ATV

Blog

  • ​Zbulohet sasi e madhe e armatimit në Zveçan, Sveçla: Përdorej për grupet kriminale serbe

    ​Zbulohet sasi e madhe e armatimit në Zveçan, Sveçla: Përdorej për grupet kriminale serbe

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës të martën ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.

    Ministri Sveçla ka bërë të ditur nw njw postim në Facebook se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

    “Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar Sveçla.

    Sipas tij, për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.

    “Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm”, shkruan Sveçla.

    Ai ka thënë po ashtu se veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës.

    Sipas Sveçlës në këtë aksion, në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

  • Numri i vrasje në Kosovë, Çollakaj: Dominojnë arsyet banale, të pa justifikueshme

    Numri i vrasje në Kosovë, Çollakaj: Dominojnë arsyet banale, të pa justifikueshme

    Kosova, me një popullsi prej mbi 1 milion banorësh, ka përjetuar një situatë shqetësuese në lidhje me numrin e vrasjeve. Pa kaluar shtatori, numri i vrasjeve këtë vit, thuajse ka arritur numrin e vrasjeve të vitit 2022. Këtë vit, vetëm deri me 4 shtator në Kosovë janë regjistruar 19 vrasje.

    Lidhur me këto statistika, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin “A LIVE” në ATV, motivet për këto vrasje janë nga më të ndryshmet, mirëpo sipas tij, dominojnë ato banale, apo të pajustifikueshme.

    “Po nuk ndalen kurrë, nuk ndalen askund vrasjet. Shkaqet mund të jenë të shumta, mund të jenë të ndryshme. Motivet e kryerësve të këtyre veprave penale në shumicën e rasteve të evidentuara deri tani dhe të analizuara, rezultojnë të jenë motive të ndryshme, dominim motivet edhe të ulëta, dominim motivet hakmarrëse dhe motivet tjera. Prandaj, nëse i analizojmë disa nga këto raste që kanë ndodhë në Republikën e Kosovës, edhe vitin 2022, edhe vitin 2023, në strukturën e këtij numri janë prezentë edhe kategoria e vrasjeve kur kryerësit për motive të ulëta, motive banale që në perceptimin popullor rezulton, sinqerisht janë prezentë për një numër jo i vogël i tyre, që kryerësit për motive krejtësisht të parëndësishme, ose krejtësisht banale, ose domethënë s’ka asnjë motiv që e arsyeton vrasjen, përveç ligjërisht të paraqitur rasteve e veçanta, specifikisht me ligj të përcaktuar kur është në vetëmbrojtje dhe vetëmbrojtja është e domosdoshme. Përveç në ato raste që një mënyrë apo tjetër ekziston një arsyeshmëri e zmbrapsjes së sulmit të qasshëm në kuptimin e rrethanave lehtësuese në përgjithësinë penale, krejt rasteve tjera janë të pajustifikuara, të paarsyeshme”, tha Çollakaj.

    Ai tha se nuk ka ndonjë kategorizim të kryrësve të këtyre veprave penale, të cilët mund të jenë me shkollim të ndryshëm.

    “Në praktikën kriminalistike dhe në praktikën juridike nuk ka ndonjë kategorizim shembullizues, sepse edhe rezulton nga praktika edhe njerëzit me shkollim të lartë në rrethana të veçanta kanë rezultu që të jenë privues të jetës së tjetrit. Edhe personat me shkollim të ndryshëm, edhe personat me afinitete të ndryshme, prandaj nuk kisha thanë që ka ndonjë kategorizim specifik, por në përgjithësi vrasjet pra mund të kryhen nga individë të ndryshëm, të cilët në rrethana të veçanta dominon errësimi i arsyes, abstenimi i arsyes, unë thamë të cilët sigurisht më pastaj pendohen. Në praktikë, prapë juridike del se jo të gjithë janë pendu. Edhe në rastin, për shembull të shqiptimit dhe dënimit me gjykim të gjykatës kompetente, nuk është pendu. Po këto raste më të rralla, zakonisht pendohen të gjithë. Që i bie se, në momentin e kryerjes së veprës penale të vrasjes, vetëdija e plotë e tyre në kuptimin e arsyeshmërisë së madhe ose të plotë nuk ka qenë. Që unë e quaj shumë herë me një terminologji dhe besoj që kam drejtë, abstenon arsyeja. Abstenimi i çasshëm, i pjesshëm dhe abstenimi më i gjatë. Këtë rast është i çasshëm”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • Prezantohet programi për subvencionimin e rrymës për konsumatorët e cenueshëm

