ATV

Blog

  • Manaj: Sulmet ndaj faqeve të LDK-së, cenojnë integritetin e procesit zgjedhor

    Manaj: Sulmet ndaj faqeve të LDK-së, cenojnë integritetin e procesit zgjedhor

    Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se për herë të dytë i janë drejtuar Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernitike të Policisë së Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ndërhyrjet në faqen e kryetarit të LDK-së dhe zyrtarëve tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës!

    Ndërsa ka thënë se këto sulme e cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.

    “Këto sulme e cenojnë integritetin e procesit zgjedhor sepse kanë për qëllim manipulimin e komunikimit publik, deformimin e përceptimit publik si dhe cenimin e sigurisë dhe të integritetit institucional. Ftojmë policinë dhe prokurorinë që të marrin masa të mënjehershme që të parandalojnë sulmet e koordinuara në komunikimin publik digjital”, ka thënë Manaj.

  • Haxhiu: Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor, u rikthyen kujtimet e rënda për shumë qytetarë

    Haxhiu: Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor, u rikthyen kujtimet e rënda për shumë qytetarë

    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar lidhur me ngjarjet e mbrëmshme në Skenderaj.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka shkruar se ajo që ndodhi mbrëmë krijoi shqetësim të madh te qytetarët dhe hapi shumë pikëpyetje për kohën, mënyrën dhe motivet e veprimit të këtij pushteti në ikje, sidomos në prag të fushatës zgjedhore.

    Sipas, tij dërgimi i forcave speciale atje nuk u pa thjesht si një aksion policor.

    Postimi i plotë:

    Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor.

    Ajo që ndodhi mbrëmë krijoi shqetësim të madh te qytetarët dhe hapi shumë pikëpyetje për kohën, mënyrën dhe motivet e veprimit të këtij pushteti në ikje, sidomos në prag të fushatës zgjedhore.

    Pamjet e forcave speciale në zemër të Drenicës rikthyen kujtime të rënda për shumë qytetarë, kujtime që lidhen me periudhat më të dhimbshme të historisë sonë. Për këtë arsye, çdo veprim institucional duhet të jetë i matur, transparent dhe në shërbim të sigurisë së qytetarëve, e jo të perceptohet si presion politik apo demonstrim force.

    Ofendimet, provokimet dhe tensionet e krijuara janë të dirigjuara nga mendësia përçarëse dhe diktatoriale e Albin Kurtit dhe Dejona Mihajlit.

    Policia e Kosovës duhet të mbetet institucion profesional, i paanshëm dhe larg interesave partiake te pushtetit.

    Drenica ka qenë dhe mbetet simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar. Historia ka treguar se çdo përpjekje për ta nënshtruar apo përçarë atë ka dështuar.

  • OVL-UÇK: Çka ndodhi në Skenderaj ishte skenar i porositur nga Kurti dhe banda e tij, diktatura mori fund në qershor me ’99

    OVL-UÇK: Çka ndodhi në Skenderaj ishte skenar i porositur nga Kurti dhe banda e tij, diktatura mori fund në qershor me ’99

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur një takim urgjent ku, sipas tyre, aty u diskutua për “përkeqësimin e klimës së sigurisë” pas angazhimit të njësive speciale në një incident që e cilësuan si “zënkë të zakonshme e pa pasoja të rënda”.

    OVL-UÇK tha se strukturat e sigurisë së Kosovës “ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët dhe rendin kushtetues, e jo të marrin pjesë në shtetrrethime e ngjallje të frikës”.

    Ata u bënë thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që “të mos harrojnë se mandati i tyre buron nga Kushtetuta dhe ligjet, e jo nga urdhrat qeveritare në dobi të zbatimit të skenarëve të porositur nga Albini Kurti dhe banda e tij”.

    “Të jemi të qartë. Strukturat e sigurisë së Republikës ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët dhe rendin kushtetues, e jo të marrin pjesë në shtetrrethime e ngjallje të frikës. Me këtë rast u drejtohemi pjesëtarëve të Policisë të mos harrojnë se mandati i tyre buron nga Kushtetuta dhe ligjet, e jo nga urdhrat qeveritare në dobi të zbatimit të skenareve të porositura nga Albini Kurti dhe banda e tij”, thuhet në komunikatë.

    Sipas komunikatës, “nëse uniforma e Kosovës kthehet në instrument për të vendosur tiraninë e regjimit, atëherë përpos urdhërdhënësve, përgjegjësia bëhet edhe personale”.

