ATV

Blog

  • Vdekja e Alush Gashit, Abdixhiku: Ishte mentor e këshilltar i imi – shpresoj që të kam bërë krenar sadopak

    Vdekja e Alush Gashit, Abdixhiku: Ishte mentor e këshilltar i imi – shpresoj që të kam bërë krenar sadopak

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka ngushëlluar për vdekjen e Alush Gashit, një ndër themeluesit e kësaj partie e bashkëpunëtor i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Abdixhiku tha se Gashi kishte qenë për të mentor e këshilltar dhe e përshkroi atë si njeri të urtë e të matur.

    “Ishte një prej njerëzve më të afërt që pata në këtë rrugëtim. Në këtë rrugëtim timin, rrallë kam takuar njerëz me aq maturi e aq mirësi. Në momentet më të vështira, tek ai gjeja gjithmonë qetësi. Një mendim të peshuar. Një fjalë që të kthjellonte. Një përkujdesje të heshtur, pa zhurmë, pa kërkuar asgjë”.

    Abdixhiku tha se do t’i mungojë e se i mbeti peng që s’mundi të përshëndetej e të pinte kafe edhe njëherë me të.

    “Nuk arritëm të përshëndetemi në këtë botë profë. Kjo më dhemb shumë. Më mbetet peng. Sepse gjithmonë kam menduar se do të kemi edhe një bisedë tjetër. Edhe një kafe. Edhe një këshillë të fundit”.

    Postimi i plotë:

    Më iku një mik i madh.

    Një mik i vërtetë.

    Alush Gashi, bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Rugova, njeri i urtë e i mençur i politikës sonë, sot na la.

    Për mua ishte shumë më shumë se kaq. Ishte mentor. Ishte këshilltar. Ishte një prej njerëzve më të afërt që pata në këtë rrugëtim. Në këtë rrugëtim timin, rrallë kam takuar njerëz me aq maturi e aq mirësi. Në momentet më të vështira, tek ai gjeja gjithmonë qetësi. Një mendim të peshuar. Një fjalë që të kthjellonte. Një përkujdesje të heshtur, pa zhurmë, pa kërkuar asgjë.

    E kam të vështirë ta besoj se nuk do të flasim më. Se nuk do ta kem më atë telefonatë, atë mendim të urtë, atë qetësi që dinte ta sillte edhe kur gjithçka bëhej zhurmë.

    Nuk arritëm të përshëndetemi në këtë botë profë. Kjo më dhemb shumë. Më mbetet peng. Sepse gjithmonë kam menduar se do të kemi edhe një bisedë tjetër. Edhe një kafe. Edhe një këshillë të fundit.

    Shpresoj të të kem bërë krenar, sadopak. Siç jam përpjekur gjithmonë të jem në lartësinë e besimit, këshillave e miqësisë sate.

    Do të më mungosh shumë profë.

    Ishe njeriu më i sinqertë në këtë rrugëtim kaq të vështirë.

    Pusho në paqe!

    Ilirijanës, Anilit e Arbanit, bëhuni të fortë. Mbi të gjitha, ndjehuni krenar! Askush si ai.

  • Belgjika publikon listën për Botërorin 2026-Debutime të reja në skuadër

    Belgjika publikon listën për Botërorin 2026-Debutime të reja në skuadër

    Kombëtarja e Belgjikës ka bërë publike listën përfundimtare të lojtarëve që do të marrin pjesë në Botërorin 2026, me synimin për të lënë pas zhgënjimin e edicionit të kaluar, ku u eliminua që në fazën e grupeve.

    Trajneri ka përfshirë disa emra të rinj në skuadër, duke sinjalizuar një fazë rinovimi dhe besimi te talentet e reja. Ndër më të përfolurit janë Matias Fernandez-Pardo, i cili ka vendosur të përfaqësojë Belgjikën pas ndarjes nga Spanja, si dhe Diego Moreira, që ka ndryshuar përfaqësimin nga Portugalia drejt “Djajve të Kuq”.

