ATV

Blog

  • Filloi faza e dytë testuese për ndotjen e ajrit nga automjetet

    Filloi faza e dytë testuese për ndotjen e ajrit nga automjetet

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ministria e Mjedisit, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar fazën e dytë për shkallën e ndotjes së ajrit nga automjetet.

    Sipas zëvendësministrit të këtij dikasteri, Avni Zogiani, automjetet që lirojnë gazra mbi shifrën 5, do të marrin rekomandime të detyrueshme për t’iu nënshtruar kontrollit teknik sipas databazës.

    “Ky projekt është bërë në bashkëpunim fantastik me Policinë e Kosovës, natyrisht edhe me departamentet e ministrisë tonë dhe akterë të tjerë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të kemi të dhëna të sakta mbi burimin, mbi atë se çfarë mase janë automjetet kontribuuese në mungesën e kualitetit të ajrit në Kosovë”, tha Zogiani.

    Duke pasur parasysh ndotjen e ajrit nga numri i madh i automjeteve, Zogiani thekson rëndësinë e zëvendësimit të veturave me karburante, me ato elektrike.

    “Nëse automjetet janë ndotëse, mund ta supozojmë tashmë, por në çfarë mase do ta kuptojmë shpejt, ndotës shumë të mëdhenj. Atëherë duhet të marrim politika që të shkojmë kah zëvendësimi i automjeteve me karburante me mjete elektrike, me transport elektrik, ose zëvendësimi i makinave individuale me transport publik”, tha Zogiani.

    Në realizim të projektit ka kontribuar edhe qeveria japoneze.

    “Është Qeveria e Kosovës ajo që ka kërkuar asistencën nga Qeveria e Japonisë. Kosova është shtet i ri, 15-20 vjet kështu që ka nevojë ende për asistencë, dhe në të njëjtën kohë Japonia e ka pasur të njëjtën përvojë me ndotjen diku 40-50 vjet përpara, kështu që mund t’ia japim ekspertizën tonë Qeverisë së Kosovës, për të përmirësuar procedurat administrative“, tha Kuwahara Fumihiko, udhëheqës i projektit nga “JICA”.

    Kjo është faza e dytë e këtij projekti nga agjencia japoneze “JICA”, që ka filluar prej rreth një viti e gjysmë dhe parashihet të përfundojë në fund të vitit 2025.

  • Kuvendi do të hetojë dyshimet për rezervat shtetërore

    Kuvendi do të hetojë dyshimet për rezervat shtetërore

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas debatit 4 orësh, Kuvendi arriti të themelojë Komisionin Hetimor për Rezerva shtetërore.

    Drejtues i këtij komisioni u zgjodh deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, derisa zëvendëskryesuese deputetja Valentina Bunjaku e LDK-së.

    Por votimit të këtij komisioni i parapriu një debat i nxehtë mes pozitës dhe opozitës.

    Kjo pasi kundër themelimit të këtij komisioni ishte Lëvizja Vetëvendosje.

    Mirëpo, fjalimi i Kusari-Lilës u tentua të pengohej nga ish-partiaku i saj, i cili lëshoi bisedën telefonike që deputetja e LV-së e kishte realizuar me deputetin serb Slavko Simiq.
    Pavarësisht kësaj, debati kishte vazhduar.

    Opozita krejt ndryshe argumentonte nevojën për themelimin e Komisionit hetimor për Rezerva Shtetërore.

    Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, nuk e la pa i hedhur kunja opozitës.

    Debat më të ashpër pati mes deputetit Driton Selmanaj e deputetes Kusari-Lila, të cilët nuk e lanë pa ia përmendur të kaluarën njëri-tjetrit.

    Pjesë e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë pesë anëtarë, PDK-ja dhe LDK-ja me nga dy, derisa AAK-ja dhe grupet joshumicë do ta kenë vetëm nga një përfaqësues.

    Mandati i komisionit do të jetë 6 muaj.

    Në muajin e shkuar, Prokuroria Speciale arrestoi dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmen nën dyshime për ‘’Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

  • Në Kuvend votohen disa projektligje, dështon miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Në Kuvend votohen disa projektligje, dështon miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Për herë të parë ishte në rend dite në prill e pas më shumë se 5 muajve u arrit që të votohet për të.

    Megjithatë, rezoluta e propozuar nga opozita për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti u hodh poshtë, pasi nuk i mori votat e mjaftueshme për miratim.

