ATV

Blog

  • Bayern Munich dhe Borussia Dortmund e mbyllin sezonin me fitore bindëse

    Bayern Munich dhe Borussia Dortmund e mbyllin sezonin me fitore bindëse

    Bayern Munich dhe Borussia Dortmund kanë arkëtuar pikët e plota në xhiron e fundit të Bundesliga.

    “Bavarezët” triumfuan me rezultat bindës 5-1 ndaj 1. FC Köln, ndërsa Dortmundi fitoi 0-2 në udhëtim te Werder Bremen.

    Bayerni zhvilloi edhe një tjetër paraqitje fantastike, pavarësisht se ishte shpallur kampion javë më parë.

    Harry Kane realizoi het-trik, ndërsa për dy golat e tjerë shënuan Tom Bischof dhe Nicolas Jackson. Për Kölnin, golin e vetëm e realizoi El Mala.

    Në anën tjetër, Dortmundi fitoi me rezultat komod 0-2 ndaj Bremenit, ku golat u shënuan nga Serhou Guirassy në minutën e 59-të dhe Yan Couto në minutën e 89-të.

    Bayerni e përmbylli sezonin me 89 pikë, ndërsa Dortmundi në pozitën e dytë me 73 pikë. Në anën tjetër, Kölni dhe Werder Bremeni siguruan mbijetesën, duke e mbyllur kampionatin në pozitat 14 dhe 15 me nga 32 pikë.

  • Hoffenheimi i Fisnik Asllanit,Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut nuk u kualifikua në Ligën e Kampionëve

    Hoffenheimi i Fisnik Asllanit,Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut nuk u kualifikua në Ligën e Kampionëve

    Hoffenheim ka pësuar humbje në xhiron e fundit të Bundesliga, duke u mposhtur 4-0 në udhëtim nga Borussia Mönchengladbach.

    Skuadra ku aktivizohen tre futbollistë shqiptarë nga Kosova mbeti me një lojtar më pak që në fillim të pjesës së dytë, pasi Tim Lemperle u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

    Për vendasit realizuan Hugo Belin, Haris Tabaković, Diks dhe Robin Hack, duke i siguruar Mönchengladbachut tri pikët e plota.

    Me këtë humbje, Hoffenheim e mbyll sezonin në pozitën e pestë me 61 pikë, tri më pak se VfB Stuttgart, dhe sezonin e ardhshëm do të garojë në UEFA Europa League.

    Sa i përket futbollistëve kosovarë, Fisnik Asllani e përfundoi sezonin në Bundesliga me 10 gola dhe shtatë asistime, ndërsa pritet të ndryshojë skuadër gjatë verës. Ndërkohë, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu së fundmi kanë rinovuar kontratat me klubet e tyre.

  • Dani Caravajal zyrtarizon largimin nga Real Madrid

    Dani Caravajal zyrtarizon largimin nga Real Madrid

    Kapiteni i Real Madrid CF, Dani Carvajal, pritet të largohet nga klubi këtë verë me skadimin e kontratës së tij, duke mbyllur një kapitull të gjatë dhe të suksesshëm në “Santiago Bernabéu”.

    34-vjeçari, një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës në 13 sezonet e fundit, raportohet se nuk do të rinovojë kontratën dhe do të largohet si lojtar i lirë. Sipas burimeve pranë lojtarit, ai është i vetëdijshëm për vendimin e klubit për të mos i ofruar zgjatje të marrëveshjes.

    Gjatë këtij sezoni, situata e tij ka qenë e ndërlikuar për shkak të dëmtimeve të përsëritura dhe konkurrencës së fortë në krahun e djathtë, ku rol më të madh ka marrë Trent Alexander-Arnold, i cili iu bashkua Real Madridit nga Liverpool FC verën e kaluar.

    Për Carvajal, opsionet jashtë Evropës, përfshirë një kalim në Lindjen e Mesme, përmenden si të vështira në këtë moment. Ndërkohë, edhe lidhjet familjare me Joselu, ish-bashkëlojtar i tij në Madrid, janë përmendur në raportime të ndryshme sportive.

    Carvajal ka pasur një sezon të vështirë me dëmtime, duke luajtur vetëm pak ndeshje të plota pas rikthimit nga një ndërhyrje në gju, ndërsa karriera e tij në klub mbetet një nga më të gjatat në historinë moderne të Real Madridit.

