ATV

Blog

  • Mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim për votim jashtë Kosovës

    Mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim për votim jashtë Kosovës

    Periudha 12 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, për zgjedhjet e 7 qershorit do të përmbyllet në mesnatë. Evidencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në paraditen e sotme vënë në pah se janë pranuar mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë pranuar rreth 100 mijë, ndërkohë që 7 mijë janë refuzuar e mbi 10 mijë janë në pritje për shqyrtim.

    “Sonte në mesnatë, më 17 maj, do të përfundojë periudha 12-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit kanë mundur të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, qoftë për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike apo për të votuar përmes postës”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

    Numri më i madh i votuesve, mbi 76 mijë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës, ndërkohë që rreth 23 mijë të tjerë fizikisht në ambasada apo konsullata.

    Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermania, Zvicra, Franca, Suedia, Austria, Britania e shtete të tjera.

    Edhe shtetasit e Kosovës të cilët ditën e zgjedhjeve të 7 qershorit ndodhen jashtë shtetit, gjithashtu do ta kenë mundësinë të votojnë.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ka mundësuar këtyre shtetasve, të bëjnë regjistrimin gjatë periudhës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë sot më 17 maj. Procedura e regjistrimit është e njëjtë me atë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

  • NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Evropë

    NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Evropë

    Rreth 3,000 trupa elitare nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe 22 vende të tjera po marrin pjesë në stërvitjen më të madhe të forcave speciale të NATO-s në Evropë.

    Ngjarja 10-ditore, që përfshin 10 vende, është hartuar për të testuar përgjigjet ndaj përpjekjeve të një armiku të paidentifikuar – me shumë mundësi Rusisë – për të infiltruar territorin e NATO-s dhe për të nisur sabotim, sulme kibernetike dhe sulme të tjera nën pragun e një lufte të përgjithshme.

    Kontributi i rëndësishëm i SHBA-së në stërvitje nënvizon rolin e rëndësishëm të luajtur nga Uashingtoni në mbrojtjen e territorit evropian.

    Jo të gjitha vendet pjesëmarrëse janë anëtare të NATO-s.

    Janë të përfshira edhe trupa nga vendet partnere, përfshirë Zvicrën dhe Gjeorgjinë.

    Ndryshe, Pentagoni ka anuluar një plan për të dërguar 4,000 ushtarë në Poloni në një rotacion të përkohshëm që do të përfshinte edhe vende të tjera si shtetet baltike dhe Rumania.

    Një vendosje më e vogël në Gjermani është anuluar gjithashtu. Lëvizjet vijnë pasi administrata Trump tha se do të tërheqë 5,000 forca amerikane nga Gjermania gjatë 12 muajve të ardhshëm.

  • Protesta e studentëve shqiptarë që po tronditë koalicionin e VLEN me Mickoskin, pse po heshtë Qeveria e Kosovës?

    Protesta e studentëve shqiptarë që po tronditë koalicionin e VLEN me Mickoskin, pse po heshtë Qeveria e Kosovës?

    Studentët shqiptarë në Shkup kanë njoftuar organizimin e një proteste të re, e cila është planifikuar të mbahet më 18 maj 2026, në orën 16:30. Tubimi pritet të zhvillohet në qendër të qytetit dhe të përfshijë një pjesëmarrje të gjerë qytetare.

    Kërkesa kryesore e tyre mbetet mundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

    Megjithatë, organizatorët theksojnë se gjatë periudhës së fundit kauza është zgjeruar, duke përfshirë edhe çështje të tjera që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut.

    Protesta është thirrur nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa në thirrjet publike organizatorët kërkojnë mobilizim të studentëve, profesorëve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sipas tyre, pjesëmarrja e gjerë është thelbësore për të adresuar problemet e ngritura.

    Në deklaratat e tyre publike, studentët kanë bërë të ditur se nisja e protestës lidhej fillimisht me një çështje teknike në procesin e studimeve, por më vonë janë identifikuar edhe sfida të tjera që prekin trajtimin institucional të gjuhës shqipe.

    Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, ka theksuar se iniciativa tashmë ka marrë karakter më të gjerë shoqëror, duke kërkuar bashkim të të gjitha shtresave. Sipas tij, gjuha shqipe duhet të shërbejë si element bashkimi dhe jo ndarjeje, ndërsa problemet e ngritura prekin një gamë të gjerë qytetarësh.

    Tubimi fillon tek Ura e Gurit në Shkup në orën 16:30, pas së cilës është paraparë një marshim nëpër rrugët e qytetit.

    Por, këtë protestë nuk ka reagim nga Qeveria e Kosovës, për shkak të aleancës politike që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka me koalicionin VLEN në Maqedoninë e Veriut, por edhe me vetë kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Kurti dhe Hristijan Mickoski u panë shumë të afërt dge miqësor me njëri – tjetrin gjatë kongresit të VLEN-it.