    Për të votuan 19 deputetë, kundër ishin 49, kurse tre abstenuan.

    Ndërkohë, në rend dite në seancën e së enjtes, pati edhe marrëveshje ndërkombëtare.

    Ani pse pati mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për ta votuar ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

    “Do të lejoj operimin e kësaj hekurudhe deri në 100 km/h në shumicën e seksioneve të linjës, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    “Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare, ky projekt ka shtatë-tetë vjet që ka nisur të realizohet. Më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit, së paku pjesës së financimit”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    “Jemi vend i sanksionuar, jemi vend që po izolohemi çdo ditë e më tepër dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të marrim pjesë në votimin e kësaj marrëveshjeje”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
    Ndërkohë, LDK-ja përkundër dy partive të tjera opozitare, PDK e AAK, u dha përkrahje edhe disa projektligjeve.

    Me 62 vota për, u miratua në lexim të dytë Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

    Gjithashtu, në seancë, me 66 vota për u miratua edhe Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

  • Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit serbë për krime, Luftekostiq e Elezoviq dyshohen për vrasje

    Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit serbë për krime, Luftekostiq e Elezoviq dyshohen për vrasje

    Përgatiti: Nora Luta

    Rruga nëpër të cilën kaluan mijëra civilë shqiptarë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre, 23 vjet pas ka marrë tjetër pamje. Por, për Musli Ukën nga Vushtrria sa herë kalon në Studime përjetimet janë të njëjta.

    Përveç rrugëve të këtij fshati, Uka dyshon se Ilija Elezoviq bashkë me disa serbë të tjerë, u prinë e u treguan rrugët paramilitarëve serbë, në ofensivën ku kishin mbetur të vrarë qindra civilë shqiptarë të kësaj komune.

    E nën dyshimet për krime lufte pikërisht në territorin e kësaj Komune, Elezoviq që është emër i njohur edhe për banorët e tjerë, bashkë me Dragan Milloviq, dhe Zoran Kostiqin, do të qëndrojnë në burg të paktën për një muaj.

    Ata një ditë pasi u arrestuan u sollën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të marrë pjesë në seancën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Por, dolën të pakënaqur me vendimin, e të indinjuar u panë edhe familjarët që qëndruan në oborrin e Pallatit të Drejtësisë, më shumë se katër orë.

    “Për fat të keq, gjykatësi pranoi një kërkesë të pabazuar mirë për caktimin e masës së paraburgimit dhe më duhet të them se për fat të keq prokuroria speciale as nuk ka fuqi e ndoshta as dëshirë, që këto raste t’i kryejë në përputhje me ligjin”, tha Ljubomir Pantoviq, avokat i Ilija Elezoviqit.

    Megjithatë, në dosjen e Prokurorisë Speciale të siguruar nga ATV-ja, tre të arrestuarit dyshohet se morën pjesë në dëbimin me forcë të rreth 50 mijë civilëve, në Komunën e Vushtrrisë, gjatë muajit maj të vitit 1999.

    “Pasi i urdhëruan të ulen, me mjete të forta i goditën nëpër trup dhe kokë. Më pas i ndanë burrat nga pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i vendosën në kamionë. Fillimisht i dërguan në sallën e sporteve në Vushtrri ku u urdhëruan të dorëzojnë gjithçka që kishin, me premtimin se do të liroheshin. Ata të cilët dorëzuan gjësendet që i posedonin nuk janë liruar, por janë rrahur në mënyrë çnjerëzore e më pas u vendosën në burgun e Smrekonicës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Sipas dosjes, Zoran Kostiq ishte përgjegjës edhe për masakrën ndaj familjes Ujkani, ndërsa Ilija Elezoviq dyshohet se në Nadakoc kishte plagosur një person.