    Ai iu bashkua akademisë së Real Madridit në vitin 2002 dhe ka zhvilluar gjithsej 448 paraqitje me ekipin e parë, duke u kthyer në një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm dhe më të suksesshëm të klubit.

  • MINT publikon tarifat e reja të derivateve

    MINT publikon tarifat e reja të derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, që do të vlejnë për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal për naftën është rritur për një cent krahasuar me ditën paraprake dhe arrin në 1 euro e 61 centë për litër. Edhe benzina është shtrenjtuar për dy centë dhe do të shitet deri në 1 euro e 52 centë për litër.

    Gazi mbetet me çmim të pandryshuar, 76 centë për litër.

  • KQZ-ja certifikon 902 kandidatët për deputetë të 21 subjekteve politike

    KQZ-ja certifikon 902 kandidatët për deputetë të 21 subjekteve politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se sot mori vendim për certifikimin e 902 kandidatëve për deputetë të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.

    KQZ po ashtu bëri të ditur se ka miratuar dizajnin e fletëvotimit për votim me postë dhe formulat për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve dhe ekipeve të numërimit në QKN.

    Komisioni sqaroi se fletëvotimi i miratuar do të përdoret vetëm për votimin me postë, i cili do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor 2026.

    Sipas Rregullores Zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që votuesve të regjistruar për votim me postë, t’u dërgojë përmes postës, ndër tjerash, fletëvotimin.

    “Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve me Kusht. Sipas formulës së miratuar, KQZ, në ditët në vazhdim, do të emërojë 214 anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve me Kusht, të cilët do të nominohen nga subjektet politike. Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht do të mundësohet në 52 vendvotime, në kuadër të 38 qendrave të votimit”, thuhet në njoftim.

    Në mbledhjen paraprake, përmes procedurës qarkulluese, KQZ ka miratuar formulën për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, në të cilat, më 7 qershor do të zhvillohet votimi i rregullt.

    Sipas formulës së miratuar, KQZ, në vazhdim të procesit, do të emërojë 14,500 anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve, 1,110 prej të cilëve, anëtarë rezervë. Anëtarët që do të emërohen, do të përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjëse për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.

    Po ashtu, KQZ mori vendim për miratimin e formulës për përbërjen e ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit.

    Sipas formulës, KQZ, së shpejti do të emërojë 2,064 anëtarë të 508 ekipeve të numërimit, të cilët do të nominohen nga subjektet politike dhe që do të angazhohen në këto qendra për verifikim të rezultateve të subjekteve politike pas numërimit në vendvotime dhe në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

    Në fund të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e dizajnit të vulës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila do të përdoret për të vulosur fletëvotimet, në ditën e votimit. /Telegrafi/

     

  • Shorti, këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit

    Shorti, këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nga shorti i organizuar nga KQZ përcaktohen numrat me të cilët partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.

    Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë numrin 116.

    LVV në një postim në Facebook shkruan se ky është numër i fitores.

    “116 është numri i fitores në zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në postim.

    Partia Demokratike e Kosovës numrin në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë 125.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shkruar se është koha që Kosovës t’i kthehet serioziteti, puna dhe besimi.

    “125 – për të gjithë ata që ende besojnë se Kosova bëhet me urtësi, me punë e dinjitet; për ta kthyer vendin te serioziteti dhe besimi”, ka shkruar Hamza.

    Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se 113 do të jetë numri me të cilën kjo parti do të garojë në zgjedhje.

    Kryetari i kësaj partie në një postim në Facebook shkruan se ky numër është i bashkimit dhe ringritjes.

    “Ky është numri ynë. Numri i bashkimit. Numri i ringritjes. Numri i Republikës që beson sërish. Më 7 qershor, me zemër, me besim, me LDK-në”, shkruan Abdixhiku.

    Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se numri i saj në zgjedhje do të jetë 128.

    “Me numrin 128 dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Ardian Gjini”, shkruan AAK në Facebook. /Telegrafi/

     

  • Robert Lewandovski zyrtarizon largimin nga Barcelona

    Robert Lewandowski ka njoftuar se do të largohet nga FC Barcelona në fund të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe katërvjeçare në Katalonjë.

    Sipas deklaratës së tij të publikuar në rrjetet sociale, sulmuesi polak tha se ndihet sikur e ka përmbushur “misionin” e tij në klub dhe largohet me kujtime shumë pozitive:

    “Pas katër vitesh plot sfida dhe punë të palodhur, ka ardhur koha të vazhdoj përpara… Katalonja është vendi im në tokë.”

