy programe master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Para se të bëhej pjesë e FSK-së, Ejup Maqedonci kur i kishte 19 vjet iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i shërbyer edhe atëkohë atdheut të tij.

    Gjatë asaj kohe, ka shërbyer si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në UÇK.

    Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili një trajnim në vitin 2010 në Japoni e kishte përfunduar me lëndim të rëndë, dhe kishte refuzuar 30 mijë dollarë për shërim, vetëm që të mos dëmtohet imazhi i ushtrisë së Kosovës.

    “Gjatë atij trajnimi, fatkeqësisht unë u lëndova. Nga zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë u ftova që të diskutojë rreth ndërprerjes së trajnimit dhe kthimit në Kosovë, si dhe tërheqjes së shumës prej 30 mijë dollarëve që ka qenë në kontratë. Unë as që e kam menduar punën e 30 mijë dollarëshit. Kam pasur shqetësim se nuk do të mund të vazhdojë punën e trajnimit. Ditën e nesërme kam kërkuar nga japonezët që të vazhdojë trajnimin edhe me një këmbë”, deklaroi Ejup Maqedonci.

    Pas këtij veprimi, nga autoritet japoneze, Maqedonci ishte caktuar përgjegjës i ushtarëve të 8 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

    “Jam caktuar përgjegjës për ushtarët e tetë shteteve që kanë marrë pjesë në trajnim. Pos tjerash kam qenë edhe planifikues i skenarëve që janë bërë për ato ushtrime. Në fund kam qenë përgjegjës për fjalën përfundimtare nga ana e studentëve në ceremoninë e diplomimit”, deklaroi më tej Ejup Maqedonci.

  • Eurodeputeti nga Holanda: Shpresoj që BE-ja i heq masat ndaj Kosovës në shtator

    Eurodeputeti nga Holanda: Shpresoj që BE-ja i heq masat ndaj Kosovës në shtator

    Në tri ditët e fundit të gushtit Bashkimi Evropian, mban takime informale të ministrave të punëve të jashtme e atyre të mbrojtjes. Me këto aktivitete përfundon pushimi veror i institucioneve të BE-së.

    Një eurodeputet nga Holanda, po pret që qysh në shtator unioni që ka 27 vende anëtare të lëviz drejt heqjes së masave ndëshkuese që i vendosi ndaj Kosovës, në qershor.

    Thijs Reuten, konsideron se Brukseli veproi gabim ndaj Prishtinës zyrtare , kur vendosi masa ndëshkuese si pasojë e mos deeskalimit të situatës në veri.

    Ndërkohë si pasojë e ujdisë së 10 korrikut BE-Kosovë, tashmë deeskalimi ka nisur në teren. Në dy turne 50% e policisë u tërhoq nga dhe rreth godinave komunale në tri komuna.

    “Bashkimi Evropian, ka ndërmarrë qasje izoluese e jo të balancuar, në atë se çka ndodhi në fund të majit. Duke harruar krejt çka ndodhi para dhe pas kësaj. Ne nuk pamë një reagim kaq të fortë kur tre polic u kidnapuan në territorin e Kosovës nga Serbia. Këta polic edhe pse janë liruar ende po ndiqen penalisht”, tha Reuten për Klan Kosova.

    Ligjvënësi holandez në Parlamentin Evropian (PE) është njëri nga nënshkruesit e letrës së politikanëve evropianë e amerikanë dërguar në qendrat vendimmarrëse që kërkon veprime konkrete sidomos në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Presim koordinim të qartë mes BE-së, SHBA-ve , Britanisë së Madhe dhe aleatët tjerë në komunitetit ndërkombëtar. Sepse ne duhet të vijmë te linja e qartë, kur vije puna që të flasim për përgjegjësinë e presidentit Vuçiq, në gjithë procesin. Dhe ta bëjmë të qartë se po kthehemi te dialogu i lehtësuar nga BE-ja, drejt normalizimit, sa më shpejt që është e mundur”, shtoi ai.

  • Sinani: U ndala edhe mbrëmë nga policia kufitare në Muçibabë

    Sinani: U ndala edhe mbrëmë nga policia kufitare në Muçibabë

    Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, ka thënë se është ndaluar edhe mbrëmë në Muçibabë nga policia kufitare serbe.

    Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se edhe herën e dytë është ndaluar pa ndonjë arsye.

    “Mbrëmë rreth orës 21:00 në vendkalimin e njëjtë kufitar me Republikën e Kosovës, Muçibabë, përsëri u ndalova nga policia kufitare serbe. Për herë të dytë brenda të njëjtës ditë. Jo vetëm duke e lëshuar Serbinë, por edhe duke hyrë. Këtë herë periudha kohore ishte më e shkurtër se në orët e mëngjesit të djeshëm”.