    Prezantohet programi për subvencionimin e rrymës për konsumatorët e cenueshëm

    Është prezantuar Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike, i cili parasheh t’i ndihmojë më së shumti personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes e pensionistët.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky është program një vjeçar i cili fokusohet në subvencionim e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm të ardhurat mesatare mujore të të cilëve janë nën 150 euro për anëtar të familjes.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, tregoi cilat familje mund të kualifikohen në këtë program.

    Murati tha se shpejtë do të dalin edhe me njoftime lidhur me procedurën e aplikimit.

    “Programi parasheh qe të gjitha familjet të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 euro të ardhura mujore për anëtar të familjes. Pra, nëse një familje ka katër anëtar parashihet që nëse ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare mund të kualifikohet për programin dhe shuma e subvencionimit pastaj do të varët varësisht më pak sesa pragu i nevojshëm që merr. Për këtë do të hapet edhe forma e aplikimit që është gati por që gjatë ditëve në vijim do të dalim me njoftime si Ministri për formularin e aplikimit, ku të gjithë do ta kenë mundësinë që të aplikojnë”, tha Murati.

    Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, u shpreh se nga ky program presin që të përfitojnë më së shumti familjet që janë në gjendje të rëndë ekonomike.

  • Njohësi i çështjeve të sigurisë tregon se a ka rritje të vrasjeve në Kosove

    Njohësi i çështjeve të sigurisë tregon se a ka rritje të vrasjeve në Kosove

    Kosova, me një popullsi prej mbi 1 milion banorësh, ka përjetuar një situatë shqetësuese në lidhje me numrin e vrasjeve. Pa kaluar shtatori, numri i vrasjeve këtë vit, thuajse ka arritur numrin e vrasjeve të vitit 2022. Këtë vit, vetëm deri me 4 shtator në Kosovë janë regjistruar 19 vrasje.

    Lidhur me këto statistika, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin “A LIVE” në ATV, tha se këto statistika, nëse krahasohen edhe me vitet paraprake, numri i vrasjeve në Kosovë është në një mesatare të pranuar.

    “Fillimisht vrasja si vepër penale, por edhe si dukuri shumë e randë negative shoqërore, i takon kategorisë së vepër penale klasike, që nënkupton se në çdo shoqëri, prej ku ekziston shteti dhe e drejta, vrasja ka qenë domethënë si vepër penale, aty ku natyrisht s’parashihet me ligj. Sa janë të shumta numri i tyre dhe sa është, sa është intensiteti i manifestimit të kësaj dukurie, kjo është çështje shumë relative, sepse edhe në statistikat e fundit, për shembull muaji gusht ka qenë më i dendur, më i ngjeshur me numrin e vrasjeve ose më i rritur te numri i vrasjeve. Për shembull, muajin qershor ka pasë numër ma të vogël, ose gjysmë gjysmën e parë të vitit 2023 ose nëse po bëjmë krahasim në vitin 2022, pra kemi oscilime në kuptimin e variacionit të numrit të vrasjeve, rrethanave dhe mënyrës së vrasjes e kështu me radhë. Në përgjithësi, statistikat zyrtare të policisë nuk na japin të drejtë të konstatojmë shumë se ka rritje, sepse krahasojmë me vitin dy mijë e njëzet e dy, krahasojmë me vitet paraprake, përafërsisht është numri i vrasjeve rreth një mesatare të pranuar”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • Për 9 muaj, 19 vrasje në kosovë

    Për 9 muaj, 19 vrasje në kosovë

    Pergatiti: Jeta Selmanaj

    Kosova, me një popullsi prej mbi 1 milion banorësh, ka përjetuar një situatë shqetësuese në lidhje me numrin e vrasjeve. Pa kaluar shtatori, numri I vrasjeve këtë vit, thuajse ka arritur numrin e vrasjeve të vitit 2022. Këtë vit, vetëm deri me 4 shtator në Kosovë janë regjistruar 19 vrasje.