    OVL-UÇK deklaroi gjithashtu se “në mbrojtje të lirisë, demokracisë e rendit kushtetues, me çdo mjet do të pengojmë secilin individ apo organizim politik që tenton të vendos diktaturën”.

    Organizata theksoi se “diktatura mori fund në qershor të vitit 1999” dhe shtoi se janë “të gatshëm gjithmonë të sakrifikohen në mbrojtje të lirisë dhe shtetit”.

    “Kushdo që tenton ta vë këtë realitet në provë, le të urdhërojë. Këtu jemi. Të gatshëm gjithmonë të sakrifikohemi në mbrojtje të lirisë dhe shtetit që ka në themele mundin e luftëtarëve e gjakun e Dëshmorëve të UÇK-së”.

  • Fenerbahçe futet fuqishëm në garë për Mohamed Salah

    Fenerbahçe futet fuqishëm në garë për Mohamed Salah

    Mohamed Salah pritet të jetë një nga emrat më të përfolur në merkaton e verës, pas vendimit për t’u larguar nga Liverpool si lojtar i lirë.

    Prej kohësh, klubet nga Arabia Saudite kanë tentuar ta joshin sulmuesin egjiptian me oferta milionëshe, ndërsa së fundmi u raportua edhe për një interesim nga Bayern Munich, megjithëse në Gjermani këto lajme nuk gjetën shumë konfirmime.

    Sipas mediumit turk A Spor, në garë për Salah është futur edhe Fenerbahçe. Klubi nga Stambolli e ka vendosur “faraonin” egjiptian në krye të listës së dëshirave dhe synon të bëjë një goditje të madhe në merkato për t’u rikthyer fuqishëm në garë për trofe.

    Raportohet se Fenerbahçe është gati t’i ofrojë Salahut një kontratë trevjeçare me pagë prej 20 milionë euro neto në sezon, në përpjekje për të mposhtur konkurrencën e fortë për firmën e tij.

    Nëse transferimi realizohet, Salah do të bëhej një nga futbollistët më të paguar në historinë e futbollit turk. Përveç aspektit sportiv, afrimi i tij shihet edhe si një lëvizje strategjike për rritjen e imazhit ndërkombëtar të Superligës turke, duke pasur parasysh ndikimin e madh mediatik dhe popullaritetin global të yllit egjiptian.

  • Didier Deschamps shpjegon lënien jashtë të Camavingas nga lista e Francës për Botërorin 2026

    Didier Deschamps shpjegon lënien jashtë të Camavingas nga lista e Francës për Botërorin 2026

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, ka sqaruar arsyet pse mesfushori i Real Madrid, Eduardo Camavinga, mbeti jashtë listës së Francës për Kupa e Botës 2026.

    Deschamps pranoi se sezoni i vështirë dhe dëmtimet kanë ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij, ndërsa theksoi se konkurrenca në mesfushë është shumë e fortë.

    “Camavinga po e mbyll një sezon të vështirë, në të cilin ka luajtur pak për shkak të dëmtimeve. Ai është ende shumë i ri”, deklaroi fillimisht trajneri francez.

    “Më duhet të bëj zgjedhje dhe të ndërtoj strukturën e skuadrës. Por mund ta imagjinoj sa i zhgënjyer është sot”, shtoi Deschamps.

    Në konferencën për shtyp, ai e bëri edhe më të qartë arsyetimin e tij, duke theksuar se forma dhe mungesat gjatë sezonit i kushtuan lojtarit vendin në ekip.

    “Sezoni i tij i kushtoi vendin. Edhe dëmtimet gjithashtu. Konkurrenca për pozicionin është shumë e fortë. Cama është mes atyre që janë të zhgënjyer. Ai është ende i ri. Ai ishte këtu në mars”, u shpreh përzgjedhësi francez.

    Deschamps shtoi se nuk ka asnjë dyshim për cilësitë e Camavingas, por e kupton zhgënjimin e tij për këtë vendim.

    “Nuk dyshoj për atë që është i aftë të bëjë. Por sot ai ka çdo të drejtë të jetë i mërzitur me mua. E kuptoj”, deklaroi ai.

    Sa i përket portierit të Paris Saint-Germain, Lucas Chevalier, Deschamps shpjegoi se zgjedhja për rolin e portierit të tretë kërkon karakteristika të veçanta, ndërsa vlerësoi sezonin pozitiv dhe entuziazmin e Robin Risser, faktorë që ndikuan në vendimin final.