    “Më 24 shkurt 1999, i akuzuari Illija Ellezoviq, i uniformuar, bashkë me disa persona të tjerë të paidentifikuar, në rrugën nga Vushtrria deri në fshatin Nadakoc, rreth orës 18, me veturë të bardhë të llojit Opel, i armatosur me armën snajper, qëlloi viktimën Sabit Ferizi, duke e plagosur në këmbë të majtë. Në mars të vitit 1999, në fshatin Reznik, në shtëpinë e Shaip Zenelit, ishte i stacionuar një grup i policëve dhe paramilitarëve serbë. Këtë grup e udhëhiqte Zoran Kostiq, i cili ishte komandant i tyre dhe secilin aksion të forcave serbe të organizuar në shtëpinë e Shaip Zenelit e udhëhoqi Zoran Kostiq, siç ishte masakra ndaj familjes Ujkani”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Prokuroria tutje ka kërkuar që të dyshuarit të mbahen në burg, pasi ka theksuar se të arrestuarit posedojnë pasaporta të shtetit serb dhe mund të arratisen.
    Tre të akuzuarit, të gjithë ishin pjesëtarë të MUP-it serb, ndërkaq, Dragan Milloviq ishte edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga viti 2013.

  • Rama qartëson realitetin e pavarësisë së Kosovës në KS të OKB-së

    Rama qartëson realitetin e pavarësisë së Kosovës në KS të OKB-së

    Përgatiti: Armand Hoti

    Për herë të parë, Shqipëria kryesoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Duke drejtuar sesionin me temë “Ruajtja e Paqes dhe e Sigurisë së Ukrainës”, kryeministri Edi Rama tha se Rusia nuk mund ta përdorë pavarësinë e Kosovës si arsyetim për të pushtuar territore të huaja.

    “Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar të Ballkanit Perëndimor e sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre apo makthet e tyre që kanë eksportuar. Pavarësisht sa përpiqeni pavarësia e Kosovës është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj Karte të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh, apo aneksim të paligjshëm”, tha Rama.

    Por për paralelet e Ramës mes Kosovës dhe luftës në Ukrainë, njohës të politikës ndajnë qëndrime të ndryshme.

    Profesori Basri Muja thotë se Shqipëria ka humbur një rast të rrallë për ta tematizuar çështjen e Kosovës në organizatën më të rëndësishme në botë.

    “Mendoj se Shqipëria do të duhej që çështjen e Kosovës ta problematizonte më shumë. Nuk mendoj që kryeministri Rama e shfrytëzoi këtë skenë aq sa duhet për ta problematizuar çështjen e Kosovës. Nuk mendoj se Shqipërisë do t’i vijë më ky rast”, tha Muja.

    Kurse, sipas analistit Arbnor Sadiku, deklarata e Ramës, para liderëve botërorë, ishte pozitive në kontekst të qartësimit të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.

    “Është vendim i drejtë dhe i qëlluar, këtë gjë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Drejtësie ndërkombëtare në vitin 2010, ku ka theksuar më tej se Kosova e ka shpallur në mënyrë të drejtë pavarësinë e saj”, tha Sadiku.

    Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit, për herë të parë fizikisht ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

  • “Ti falesh? Jo bre mos bon hajgare”, llafet kur Kaltrina vendosi të mbulohet

    “Ti falesh? Jo bre mos bon hajgare”, llafet kur Kaltrina vendosi të mbulohet

    Në emisionin STUDIO A në ATV, ishte e ftuar aktorja Kaltrina Zeneli. Ajo në këtë emision bëri një rrëfim për jetën e saj private, por edhe për atë profesionale, sidomos pas kohës kur kishte vendosur ta vë mbulesën islame.

    Ajo ka treguar se është falur edhe para se ta vë mbulesën, madje njerëzit nuk e kanë besuar se ajo bënë namaz.

    “Njerëzit e kanë pa që unë falna, me kanë thënë ‘ti falesh?’, iu ka dukur pak e pamundur”, tregon Kaltrina.

    Në emision, ajo ka zbuluar edhe reagimin e babait të saj kur ia ka kumtuar lajmin se ka vendosur të mbulohet.

    Se si reagoi babai i saj kur e kuptoi se ajo kishte vendosur të mbulohet, mund ta zbuloni në videon e më poshtme:

  • ​Bullgaria dëbon një shtetas rus dhe dy bjellorusë për zbatimin e strategjisë hibride

    ​Bullgaria dëbon një shtetas rus dhe dy bjellorusë për zbatimin e strategjisë hibride

    Një shtetas rus dhe dy bjellorusë janë dëbuar nga Bullgaria, iu është hequr e drejta e qëndrimit dhe iu është ndaluar hyrja në Bullgari për një periudhë prej pesë vjetësh me urdhër të kryetarit të Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (SANS), thuhet në një deklaratë për shtyp të SANS të enjten.