    Rastet e fundit të vrasjeve në Kosovë theksojnë shqetësimin për rritjen e fenomenit ku palët vendosin të bëjnë “drejtësinë” në mënyrë vetjake.

    Ngjarjet tragjike të Madanajt të Gjakovës në pranverë,pastaj rasti në Kijevë të Malishevës, rasti i vrasjes mizore në Pejë, rasti në qendër të Prishtinës, ku u vra një person mbetën 17 të plagosur, dhe rastet e fundit në Malishevë e Prizren, janë rastet që këtë vit kanë tronditur të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Rasti i vrasjes dyfishtë në Madanaj të Gjakovës për shkak të kontestit pronësor . ishte raportuar më 25 qershor në muajin e gjashtë të vitit 2023.

    Një tjetër ngjarje e trishtueshme tjetër kishte ndodhur në Kijevën e Malishevës më 28 prill, ku dyshimet fillestare treguan se nipi kishte vrarë axhën e tij për shkak të një kontesti pronësor.

    Ndërsa, një vrasje e shokuese kishte ndodhur në Prishtinë, ku një shtetas i Maqedonisë së Veriut është qëlluar për vdekje me armë zjarri në “Rrugën C”.

    Ndër rastet më të tmerrshme të këtij viti është rasti i vrasjes mizore të nënës nga djali i saj në qytetin e Pejës.

    Pastaj vrasja në një lokal nate në Prishtinë ku vdiq një person e u plagosen 17.

    Ndërkaq në fund të gushtit në tregun e druve u vra një 29 vjeçar.

    Gjithashtu të dielën e 3 shtatorit, u vra një 48 vjeçar në Prizren.

    Në periudhën janar – dhjetor të vitit 2022, janë regjistruar 90 raste të tentativave për vrasje, ndërsa për periudhën janar – maj të vitit 2023, 58 raste kanë qenë në tentativë për të përfunduar si vrasje. Nga ana tjetër, statistikat për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve pa leje tregojnë se në vitin 2022 janë regjistruar 775 raste të tilla për periudhën janar – maj, ndërsa në vitin 2023 numri ka rënë në 623.

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • KMDLNj: Pritje të gjata për blerjen e librave, MASHT-i ta sqarojë pse zgjodhi një mënyrë më të kushtueshme

    KMDLNj: Pritje të gjata për blerjen e librave, MASHT-i ta sqarojë pse zgjodhi një mënyrë më të kushtueshme

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave, e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka bërë të ditur se e kanë monitoruar procesin e blerjes së teksteve shkollore.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se edhe pse janë mbajtur deri tani tre ditë mësimi në shkolla të nivelit parauniversitar, radhët për blerje të teksteve shkollore janë të gjata, prej 15 deri në 45 prindër që presin.

    “Nëse kemi parasysh faktin se shumë prindër janë të punësuar, ata duhet të marrin ditë të lirë në mënyrë që t’i blejnë librat ose, edhe më keq , gjyshet apo gjyshërit e nipave dhe mbesave detyrohen të presin në radhë për blerje të librave”.

    “Kush e paguan mundin e prindërve dhe orët e humbura sepse pa tekste shkollore mësimi mbahet sa për të plotësuar kushtet e kontratës e jo për të shpërndarë dije. KMDLNj –ë vlerëson se kjo tollovi e krijuar, pa asnjë arsye dhe pa asnjë nevojë, ngjallë dyshime te tenderimi sepse oferta e shtëpive botuese të teksteve shkollore nuk dallon shumë nga mjetet e ndara për këtë prandaj duhet që MASHT-i të sqarojë pse u përcaktua për subvencionim që po del të jetë më i kushtueshëm e jo për mënyrën që e kishte zbatuar MASHT-i dhe ministria aktuale vitin e kaluar”, thuhet në njoftim.