    Sipas përzgjedhjes së re, Belgjika synon të krijojë një ekuilibër mes përvojës dhe lojtarëve të rinj, me qëllimin për të bërë një paraqitje më të fortë në turneun më të madh të futbollit botëror.

  • Osmani për Alush Gashin: Na la në kohën kur shembulli i njeriut të dijes, urtësisë e përbashkimit na duhej më së shumti

    Osmani për Alush Gashin: Na la në kohën kur shembulli i njeriut të dijes, urtësisë e përbashkimit na duhej më së shumti

    Kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani ka reaguar pasi ndërroi jetë Alush Gashi.Sipas Osmanit Gashi na la në kohën kur shembulli i njeriut të dijes, të urtësisë e të përbashkimit na duhet më së shumti

    Reagimi i plotë:

    Profesor Alush Gashi na la.

    Na la në kohën kur shembulli i njeriut të dijes, të urtësisë e të përbashkimit na duhet më së shumti.

    Profesori i shquar i anatomisë, njeriu i përkushtuar ndaj dijeve, e zbërtheu anatominë tonë politike dhe, bashkë me prijësin tonë historik, Presidentin Rugova, i dha udhë vizionit për shtetin.

    Nga Shtëpia e vogël e Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë e deri te Shtëpia e madhe e Bardhë në Ëashington e gjithandej globit, ai foli për Kosovën duke e gdhendur fjalën e duke e skalitur mendimin. Diplomat në sjellje, i urtë në mendim, njerëzor e i afërt me të gjithë, i fortë në qëndrime e në aleanca, ai na e la përfytyrimin e pashlyeshëm për shtetin.

    Ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi dhe miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë që sot përjetojnë dhimbje për këtë humbje të madhe.

    I përhershëm kujtimi për Ty, profesor Alush!

  • Tri stërvitje të përbashkëta ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Nufi: S’na shqetëson stërvitja NATO-Serbi

    Tri stërvitje të përbashkëta ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Nufi: S’na shqetëson stërvitja NATO-Serbi

    Në një konferencë për mediat, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, foli për bashkëpunimin trepalësh me Kosovën dhe Kroacinë për stërvitjen ushtarake.

    Ai u ndal edhe te stërvitja e përbashkët mes NATO-s dhe ushtrisë serbe, duke u shprehur se kjo gjë nuk e shqetëson aspak, raporton TopChannel

    “Kemi një bashkëpunim me Kroacinë dhe Kosovën. Shtetet bashkëpunojnë në industrinë e mbrojtjes. Në kuadër të marrëveshjes, është që të nxisë bashkëpunimin, meqë Kroacia dhe Shqipëria janë të dyja pjesë e NATO-s. Jemi të dyja në kuadrin e strategjisë së aleancës që i përket mbrojtjes. Sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, është në prodhimin e mjeteve ushtarake”.

    “Sot që flasim ka një stërvitje që zhvillohet mes NATO-s dhe ushtrisë serbe. Fakti që kjo stërvitje ndodh dhe fakti që Shqipëria e Kroacia janë pjesë e NATO-s, dhe në Kosovë është prezenca e KFOR-it që është mision i NATO-s, tregon që stërvitja e NATO-s atje është më shumë nxitje flake mediatike atje”, tha ndër të tjera ministri Nufi.

    Shefi i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, tregoi detaje rreth stërvitjes së përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

    “Në lidhje me pyetjen, stërvitjet do të zhvillohen në Kroaci, ku ne jemi në fazën e planifikimit. Po ashtu edhe një në Shqipëri. Nuk do të jenë tre shtete, por edhe të tjera, qoftë nga NATO, qoftë nga vende me të cilat bashkëpunojmë”, tha Kingji.

  • Haradinaj diskuton me bizneset për zhvillimin ekonomik, rolin e diasporës dhe investimet në Kosovë

    Haradinaj diskuton me bizneset për zhvillimin ekonomik, rolin e diasporës dhe investimet në Kosovë

    Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, diskutoi me përfaqësues të biznesit për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe për rolin vendimtar të diasporës në forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e bizneseve vendore.

    Haradinaj theksoi se sipërmarrësit janë shtylla e ekonomisë së Kosovës, duke krijuar vende pune, duke mbajtur familje dhe duke dhënë shpresë përmes punës dhe investimeve të tyre.

