ATV

Blog

  • Si e kuptojnë qytetarët kuptimin e fjalës “kasavet”?

    Si e kuptojnë qytetarët kuptimin e fjalës “kasavet”?

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal A n’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat e këtij emisioni është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës mësohen fjalë dhe shprehje të ndryshme, që përdoren në regjione të rajonit.

    Në kuadër të kësaj rubrike, gazetarja e ATV-së i ka pyetur qytetarët në Prishtinë, se si e kuptojnë ata fjalën “kasavet”.

    Përgjigjet e qytetarëve mund t’i shikoni në videon më poshtë:

  • Klinaku intervistohet nga Policia pas deklaratës për Kurtin

    Klinaku intervistohet nga Policia pas deklaratës për Kurtin

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku është intervistuar sot nga Policia, për deklaratën që bëri dje për kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast tha se më parë do ta vriste atë, sesa ta lëshonte Kosovën.

    Pas intervistimit, Klinaku bëri të ditur për Tëvë 1 se kjo deklaratë e tij është nxjerrë nga konteksti.

    Teksa theksoi se nuk e ka në plan të japë dorëheqje, pavarësisht kërkesave që po i bëhen.

    “Sapo dola nga stacioni policor. Me urdhër të prokurorit u intervistova lidhur me deklaratën. Siç e thashë edhe në polici, ajo deklaratë është nxjerrë prej konteksti. Kaq mund të them për media. E sa i përket kërkesave për dorëheqjen time nga drejtimi i OVL UÇK-së, hiç në plan nuk e kam. Nuk më kanë zgjedhur ata që po kërkojnë dorëheqjen time, por anëtarët e organizatës së veteranëve”, bëri të ditur ai.

    Klinaku ka ndarë dje në rrjetin social në Facebook një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku ndër të tjerash ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

    Për këtë deklaratë, ka reaguar sot edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili është shprehur se e njëjta ka qenë kërcënim i hapur dhe si e tillë është e papranueshme.

  • ​APK përballet me mungesë të resurseve njerëzore, kërkohet buxhet shtesë

    ​APK përballet me mungesë të resurseve njerëzore, kërkohet buxhet shtesë

    Sipas Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka pësuar ngritje vetëm për rreth 12 mijë euro apo 2.21 për qind në krahasim me vitin 2022. Kjo nënkupton se APK-ja, si shkak i kostos buxhetore, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara. Kështu u tha në konferencën e Lëvizjes Fol, ku u publikua raporti “Kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore”.

    Hulumtuesja e Lëvizjes Fol, Albana Hasani tha se përmes këtij raporti kanë analizuar kapacitetet aktuale të APK-së mbi mundësitë e përmbushjes së mandatit ligjor, pra kompetencat dhe përgjegjësitë, në raport me rritjen e vëllimit të punëve të paraparë me miratimin e ligjeve të reja që e mbulojnë fushëveprimatrinë e këtij institucioni. Krahas kësaj, Hasani shtoi se pavarësisht rritjes së punëve në këtë institucion, numri i punëtorëve vazhdon të mbetet i njëjtë.

    Hasani tha se pavarësisht vëllimit të punës, organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023.

    “Me dispozitat e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencisë i janë shtuar përgjegjësi edhe në krijimin e akteve nënligjore për parandalimin e korrupsionit si dhe për monitorimin e zbatimit të këtyre akteve. Por, pavarësisht shumëfishimit të punëve dhe përgjegjësive të këtij institucioni të bëra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023”, tha Hasani.

    Derisa vlerësoi se duhet të rritet buxheti, Hasani tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Ligjit për Deklarimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe.

    “Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Ligjit për Deklarimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe. Kjo rritje e përgjegjësive ndikohet veçanërisht nga rritja e numrit të zyrtareve publikë të cilët obligohen t’ia deklarojnë pasurinë. Pra, krahas 5 mijë zyrtareve publikë që kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, me dispozitat e Ligjit të ri për Deklarimin e Pasurisë ky numër i zyrtarëve është rritur në rreth 20 mijë zyrtarë që do të obligohen ta deklarojnë pasurinë”, tha ajo.

    Sipas Hasanit, si shkak i kostos buxhetore, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara.

    “Sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, buxheti i Agjencisë ka pësuar ngritje vetëm për rreth 12 mijë euro, rritje për 2.21 për qind në krahasim me vitin 2022. Kjo nënkupton se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si shkak i kostos buxhetore, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara. Gjithashtu, pavarësisht shumëfishimit të vëllimit të punëve të Agjencisë për Parandalimimin e Korrupsionit, numri i të punësuarave në këtë institucion vazhdon të jetë i njëjtë si në vitin paraprak, gjithsej 43 të punësuar”, vijoi Hasani.

    Hasani tha se për nevojat e përpilimit të këtij raporti, Fol ka intervistuar edhe zyrtarët përgjegjës të APK-së rreth mundësisë dhe kapaciteteve për realizimin e obligimeve ligjore, ajo shtoi se, të njëjtit kanë theksuar se për zbatimin e obligimeve shtesë, agjencia nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore.

    Ajo theksoi se planifikimi buxhetor i bërë nga Qeveria e Kosovës dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore.

    “Pra, planifikimi buxhetor i bërë nga Qeveria e Kosovës dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore. Poashtu, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Korrupsionit, hartimi i së cilës ka qenë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri në kompetencat e agjencisë, ndërsa tash ka kaluar në kompetencë të Qeverisë”, tha mes tjerash Hasani.

  • ​11 persona u dërguan në një spital pas ‘turbulencës së rëndë’ në fluturimin Delta Airlines

    ​11 persona u dërguan në një spital pas ‘turbulencës së rëndë’ në fluturimin Delta Airlines

    Njëmbëdhjetë persona që ishin në një fluturim të Delta Airlines u dërguan në spital të martën, më 29 gusht pasi përjetuan “turbulenca të rënda” përpara se të uleshin në Atlanta, tha një zëdhënës i kompanisë për CNN.

    Aeroplani mbante 151 pasagjerë dhe 14 anëtarë të ekuipazhit nga Milano kur ndodhi turbulenca, tha një zëdhënës i Delta. 11 personat e plagosur përfshijnë anëtarë të ekuipazhit dhe pasagjerë.

    Fluturimi ndodhej rreth 40 milje në verilindje të aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës kur ndodhi turbulenca dhe përfundimisht aeroplani u ul i sigurt, sipas Agjencisë Federale të Aviacionit.

    “Prioriteti ynë është të kujdesemi për klientët dhe ekuipazhin tonë që pësuan lëndime. Ne jemi mirënjohës për reaguesit e parë që takuan avionin për të ofruar kujdes mjekësor dhe që po transportojnë të plagosurit në spital”, shtoi zëdhënësi i Delta./CNN/

  • “Tash n’Kosovë i kanë punët më mirë se na n’mërgim” – Mërgimtarja habit me përgjigjen kur pyetet nëse sjellin ende para për familjarët në Kosovë

    “Tash n’Kosovë i kanë punët më mirë se na n’mërgim” – Mërgimtarja habit me përgjigjen kur pyetet nëse sjellin ende para për familjarët në Kosovë

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, është edhe rubrika “A më mirë këtu a atje?”.

    Kësaj radhe, pyetja për qytetarët ka qenë se a po çojnë para si më parë mërgimtarët.

    Një familje mërgimtarësh që jeton në Belgjikë, para kamerës së ATV-së thotë se tani ka ndryshuar, pasi që familjarët që jetojnë në Kosovë, nuk kanë më nevojë për ndihmë si më parë.

    “Këtu i kanë punët më mirë se ne”, dëgjohet duke thënë mërgimtari.

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

  • “Nusja dhe Vjehrra” – Tregim Popullor

    “Nusja dhe Vjehrra” – Tregim Popullor

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, është edhe rubrika me tregime popullore, të cilat i interpreton aktori Bislim Muçaj.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një histori për raportet ndërmjet vjehrrës dhe nuses diku në Dukagjin.

    Një nuse në Dukagjin kish pas qëllu në një vjehërr shumë të sertë, një vjehërr të vështirë. Por, kjo ish kanë derë fisnike, nuse soj, kurrë nuk ia kish kthy fjalën vjehrrës, edhe pse kjo i kish bërtitë, e kish qortu, nusja e kish pranu qashtu qysh është vjehrra.

    Një ditë, nusja shkon në gjini qysh u kanë këtyne here, ku nuk kanë shku për një ditë e dy, por kanë ndejt gati tri javë që kur janë kthy, janë kthy me kuleq.

    Shkon burri me e marrë nusen përpara se me u ba tri javë, i thotë “nuse hajde të shpija se na u ka kallë shpija. O le se ma e zeza është se shpija u kallë, por edhe nana u qëllu brenda e u
    kallë bashkë me shpi”.

    Nusja i thotë, “e kam ditë që qasaj vjehrrës time ka me i ardh fundi diqysh, por që digjet në zjarr e piqet, këto s’ma ka marrë mendja kurrë”.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

  • Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

    Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që të vazhdohen përpjekjet dhe përkushtimi për ta zgjidhur fatin e viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

    Ajo ka kërkuar që autoritetet ta kenë prioritet këtë çështje në mënyrë që edhe t’i zbusin vuajtjet e familjeve.

    “U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” ka thënë Ziadehu në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

    “Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

    Ajo po ashtu e ka kujtuar vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për Promovimin e së Vërtetës, Drejtësisë, Dëmshpërblimit dhe Garancive për Mospërsëritje, z. Fabián Salvioli*, i cili kishte konstatuar se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte sjellë zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

    “Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të së drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

  • Komuna e Obiliqit vendos për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

    Komuna e Obiliqit vendos për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

    Kuvendi Komunal i Obiliqit ka vendosur sot të miratojë Ligjin për Tatimin në Pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë për vitin 2023.

    Lajmin e ka bërë të ditur sot Sami Ahmeti, kryeasamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq.

    Ahmeti tha se Kuvendi Komunal votoi sot pro propozimit për faljen e tatimit në pronë.

    Postimi i plotë i Sami Ahmetit:

    Të nderuar qytetarë të Obiliqit

    Me iniciativën e këshilltareve komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Obiliq, të mbështetur nga këshilltarët opozitar në fillim të shkurtit patëm mbajtur seancë të jashtëzakonshme për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 për të gjithë banorët e Komunës së Obiliqit, ku edhe patëm dal me rekomandim pozitiv.

    Pasi që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar plotësim/ndryshimin e Ligjit 08/L-224, i cili mundëson faljen e tatimit në pronë, Kuvendi Komunal në Obiliq sot mori vendim në favor të propozimit tonë.

    Andaj të gjithë ju që nuk keni paguar tatimin në pronë për vitin 2023 obligimet e juaja (deri në 100€) do të shlyhen, ndërsa në rast se tashmë keni paguar, vlera e faturës së vitit 2023 do të ju kompensohet për vitin 2024.

  • ​Italia shkon drejt rritjes 7-10% të energjisë elektrike

    ​Italia shkon drejt rritjes 7-10% të energjisë elektrike

    Italia po shkon drejt rritjes 7-10% të faturave të energjisë elektrike, tha për ANSA të martën shefi i Nomsia Energia, Davide Tabarelli, duke komentuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, me një rritje prej 30% në 138 euro javën e fundit.

    “Nëse këto çmime mbeten” në tregje “është e sigurt se do të ketë rritje të faturës së ardhshme të energjisë elektrike. Nga 1 tetori do të ketë një kërcim midis 7 dhe 10 për qind të tarifave të energjisë elektrike për tremujorin e fundit në 2023′.

    Tabarelli shpjegoi se ka pasur “një rritje të çmimeve të gazit” në javët e fundit me një kthim mbi 30 euro për megavat orë dhe “automatikisht ato të energjisë elektrike rriten” dhe “gjysma e prodhimit të energjisë elektrike në Itali bëhet me gaz”, tha udhëheqësi i Nominisma (Instituti Kërkimor në Bolonja, Itali)./ANSA/

  • Kurti: Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën

    Kurti: Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se në qeverisjen e tij, i ka dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.

    Ai këtë e thotë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve nga forcat serbe, ndërsa bën thirje tek ndërkombëtarët që ta rrisin presionin mbi Serbinë në dhënien e përgjegjësisë për këtë akt.

    Reagimi i plotë:

    Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën.

    Pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre. Atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore.

    Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato.

    Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.

    Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës, ne po vazhdojmë punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.

    Si zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi, po themelojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës, institucionet tona të drejtësisë mund të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë, kudo që ata janë.

    Për të rritur kapacitetet për të trajtuar krimet e luftës, kemi shtuar buxhetin për 50 pozita për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës që do të ketë 41 hetues.

    Në korrik shënuam hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

    Shteti ynë, Qeveria e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe po angazhohen për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë.

    Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, nderojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Nuk do të ndalemi kurrë, derisa të dihet fati i tyre.