    Lewandowski iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022 nga FC Bayern Munich dhe gjatë qëndrimit të tij fitoi 3 tituj të La Liga-s, 1 Kupë të Mbretit dhe 3 Superkupa të Spanjës, duke qenë një nga figurat kryesore të sulmit katalanas.

    Ai gjithashtu falënderoi presidentin Joan Laporta për besimin dhe mundësinë që i dha për të veshur fanellën blaugrana.

    Lamtumira e tij pritet të jetë emocionale, pasi ndeshja e fundit në shtëpi për këtë sezon do të luhet ndaj Real Betis, ku ai do t’u thotë zyrtarisht lamtumirë tifozëve të FC Barcelona.

    Ky largim shënon fundin e një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij moderne në futbollin evropian.

  • Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçar në Ferizaj

    Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçar në Ferizaj

    Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Rakaj të Ferizajt, është hasur një person pa shenja jete.

    Sipas zëdhënësit të policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, viktima është një 29-vjeçar.

    “Më 16.05.2026, rreth orës 07:35, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë nga një qytetar se në fshatin Rakaj, kishte vërejtur një person pa shenja jete.

    Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, së bashku me njësinë reaguese dhe hetuesit e stacionit policor. Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi emergjent mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull 29-vjeçar.

    Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit, krimteknikët rajonal dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML)” ka deklaruar Veseli..

    Ai shtoi se policia, nën autorizim të prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.

  • Florent Hadergjonaj pjesë e formacionit të sezonit në Superligën e Turqisë

    Florent Hadergjonaj pjesë e formacionit të sezonit në Superligën e Turqisë

    Florent Hadergjonaj po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij në Süper Lig, duke u përfshirë në formacionin ideal të sezonit 2025/2026 pas paraqitjeve shumë të qëndrueshme me Alanyaspor.

    Mbrojtësi i krahut i Kosovës ka qenë një nga lojtarët më të përdorur të ekipit, me 28 ndeshje të luajtura, prej të cilave 24 si titullar, duke treguar stabilitet dhe rëndësi të madhe në formacion.

    Përtej rolit defensiv, Hadergjonaj ka spikatur edhe në aspektin ofensiv, duke kontribuar me 6 gola dhe 8 asistime, një bilanc mjaft i lartë për një mbrojtës krahu dhe një nga arsyet kryesore pse është vlerësuar mes më të mirëve të sezonit.

    Sezoni për Alanyaspor përmbyllet sot në transfertë ndaj Fatih Karagümrük S.K., në një ndeshje që shënon fundin e një edicioni të gjatë dhe intensiv në kampionatin turk.

    Forma e Hadergjonajt këtë sezon e forcon edhe më shumë statusin e tij si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kosovës në futbollin evropian.

  • Pedro Acosta në pole-position në çmimin e Katalonjës në MotoGP

    Pedro Acosta në pole-position në çmimin e Katalonjës në MotoGP

    Pedro Acosta ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Katalonjës në Botërorin e MotoGP, duke siguruar pole position me kohën më të shpejtë të sesionit.

    Piloti i Red Bull KTM Factory Racing ndali kronometrin në 1:38.068, duke konfirmuar formën e mirë në pistën e Barcelonës dhe duke lënë pas konkurrencën në një sesion shumë të ngushtë në fund.

    Pas tij u renditën Franco Morbidelli në vendin e dytë me 1:38.301,kurse Álex Márquez në vendin e tretë me 1:38.342

    Sesionet vendosën një renditje interesante në vijat e nisjes, me disa surpriza të mëdha. Kryesuesi i kampionatit Marco Bezzecchi u rrëzua gjatë fazës vendimtare të kualifikimeve dhe do ta nisë garën nga vendi i 12-të, ndërsa piloti i Ducati Lenovo Team, Francesco Bagnaia, nuk shkoi më lart se pozita e 13-të.

    Në vijat pasuese u renditën gjithashtu Raúl Fernández, Johann Zarco, Fabio Di Giannantonio, Fabio Quartararo, Jack Miller dhe Jorge Martín.

    Kualifikimet u vendosën praktikisht në minutat e fundit, ku Acosta përfitoi maksimalisht nga pista e përmirësuar dhe ritmi i fortë i KTM, duke siguruar një avantazh të rëndësishëm për garën e së dielës