    Ai u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qëndruar gjithmonë krah bizneseve, duke vlerësuar se nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat.

    Duke prezantuar orientimet e programit për zgjedhjet e ardhshme, Haradinaj tha se fokusi kryesor do të jetë fuqizimi i ekonomisë vendore, lehtësirat fiskale, digjitalizimi dhe krijimi i një klime më të favorshme për investime të huaja. Ai theksoi se ky program do të zbatohet në qeverisje me kandidatin për Kryeministër, Ardian Gjini.

    Në fjalën e tij, Haradinaj nënvizoi gjithashtu se siguria mbetet parakusht për zhvillim ekonomik, duke theksuar se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik për një Kosovë më të sigurt dhe më atraktive për investime.

    Ai veçoi edhe rolin e diasporës dhe bizneset shqiptare në botë, duke i cilësuar si ura lidhëse me tregjet dhe përvojat ndërkombëtare, të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Bashkëpunimi me diasporën dhe bizneset është rruga që e çon Kosovën përpara”, u shpreh Haradinaj.

  • KQZ anulon edhe tenderin për kabina të votimit, oferta e vetme e pranuar tejkalon buxhetin e paraparë

    KQZ anulon edhe tenderin për kabina të votimit, oferta e vetme e pranuar tejkalon buxhetin e paraparë

    Pas tenderit për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar edhe tenderin për furnizim me kabina të votimit.

    Për këtë tender, KQZ ka pranuar vetëm një ofertë, e cila tejkalon buxhetin e paraparë për këtë procedurë prokurimi.

    Kompania që ka ofertuar është “DIARI BM SH.P.K”, me çmim 21 mijë e 948 euro, ndërkohë vlera që kishte ndarë KQZ ishte 15 mijë euro. Pra, rreth shtatë mijë euro më e lartë.

    Edhe ky tender ishte planifikuar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

    “KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE anulon aktivitetin e prokurimit sepse oferta e pranuar është mbi buxhetin e AK-KQZ”, thuhet në vendim.

    Tenderi tjetër për shtypjen e fletëvotimeve u anulua të mërkurën, meqë autoriteti kontraktes nuk pranoi asnjë ofertë.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

  • Ndërron jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi

    Ndërron jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi

    Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alush Gashi ka ndërruar jetë.

    Lajmin e bëri të ditur djali i tij, Anil Gashi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    “Të dashur miq, me dhimbje të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, Alush Gashi. Familja, të afërmit dhe miqtë do ta kujtojnë gjithmonë me dashuri, respekt dhe mirënjohje për jetën, veprën dhe kujtimet që la pas. Për detajet rreth ceremonisë do të njoftoheni me kohë.

  • Shtatë vite pas anëtarësimit në BE, të huajt mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri

    Shtatë vite pas anëtarësimit në BE, të huajt mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri

    Të huajt do mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, 7 vite pasi vendi të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”: “Me miratimin e këtij projektligji synohet të krijohet një kuadër i qartë dhe i qëndrueshëm ligjor për kalimin në pronësi të tokës bujqësore te personat fizikë dhe juridikë të huaj, në mënyrë që të sigurohet përdorimi racional, zhvillimi i qëndrueshëm dhe rritja e investimeve në sektorin bujqësor të Republikës së Shqipërisë. Ky ligj synon të garantojë balancë mes interesit publik kombëtar dhe nxitjes së investimeve të huaja në bujqësi, duke mbrojtur tokën si pasuri dhe burim strategjik kombëtar”.

    Veç qytetarëve, tokë bujqësore në Shqipëri do mund të blejnë edhe kompanitë e huaja:

    “Filialet dhe degët e shoqërive komunitare gëzojnë gjithashtu të drejtën për të fituar dhe fituar të drejta pronësie mbi pasuritë e patundshme ashtu si shoqëritë shqiptare, si edhe për sa u përket të mirave publike me interes të përbashkët, kur këto të drejta konsiderohen të nevojshme për kryerjen e veprimtarive ekonomike për të cilat ato janë themeluar, duke përjashtuar burimet natyrore, tokat bujqësore, pyjet, tokat pyjore. Shtatë vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Këshilli i Stabilizim-Asociimit do të vendosë modalitete për shtrirjen e te drejtave sipas këtij paragrafi dhe në sektorët e përjashtuar”.

