ATV

Blog

  • Berisha i shqetësuar për situatën në veri: Fotografitë e Policëve e të vrarëve s’është dashur të publikohen

    Berisha i shqetësuar për situatën në veri: Fotografitë e Policëve e të vrarëve s’është dashur të publikohen

    Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, tha se e ka përcjell me shqetësim situatën e krijuar në veri.

    Ai po ashtu tha se gjatë aksionit të Policisë e Kosovës, nuk është dashur të publikohen në rrejte sociale fotografitë e policëve që ishin në detyrë dhe fotografitë e viktimave.

    Këto komente ai i bëri pas dështimit të mbajtjes së mbledhje së Komisionit në mungesë të kuorumit dhe pas mos pjesëmarrjes se ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    “E kemi përcjell me shqetësim ngjarje që ka ndodhur dua që t’i shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë kolegëve të tyre. Dua të i uroj shërim të shpejt policëve te plagosur dhe t’i falënderoj policët për punë dhe detyrat që po i kryejnë me sukses. Policia e Kosovës me shumë mungesë e pa privilegje me paga të vogla pa sigurim jetësor e shëndetësor, po i kryen detyrat për vendin, për punë dhe përkushtimin e tyre. Duhet ta kupton rolin e Komisionit nuk kemi rol aktiv atë ditë, ne e mbikëqyremi zbatimin e ligjit. Pa një raport nuk mund të raportojmë.”

    “Situata në veri nuk ka të bëjë me luftimin e kontrabandës, ajo që po ndodh atje është më e madhe. Ditën kur polica ka qenë në një operacion shumë të ndjeshme, kureshtja e mediave ka qenë e madhe nuk duhet ashtu. Pastaj publikimi i fotove të policëve me snajperë, kjo është shumë gabim. Nuk duhet personale me bë me Policinë ato postime që janë bërë duhet që të fshihen. Ky operacion nuk ka qenë hakmarrje. As foto e viktimave nuk është dashur që të postohen”, tha ai./EO/

  • Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin në Banjskë

    Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin në Banjskë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj ditë paraburgim të dyshuarve për sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit të dielën.

    Në seancën e mbajtur sot, gjyqtari special i Gjykatës në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të dyshuarve Ballagosje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

    Prokuroria Speciale ka kërkuar sot caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Për njërin të dyshuar V.T., Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

  • Konjufca bëri homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme

    Konjufca bëri homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe.

    Në atë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq.

    Osmani kujton Masakrën e Abrisë: Regjimi i Millosheviqit ua mori jetën egërsisht 23 anëtarë të familjes Deliu

     

  • Komandanti i Njësisë Speciale: Krenar me djemtë, më vjen keq për ata që gënjejnë sikur kanë qenë aty

    Komandanti i Njësisë Speciale: Krenar me djemtë, më vjen keq për ata që gënjejnë sikur kanë qenë aty

    Komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, ka folur plot lavd për pjesëmarrësit në aksionin kundër grupi kriminal në Banjskë të Zveçanit.

    “Krenarë me djemtë, pamë djallin në sytë e tyre, i pamë tek u rrëzuan, duke qarë, duke vrapuar, më vjen keq për ata që nuk ia kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe që po gënjejnë sikur kanë qenë aty”, ka shkruar ai në Facebook.

    Polici Afrim Bunjaku u vra, një u plagos e dy u lënduan pas një sulmi terrorist ndaj tyre në Banjskë.

  • Qehaja: Situata në veri mund të rieskalojë, Serbia do të formojë njësite të tjera

    Qehaja: Situata në veri mund të rieskalojë, Serbia do të formojë njësite të tjera

    Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja ka thënë se ekziston mundësia e eskalimit të serishëm të situatës në veri të vendit.

    Ai, në një deklarim për RTK-në të hënën në mbrëmje, ka deklaruar se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Ka thënë se Serbia “do t’i ndryshojë format e veprimeve në veri” përmes formësimit të njësiteve tjera.

    “Në pjesën veriore të vendit tonë e kemi një situatë të brishtë të sigurisë dhe unë jam i prirë të them se ekziston mundësia e eskalimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit. E kam parasysh atë që në këtë moment Serbia zyrtare nuk i arriti qëllimet e veta, të cilat i ka parashtruar me këtë njësit terrorist. Atëherë, nuk do të thotë se ajo do të heqë dorë nga synimet e veta, prandaj do të ndryshojë format e veprimeve në veri me njësite të tjera të cilat do t’i formësojë në një kohë shumë të shkurtër. Ne duhet të jemi shumë vigjilentë në këtë drejtim”, ka thënë Qehaja.

    Ai ka pyetur se si është e mundur që një sasi aq e madhe e armatimit, e cila u gjet brenda Manastirit të Banjskës të dielën, është futur në brendi të territorit të Kosovës pa u vërejtur nga askush.

    “Si qe e mundur që kaq shumë forca të hyjnë në brendi të territorit të Kosovës, në fshatin Banjska, të cilën unë e njoh mirë që prej socializimit sepse kam kaluar disa herë aty. Ndoshta inteligjenca ynë e ka pasur këtë element, që ata po hyjnë aty, por si qe e mundur që KFOR-i nuk e ka vërejtur dhe nuk ka ndërmarrë kurrëfarë mase”, ka deklaruar ai.

  • Përfundon seanca dëgjimore ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë, pritet vendimi

    Përfundon seanca dëgjimore ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë, pritet vendimi

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

    Në këtë seancë, është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve, ndërsa pritet të merret vendimi.

    Ata janë sjell nën përcjelljen e forcave të shumta policore e duke u tërhequr zvarrë, raporton Ekonomia Online. Të pranishëm janë parë edhe avokatët e tyre që nuk kanë dashur të flasin për medie.

    Mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën paraburgimit për të arrestuarin Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

    Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    “Kryesi i veprave penale nga nenet 113-127 të këtij Kodi dënohet me jo më pak se dhjetë
    (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, nëse kryerja e veprës: 1.1. rezulton në vdekjen e një apo më shumë personave; 1.2. rrezikon jetën e një apo më shumë personave; 1.3. vepra përcillet me dhunë të rëndë ose shkatërrim në shkallë të madhe; ose 1.4. vepra ka rrezikuar sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 126 të Kodit Penal.

    Burgim të përjetshëm parasheh edhe paragrafi 3 i nenit 129 të Kodit Penal.

    Sipas këtij paragrafi, kushdo që kryen vepër terroriste e që rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku 15 vjet ose me burgim të përjetshëm.

    “Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekje të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 129 të Kodit Penal.

    Seanca kundër të pandehurve do të mbahet sot, duke filluar nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

  • Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

    Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

    Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.

    Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

    Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.

    Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

  • Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, doktor Shukri Gërxhaliu

    Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, doktor Shukri Gërxhaliu

    Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doktor Shukri Gërxhaliu është ndarë nga jeta sot, në moshën 70-vjeçare.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët, me ç’rast njoftuan se i ndjeri do të varroset nesër, në Studime të Vushtrrisë.

    “Të Allahut jemi dhe te ai do të kthehemi!

    Njoftojmë të gjithë familjarët dhe të afërmit se sot, në moshën 70 vjeçare ka ndërruar jetë më i dashuri jonë, babi, bashkëshorti, gjyshi dhe vëllau, Dr. Shukri Gërxhaliu.

    Varrimi i më të dashurit tonë bëhet nesër me kohë të drekës në Studime të Vushtrrisë.

    Me zemra të thyera,

    Familja Gërxhaliu”.

  • ​Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë e pleq, askush nuk u dënua për këtë

    ​Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë e pleq, askush nuk u dënua për këtë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 26 shtatorit në 25-vjetorin e përjetësimit.

    Haradinaj ka kujtuar heronjtë Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdari.

    “25 vjet nga rënia heroike e luftëtarëve të lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari. Mësuesi me dy nxënësit e tij, që nuk lëshuan pozicionet deri në frymën e fundit, për të mbetur frymëzim trimërie në rrugën drejt lirisë”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj po ashtu ka kujtuar familjen Deliu e cila ishte ekzekutuar nga forcat serbe.

    “Po atë ditë, në Abri forcat serbe ekzekutuan familjen Deliu, duke mos kursyer askënd, nga foshnja disa muajshe e deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre! Të paharruar janë ata që sakrifikuan për Atdheun! Nderimi për ta do të jetë i përhershëm”, është shprehur Haradinaj.

  • Rama: Konfliktet e vogla mund të ndezin luftë ballkanike

    Rama: Konfliktet e vogla mund të ndezin luftë ballkanike

    Kryeministri Edi Rama, në Ministerialin e Ministrave të Ekonomisë, është shprehur se lufta duhet shmangur me çdo mjet, duke theksuar se përmes konflikteve më të vogla mund të ndizet një luftë jo vetëm Ballkanike, por evropiane e botërore.

    “Besoj shumë fort se sa më e mirë të jetë atmosfera e bashkëpunimit, aq më e mirë është hapësira për të trajtuar çështje të vështira. Të biesh dakord, për të mos rënë dakord, nuk na ka penguar për të gjetur fjalën e përbashkët dhe të punojmë së bashku në shumë fusha.

    600 mijë shoqëri tregtare në Ballkanin Perëndimor kanë përfituar nga aktivitetet e tregtisë, nga heqjet e barrierave, nga panairet e përbashkëta.

    Dua të citoj pa leje mikun e dashur francez që kemi këtu, që dje më kujtoi diçka thelbësore që nuk duhet të harrohet por mbështetet në shembuj, si ai franko-gjerman. Më tha se gjyshërit e tij e kanë parë me sytë e tyre dhe pikërisht nga pamjet e tmerrshme, nga kujtesat e tmerrshme nga ajo që lufta nënkuptoi për Francën e Gjermaninë, Franca vendosi ti shtrijë dorën e bashkëpunimit Gjermanisë, ishte gjest i guximshëm në atë kohë, kjo i hapi rrugës Evropës që kemi.

    Sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është e rëndësishme mos ta shohim luftën si video-lojë, por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane e botërore.

    Duhet ta bëjmë këtë rajon një terren të lulëzuar për njerëzit. Falenderoj Dhomat e Tregtisë. Çdo ditë ka nevojë për të bërë më shumë. Na duhet më shumë Evropë në Ballkanin Perëndimor dhe qasje në organizmin e BE, të shumë organizmave të tij, për këtë bëhet fjalë. Ky Saimit dhe këto hapa drejt 16 tetorit, ku të gjithë udhëheqësit mblidhen në Tiranë për këtë bënë fjalë. Pres me padurim rezultatet e këtij takimi dhe sigurisht do të bëjmë maksimumin për të dhënë më shumë për njerëzit që japin kohën, energjinë e tyre, gjithë punën e tyre për ekononimitë tona, sepse kemi shumë mundësi. Rritja e viteve të fundit ka treguar se ajo që mund të bëjmë duke u hapur kundrejt njëri tjetrit, duke shdërruar këtë rajon në këtë hapësirë që është e mirë për të gjithë ata njerëz punëtore e ndërmarrje, na bën të hedhim hapim më të rëndësishëm drejt hapësirë më të gjerë të Bashkimit Europian.”, tha Rama.