    Ndërkohë, mbështetje për protestën kanë shprehur edhe disa përfaqësues politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si dhe figura politike nga Kosova dhe Shqipëria.

    Një nga ta ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili përcjellë një mesazh për rëndësinë e gjuhës shqipe në prag të protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për mbrojtjen e saj dhe kryerjen e provimeve në shqip.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meidani ka ndarë disa vargje nga poema “Gjuha Shqype” e Gjergj Fishta, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes gjuhës.

    Në Kosovë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe themelore e çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se protesta e paralajmëruar më 18 maj në Shkup, para Urës së Gurit, përfaqëson mbrojtje të dinjitetit, identitetit dhe të drejtave legjitime të studentëve; ai ka shtuar se kjo çështje nuk është vetëm studentore, por një kauzë më e gjerë kombëtare dhe demokratike, duke paralajmëruar se heshtja ndaj diskriminimit nënkupton bashkëfajësi dhe duke bërë thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve pa dallim për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe, ndërsa në fund ka nënvizuar se “Prishtina është me ju”.

    Po ashtu, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i cili është shprehur se zëri i studentëve përfaqëson një brez që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin kombëtar. Ai shprehet se do të jetë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij.

    Pos tij në mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup ka shprehur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si një betejë për të drejtat themelore dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Për të është e papranueshme që në vitin 2026, në një shtet anëtar të NATO-s, shqiptarët ende të detyrohen të protestojnë për identitetin dhe dinjitetin e tyre.

    Pos politikës, reagime ka pasur edhe nga bota e artit. Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke shkruar se gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar dhe një e drejtë e fituar me sakrificë ndër breza. Sipas saj, studentët shqiptarë meritojnë të drejta dhe mundësi të barabarta, ndërsa ka mbështetur protestën kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

    Ndërsa, këngëtari Ilir Shaqiri, duke mbështetur studentët, postoi një status për gjuhën shqipe si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar. Përkrah tyre kanë dalë edhe shumë figura të tjera publike nga vendi dhe më gjerë.

  • Sot mot me diell, temperatura deri 19 gradë

    Sot mot me diell, temperatura deri 19 gradë

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometerologjik do të lëvizin ndërmjet 5 dhe 8°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 16 deri në 19°C.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.

  • Ballkani fiton me rikthim ndaj Prishtinës së Re – Kryeqytetasit bien nga Albi Mall Superliga

    Ballkani fiton me rikthim ndaj Prishtinës së Re – Kryeqytetasit bien nga Albi Mall Superliga

    FC Ballkani ka shënuar fitore dramatike me rezultat 3-2 ndaj FC Prishtina e Re në kuadër të javës së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e shtatë, kur Nedim Mekić realizoi për 1-0 në rastin e parë serioz të ndeshjes.

    Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Prishtinës së Re, ndërsa fraksioni i dytë solli pesë gola dhe shumë emocione.

    Giovanni barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 50-të, por vetëm pesë minuta më vonë Mekić realizoi sërish për 2-1, duke ia rikthyer epërsinë mysafirëve.

    Ballkani reagoi fuqishëm pas golit të pranuar dhe arriti të barazojë në 2-2 me anë të Anel Sabanadzović në minutën e 69-të.

    Tri pikët për skuadrën nga Suhareka i siguroi Almir Kryeziu, i cili realizoi golin e fitores në minutat e fundit për rezultatin përfundimtar 3-2.

    Pas kësaj fitoreje, Ballkani mbetet në pozitën e dytë në tabelë, ndërsa Prishtina e Re sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.

  • Prishtina siguron barazimin në fund të ndeshjes – Ferizaj bie nga Albi Mall Superliga

    Prishtina siguron barazimin në fund të ndeshjes – Ferizaj bie nga Albi Mall Superliga

    FC Prishtina ka barazuar 3-3 ndaj KF Ferizaj në ndeshjen e javës së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës, rezultat që konfirmon rënien e ferizajasve nga elita e futbollit kosovar.

    Prishtina kaloi e para në epërsi në minutën e 14-të, kur Albin Krasniqi realizoi për 1-0.

    Megjithatë, Ferizaj reagoi shpejt dhe Ruben Silva-Richards barazoi shifrat nga pika e bardhë. Më pas, Rin Ahmeti riktheu epërsinë për prishtinasit, duke dribluar edhe portierin për golin e 2-1.

    Skuadra mysafire nuk u dorëzua dhe Betim Haxhimusa realizoi për 2-2 në minutën e 57-të.

    Përmbysja e Ferizajt u kompletua nga Ade Oguns, i cili shënoi për 3-2 në minutën e 66-të.

    Kur u mendua se Ferizaj do të merrte tri pikët, Prishtina arriti të shmangë humbjen në fund të takimit falë golit të dytë personal të Rin Ahmetit për rezultatin përfundimtar 3-3.