    KMDLNj vlerëson se reagimi i opinionit ka qenë jashtëzakonisht i butë dhe në kundërshtim me seriozitetin e situatës së krijuar.

    Komunikata e plotë:

    Monitorues të KMDLNj –së kanë monitoruar disa pika ku qytetarët po i blejnë tekstet shkollore të subvencionuara nga MASHT-i sikur që kanë pranuar informata me telefon nga prindërit. Ndonëse jemi me 5 shtator 2023 që nënkupton se janë mbajtur tre ditë mësimi në shkolla të nivelit parauniversitar, radhët për blerje të teksteve shkollore janë të gjata, prej 15 deri në 45 prindër që presin, në çastin e monitorimit për dallim nga viti i kaluar kur po kjo qeveri dhe po kjo ministri kishte shpërndarë tekste shkollore falas sipas standardeve të qeverive paraprake që ishte, edhe më efikase, edhe më pak e kushtueshme.

    Nëse kemi parasysh faktin se shumë prindër janë të punësuar, ata duhet të marrin ditë të lirë në mënyrë që t’i blejnë librat ose, edhe më keq , gjyshet apo gjyshërit e nipave dhe mbesave detyrohen të presin në radhë për blerje të librave.

    Opozita thirri një mbledhje të jashtëzakonshme pikërisht për këtë situatë të krijuar me tekste shkollore të cilën e cilësuan si dështim mirëpo pozita e shpërfilli këtë seancë të jashtëzakonshme duke injoruar kërkesën e deputetëve të opozitës sikur edhe duke e relativizuar gjendjen e krijuar.

    Reagimi i Këshillit të Prindërve do të duhej të ishte shumë më i vendosur aq më parë që mungesa e teksteve shkollore pengon mbarëvajtjen e mësimit, fëmijëve të tyre. Natyrisht se SBASHK–u nuk ka reaguar sepse nuk e konsideron se është pjesë e mandatit për faktin se mbronë interesat e arsimtarëve e jo të nxënësve ndonëse kjo mungesë ndërlidhet dhe ua vështirëson punën të gjithë mësimdhënësve të angazhuar në procesin mësimor.

    KMDLNj –ë ka kërkuar dhe kërkon që rasti të hetohet nëse kjo mënyrë e pajisjes me tekste shkollore ka ruajtur mjete të Buxhetit të Kosovës apo e ka dëmtuar buxhetin dhe pas kësaj të përcaktohet përgjegjësia e mundshme institucionale, profesionale dhe ligjore.

    Për KMDLNj –në mbetet i paqartë fakti pse MASHT-i shmangu mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore nëse vitin e kaluar ishte e vlerësuar si e suksesshme kur, në ndërkohë ishte dhe mbeti e njëjta përmbajtje edhe e qeverisë sikur edhe e MASHT-it, i njëjti kryeminister dhe e njëjta ministre. Është e pabesueshme se si pas gjithë kësaj tollovie askush nuk fletë për përgjegjësi (nga radhët e pozitës) ndonëse flitet se janë ndarë më shumë mjete se që ishin ndarë në vitin paraprak ndërsa efikasiteti ka rënë për tokë.

    Kush e paguan mundin e prindërve dhe orët e humbura sepse pa tekste shkollore mësimi mbahet sa për të plotësuar kushtet e kontratës e jo për të shpërndarë dije. KMDLNj –ë vlerëson se kjo tollovi e krijuar, pa asnjë arsye dhe pa asnjë nevojë, ngjallë dyshime te tenderimi sepse oferta e shtëpive botuese të teksteve shkollore nuk dallon shumë nga mjetet e ndara për këtë prandaj duhet që MASHT-i të sqarojë pse u përcaktua për subvencionim që po del të jetë më i kushtueshëm e jo për mënyrën që e kishte zbatuar MASHT-i dhe ministria aktuale vitin e kaluar.