    Masat administrative shtrënguese janë vendosur në lidhje me një veprimtari të kryer nga të tre personat kundër sigurisë dhe interesit kombëtar të Bullgarisë, saktësoi Agjencia. “Është marrë informacion për veprimet e personave në fjalë që përfshijnë zbatimin e elementeve të ndryshme të strategjisë hibride të Federatës Ruse për ndikimin e qëllimshëm të proceseve socio-politike në Republikën e Bullgarisë në favor të interesave gjeopolitike ruse”, thuhet në deklaratën për shtyp.

    SANS identifikoi tre të dëbuarit me inicialet: shtetasi rus N.Z. dhe shtetasit bjelloruse E.P. dhe V.B.

    Ambasada ruse në Sofje tha në një postim në Faceook të enjten se “autoritetet bullgare ndërmorën veprimin e vrazhdë, flagrant të dëbimit nga vendi i rektorit të Podvorye të Kishës Ortodokse Ruse në Sofje, Arkimandrit Vassian dhe dy ministrave të Kishës së Shën Nikollës së Mirës”.

    “Ne jemi të indinjuar me faktin dhe formatin e vendimit të marrë nga pala bullgare. Është e qartë se lidershipi aktual bullgar i ka vënë detyrë vetes të shkatërrojë jo vetëm lidhjet socio-politike, kulturore dhe humanitare midis shteteve tona, por edhe për ndërprerjen e marrëdhënieve ndërmjet kishës ortodokse ruse dhe bullgare simotra dhe për hidhërimin e popujve rus dhe bullgar kundër njëri-tjetrit. Veçanërisht tregohet se ky hap është ndërmarrë në festën e Lindjes së Virgjëreshës së Bekuar, një ditë e shenjtë dhe e pastër për famullitë e Kishës Ortodokse Ruse.

    “Ne theksojmë se përgjegjësia për degradimin e shpejtë të bashkëpunimit dypalësh i takon tërësisht palës bullgare”, thuhet në postimin e ambasadës.

    Emri laik i Arkimandritit Vasian është Nikolai Zmeev dhe është përfaqësues i Patriarkut Rus në Bullgari. /BTA/

  • ​Kosova me pesë xhudistë në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit

    ​Kosova me pesë xhudistë në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit

    Ekipi kosovar i xhudos i rikthehet nesër aksionit në garat ndërkombëtare, respektivisht në Azerbajxhan.

    Kosova do të paraqitet me pesë xhudistë në Baku të Azerbajxhanit, ku edhe do të mbahet edicioni i radhës i Grand Slam-it nga data 22 deri më 24 shtator, raporton KosovaPress.

    Kosovën do ta përfaqësojnë Distria Krasniqi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë, Loriana Kuka në kategorinë deri në 70 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë.

    Distria dhe Nora Gjakova luajnë nesër, kurse Fazliu, Kuka e Akil Gjakova do të ndeshen pasnesër, respektivisht të shtunën.

    Së bashku me xhudistët tanë kanë udhëtuar edhe trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku.

    Në Grand Slamin e Bakus do të marrin pjesë 5 kontinente, 62 shtete dhe 452 garues.

  • ​Kurti takon shqiptarët dhe boshnjakët e Serbisë, diskutojnë për reciprocitetin

    ​Kurti takon shqiptarët dhe boshnjakët e Serbisë, diskutojnë për reciprocitetin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Këshilltaren Politike, Ardita Sinani pritën në takim Kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Dr. Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihovic, Selma Kucevic, Ado Kameniscanin, dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

    Zyra e Kryeministrit njofton se në takim u diskutua për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje.

    “Përfaqësuesit e Boshnjakëve në Serbi thanë se as ata nuk janë të kënaqur me trajtimin që i bëhet atyre. Parimi i reciprocitetit dhe i simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkan Perëndimor, është formula e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon”, thuhet në komunikatë.

    Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Tema tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.

  • ​Osmani takoi presidentin e Letonisë, diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Kosovë

    ​Osmani takoi presidentin e Letonisë, diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

    Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend ndërsa Osmani ka theksuar se Kosova mbetët e përkushtuar për paqe dhe siguri afatgjatë.

    “Krahas marrëdhënieve bilaterale, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon e më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri afatgjate. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Rinkēvičs për mbështetjen e vazhduar të Letonisë për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka njoftuar Presidenca./KP