ATV

Blog

  • Qyteti i parë në botë që u ndalon fëmijëve të kenë telefon celular

    Qyteti i parë në botë që u ndalon fëmijëve të kenë telefon celular

    Teknologjia është një nga vendimet më të vështira me të cilat përballen prindërit kur u dorëzohen kërkesave të vazhdueshme të fëmijëve të tyre më të vegjël për një telefon të mençur.

    Me sukses të madh u kurorëzua programi pilot i autoriteteve komunale të qytetit irlandez Greystones, sipas të cilit prindërve u kërkohej që të mos blinin celularë për fëmijët e tyre derisa ata të shkonin në shkollën e mesme.

    Shifrat e fundit nga rregullatori i komunikimit Ofcom tregojnë se 20% e tre-vjeçarëve kanë një smartphone. Kjo përqindje rritet në 55%, midis moshës tetë dhe 11 vjeç.

    Së pari, banorët e qytetit bregdetar në Irlandë vendosën se nuk donin që fëmijët e tyre t’i kalonin vitet e tyre më krijuese të ngjitur në një ekran celular. Prandaj nënat e qytetit bashkuan forcat dhe arritën në përfundimin se janë dakord që fëmijët e tyre të mos kenë telefon derisa të kalojnë pragun e shkollës së mesme.

    Të tetë shkollat fillore në qytetin irlandez u kërkuan nxënësve të mos merrnin pajisje elektronike me vete. Në të njëjtën kohë, shoqatat e prindërve dhe kujdestarëve të shkollës i morën gjërat në duart e tyre duke rënë dakord të ndalonin telefonat celularë në shkolla për të vegjlit dhe fëmijët e shkollave fillore.

    Anja Schubert, e cila jeton në Greystones për 25 vjet, u regjistrua në platformë duke supozuar se shumica e njerëzve do të ndiheshin nën presion për të blerë një telefon për fëmijën e tyre sepse bashkëmoshatarët e tyre e kanë atë.

    Më shumë se 70 për qind e prindërve në klasën e vajzës së Anjës nënshkruan marrëveshjen për të mos blerë një smartphone për fëmijët e tyre.

    Politikania e Fine Gael, Mary Seery Kearney tha se bashkëpunimi duhet të jetë një model për një shtrirje më të gjerë në të gjithë vendin.

    “Duke u bashkuar, prindërit, mësuesit dhe drejtorët krijuan dhe prezantuan këtë kod, që do të thotë se të gjithë fëmijët në zonë që ndjekin të njëjtat shkolla nuk do të përjetojnë frikën “Mungesës” duke mos pasur një telefon apo tablet.

    Rritja e mediave sociale është lidhur me krizën e shëndetit mendor me të cilin përballen adoleshentët.

    Është një qasje revolucionare e cila ka të ngjarë të mirëpritet edhe nga prindërit në Britani. Një raport i NHS-së nëntorin e kaluar zbuloi se një e katërta e 17-19-vjeçarëve në Angli kanë një çrregullim të mundshëm të shëndetit mendor, i cili ishte rritur nga një në gjashtë një vit më parë.
    Qytete të tjera në Irlandë tani po shqyrtojnë zbatimin e një politike të ngjashme.

    Në korrik, agjencia e arsimit, shkencës dhe kulturës e Kombeve të Bashkuara Unesco bëri thirrje që telefonat të ndalohen nga klasat në të gjithë botën. /Përgatiti: Beatrisa Culaj

  • Rama pas intervistës së Thaçit: Gjykimi në Hagë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit demokratik

    Rama pas intervistës së Thaçit: Gjykimi në Hagë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit demokratik

    Pas intervistës së ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Rama ka shpërndarë me mëngjes videon e intervistës dhe ka shkruar se ndaj Thaçit po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.

    “Dhe me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë”, ka shkruar Rama.

    Thaçi në intervistën e tij nga Haga ka folur edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. I pyetur për marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë shqiptare, ndër të tjera, Thaçi ka rrëfyer edhe vizitën e Ramës te ai në Hagë.

    Ai tregoi se në Ramën kishte një bisedë të ngrohtë dhe vëllazërore, jashtë kontekstit politik dhe procesit gjyqësor.

    Thaçi shprehu respektin dhe admirimin e tij për kryeministrin shqiptar dhe angazhimin e tij në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

  • Xhaka grumbullohet me Zvicrën bashkë me Ardon Jasharin, Shaqirit i humbin valixhet

    Xhaka grumbullohet me Zvicrën bashkë me Ardon Jasharin, Shaqirit i humbin valixhet

    Kombëtarja e Zvicrës po përgatitet për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian ndaj Kosovës dhe Andorrës në Valais. Lojtarët u grumbulluan në kampin kombëtar të hënën.

