ATV

Blog

  • 25 vjet nga Beteja e Kaqandollit

    25 vjet nga Beteja e Kaqandollit

    Sot bëhen 25 vjet nga beteja e Kaqandollit.

    Beteja e Kaqandollit është njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së, jo vetëm në Llap por në tërë Kosovën.

    Beteja e Kaqandollit, ishte beteja e parë frontale në Llap që e zhvilloi UÇK-ja kundër forcave serbe.

    Gjatë kësaj beteje 3 ditore nga radhët e UÇK-ës ranë 7 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Habib Zeka, Islam Rekaliu dhe Selim Rekaliu.

  • 22 veturat e reja për vizita mjekësore nëpër shtëpi, Ministria e Shendetesise i bleu me kredi

    22 veturat e reja për vizita mjekësore nëpër shtëpi, Ministria e Shendetesise i bleu me kredi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën, nëpërmjet një statusi në Facebook, u krenua se Ministria që ai udhëheq do të bëjë shpërndarjen e 22 veturave për vizita mjekësore nëpër shtëpi, për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve.

    Por ajo që Ministri harroi të nënvizojë në këtë njoftim është se këto vetura janë siguruar nëpërmjet një huamarrje, që ministria e ka marrë nga Banka Botërore, që arrin shifrën e afro 750 mijë eurove.

    Megjithatë, me to stafi i Qendrave të Mjekësisë Familjare do të mund të bëjë vizita shëndetësore shtëpiake për shëndetin e nënave dhe fëmijëve deri në 3 vjeç, edhe në zonat më të thella të vendit.

    Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se ato do të shpërndahen në 30 komuna të vendit.

    “Kostoja financiare për blerjen e 22 veturave është 748,000 Euro. Vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë ofrohen nga Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Deri më tani, këto vizita realizohen te këto kategori (nënë dhe fëmijë deri në moshën 3 vjeçe) në 30 komuna. Veturat janë siguruar në bazë të nevojave nga komunat që janë duke i realizuar këto vizita”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Sipas Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, kjo ka qenë një nevojë e kamotshme. Besim Kodra nga kjo shoqatë, thotë se marrja e shërbimeve shëndetësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare të fshatrave, është më e vështirë për shkak të mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimit të pamjaftueshëm me barna nga lista esenciale.

    Ndryshe, programi i vizitave nëpër shtëpi për shëndetin dhe mirëqenien e nënave dhe fëmijëve, ka filluar të zbatohet në Kosovë në vitin 2014. Ky program është i integruar në kujdesin parësor shëndetësor.

  • Hapet Panairi i Punës për Personat me Aftësi të Kufizuara

    Hapet Panairi i Punës për Personat me Aftësi të Kufizuara

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Fortesa Vishesella është e kufizuar në aftësitë fizike që nga lindja. Kështu nuk ia doli të përfshihej në shumë aktivitete.

    Por falë panairit të punës që u hap nga organizata “Save the Children” në Prishtinë, do të ketë mundësi që së paku terapinë mjekësore t’ia sigurojë vetes.

    “Kam aplikuar për një pozitë në administratë me një kompani, në kuadër të panairit që është për t’i punësuar personat me aftësi të kufizuara. Jemi shumë të lumtur që po mundemi me marrë pjesë edhe ne si gjithë të tjerët ndonëse një gjë e tillë është dashur të bëhej prej kohësh”, tha Vishesella.

    Ky panair, kishte për qëllim ofrimin e 90 vendeve të lira të punës të fushave të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, nga më shumë se 30 kompani.

    “Kompania jonë ofron disa pozita pune si asistente, referente për këtë kategori. Aplikimet po vazhdojnë, së pari i marrim të dhënat e tyre e kështu me radhë”, tha Rinora Selimaj, përfaqësuese e organizatës.

    “Edhe kjo kategori ka të drejtën për punësim, andaj jemi mbledhur sot me më shumë se 30 kompani për këtë qëllim”, tha Deniza Simnica, përfaqësuese e “Save the Children”.
    Ndërkaq, organizatorët e panairit thonë se nuk do këtë më barriera mes punëdhënësve dhe personave me aftësi të kufizuara.

    “Jemi shumë të lumtur që do të kenë mundësi të punësohen si të gjithë të tjerët, jemi falënderues edhe bashkëpunëtorëve për këtë projekt”, tha Ahmet Kryeziu, drejtor në organizatën “Save the Children”.

    “Aktivitetet e tilla kanë munguar, andaj ky është një hap i suksesshëm për të gjithë ne, në bashkëpunim me të gjitha bizneset po ia dalim”, tha kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

    Të interesuarit, mundësi aplikimi për punë patën deri në orën 16:00.

  • Leposaviqi dhe Zubin Potoku votojnë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Leposaviqi dhe Zubin Potoku votojnë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Për 109 ditë, kryetari i komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi, nuk ka dalë nga objekti i komunës.

    Ai qëndroi brenda edhe kur asamblistët e Kuvendit Komunal u mblodhën larg objektit të komunës në fshatin e tij të lindjes, për të diskutuar rreth një pike të rëndësishme të rendit të ditës.