    Pas fitimit të pronësisë, projektligji përcakton se subjektet e huaja janë të detyruara “ta përdorin tokën vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale” dhe “të mos ndryshojnë kategorinë ose destinacionin e përdorimit të tokës bujqësore”:

    “Sipas legjislacionit për ndarjen e tokës janë trajtuar me tokë bujqësore në pronësi rreth 445 mijë familje bujqësore. Relacion shpjegues për projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj. Në draftligjin e hartuar është parashikuar dhe kalimi i se drejtës së pronësisë për personat fizike dhe juridike të huaj për tokën bujqësore të emërtuar si “ tokë bujqësore e pandarë”, që aktualisht në vendin tonë shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 100 mije ha, kaluar në administrim të njësive të pushtetit vendor”.

    Në rast të mosrespektimit të detyrimeve, autoritetet kompetente “kanë të drejtë të marrin masa sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë revokimin e së drejtës së pronësisë ose vendosjen e sanksioneve administrative”.

    Projektligji përcakton se procedurat, afatet dhe dokumentacioni për trajtimin e kërkesave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave./A2CNN

  • Pep Guardiola “motivon” Burnleyn për ta ndalur Arsenalin-Përflitet edhe bonus me orë Rolex

    Pep Guardiola “motivon” Burnleyn për ta ndalur Arsenalin-Përflitet edhe bonus me orë Rolex

    Gara për titullin në Liga Premier po hyn në fazën vendimtare, ndërsa Arsenal mbetet favorit për t’u shpallur kampion.

    Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta kryeson tabelën me dy pikë më shumë se Manchester City dhe ka gjithçka në dorën e saj. Arsenalit i nevojiten dy fitore në dy javët e fundit për të siguruar titullin kampion.

    “Topçinjtë” fillimisht do të përballen me Burnley më 18 maj, ndërsa më pas do të luajnë ndaj Crystal Palace më 24 maj. Burnley tashmë ka rënë nga kategoria, ndërsa Crystal Palace nuk ka objektiva konkrete në fundin e sezonit, faktorë që teorikisht favorizojnë Arsenalin.

    Megjithatë, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, besohet se shpreson te një reagim i fortë i Burnleyt. Skuadra në fjalë së fundmi arriti të ndalë Cityn dhe mori një barazim 2-2 ndaj Aston Villa, pavarësisht se nuk kishte më objektiva sezonale.

    Sipas mediave angleze, Guardiola thuhet se ka premtuar nga një orë luksoze Rolex për lojtarët e Burnleyt nëse arrijnë të ndalin Arsenalin dhe t’i japin një ndihmë Cityt në garën për titull.

    Raportimet kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv. Disa e konsiderojnë lajmin si një ekzagjerim mediatik, ndërsa të tjerë besojnë se Guardiola njihet për përdorimin e metodave psikologjike për të ushtruar presion ose motivim shtesë në momentet më të rëndësishme të sezonit.

  • Gjykata në Hagë ia hedh poshtë sërish kërkesën Mlladiqit për lirim nga burgu për arsye shëndetësore

    Gjykata në Hagë ia hedh poshtë sërish kërkesën Mlladiqit për lirim nga burgu për arsye shëndetësore

    Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) ia ka hedhur poshtë përsëri kërkesën Ratko Mlladiqit për lirimin të përkohshëm nga burgu për arsye shëndetësore, ku ai po e vuan dënimin për krime të luftës.

    Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska-entiteti serb i Bosnjës-u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

    Mekanizmi tha të enjten se ekspertët e pavarur mjekësorë kanë konstatuar se Shërbimi Mjekësor i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara dhe spitali i burgut po e vëzhgojnë dhe trajtojnë në mënyrë adekuate gjendjen shëndetësore të Mlladiqit.