    Ata kanë udhëtuar nga vende të ndryshme, varësisht nga ekipet respektive evropiane nëpër të cilat luajnë, transmeton KosovaPress.

    Siç bënë të ditur gazeta “Blick”, në hotelin e ekipit i fundit ka mbërritur Granit Xhaka. Kapiteni kishte me vete pasardhësin e tij ndoshta të ardhshëm, Ardon Jashari. Pas dy ftesave nga U-21, Jashari u thirr në kombëtaren A për herë të parë këtë vit.

    Xherdan Shaqiri ka marrë rrugën më të gjatë. Ai udhëtoi për në Valais nëpërmjet Uashingtonit. Megjithatë, ai përfundoi duke mbërritur pa asnjë valixhe. Kjo për shkak të ndryshimeve të shumta, bagazhi nuk arriti në Cyrih.

  • ​“Dardanët” nisin sot stërvitjet për ndeshjen me Zvicrën

    ​“Dardanët” nisin sot stërvitjet për ndeshjen me Zvicrën

    Dita e shtunë do të jetë ndeshja e shumë pritur e tifozëve të futbollit në Kosovës pasi “Dardanët” do të ballafaqohen me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian “EURO 2024”.

    Grumbullimi i lojtarëve nën urdhrat e trajneri Primizh Gliha kanë filluar nga dita e hënë, ndërsa sot do të zhvillohet stërvitja e parë.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Kombëtarja e Kosovës sot e zhvillon stërvitje në orën 19:00 në Kampin Nacional në Hajvali, raporton KP.

    Ndërkaq, stërvitja e paradites e Kombëtares U21, e paraparë të mbahet në Obiliq, është zhvendosur në Kampin Nacional në Hajvali në orën 10:00, kurse stërvitja e pasdites do të mbahet në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, në orën 17:30.

  • ​Shumica e votuesve besojnë se Biden është shumë i vjetër për një mandat të dytë: Sondazhi

    ​Shumica e votuesve besojnë se Biden është shumë i vjetër për një mandat të dytë: Sondazhi

    Shumë votues amerikanë besojnë se presidenti Joe Biden është shumë i vjetër për të kandiduar për rizgjedhje në vitin 2024, sipas një sondazhi të ‘Wall Street Journal’ të botuar të hënën.

    Biden dhe ish-Presidenti Donald Trump janë në garë në një revansh të mundshëm të zgjedhjeve të vitit 2020.

    Pavarësisht moshave relativisht të afërta të kandidatëve, një 73% e konsiderueshme e votuesve shprehën shqetësime për moshën e Biden, duke e ndjerë se ai është shumë i vjetër për një mandat të dytë. Në të kundërt, 47% e votuesve ndanë shqetësime të ngjashme për 77-vjeçarin Trump.

    Përveç kësaj, me një diferencë prej 11 pikësh, më shumë votues besojnë se Trump krahasuar me Biden ka një histori të arritjeve si president, me 51% të të anketuarve që e shohin Trumpin në këtë këndvështrim, ndërsa vetëm 40% mendojnë të njëjtën gjë për Biden.

    Kur Biden u betua më 20 janar 2021, ai u bë presidenti më i vjetër i gjallë në moshën 78-vjeçare. Nëse do të shërbente një mandat të dytë, ai do ta fillonte atë në moshën 82-vjeçare dhe do ta përfundonte në moshën 86-vjeçare. (AA)

  • ​Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

    ​Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

    Osmani tha se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo nënvizoi se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

    “Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shën Terezës është një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke ditur faktin se ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë. Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Përmes këtyre dokumenteve zbërthehet profili i Shën Terezës, thjeshtësia e fjalëve të saj, thellësia e bindjeve dhe fuqia e dashurisë së saj, po ashtu edhe rrënjët e saj shqiptare. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, tha ajo.

    Në anën tjetër, homologu i saj, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

    “Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarave, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’iu dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat. Le të vazhdojmë përpara me trashëgimin e saj që përfaqëson vlerat e vetëmohimit, mirësisë dhe dashurisë në jetë”, theksoi Begaj.

    Kjo ekspozitë është hapur me rastin e Ditës së Nënë Terezës, në 26 vjetorin e vdekjes së saj.

    Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

    Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe deri sa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

    Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë./KP/

  • ​Qytetarët të gatshëm të ndihmojnë familjet në nevojë

    ​Qytetarët të gatshëm të ndihmojnë familjet në nevojë

    Rreth 10 mijë familje në nevojë po ndihmohen brenda një viti nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Qytetarë të komunave të ndryshme po tregojnë humanizmin e tyre në fatkeqësi të ndryshme natyrore, si vërshime e tërmete. Ata nuk kursejnë pothuajse asgjë që të arrijnë të bëjnë më të lehtë jetën e mijëra personave në vend që po jetojnë në varfëri.

    Koordinatori në Kryqin e Kuq të Kosovës, Armend Shala thotë se gjatë këtij viti janë ndihmuar me qindra familje me rreth pesë mijë pako ushqimore. Ai shton se qytetarë e biznese po ndihmojnë me donacione të shumta, për tu dhuruar më pas për familjet në nevojë.

    “Fatmirësisht këtë vit kemi pasur raste të bizneseve të cilët kanë dhuruar për shembull komplet sezonin e të mbathurave ose atlete, këpuca dhe të tjera, ose rroba dhe gjësende të ndryshme. Këtë vit veç i kemi kaluar pesë mijë pako, të cilat ne i kemi ofruar nëpër raste specifike. Po ashtu na ka ra shumë që të ndihmojmë në pjesën e rasteve të vërshimeve kur ishin. Pamë shumë vullnetin e mirë të qytetarëve, të komunave të tjera të cilat nuk kanë qenë të prekura, ‘po shohim që komuna e Skenderaj, Vushtrrisë, Klinës dhe të tjera janë prekur nga vërshimet a ka nevojë të ndihmojmë diçka’. Shumë prej tyre kanë dhuruar qoftë rroba, qoftë pako ushqimore dhe të tjera, qoftë kompani të ndryshme kanë ofruar ujë, të cilat ne kemi dalë menjëherë në terren dhe i kemi dhuruar tek personat të cilët kanë qenë të prekur”, shprehet Shala.

    Ai nuk specifikon komunat që kanë më së shumti nevojë për mbështetje, veçse shton se numri qëndron relativisht i njëjtë.

    “Nëse e shohim në nivel vendi, ne çdo vit diku rreth 10 mijë familje ndihmojmë. Mirëpo, shohim që trendi mbetet aty nuk ka ndonjë lëvizje që shumë ka ndikuar një situatë e caktuar. Përveç situatave specifike, fatkeqësive natyrore që normal që rritet nevoja për të ndihmuar në 48 orëshin e parë, apo 72 orët e para me pako higjienike apo ushqimore. Mirëpo si trend nga viti në vit e shohim që është pak a shumë e njëjta ajo numri i familjeve”, shton ai.

    Ai mohon të ketë pasur hezitim të qytetarëve për ndihmë, pavarësisht perceptimit të krijuar se mund të keqpërdoren ndihmat e dhëna.

    “Tek ne si Kryq i Kuq i Kosovës nuk ka ndikuar, për arsye se ne preferojmë një metodë të cilën nëse një donator, qoftë biznes apo individ dëshiron të vije me neve në terren, ne gjithmonë ju ofrojmë atyre që me pa edhe ata vet, të vlerësojnë që ajo ndihmë që po ofron, çfarëdo qoftë, sado e vogël për nevojtarin do të thotë shumë, një ndihmesë shumë e madhe. Ne preferojmë që ata të vijnë bashkë me neve në terren edhe me pa që ajo ndihmë po i shkon drejtpërdrejt atij që ka nevojë edhe nuk po keqpërdoret nga raste të caktuara”, thekson ai për KosovaPress.

    Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës thotë se qytetarët e vendit janë të gatshëm të ndihmojnë familje në nevojë, e po ashtu edhe në raste të fatkeqësive.

    “Vendi jonë, fatmirësisht vërejmë që ka një bamirësi tek njerëzit, një dukuri të bamirësisë tek njerëzit. Dhe nuk ka dallim shqiptarë ose të tjerë, ne e shohim tek të gjitha komunitetet të cilët janë bamirës. Dallojnë në raste specifike, normalisht kur i jepet jehonë rasteve, për shembull rasteve të tërmeteve, që është specifike. Atëherë gatishmëria për të ndihmuar është e madhe. Mirëpo, në raste normale apo kohë të qeta ne shohim që qytetarët e kanë njëfarë vullneti për të ndihmuar. Ne mundohemi si Kryq i Kuq i Kosovës të bëjmë njëlloj të sensibilizimit për me qenë sa më solidarë, sa më humanë, sa më bamirës, me i zgjat dorën njëri-tjetrit”, thotë Shala për KosovaPress.