    Brenda objektit të shkollës fillore në Bistricë, asamblistët e kuvendit të Leposaviqit votuan për anëtarësimin e kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

    Ndonëse, pozita e obligonte ta ftonte këtë grumbullim të Kuvendit Komunal, kryesuesi i Kuvendit të Leposaviqit nga komuniteti serb, abstenoi gjatë votimit.

    Përveç Leposaviqit, më 14 shtator edhe komuna e Zubin Potokut votoi që edhe kjo komunë t’iu bashkohet të tjerave të Kosovës brenda Asociacionit.

    Vendimi i të dyja kuvendeve komunale tashmë do t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për shqyrtim.

    Njëkohësisht partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka kundërshtuar veprimet e komunave Leposaviq e Zubin Potok, duke thënë se nuk janë në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë.

    Nga katër komunat veriore tashmë ka mbetur vetëm edhe ajo e Zveçanit që ende nuk ka bërë kërkesë të anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

  • Ushtarët e FSK-së, në tetor do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll” në Uells

    Ushtarët e FSK-së, në tetor do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll” në Uells

    Përgatiti: Armand Hoti

    Një pjesë e tetorit, pritet të jetë rraskapitëse për disa nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ata, nga data gjashtë deri më 15 tetor, do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll”, të organizuar nga Ushtria Britanike, që do të mbahet në Uells.

    “Ushtrimi aktualisht përbëhet nga tetë faza, secila prej 48 orësh, në 10 ditë. Çdo patrullë do të përshkojë afërsisht 60, duke mbajtur jo më shumë se 32 kg për person. Ushtrimi është projektuar që të jetë i mundimshëm dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur, si mendërisht, ashtu edhe fizikisht, për sfidën e ardhshme”, thuhet në njoftimin nga “Cambrian Patroll”.

    Ministria e Mbrojtjes, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, tregoi për avantazhet që ushtrimi në fjalë do të sjellë për ushtarët e FSK-së.

    “Në këtë garë, FSK-ja merr pjesë me një skuadër. Ushtarakët tanë do të përvetësojnë aftësitë e fituara nga ushtrimet dhe trajnimet që ndjekin brenda dhe jashtë FSK-së, do të sfidohen në punën ekipore dhe të përvetësojnë nga njohuritë dhe eksperiencat e shteteve të tjera pjesëmarrëse në garë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Kadri Kastrati, ish-gjenerali i ushtrisë kosovare, tregon për sfidat që i presin trupat e FSK-së, pjesëmarrëse në këtë ushtrim.

    “Ata me pesha të rënduara në trup, do të ngjiten në lartësi deri në 1000 metra, do të ecin në zona të minuara, do të bëjnë tërheqjen e të plagosurve. Jam krenar me rezultatet që ushtarët tanë kanë korrur në këtë ushtrim apo garë, gjithmonë jemi kthyer me suksese”, tha ish-gjenerali i FSK-së, Kadri Kastrati.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se pjesëmarrja pasqyron marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Britanisë, në fushën e mbrojtjes, si dhe orientimin e Kosovës drejt NATO-s.

    “Kjo dëshmon faktin që FSK-ja tanimë është në rrugën e saj drejt integrimit në familjen e madhe të NATO-s dhe trajnime të tilla vetëm sa e forcojnë aspektin kuadrovik, sepse vetëm kështu mund të arrihet standardi i kërkuar”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Ndërkohë, nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, njoftuan se ushtarët kosovarë janë në fazat e fundit përgatitore para se të nisen drejt Uellsit.

    Trupat e FSK-së, për herë të parë në këtë ushtrim morën pjesë në vitin 2016, ku arritën të siguronin medaljen e artë.

  • Asnjë rezultat nga takimi në Bruksel, Asociacioni “Pengesa” kryesore

    Asnjë rezultat nga takimi në Bruksel, Asociacioni “Pengesa” kryesore

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas katër muajve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, u takuan sy me sy në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, këtë të enjte.

    Mirëpo, edhe ky takim përfundoi pa sukses, njoftoi pas takimeve, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

    Kryediplomati tha se pala kosovare nuk pranoi propozimin e bërë nga ndërmjetësuesit evropianë, për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ajo serbe po. Ai shtoi se kryeministri kosovar insistoi në njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

    “Sot u mundova që të gjej zgjidhje për rrugën përpara, duke u bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, Kurti nuk ishte i gatshëm që të lëvizë përpara dhe të fillojë që ta themelojë Asociacionin. Ai insistoi në njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa, Vuçiqi e ka pranuar propozimin tonë. Propozimi ynë ishte që palët të punojnë paralelisht”. Tha Borrell.
    Duke aluduar në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka mundur të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë, teksa e cilësoi si kusht të vjetër.

    “Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues…E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, për presidentin e Serbisë, Asociacioni është gjeja kryesore.

    “Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar. Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha Vuçiq.

    Në konferencën për media, pas takimit trepalësh, shefi i Politikes se Jashtme i BE-së, tha se Kosova nuk ka plotësuar gjitha kushtet për deeskalim, teksa insistoi se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është më e shpejtë për zgjedhjet e reja.

    Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se kryetarët e komunave në veri nuk mund të japin dorëheqje, sipas tij, duhet të respektohet udhëzimi administrativ.

    Ndërkohë pas takimit është thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të mbeten ende në fuqi.

  • Bastisja 8 orëshe e shtëpisë së Behar Berishës nga zyrtarët e ZPS

    Bastisja 8 orëshe e shtëpisë së Behar Berishës nga zyrtarët e ZPS

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në rresht “për një”, zyrtarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar dolën nga shtëpia e Behar Berishës, ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare.

    Materialet që gjetën gjatë bastisjes, 12 zyrtarët i vendosën në veturat e asistentëve, EULEX-it.

    Por, ky qe vetëm fundi i një aksioni që nisi në orët e hershme të mëngjesit, i cili zgjati diç më shumë se 8 orë.

    Derisa zyrtarët policorë siguronin perimetrin, hetuesit ndërkombëtarë kontrollonin thuajse çdo cep të shtëpisë, të shoqëruar edhe nga familjarët.

    Megjithatë, nuk dihet se çka u gjet në shtëpinë e bashkëluftëtarit dhe djalit të dajës së Salih Mustafës-Calit, i cili tashmë është duke e vuajtur dënimin nga Gjykata Speciale.

    Ndërkohë, rruga “Ramë Gavori”, në kryeqytet u bllokua për kalim, gjë që shkaktoi pakënaqësi te banorët e lagjes.

    Në fakt, kjo ishte vetëm njëri prej disa angazhimeve të ZPS-së këtë javë.

    Të martën, po ashtu bastisën shtëpinë e dëshmorëve Fazliu, dhe intervistuan Ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, të cilit ia kontrolluan edhe telefonin, ngjashëm siç vepruan një ditë më vonë edhe me një nga themeluesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Nait Hasani.

  • Deputetët diskutojnë me ministren e arsimit për librat shkollor

    Deputetët diskutojnë me ministren e arsimit për librat shkollor

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Edhe pse seanca e jashtëzakonshme e së enjtes u thirr nga opozita, shumica e deputetëve të partive opozitare nuk ishin në sallë. Ata që erdhën në kohë pritën më shumë se gjysmë ore që të formohej kuorumi për debatin parlamentar, lidhur me furnizimin nxënësve me tekste shkollore.

    Fillimisht kritikat u dëgjuan nga opozita, sipas së cilës, situata me tekstet shkollore ka të bëjë me keqpërdorim.

    Por, edhe opozita u kritikua për keqpërdorime, derisa Ministria e Arsimit, Arbërie Nagvaci, tha se qeveritë e kaluara çdo vit kanë dyfishuar buxhetin për furnizim me tekste shkollore.

    Deklarimit të saj, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj i dha notë.

    Më i ashpër ishte fjalimi i kolegut të tij partiak.

    Kjo seancë e jashtëzakonshme e cila ishte thirrur nga opozita më 4 shtator përfundoi pa ndonjë epilog.

  • ​Arrestohet një person i dënuar për veprën dhunim në Podujevë

    ​Arrestohet një person i dënuar për veprën dhunim në Podujevë

    Njësite të stacionit policor të Podujevës kanë arrestuar një person i cili kërkohej me urdhëresë të Gjykatës.

    Policia e Kosovës njofton se ndaj personit të dyshuar me inicialet E.A, mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka qenë aktive urdhëresa (dënim me tri vite burgim) për veprën dhunim.

    “Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj-Stublla: Ka kohë që Borrelli e Lajçaku anojnë kah Serbia

    Haradinaj-Stublla: Ka kohë që Borrelli e Lajçaku anojnë kah Serbia

    Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, ka komentuar zhvillimet e sotme në Bruksel, ku tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Borrelli e Lajçaku tash e sa kohë dukshëm anon kah Serbia, duke toleruar shkeljet e saje duke e kushtëzuar Kosovën pafundësisht.

    Haradinaj – Stublla kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të ftojë urgjentisht një tryezë uniteti me të gjitha partitë politike parlamentare dhe bashkërisht të bëjnë një rishikim strategjik të pozicionit të Kosovës në dialog.

    “Kryeministria pastaj – të bëjë publik dhe të përfaqësojë qëndrimin e dakorduar të unitetit politik. Vetëm kështu ndihmohet Kosova nga vorbulli i rrezikshëm ku gjindet sot”.

    “I ashtuquajturi ‘Asociacion i komunave me shumicë serbe’ i nënshkruar më 2013/2015 – pakëson dhe dobëson sovranitetin e Kosovës, dhe forcon Serbinë zyrtare në Kosovë për të mbajtur pastaj përjetësisht peng shtetin dhe qytetarët serb të Kosovës”, shkroi Haradinaj – Stublla.

    Tutje, ajo tha se si i tillë, Asociacioni do tëduhej të refuzohet nga të gjithë, përfshirë partitë që e kanë nënshkruar.

    “Dialogu ka kuptim vetëm kur udhëhiqet nga një ndërmjetësues që nuk e injoron të vërtetën”, tha ajo.