    KMDLNj–ë vlerëson se reagimi i opinionit ka qenë jashtëzakonisht i butë dhe në kundërshtim me seriozitetin e situatës së krijuar. Pikërisht organizatat që mbrojnë të drejtat e nxënësve dhe angazhohen për një arsimim më cilësorë është dashur të reagojnë duke shfaqur mospajtim publik e jo ta kalojnë në heshtje sikur që rasti të ndodhte në Kore të Veriut apo Iran.

    Se ky veprim i MASHT-it, i pastudiuar mirë, i ngutshëm dhe i pakoordinuar me Këshillin e Prindërve shkel të drejtat e njeriut, nuk ka asnjë dyshim nëse i referohemi Nenit 26 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara; Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës.

  • ​Haradinaj: Nëna Terezë përmes veprave të saj shfaqi vlerat e kombit shqiptar

    ​Haradinaj: Nëna Terezë përmes veprave të saj shfaqi vlerat e kombit shqiptar

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se trashëgimia e Nënës Terezë është vlerë dhe burim krenarie dhe frymëzimi për të ndjekur rrugën e saj.

    Kështu ka thënë deputeti Haradinaj në Ditën e Shenjtërimit të Nënës Terezë.

    “Në Ditën e Shenjtërimit të Nënës Terezë, kujtojmë një figurë të jashtëzakonshme, një shembull unik të humanizmit dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Përmes veprave të saj të mëdha humanitare, ajo shfaqi vlerat e kombit shqiptar, për të ndihmuar ata që vuajnë. Trashëgimia e Nënës Terezë është vlerë dhe burim krenarie dhe frymëzimi për të ndjekur rrugën e saj drejt të mirës dhe shërbimit ndaj të tjerëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Gjermania nuk ndërron qëndrim për vizat për Kosovën

    Gjermania nuk ndërron qëndrim për vizat për Kosovën

    Presidenti francez Emmanuel Macron bëri bujë javën e kaluar kur sugjeroi që liberalizimi i vizave i Kosovës, i vendosur të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, mund të rishikohet nga Parisi dhe Berlini nëse Prishtina nuk është në linjë lidhur me tensionet e vazhdueshme me Serbinë. Por Euroactiv mëson se Gjermania do t’i përmbahet afatit kohor fillestar, duke sugjeruar një divergjencë në qëndrim midis dyshes franko-gjermane, transmeton KP.

    Kosova ka qenë subjekt i masave të BE-së pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, një rajon i banuar kryesisht nga serbë etnikë. Në nëntor të vitit 2022, serbët dhanë dorëheqje masivisht nga pushteti dhe institucionet lokale për shkak të kërkesës që të gjitha automjetet e Kosovës të vendosin targa të lëshuara nga Prishtina. Kjo do të ndikonte tek disa serbë etnikë në veri me targa të lëshuara nga Beogradi, të cilët jetojnë në Kosovë, por refuzojnë të njohin sovranitetin e saj.

    Zgjedhjet u mbajtën në muajin prill për të zëvendësuar ata që dhanë dorëheqje, por serbët refuzuan të merrnin pjesë ose të votonin, pas thirrjeve për bojkot nga Beogradi.

    Votimi rezultoi në një pjesëmarrje më pak se 4% ku u zgjodhën kryesisht shqiptarë etnikë. Kur ata u përpoqën të hynin në ndërtesat komunale me mbështetjen e policisë së Kosovës, serbët u përgjigjën me protesta që u përshkallëzuan në dhunë dhe lëndime të trupave paqeruajtëse të NATO-s.

    Pas një procesi të gjatë i cili përfshinte mbështetje thelbësore nga dyshja franko-gjermane, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Evropë njësoj si çdo qytetar tjetër evropian, pa pasur nevojë për vizë, nga janari i vitit 2024.

