ATV

Blog

  • Bashkatdhetarët presin deri në dy orë për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdarë

    Bashkatdhetarët presin deri në dy orë për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdarë

    Deri në dy orë janë duke pritur mërgimtarët për të dalë nga Kosova në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

    Qendra kombëtare për menaxhim kufitar ka bërë të ditur se bashkatdhetarët po presin në një kolonë prej 700 metra për të dalë nga Kosova në pikë-kalimin kufitar në Merdarë.

    Pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë deri në 40 minuta, e që kolona shkon deri në 200 metra.

    Në pikat tjera kufitare nuk raportohet për kolona e pritje të gjata.

    Ndryshe, të martën në mbrëmje Policia e Kosovës ua rikujtoi qytetarëve për mundësinë e udhëtimit edhe përmes pikave tjera kufitare në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata në Merdarë.

  • Serwer: Presioni që po i bëhet Kosovës nga Perëndimi është i padrejtë

    Serwer: Presioni që po i bëhet Kosovës nga Perëndimi është i padrejtë

    Ditë më parë dhjetëra deputetë ndërkombëtarë i dërguan një letër BE-së dhe SHBA-së, nëpërmjet të cilës kërkuan një qasje më të balancuar ndaj palëve në dialog.

    Sikurse shumë politikanë të huaj edhe profesori nga Johns Hopkins University, Daniel Serwer, konsideron se Serbia është duke u trajtuar në mënyrë të butë nga komuniteti ndërkombëtar.

    Ai thotë se procesi i dialogut ka qenë krejtësisht i çekuilibruar gjatë vitit të fundit, prandaj e përkrah iniciativën e parlamentarëve amerikanë dhe evropian të cilët po kërkojnë ndryshime.

    “Gjatë vitit të fundit procesi i dialogut nuk ka qenë i ekuilibruar, prandaj më vjen mirë që parlamentarët amerikanë dhe evropianë kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje. Po ndodh një marrëzi duke i bërë presion Prishtinës ndërsa në anën tjetër janë duke u toleruar veprimet e Beogradit, ku pati sulme ndaj policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të KFOR-it, si dhe u bojkotuan e zgjedhjet në veri. Mos te harrojmë dhe faktin që Serbia i mobilizoi në nivelin më të lartë forcat ushtarake”, thotë Serwer, për Tëvë1.

    Profesori amerikan thotë se në Bruksel dhe në Uashington mungon pëlqimi ndaj autoriteteve aktuale të Kosovës, prandaj sipas tij po e shohim këtë qasje më të vrazhdë ndaj Prishtinës.

    “As Brukseli dhe as Uashingtoni nuk e kanë fshehur neverinë e tyre për autoritetet aktuale në Kosovë. Është e pashpjegueshme se si mund të shqetësoheni më shumë se nga cilat ndërtesa punojnë kryetarët e komunave sesa për sulmet ndaj policisë së KFOR-it dhe paqeruajtësve të NATO-s”, është shprehur ai.

    Tutje Serwer parashikon se me ndihmën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Lista Serbe do të vazhdoj të ketë kontroll mbi jetën politike të serbëve në veri, e siç thotë ai, kjo duhet të përbëj shqetësim për Brukselin dhe Uashingtonin.

    “Vuçiq ka dhënë shenja se do të veprojë në të njëjtën formë në veriun e Kosovës. Kjo është ajo për të cilën duhet të shqetësohen Brukseli dhe Uashingtoni. Ai po luan lojën e Rusisë, jo të Perëndimit”, ka thënë Serwer.

    Nga Brukseli i kanë kërkuar Prishtinës që së më shpejtë të krijohen kushtet për zgjedhje të reja në katër komunat veriore.

    Kujtojmë që për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët në veri, kryetar komunash u zgjodhën katër shqiptarë.

  • Ky është moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Ky është moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët dhe me rreze dielli.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Peja me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 29 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike, por pritet të ketë ulje të temperaturave.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 30 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 35 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

     

     

  • Lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve këto ditë, KFOR-i i këshillon shoferët kosovarë të jenë të vëmendshëm

    Lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve këto ditë, KFOR-i i këshillon shoferët kosovarë të jenë të vëmendshëm

    Ditët në vijim do të ketë lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda Kosovës, për shkak të procedurës normale të dorëzimit të kontingjenteve.