    Përveç ndihmat për personat në nevojë, Shala tregon se janë duke punuar në projektin për kujdesin e personave të moshuar pa përkujdesje familjare.

    “Një prej ndihmave që ne kemi ofruar e kemi atë projektin e kujdesit për të moshuarit pa përkujdesje familjare edhe vazhdojmë të ndihmojmë ata persona duke i vizituar, duke i marrë nevojat e tyre, duke rregulluar ambientin shtëpiak, qoftë pastrim, qoftë rregullim shtrati, ose ndërrimin e pjesës së shtretërve, sfungjerët apo rrobat, çkado që kanë nevojë ata dhe forma të tjera që si Kryq i Kuq kemi pasur mundësi”, përfundon ai.

    Kryqi i Kuq i Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë familjet në nevojë dhe të organizohen që ndihmat të mos shkojnë vetëm tek grupe të caktuara. /kp

  • Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari Agim Idrizi, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari Agim Idrizi, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca e së martës ka filluar me dëshmisë e dëshmitarit pa masa mbrojtëse, Agim Idrizit.

    Idrizi është dëshmitari i 21-të në këtë çështje dhe do të dëshmojë për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, në seancën e djeshme, prokurori i specializuar James Pace ka filluar të lexojë përmbledhjen e dëshmisë së këtij dëshmitari.

    I njëjti është duke i përgjigjur në pyetjet e prokurorit Pace dhe seanca po vazhdon në sesion publik.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një parashtresë që është kërkesë për konferencë me anë të videos për dëshmitarin 03827.

    Lidhur me këtë, ekipet mbrojtëse do japin komentet e tyre gjatë ditës.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse filloi të dëshmojë, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

  • Begaj: Veprat e Nënë Terezës vazhdojnë të frymëzojnë brezat e reja

    Begaj: Veprat e Nënë Terezës vazhdojnë të frymëzojnë brezat e reja

    5 shtatori i vitit 1997, shënon datën kur edhe vdiq humanistja e madhe me prejardhje shqiptare Shën Nënë Tereza.

    Në kujtim të veprave të saj, në Tiranë në oborrin e Pallatit Presidencial është hapur një ekspozitë.

    Në fjalën e tij të rastit, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, tha se Nënë Tereza ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar të mirësisë.

    “Përkushtimi i saj i pandalshëm për të ndihmuar më të dobëtit mes, shërbenin si potencial i njerëzimit për bërë më të mirën”, tha Begaj.

    “Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarve, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj për t’iu dhënë shpresë atyre në mjerim, vazhdojnë të frymëzojnë brezat”, theksoi Begaj.

  • Oda Amerikane: Qeveria të heq masat që kufizojnë në masë të madhe importet e brendeve ndërkombëtare nga Serbia

    Oda Amerikane: Qeveria të heq masat që kufizojnë në masë të madhe importet e brendeve ndërkombëtare nga Serbia

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë masat që kufizojnë importet nga Serbia, e të cilat pengojnë interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore. Sipas të dhënave zyrtare të shqyrtuara nga Oda Amerikane, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39% krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare.

    Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikojnë në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre bizneseve, janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës.

    Të dhënat zbulojnë një realitet të zymtë; importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen me një ritëm alarmues. Për më tepër, çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës. Aq më tepër, në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e malrrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare.

    Oda Amerikane dëshiron të rikujtojë se ka mbajtur vazhdimisht qëndrime të ngjashme në të kaluarën sa herë që janë vendosur barriera në tregti nga Kosova ndaj importeve nga vendet fqinje. Gjithashtu, ne kemi shprehur shqetësimet tona ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor sa herë që ato vendosin barriera për eksportet e Kosovës.

    Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht kryesor për integrimin euroatlantik të Kosovës. Masat aktuale, për fat të keq, janë në kundërshtim me thirrjet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët bëjnë thirrje për marrëdhënie harmonike rajonale. Prandaj, Oda Amerikane thekson se normalizimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kapërcen interesat bilaterale. Është një strategji thelbësore për çimentimin e stabilitetit rajonal dhe për të çuar përpara ambiciet e integrimit evropian.

    Duke qenë vazhdimisht avokuese për politika të hapura dhe të balancuara tregtare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon veprime të shpejta dhe vendimtare që do të mbështesin rritjen ekonomike, prosperitetin dhe harmoninë rajonale.