    Franca dhe Gjermania kanë kohë që kanë një qasje të sinkronizuar ndaj Kosovës, duke dalë me qëndrime dhe deklarata të përbashkëta dhe duke u përfshirë shumë në një nga planet më të fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të quajtur joformalisht “plani franko-gjerman”.

    Trupi diplomatik i të dy vendeve është gjithashtu shumë i nderuar në nivel lokal, dhe fjalët e Macron dhe Scholz dhe ish-kancelares Angela Merkel kanë peshë të konsiderueshme.

  • ​Lideri i Koresë së Veriut mund të vizitojë Rusinë për t’u takuar me Putin

    ​Lideri i Koresë së Veriut mund të vizitojë Rusinë për t’u takuar me Putin

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin këtë muaj për të diskutuar mundësinë e sigurimit të armëve për Moskën për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë, thuhet sipas një raporti.

    Kim ndoshta do të udhëtojë nga kryeqyteti Phenjani me tren të blinduar për në Vladivostok në bregun lindor të Rusisë, raportoi “The New York Times”, duke cituar burime amerikane dhe aleate.

    “Të dy liderët do të jenë në kampusin e Universitetit Federal të Lindjes së Largët në Vladivostok për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Lindor, i cili është planifikuar të zhvillohet nga 10 deri në 13 shtator”, citohet të kenë thënë zyrtarët.

    Vizita e mundshme vjen disa ditë pasi Shtëpia e Bardhë tha se Rusia dhe Koreja e Veriut po “përparojnë në mënyrë aktive” negociatat e fshehta të armëve.

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se inteligjenca amerikane sugjeron që ministri rus i mbrojtjes Sergey Shoigu bëri thirrje gjatë vizitës së tij në Korenë e Veriut në muajin korrik që Phenjani t’i sigurojë Kremlinit municion artilerie pasi Rusia kërkon “sasi të konsiderueshme dhe lloje të shumta municionesh” për përdorim në Ukrainë.

    Kirby tha se diskutimi i nivelit të lartë “mund të vazhdojë në muajt e ardhshëm”.

    Nga Shtëpia e Bardhë thanë në dhjetor se grupi ushtarak privat rus Wagner kishte marrë një dërgesë armësh nga Koreja e Veriut dhe vuri në dukje në muajin mars se Rusia po kërkonte të ndërmjetësonte një skemë ‘ushqim për armë’ me Phenjanin. /AA/

  • Deficiti tregtar i frikshëm, Krasniqi: Jashtë vendit dolën 52. 6 miliardë euro për 22 vjet

    Deficiti tregtar i frikshëm, Krasniqi: Jashtë vendit dolën 52. 6 miliardë euro për 22 vjet

    Kosova ka arrit një bilanc tregtar negativ tejet të frikshëm. Sipas ish-kryeshefi ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi brenda periudhës 22 vjeçare 2001-2022, Kosova përmes importit ka nxjerrë jashtë vendit 52 miliardë e 561 milionë euro, ndërsa përmes eksportit ka sjellë brenda vendit 6 miliardë e 250 milionë euro, me një bilanc tregtar siç shprehet ai të tmerrshëm negativ prej 46 miliardë e 310 milionë euro.

    Krasniqi ka shkruar në Facebook se tendenca e vitit 2023, tregon një import prej afro 6 miliardë euro, që sipas tij është tepër negative për ekonominë e vendit.

    “Duke marrë së bashku vetëm 4 vjetët e fundit 2020-2023, përmes importit Kosova do të nxjerrë jashtë vendit shumën prej 19 miliardë e 600 milionë euro. Bilanci tepër negativ tregtar është i frikshëm. Prandaj, nuk kemi as prodhim dhe as zhvillim ekonomik, ashtu si e meriton Republika e Kosovës. Prandaj, duhet falënderuar diasporën. Prandaj, duhet falënderuar donacionet dhe mbështetjen financiare ndërkombëtare”, ka shkruar Krasniqi.