    “Ushtrimet do të kryhen gjithashtu për të testuar dhe ruajtur aftësitë operacionale në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i trajnimit dhe gatishmërisë së të gjitha njësive që vijnë në terren”, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë përmes një komunikate për media.

    KFOR-i njofton se këto ushtrime do të zhvillohen në mënyrë të tillë që të minimizojnë çdo ndërprerje dhe ndikimin për popullatën lokale dhe se është e mundur që të ketë vonesa në qarkullimin e trafikut dhe të vërehen lëvizjet e ushtarëve.

    “Prandaj, KFOR-i këshillon shoferët që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë nëse janë afër kolonave të automjeteve ushtarake”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

  • ​Përmeti destinacion turistik, Hoxha: Mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj

    ​Përmeti destinacion turistik, Hoxha: Mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj

    Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara të turistëve të shumtë në Shqipëri, të cilët shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë natyror.

    Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha për ATSH-në tha se “për periudhën janar-korrik mbi 60 mijë turistë kanë qëndruar minimalisht një natë në Përmet. Nëse do të llogarisim në numër edhe vizitorët ditorë shifra shkon mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj”.

    Sipas saj, në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje prej 25% të numrit të turistëve, transmeton KosovaPress.

    “Vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj”, tha Hoxha.

    Sipas saj, këtë vit vihet re trendi i turistëve nga Gjermania, Polonia, Italia dhe Spanja, por edhe nga vende të tjera.

    Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se bashkia e Përmetit ka organizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e qytetit.

    “Mund të përmendim festat e ndryshme si Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve. Gjithashtu është bërë një punë mjaft e mirë me mbështetjen e guidave dhe subjekteve lokale me qëllim zhvillimin e ekonomisë vendase, ku mund të përmend kurset për guida lokale të certifikuara për rafting. Markimin e shtigjeve të ndryshme, zhvillimin e garës Iliryan Race, Festivali Climbing etj”, tha Hoxha.

    Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin. Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

    Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

    Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

    Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.

    Dje, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar seanca duke qenë gjatë tërë kohës në sesion të mbyllur për mediat dhe publikun.

    Gjatës kësaj seance, dëshmitari i 16-të, me kodin 03879, ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Selimit, konkretisht avokatit Geeoffrey Roberts.

    Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij në seancën e së hënës, ku pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

  • Profesionet që nuk rrezikohen nga inteligjenca artificiale

    Profesionet që nuk rrezikohen nga inteligjenca artificiale

    Ardhja e inteligjencës artificiale (AI) ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e shumë industrive, duke sjellë me vete potencialin për rritjen e efikasitetit, saktësisë dhe produktivitetit. Por me këtë evolucion lind pyetja: cilat punë do të zëvendësojë IA dhe cilat janë ‘të sigurta’? Makineritë tani mund të kryejnë detyra të përsëritura më shpejt dhe më saktë se sa fuqia punëtore. Ato mund të punojnë gjatë gjithë kohës, nuk kërkojnë pushime dhe nuk janë të ndjeshëm ndaj situatave e lëndimeve. Derisa në një artikull të mëhershëm e kemi analizuar se cilat profesione rrezikohen më së shumti nga Inteligjenca Artificiale, në këtë artikull do të listojmë disa nga profesionet që nuk rrezikohen nga ajo.

    Derisa IA mund të zëvendësojë shumë lloje të punës, ka disa që nuk mundet, të paktën jo tani. Këto janë zakonisht pozita që kërkojnë një shkallë të lartë kreativiteti, mendimi kritik, inteligjencë emocionale ose ekspertizë të specializuar.

    Punë Kreative: Ndërsa inteligjenca artificiale mund të gjenerojë muzikë, të shkruajë artikuj dhe madje të krijojë art, asaj i mungon aftësia për të krijuar me të vërtetë. Mund të përsëritet dhe të përzihet, por nuk mund të bazohet në përvojat personale, emocionet ose një perspektivë unike për botën siç e bëjnë vërtetë krijuesit. Artistët në çdo fushë nuk mund të zëvendësohen. Si të tilla, punët në fusha si shkrimi, muzika, arti, dizajni, parukeria, make-upi e fusha të tjera janë të sigurta që nuk mund të rrezikohen nga inteligjenca artificiale.