  • Kos thirrje liderëve në Kosovë për kthimin e stabilitetin institucional që “Kosova të ecë përpara drejt BE-së”

    Kos thirrje liderëve në Kosovë për kthimin e stabilitetin institucional që “Kosova të ecë përpara drejt BE-së”

    Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, shfrytëzoi vizitën e saj në Kosovë për t’i bërë thirrje spektrit politikë për të dalë nga ngërçi institucional dhe formimi i institucioneve stabile në mënyrë që vendi të ecë drejt BE’së.

    “Thirrja ime e qartë në këtë vizitë është për të gjithë aktorët politikë për ta gjetur një mënyrë për ta kthyer stabilitetin institucional”, tha Kos në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Kos erdhi për herë të parë në Kosovë që nga marrja e postit më 2024. Ajo kishte planifikuar disa herë të vinte, por për shkak të zhvillimeve politike në vend, kishte shtyrë vizitën.

    Por, sërish Kos erdhi në kohën kur vendi s’ka Kuvend, ndërsa Qeveria e Presidenca janë në detyrë. Ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen në qershor.

    Kos tha se shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe Kosova duhet ta zërë hapin pas një vitit të humbur më 2025.

    “Është e rëndësishme që pasi të bëhet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe t’i themelojnë të gjitha institucionet, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri përmes kompromisit dhe t’i japin fund këtij ngërçi të gjatë institucional”, tha ajo.

    Kos në konferencë tha se në Europë s’ka siguri pa Kosovën dhe tha se vendi ka perspektivë europiane, por se duhet të tregohet e suksesshme në zbatimin e reformave dhe në dialogun me Serbinë.

  • Ballkani nën rrezikun e stuhive dhe motit ekstrem – gjatë fundjavës

    Ballkani nën rrezikun e stuhive dhe motit ekstrem – gjatë fundjavës

    Një sistem i fuqishëm atmosferik po shkakton ndryshime të mëdha në motin mbi Evropë, duke sjellë ajër të ftohtë nga veriu drejt jugut që krijon kushte për një periudhë me mot ekstrem në disa rajone, paralajmëron shërbimi meteorologjik Severe Weather Europe.

    Sipas parashikimeve, përplasja e masës së ftohtë me ajrin e ngrohtë dhe të lagësht mbi Mesdhe po krijon kushte të favorshme për stuhi të forta, përfshirë edhe supercelulare, breshër të madh dhe përmbytje lokale.

    Zonat më të rrezikuara përfshijnë Italinë veriore, bregdetin e Adriatikut dhe pjesë të Ballkanit perëndimor, ku priten stuhi të organizuara dhe reshje intensive shiu, sidomos në zonat malore.

    Meteorologët theksojnë se ndryshimet janë nxitur nga një sistem me presion të lartë mbi Atlantikun e Veriut, i cili ka lejuar depërtimin e masave të ftohta drejt Europës qendrore dhe jugore.

    Kjo ka sjellë formimin e një cikloni të fuqishëm që po ndikon në uljen e ndjeshme të temperaturave.

    Në disa rajone të Evropës perëndimore dhe jugperëndimore, temperaturat pritet të bien deri në 10–14°C nën mesataren sezonale, ndërsa mëngjeset mund të sjellin temperatura pranë zeros dhe rrezik ngricash. Edhe gjatë ditës, vlerat termike do të mbeten dukshëm më të ulëta se normalja.

    Sipas parashikimeve, në Alpe priten edhe reshje dëbore deri në 50 centimetra, ndërsa në disa zona të Ballkanit dhe Italisë mund të regjistrohen mbi 100–150 mm reshje shiu brenda disa ditësh.

    Megjithatë, meteorologët parashikojnë se situata do të fillojë të ndryshojë gjatë javës së ardhshme, kur pritet dobësimi i sistemit të ftohtë dhe rikthimi gradual i temperaturave më të larta, madje edhe mundësia e një vale të re të motit të ngrohtë drejt fundit të muajit. /Telegrafi

  • Kurti me paralajmërim për Prokurorinë e Gjykatën para Kos: Ta shohim çfarë do të vendosni për ata që gjakosin zv.ministra

    Kurti me paralajmërim për Prokurorinë e Gjykatën para Kos: Ta shohim çfarë do të vendosni për ata që gjakosin zv.ministra

    Kreu i LVV’së, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media ka folur edhe për incidentin e ndodhur në Skenderaj ku ka mbetur i lënduar zv.ministri Hysni Mehani.