    “Edhe kësaj radhe pa asnjë sqarim e arsyetim! Thjeshtë ndalesë! Kjo është Serbia me të cilën si shqiptarë të Luginës së Preshevës ballafaqohemi çdo ditë. Kjo është Serbia për pakicat kombëtare”, ka thënë Sinani.

  • “Kërkoj falje me gjithë zemër”, mërgimtari i kërkon falje Avdullah Hotit për kanosje

    “Kërkoj falje me gjithë zemër”, mërgimtari i kërkon falje Avdullah Hotit për kanosje

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën pas përfundimit të seancës fillestare, i akuzuari Reshat Sadiku u afrua pranë deputetit Avdullah Hoti dhe i kërkoi falje për kanosjen që ia kishte bërë në rrjetin social “Facebook”.

    “Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.

    I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime.

    “Kam kontribuar shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari.

    Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore.

    “Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti.

    I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka, raporton Betimi për Drejtësi.

  • Maqedonci konfirmon detyrën e re: Do të jem ministër i Mbrojtjes

    Maqedonci konfirmon detyrën e re: Do të jem ministër i Mbrojtjes

    Kolonel Ejup Maqedonci do të jetë ministër i ri i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti.

    Këtë e ka konfirmuar vetë ai për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

    Ai do të pasojë ministrin Armend Mehaj, dorëheqja e të cilit ende nuk është publikuar.

    Së fundmi, Maqedonci ishte oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin e madh “Defender Europe 23”.

    Maqedonci, i cili ka përvojë të gjatë ushtarake, ka shërbyer edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

  • Kurti e konfirmon dorëheqjen e Mehajt dhe emërimin e ministrit të ri

    Kurti e konfirmon dorëheqjen e Mehajt dhe emërimin e ministrit të ri

    Kryeministri Kurti ka konfirmuar dorëheqjen e Mehajt si ministër i Mbrojtjes dhe emërimin e Ejup Maqedoncit si ministër të ri.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Mehaj ka kërkuar dorëheqje për shkaqe familjare.

    Kurti ka falenderuar Mehajn për “punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”.

    “Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”, ka shkruar Kurti.

    Ndërkaq, Kurti për ministrin e ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se i uron punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë.

    “Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë. Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari”, ka shkruar ai.

  • Mehaj konfirmon dorëheqjen, thotë se po largohet nga ministria për “arsye familjare”

    Mehaj konfirmon dorëheqjen, thotë se po largohet nga ministria për “arsye familjare”

    Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

    Ai në një postim në profilin e tij në Facebook e ka konfirmuar largimin nga qeveria.

    Postimi i plotë:

    Të nderuar qytetarë të Kosovës, të dashur bashkëatdhetarë

    Gatishmëria e secilit qytetar që ka vullnet për të kontribuar për vendin e tij, ka nevojë për mundësi dhe për hapësirë veprimi. Në formën e saj më të lartë, mua mu ofrua kjo mundësi dhe mu krijua një hapësirë e tillë në fillim të vitit 2021, kur atë kohë Kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti, më ftoi t’i bashkohesha në kabinetin e tij qeverisës, në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

    Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

    Pas shumë vitesh shërbim në uniformë, për mua si ushtarak ka qenë përgjegjësi dhe privilegj ta merrja këtë detyrë kaq të lartë, nëpërmjet të cilës profesionalizmi dhe përvoja ime ushtarake, erdhën në shprehje në formë politikash dhe strategjish shtetërore. Që nga 22 marsi i vitit 2021, kur u zgjodh qeveria Kurti 2 dhe deri sot, ka qenë një rrugë e gjatë dhe me plot sfida, me shumë punë dhe përpjekje, me përgjegjësi të lartë përballë detyrave dhe me vetëdije politike përballë historisë. Por në këtë rrugëtim, kishim një vizion të përbashkët politik me Kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët dua t’i falënderoj për punët e bëra bashkë deri sot si drejtues ministrish në kabinetin qeveritar.

    Në këtë pikë, dua ta falënderoj veçanërisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin, për besimin e plotë dhe mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë nga dita a parë e deri sot. Jam i sigurtë që Kryeministri Kurti duke e emëruar Ejup Maqedoncin në detyrën e Ministrit të Mbrotjes, e ka zgjedhur njeriun e duhur për këtë detyrë: një person profesionist, patriot dhe të dëshmuar.

    Rruga që e kam ndjekur duke e drejtuar Ministrinë e Mbrotjes, është e dëshmuar dhe e evidentueshme, bashkë me të gjitha të arriturat, sukseset dhe përparimet që e kanë shoqëruar këtë institucion. Kam patur fatin që të vihem në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në një kohë kur Forca e Sigurisë së Kosovës, është duke kaluar nëpër një fazë të transformimit sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Për ushtrinë tonë, kjo është një periudhë shumë e rëndësishme historike, gjatë të cilës FSK-ja do t’i ngritë kapacitetet ushtarake në nivele të plota për mbrotjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

    Brenda dy viteve të para të qeverisjes tonë, e kemi dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, ndërsa i kemi rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj. Më 2021 e kemi realizuar 96 % të buxhetit vjetor, kurse më 2022 ky realizim ishte 95 %. Kurse këtë vit, deri më tani, e kemi realizuar 57 % të buxhetit vjetor. I kemi shtuar trajnimet dhe shkollimet e ushtarëve dhe oficerëve për mbi 16 herë, duke i dërguar nëpër akademi ushtarake në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Kroaci etj.