    Punë komplekse vendimmarrëse: Pozitat e punës që përfshijnë vendimmarrje komplekse, si drejtuesit, sipërmarrësit dhe strategët, janë të vështira për t’u zëvendësuar nga IA. Këto punë kërkojnë një kuptim të thellë të realitetit, planifikimin afatgjatë dhe aftësinë për t’u marrë me pasigurinë – fusha që tani për tani nuk rrezikohen nga Inteligjenca Artificiale. Janë këto punë që kërkojnë inteligjencë emocionale: Inteligjenca artificiale po bëhet më e mirë në imitimin e emocioneve njerëzore, por ende nuk mund t’i kuptojë apo të ndjejë me të vërtetë njerëzit. Si të tilla, punët që kërkojnë inteligjencë të lartë emocionale, si terapistët, punonjësit socialë dhe infermierët, nuk ka gjasa të zëvendësohen.

    Profesionistët e specializuar: Punët që kërkojnë ekspertizë të thellë në një fushë të caktuar, si mjekë, avokatë dhe shkencëtarë, kanë më pak gjasa të zëvendësohen plotësisht nga IA. Ndërsa inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në këto fusha, thellësia dhe gjerësia e njohurive të kërkuara, së bashku me nevojën për të menduar në mënyrë kritike dhe të kuptuarit e thellë, e bëjnë të vështirë që IA të marrë përsipër plotësisht këto detyra.

    Edukatorët: Mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me përcjelljen e informacionit, por edhe me frymëzimin, motivimin dhe kuptimin e studentëve. Kërkon inteligjencë emocionale, përshtatshmëri dhe një prekje personale të cilat nuk mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale. /AkademiPune

  • Gazeta britanike shkruan për pesë plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë

    Gazeta britanike shkruan për pesë plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë

    Bumi turistik i Shqipërisë i ka bërë përshtypje edhe portalit të njohur “Emerging Europe”, media e Britanisë së Madhe e fokusuar tek mbështetja e progresit të bazuar në risitë që e afrojnë me vlerat evropiane, rajone të ndryshme të Euroazisë, ndër të cilat është edhe Evropa Juglindore.

    Në një artikull të gjatë, kjo media i bën jehonë 5 plazheve të jugut të vendit pak të njohura për të huajt, që i konsideron si mrekulli natyrore që ofrojnë përvoja unike dhe kujtime të paharrueshme larg turizmit masiv.

    E nis me plazhin e Gjipesë, që e përshkruan si parajsë për adhuruesit e natyrës, me pamje piktoreske.

    Një gji i veçuar që arrihet vetëm me varkë ose me këmbë, që ofron ujëra të kristaltë dhe një peisazh të paprekur, mes shkëmbinjve.

    Pas tij renditet plazhi i Ksamilit, një thesar që nuk është më i fshehur, me rërën e bardhë dhe ujërat e kristaltë, ku plazhi mund të bëhet edhe në mjedise të izoluar në 4 ishuj të paprekur që arrihen edhe me not.

    Eksperiencë autentike, sipas “Emerging Europe” ofron edhe plazhi i Gjirit të Akuariumit.

    Bregdeti i këtij plazhi ofron një shtrirje të paprekur me peizazhe spektakolare, me ujëra të pastër kristal të rrethuar nga ullishte dhe selvi.

    Mund të shijohen edhe shëtitje të qeta përgjatë bregut, restorante me gatime deti në Himarën që ndodhet shumë pranë.

    Për Jalën, shkruan se plazhi me një bukuri të paprekur ofron një ndjenjë qetësie që rrallë gjendet në pikat më të njohura turistike, me një sfond pyjesh të dendur me pisha dhe kodra piktoreske.

    Vizitorët ftohen të vizitojnë edhe vendet arkeologjike aty pranë si Kalaja e Himarës.
    Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Palasës, që përshkruhet si parajsë e vërtetë, me një plazh të rrethuar nga malet me bimësi të dendur dhe që ofron një përzierje befasuese të peizazheve të thyer dhe ujërave me një ngjyrë kaltër të thellë.

    Bregu i artë me rërë shtrihet me kilometra, duke ofruar hapësirë të mjaftueshme për vizitorët që të çlodhen dhe të kënaqen me aktivitete të ndryshme ujore.

    Artikulli u rekomandon vizitorëve të mos e humbasin mundësinë për të ecur deri në Parkun Kombëtar të Llogarasë, për të parë pamjet mahnitëse panoramike që ofron nga lart, bregdeti.

  • Përvjetori i vdekjes së Elvis Presley-t

    Përvjetori i vdekjes së Elvis Presley-t

    Elvis Presley ka lindur më 8 janar 1935 në Tupleo, dhe ka vdekur në më 16 gusht më 1977 në Memphis. Kur ka vdekur, ai ishte vetëm 42 vjeç.

    Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Mbreti i muzikës rock&roll, sex simboli, mashkull me të cilin çdo femër ka dashur të ishte, me vite ka luftuar nga varësia. Vitin e fundit të jetës së tij, ai është shoqëruar me mjekët, duke pasur parasysh se kishte probleme të mëdha me mëlçinë, zemër, sistemin e tretjes etj, dhe e gjithë kjo si pasojë e përdorimit të drogës. Karrierën e tij, Elvis e kishte filluar në vitin 1954. Zbuluesi i talentit të tij ishte themeluesi i Sun Records, Sam Phillips. Elvis kishte ardhur në studio për të kënduar një këngë për ditëlindjen e nënës së tij.

    Pak kohë pas kësaj, ai ka realizuar singlin “That’s All Right” i cili menjëherë është bërë hit. Ai ka marr pjesë në shumë emisione televizive dhe në radio, kurse mënyra e vallëzimit dhe lëvizjet e tij shumë shpejt janë bërë mjaft tërheqëse tek gjinia femërore. Për herë të parë ka debutuar në film në vitin 1956, në filmin “Love Me Tender”. Ai ishte këngëtari i parë, koncerti i së cilit (Aloha from Hawaii në 1973) është transmetuar në më shumë se 40 shtete të botës. Ai ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin Grammy, dhe ka fituar tri çmime Grammy për vepër jetësore. Falë suksesit të madh në showbiz, Elvis ka fituar miliona, ka shpenzuar shumë, dhe për këtë arsyeje pak para vdekjes kishte bankrotuar. Trashëgimtarja e pasurisë së tij ishte Lisa Marie Prestley.

  • Prada krijon koleksionin e parë të ‘make-up-it’

    Prada krijon koleksionin e parë të ‘make-up-it’

    Shtëpia e Modës Prada ka krijuar koleksionin e parë të grimit dhe kujdesit të lëkurës i cili pritet të lansohet së shpejti.

    Pas rrugës së suksesshme që ka gdhendur në fushën e modës dhe parfumeve, tani premton të na magjeps me cilësinë e lartë në estetikën e veçantë.

    Artistja Lindsey Alexander, në bashkëpunim me grimieren dixhitale Ines Alfa, frymëzoi një koleksion të tej mbushur me elegancë, të quajtur “Rethinking Beauty”.

    Koleksioni i Prada Beauty pritet të dalë këtë muaj dhe do të përmbajë buzëkuq, fondatinë dhe katër produkte për kujdesin e lëkurës për një lëkurë me shkëlqim.

    Artistja e karakterizon serialin si të çuditshëm, por të sofistikuar. “Kam shikuar thellë në arkiva për frymëzim, pasi kisha akses në të gjitha këto printime shumëngjyrëshe, lëkurë, tekstura najloni, lista nuk përfundon kurrë”, tha ajo.

    Frymëzimi kryesor për to janë pëlhurat nga shfaqjet e kaluara të Prada.

    Paletat e rimeleve kanë katër nuanca të ndryshme, me tekstura të pigmentuara.

    Gjithashtu, paketimi luksoz Prada është një xhevahir i vërtetë për dhomën tonë të zhveshjes.

    Buzëkuqet janë një tjetër triumf, pasi ka 26 nuanca mat me theks në çdo detaj dhe këtu e veçanta është se ato shoqërohen me paketim të rimbushshëm në tonalitete argjendi dhe ari, me logon ikonë trekëndore dhe një teksturë që të kujton atë të Prada.

    Së fundi, bazamentet do të jenë gjithashtu në pako të rimbushshme, dhe në 33 nuanca, me një teksturë të lehtë për një bazë me shkëlqim./atvlive.tv/