    Kurti në konferencën e përbashkët me Marta Kos ka kritikuar Prokurorinë dhe policinë se janë vonuar në reagim.

    Ai gjithashtu ka pasur paralajmërime ndaj Prokurorisë e Gjykatës, duke thënë se do të presë e të shoh se çfarë ndëshkimi do të kërkohet e çfarë dënimi do të jepet për rastin në Skenderaj, meqë për aktivistë të VV-së për statuse në fejsbuk janë shqiptuar dënime me burgim nga një vit e gjysmë.

    “S’mund të ketë asnjë individ e asnjë grup që sfidon suksesshëm shtetin, e shteti është tërësia e ligjit.

    “Në lokalin në Skenderaj, ku është rrahur e përgjakur Hysni Mehani, kandidat për deputet, ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Meqë mora vesh dy veta janë arrestuar. Për përshtypjen time, reagimi i policisë dhe prokurorisë është i vonuar. S’e di çfarë ka ndodhur pas mesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë më i shpejt. Aktivistët e VV-së për statusa në fejsbuk janë dënuar me nga një vit burg, ta shohim tash Prokuroria për ata që marrin gotë e përgjakin zv.minsitra, çfarë ndëshkimi do të kërkojë e çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, ka thënë Kurti.

  • Alvaro Arbeloa i përgjigjet Mbappes: Unë vendos kush luan te Real Madridi

    Alvaro Arbeloa i përgjigjet Mbappes: Unë vendos kush luan te Real Madridi

    Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, iu përgjigj deklaratave të Kylian Mbappe pas fitores 2-0 ndaj Real Oviedo, duke mbrojtur vendimet e tij dhe duke sqaruar situatën rreth aktivizimit të sulmuesit francez.

    Arbeloa fillimisht shpjegoi arsyet pse Mbappe nuk ishte titullar në këtë përballje.

    “Është e qartë për mua se një lojtar që nuk mundi të udhëtonte në ndeshjen e fundit nuk mund të fillonte sot. Nuk ishte finale dhe luajmë sërish pas tri ditësh. Ishte një vendim normal”, deklaroi trajneri madrilen.

    Tekniku spanjoll mohoi gjithashtu pretendimet se i kishte thënë Mbappes se ai është sulmuesi i katërt në skuadër.

    “Nuk i thashë Mbappes se është sulmuesi im i katërt. Ndoshta ai nuk e ka kuptuar mirë. Si mund ta thosha një gjë të tillë? Nuk di çfarë të them”, u shpreh Arbeloa.

    Duke folur për zgjedhjet e tij teknike, ai shtoi se aktivizimi i Mbappes nga stoli ishte alternativa më e mirë në atë moment.

    “Mbappe tha se mund të luante si titullar? Gjëja më e mirë ishte të vinte nga stoli. Katër ditë më parë ai nuk mund të ishte as në stol. Ndërkohë, Gonzalo Garcia e meritonte të luante sot”, theksoi trajneri i Real Madridit.

    Në fund, Arbeloa tregoi qartë autoritetin e tij në drejtimin e skuadrës.

    “Unë jam trajneri dhe unë vendos se kush luan dhe kush jo, pavarësisht emrit që ka lojtari”, përfundoi ai.

    Deklaratat kanë shtuar diskutimet mbi raportet dhe dinamikat brenda skuadrës madrilene, pavarësisht se Real Madridi mori një fitore të qetë ndaj Real Oviedos.

  • Gashi: Nuk është lidership kur Kryeministri s’paraqitet para drejtësisë, e kryetari i komunës refuzon të dëshmojë për një incident

    Gashi: Nuk është lidership kur Kryeministri s’paraqitet para drejtësisë, e kryetari i komunës refuzon të dëshmojë për një incident

    Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Skenderaj.

    Ai ka kritikuar qasjen e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përdorimin e njësive speciale policore në Skenderaj.

    “Kjo nuk është politika që i duhet Kosovës. Nuk është lidership kur Kryeministri refuzon të paraqitet para drejtësisë. Nuk është lidership kur një kryetar komune shmang përgjegjësinë për të dëshmuar mbi një incident. Mbi çdo funksion, mbi çdo pozitë dhe mbi çdo emër politik, duhet të qëndrojë Republika dhe ligji i saj”, u shpreh ai.