    Kështu, përveç shtimit numerik të pjesëtarëve, tani Forca ka më shumë dije dhe profesionalizëm si dhe personel të trajnuar në përputhje me doktrinën e Forcës dhe sipas standardeve të NATO-s. Kemi bërë miliona euro blerje të armatimit dhe pajisjeve, për herë të parë përmes marrëveshjesh të drejtpërdrejta ndërshtetërore, duke i shmangur dhe parandaluar keqpërdorimet e mundshme. Kemi arritur që për më pak se tre vite, ta pajisim Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të reja të armatimit, duke përfshirë sisteme të mbështetjes me zjarr dhe sisteme të mbështetjes ajrore. E kemi përfshirë Kosovën si vend pritës përveçse pjesëmarrës, në ushtrimet e mëdha ndërkombëtare “Defender Europe 2021” dhe “Defender Europe 2023”, pas të cilave Forca e Sigurisë së Kosovës ka validuar njësi këmbësorie deri në nivel regjimenti.

    Për herë të parë në historinë e FSK-së, ushtarët tanë kanë qenë pjesë e misioneve të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe. E kemi zbatuar suksesshëm dhe për periudha të gjata kohore misionin tonë në mbështetje të autoriteteve civile, gjatë pandemisë së virusit COVID-19 dhe operacionit për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë. Profesionalizmi ynë u dëshmua maksimalisht edhe gjatë operacionit të kërkim shpëtimit, në ndihmë popullit turk, pas tërmetit të 6 shkurtit 2023.

    I kemi shtuar kontaktet dhe i kemi fuqizuar raportet e dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar. Kemi nisur edhe shumë e shumë projekte dhe programe, që ndër vite do t’i prodhojnë efektet e tyre progesiste për forcimin e FSK-së, për çka i kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore dhe materiale në dispozicion, duke i menaxhuar në mënyra sa më efikase me qëllim të maksimalizimit të efektshmërisë.

    Në përmbyllje të këtij kapitulli të aktivitetit tim, dua ta falënderoj kabinetin tim, gjithë stafin e Ministrisë së Mbrojtjes për punën e tyre dhe të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin e përditshëm. Mes tyre, unë kam parë zyrtarë dhe ushtarakë të zotë, të përkushtuar dhe vetëmohues, që çdo ditë japin nga vetja e tyre për t’i çuar përpara objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, në punën time jam drejtuar nga idealet kombëtare të dëshmorëve të lirisë, jam mbështetur në profesionalizmin dhe përvojën time ushtarake si dhe jam përpjekur që të drejtoj me përgjegjësi dhe integritet. Është nder dhe privilegj krejt i veçantë të drejtosh një institucion si Ministria e Mbrojtjes, e cila bën politika për një ushtri që e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. U jam mirënjohës dhe i falënderoj prindërit e mi, që më kanë edukuar në frymën e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar, siç e falënderoj bashkëshorten time dhe tri vajzat e mija për sakrificat e bëra gjatë kësaj kohe.

    Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës e presin edhe shumë punë dhe procese, në një rrugë të gjatë drejt forcimit të shtetit tonë dhe garantimit të sigurisë së plotë të tij. E në këtë rrugë, mua do të më gjeni gjithmonë duke bashkëudhëtuar me shokë, në përpjekjen tonë të përbashkët për atdheun, për Kosovën, për kombin shqiptar.

    Me respekt dhe konsiderata, në shërbimin tuaj:
    Armend Mehaj

  • “Kësi kryemadhi rrallë t`vjen n`dyqan”, debati qesharak mes shitësit të plisave dhe blerësit

    “Kësi kryemadhi rrallë t`vjen n`dyqan”, debati qesharak mes shitësit të plisave dhe blerësit

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, është edhe rubrika me tregime popullore, të cilat i interpreton aktori Bislim Muçaj.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një ngjarje që kishte ndodhur në një dyqan plisash.

    Një klient me një kokë dukshëm të madhe kërkoi një plis për kokën e tij, por shitësi kishte vetëm një në dispozicion. Shitësi e informoi klientin se ky plis i veçantë kishte një çmim më të lartë se mesatarja, duke pasur parasysh madhësinë e tij, gjë që e bën atë të rrallë nëpër dyqane. Si përgjigje, klienti tha me humor: “Edhe dikush me një madhësi kaq të konsiderueshme të kokës rrallë frekuenton dyqanin”.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë: