ATV

Blog

  • Ministri Çeku reagon për djegien e muzeut në Gjakovë: Krim, përgjegjësit të marrin dënimin e merituar

    Ministri Çeku reagon për djegien e muzeut në Gjakovë: Krim, përgjegjësit të marrin dënimin e merituar

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas djegies së muzeut të muzikës në Gjakovë. Ai tha se u bë krim mbrëmë ndaj trashëgimisë kulturore dhe se përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar.

    “Jemi thellësisht të prekur nga krimi i mbrëmshëm ndaj trashëgimisë kulturore të Gjakovës. Të gjithë përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar”.

    Çeku tha se ndërtesa e muzeut do të restaurohet dhe dha zotim se Muzeun e Muzikës do ta funksionalizojnë.

    “Ndërtesa e Muzeut të Muzikës, aseti Taphanja në Gjakovë do të restaurohet dhe do të kthehet në gjendjen origjinale. Pas restaurimit, si ministri do t’i marrim të gjitha masat për funksionalizimin e muzeut”, ka shkruar ai.

    Policia e Kosovës tha se mbrëmë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, si dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar zjarrin.

    Policia tha se për djegien e muzeut është njoftuar prokurori kujdestar dhe rasti vazhdon në procedurë hetimore.

  • Presidentja Osmani takohet me Kongresmenin, Mike Turner

    Presidentja Osmani takohet me Kongresmenin, Mike Turner

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të etjen me Kongresmenin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës, raporton EO.

    Takimi është duke u zhvilluar në objektin e presidencës pa pranin e medieve.

  • Arrestohet një i dyshuar për vjedhje të rënda

    Arrestohet një i dyshuar për vjedhje të rënda

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda.

    Siç njofton policia, i dyshuari është F.J., 23 vjeçar nga Prizreni, të cilit i është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë.

    “Arrestimi i tij është bërë pasi që janë gjetur prova se i njëjti ka qenë i përfshirë në disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të ndodhura në fshatrat e Opojës. I njëjti është intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe ndaj tij prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë”, thuhet në raportin e policisë.

  • Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja po e favorizon Serbinë. Ai mendon se emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill besojnë se e kanë “dërguar Serbinë drejt Perëndimit, pavarësisht fakteve të qarta kundër”.

    Së fundmi ambasadori Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes së Serbisëm Millosh Vuçeviq. Hill nuk i kishte vlerësuar si destabilizuese deklaratat e Vuçeviqit se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut – siç po ndodh në Ukrainë me të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur”.

    Eksperti për Ballkanin, Serwer, thotë se mosreagimi i SHBA-së ndaj deklaratave të Vuçeviqit, dëshmon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.

    “Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë derisa në Serbi të jetë struktura aktuale diplomatike”, ka thënë Serwer në një intervistë për mediumin malazias “Pobjeda”.

    Serwer ka thënë se Washingtoni hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimin e Vuçiqit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi.

    Serwer beson se arsye për këtë janë Escobari dhe Hilli.

    “Përshtypja ime është se Hill e Escobar janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin prioritet Serbisë, në mënyrë që ajo të lejojë dërgesën e armëve në Ukrainë”, tha Serwer.

    Serwer beson se letra që u nënshkrua nga 60 deputetë evropianë të nivelit të lartë si dhe nga kongresistë e senatorë amerikanë, duke i bërë thirrje BE-së, SHBA-së e Britanisë së Madhe për ndryshim të politikës së butë ndaj Serbisë, nuk është presion mjaftueshëm i madh.

    “Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit dërguan një letër. Ata duan ndryshim dramatik në qasjen aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do të realizohet kjo nga autoritetet ekzekutive në SHBA e BE”, tha Serwer.

    Serwer thotë se duhet më tepër presion.

    Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, të cilën po e promovon haptazi ambasadori amerikan Hill, Serwer beson se kjo është dëshmi tjetër e politikës së butë të SHBA-së karshi Serbisë.

    “Përkrahja për ‘Ballkanin e Hapur’ ishte pjesë e politikës së butë”, tha Serwer.

    Sa i përket letrës që i ka dërguar ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ambasadorit amerikan Hill, Serwer thotë se Vlahoviq ka të drejtë.

    Vlahoviq tha se politika aktuale është duke destabilizuar Ballkanin.

  • ​Rama dekoron Fatos Nanon: Në këto orë të vështira meriton lutjet dhe mirënjohjen tonë

    ​Rama dekoron Fatos Nanon: Në këto orë të vështira meriton lutjet dhe mirënjohjen tonë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka urdhëruar dhënien e medaljes “Kordoni i Madh me Yll i Mirënjohjes Publike” për ish kryeministrin Fatos Nano.

    Mirënjohja është ndarë me motivacionin për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues e demokratik në Shqipëri.

    Gjithashtu, aty përmendet fryma liberale në udhëheqje dhe toleranca shembullore në momente tejet të vështira të jetës politike kombëtare.

    “Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, ka shkruar Rama.

    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-lideri Partisë Socialiste, Fatos Nano, po përballet me komplikime shëndetësore dhe si pasojë është shtruar në spital.

    Është raportuar se 70 vjeçari ka pasur vështirësi me frymarrjen.

    Fatos Nano i cili është kryetari i parë i PS-së, ka shërbyer kryeministër i Shqipërisë në periudhat 1991, 1997-1998 si dhe më 2002-2005./KP

  • ​Arrestohen dy të dyshuar për posedim të substancave narkotike

    ​Arrestohen dy të dyshuar për posedim të substancave narkotike

    Stacioni Policor në Viti ka arrestuar dy të dyshuar si dhe ka sekuestruar 82 qese substancë narkotike. Bëhet fjalë për persona të moshës 19 dhe 20 vjeçare të cilët janë ndaluar për kontroll rutinë në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në qytetin e Vitisë.

    Ndalimi i tyre është bërë në orët e para të mëngjesit në kuadër të zbatimit të planit operacional “Goditja 2023”.

    “Në pikë të kontrollit në rrugën ‘Dëshmorët e kombit’ në qytetin e Vitisë ka ndalur një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy të dyshuar meshkuj, kosovar shqiptar J.I. (viti i lindjes 2004) dhe N.M. (viti i lindjes 2003) për kontrolle rutinore . Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale për gjykatë 82 qese substancë narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, një peshore digjitale, një 1 pako me letra mbështjellëse ‘Rizlla’, 205 euro para të gatshme dhe disa para të metalta dhe tre telefon celularë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Për rastin janë njoftuar njësitet antidrogë të cilët do të merren me hetimin e këtij rasti.

  • Vdes personi që u aksidentua një javë më parë në Fushë Kosovë

    Vdes personi që u aksidentua një javë më parë në Fushë Kosovë

    Personi që u aksidentua një javë më parë në Fushë Kosovë ka vdekur të mërkurën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Më datë 30.08.2023 është raportuar se viktima mashkull kosovar i lënduar rëndë në aksident trafiku më datën e lartcekur [24.08.2023] ka ndërruar jetë në QKUK-së”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i viktimës i dorëzohet familjarëve për ceremoninë e varrimit”.

  • Nura: Qeveria nuk nuk na ka ndihmuar me asnjë cent, pas vërshimeve që pati në janar

    Nura: Qeveria nuk nuk na ka ndihmuar me asnjë cent, pas vërshimeve që pati në janar

    Kryetari i Skenderajt Fadil Nura në emisionin “20MIN+” tregoi se Qeveria nuk ka dhënë asnjë cent për të ndihmuar këtë qytet nga dëmet që i pati për shkak të vërshimeve në janar.

    “Fatkeqësisht deri më tani jo nga 19 janari. Neve na kanë thënë se Komisioni Qendror e ka kryer punë e tij dhe se lënda gjendet në Qeveri. Kemi tentuar të kontaktojmë, por që nuk kemi marr ndonjë përgjigje adekuate. Kemi pyetje në baze ditore në lidhje me këtë çështje nga qytetarët. Kemi pasur vonesa në intervenim nga FSK-ja.”

    “Krerët e shtetit na kanë thënë se do të jemi krahë për sanimin e dëmeve. Unë i kam vendosur në buxhetin e komunës sepse nuk ka asnjë ndihmë nga pushteti qendror.”

    “Qasja duhet të jetë instuticionale. Fatkeqësisht në parim duket si penalizim ndaj meje. Kanë buxhet të mjaftueshëm, në raste të tilla nuk pësoj unë por qytetarët që janë taksapagues”, tha Nura.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Për ditën e sotme në vendin tonë, parashikohet të mbajë mot kryesisht me kthjellime dhe vranësira, të cilat gjatë pasdites, pritet të jenë me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale e mban Peja me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 33 gradë Celsius.

    Edhe në ditën e nesërme në Kosovë pritet të ketë mot të ngjashëm me vranësira të herë pas hershme.

    Temperaturën minimale e mban Ferizaj me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Elementet historike të Muzeut të Muzikës që u dogj në Gjakovë, kanë shpëtuar

    Elementet historike të Muzeut të Muzikës që u dogj në Gjakovë, kanë shpëtuar

    Në orët e para të mbrëmjes së djeshme, Muzeu i Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga flakët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës dhe njësitet e zjarrfikëseve të cilët janë në përpjekje për lokalizimin e zjarrit.

    Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës përmes një komunikate me shkrim e ka konfirmuar ngjarjen. Sipas tij njësitet policore janë akoma në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe njësitet e zjarfiksëve.

    Elezaj konfirmoi se përveç dëmeve materiale fatmirësisht viktima në njerëz nuk ka.

    Në vendin e ngjarjes po ashtu janë parë edhe zyrtarët komunalë në mesin e tyre edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili nuk deshi të prononcohej.

    Ndërkaq përmes një reagimi në Facebook zyrtarët për informim pranë komunës së Gjakovës thanë se ajo çka ka ndodhur sonte në objektin e Tabhanes, është një lajm i keq për Gjakovën.”Ndërsa e mira e gjithë kësaj është se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzikës që do të thotë se të gjitha elementet që kanë vlera artistike e historike kanë shpëtuar. Si komunë presim hetimin e policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit, thuhet në reagimin përmes Facebookut të zyrtarëve për informim të Komunës së Gjakovës.