    Pas këtij barazimi, Prishtina mban pozitën e katërt me 46 pikë, vetëm tri më pak se Llapi që ndodhet në zonën e barazhit.

  • Dukagjini mposht kampionin aktual Drita para pulbikut vendas

    Dukagjini mposht kampionin aktual Drita para pulbikut vendas

    Dukagjini ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj FC Drita me rezultat 2-0, në kuadër të javës së 34-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Skuadra nga Klina e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e pikëve në fazën përfundimtare të kampionatit.

    Goli i parë erdhi në minutën e 20-të, kur Besir Iseni realizoi pas asistimit të Erlis Xhemajli për epërsinë 1-0.

    Pak para përfundimit të pjesës së parë, Altin Merlaku shënoi edhe golin e dytë për Dukagjinin, pasi u asistua nga Hekuran Berisha.

    Në pjesën e dytë, Drita arriti ta dërgojë topin në rrjetë, por goli u anulua pas rishikimit në VAR.

    Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ngjitet në pjesën e epërme të tabelës me 45 pikë, ndërsa Drita, e cila tashmë është shpallur kampione, mbetet me 66 pikë.

  • Llapi triumfon ndaj Gjilanit dhe siguron së paku barazhin në Albi Mall Superligën e Kosovës

    Llapi triumfon ndaj Gjilanit dhe siguron së paku barazhin në Albi Mall Superligën e Kosovës

    KF Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj SC Gjilani me rezultat 2-1, në kuadër të xhiros së 34-t të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, kur Arianit Hasani realizoi një gol të bukur për epërsinë 0-1 pas vetëm tetë minutash lojë.

    Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe barazuan rezultatin në minutën e 16-të falë një supergoli nga gjuajtja e lirë të Armend Thaqi.

    Pavarësisht përpjekjeve të të dy skuadrave, ishte sërish Hasani ai që doli në skenë, duke realizuar golin e dytë personal dhe të fitores për Llapin vetëm gjashtë minuta më vonë.

    Me këtë triumf, Llapi siguron së paku pozitën që dërgon në barazh dhe renditet i teti me 43 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e gjashtë me 45 pikë.

  • Malisheva mposht bindshëm Drenicën 4:1 në shtëpi

    Malisheva mposht bindshëm Drenicën 4:1 në shtëpi

    FC Malisheva ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj KF Drenica me rezultat 4-1, në kuadër të xhiros së 34-të të Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Pas një pjese të parë pa gola, vendasit dominuan plotësisht në fraksionin e dytë të lojës. Golin e epërsisë për Malishevën e realizoi Assane Diatta në minutën e 55-të, me një goditje të bukur.

    Vështirësitë për Drenicën u shtuan pasi Indrit Prodani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

    Me një lojtar më shumë në fushë, Malisheva vazhdoi dominimin. Arlind Veliu realizoi golin e dytë në minutën e 78-të, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Diatta shënoi edhe golin e tij të dytë personal për 3-0.

    Në minutën e 82-të, Xhemail Ibishi vulosi fitoren me golin e katërt për vendasit. Drenica arriti të shënojë vetëm golin e nderit në minutat shtesë të takimit.

    Pas kësaj fitoreje, Malisheva mbetet në vendin e tretë me 56 pikë, ndërsa Drenica renditet në pozitën e shtatë me 44 pikë.

  • Roma fiton derbin ndaj Lazio dhe rikthehet në top katërshe

    Roma fiton derbin ndaj Lazio dhe rikthehet në top katërshe

    Roma ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, duke mposhtur Lazion me rezultat 2-0 në një ndeshje vendimtare për garën në Serie A.

    “Gjallorosët” e nisën ndeshjen më kërkues dhe më të organizuar, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, por goli i parë erdhi vetëm në minutën e 40-të. Pas një krosimi të saktë nga këndi i Niccolò Pisilli, Gianluca Mancini u ngrit më së larti dhe realizoi me kokë për 1-0.

    Me epërsinë minimale të Romës u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

    Në pjesën e dytë, skuadra e Gian Piero Gasperini vazhdoi dominimin dhe në minutën e 66-të dyfishoi rezultatin. Sërish protagonist ishte Mancini, i cili këtë herë shënoi pas një asistimi të Paulo Dybala, duke kompletuar dopietën personale.

    Pak minuta më vonë, ndeshja u tensionua pas një përplasjeje mes lojtarëve të të dy skuadrave, ku Wesley nga Roma dhe Nicolo Rovella nga Lazio u ndëshkuan me kartonë të kuq.

    Deri në fund të takimit, Roma krijoi edhe disa raste të tjera, por pa arritur të thellojë rezultatin.

    Me këtë fitore, Roma ngjitet sërish në zonën e top katërshe me 70 pikë dhe vazhdon luftën për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa në ndeshjen e radhës përballet me Veronën.