ATV

Blog

  • Vjen thirrja nga Austria: Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste nga Kosova dhe BE

    Vjen thirrja nga Austria: Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste nga Kosova dhe BE

    ryetari i Këshillit Atlantik të Austrisë, Gunther Fehlinger, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Kosova duhet ta shpallin Listën Serbe organizatë terroriste.

    “I bëj thirrje BE-së dhe Kosovës që të shpallin Listën Serbe organizatë terroriste”, ka thënë Fehlinger.

    Kjo erdhi pas videove qe publikoj Ministria e Brendshme e Kosovës, ku në mesin e sulmuesve terrorist ishte edhe nënkryetari i partisë Lista Serbe, Milan Radojiçiq.

  • Butikofer pyet Borrellin e Lajçakun: A keni më dyshime për përfshirjen e Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës?

    Butikofer pyet Borrellin e Lajçakun: A keni më dyshime për përfshirjen e Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës?

    Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, derisa ka etiketuar shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e posaçëm, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjegjës për eskalimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

    Butikofer, derisa ka shpërndarë një video ku shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radoiçiç, gjatë sulmit terrorirst kundër Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet të kenë dyshime për përfshirjen e Serbisë në vrasjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës.

    “Nuk besoj seriozisht se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të mbajë përgjegjësi për këtë, apo nuk jeni dakord Josep Borrell? Dhe seriozisht nuk besoj se mund të ketë dyshim se autoritetet e Beogradit kanë qenë bashkëpunëtorë, apo nuk jeni dakord Miroslav Lajcak? Tani çfarë do të bëni?”, ka pyetyr Butikofer të martën pasdite.

    Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë në veriun e territorit të banuar kryesisht me shumicë serbe, qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe lënduar dy tjerë.

    Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar nga shteti serb.

    Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë. Në mesin e tyre edhe Radojiçiç.

    Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

  • Policia shpërndau pako ushqimi në Banjskë, Kurti për banorët serbë: Faleminderit që qëndruat të qetë

    Policia shpërndau pako ushqimi në Banjskë, Kurti për banorët serbë: Faleminderit që qëndruat të qetë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës, krahas operacionit anti-terror, ka shpërndarë më shumë se 100 pako ushqimore për serbët e Kosovës në Banjskë.

    Ai i ka falënderuar ata për qetësinë, maturinë dhe besimin e tyre.

    “Krahas operacionit të saj anti-terror, Policia e Kosovës ka shpërndarë më shumë se 100 pako ushqimore në Banjskë për banorët serbë të Kosovës në këtë zonë, përveç adresimit të nevojave të tjera elementare.

    I falënderoj qytetarët tanë për qetësinë, maturinë dhe besimin e tyre. Policia është në shërbimin tuaj”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

  • ​FSHF fiton organizimin e Evropianit 2025

    ​FSHF fiton organizimin e Evropianit 2025

    Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se ka arritur një tjetër sukses historik, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri finalet e një turne madhor ndërkombëtarë.

    Bëhet e ditur se UEFA i ka besuar FSHF-së dhe Shqipërisë organizimin e finaleve të Kampionatit Evropian 2025 në grupmoshat U17, raporton KosovaPress.

    Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e sotme që u zhvillua në Qipro ka votuar pro kandidaturës së FSHF-së, me finalet e turneut kontinental që do të zhvillohen në Shqipëri pas dy vitesh.

    Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë, apo edhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n që t’ia besojë Shqipërisë një tjetër ngjarje madhore.

    Në majin e vitit 2022, në Shqipëri u organizua finalja e parë Ligës së Konferencës (AS Roma-Feyenoord), ngjarje historike kjo për popullin shqiptar.

  • ​Armand Duka zgjidhet zëvendës-presidentit të UEFA-s

    ​Armand Duka zgjidhet zëvendës-presidentit të UEFA-s

    Presidenti i FSHF-së, Armand Duka nga sot do të jetë edhe në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s, duke u bërë i pari shqiptar që arrin në një pozicion kaq të lartë në hierarkinë e futbollit europian.

    Vendimi u mor sot në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që zgjodhi pikërisht Presidentin Duka me votim unanim në postin e numrit dy të qeverisë së futbollit europian. Një vendim që vjen natyrshëm duke parë kontributin e madh ndër vite të Presidentit të FSHF-së dhe eksperiencën e tij të vyer në menaxhimin e futbollit tashmë edhe në Europë.

    Një tjetër votëbesim i rëndësishëm për numrin 1 të futbollit shqiptar, që pak muaj më parë u zgjodh për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Kongresin e 47-të të UEFA-s që u zhvillua në Lisbonë, Portugali.

    Në këto zgjedhje Presidenti Duka arriti një rekord teksa u rendit në vendin e parë në bazë të votave, si më i votuari, duke u zgjedhur me 45 vota në total nga 55 të tilla dhe duke marrë kështu për herë të dytë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane.

    Lajmi i sotëm është pa diskutim një arritje e madhe jo vetëm për futbollin shqiptar, por për të gjithë Shqipërinë.

  • Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në drejtim të Leposaviqit

    Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në drejtim të Leposaviqit

    Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviqit, përkatësisht kufirit të Jarinjes, raporton KosovaPress.

    Nuk dihet saktë nëse është gjetur diçka në këtë zonë dhe ato kanë arritur në mbështetje të Policisë së Kosovës.

    Helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri.

    Ndërkaq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë “krehjen” e terrenit edhe në zona malore, në kërkim të gjurmëve të terroristëve.

    Në këto momente kur po raporton ekipi i KosovaPress, kanë arritur edhe disa automjete të EULEX-it, të cilat kanë shkuar në drejtim të manastirit të Bajnskës. /KP

  • Hovenier: Sulmi në veri u krye nga një grup profesionistësh

    Hovenier: Sulmi në veri u krye nga një grup profesionistësh

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmi i së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit u krye nga një grup profesionistësh e mirëorganizuar.

    Në një deklaratë për gazetarët, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenier ka thënë se ka ende punë që të sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

    “Është sulm shumë serioz. Institucionet e sigurisë së SHBA-së po punojnë bashkë me të Kosovës dhe të tjerët për t’i sqaruar gjithçka që ka ndodhur dhe motivet. E dimë që pati sulm, nga një grup i mirëorganizuar, i stërvitur, profesional dhe që pati shumë pajisje ushtarake. E dimë se sulmuesit vranë një polic të Kosovës”, ka thënë Hovenieri duke shtuar se po ashtu dihet që sulmuesit kanë shfrytëzuar fshehjen në Manastirin e Banjskës për të vazhduar sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

    ”Ky është një grup i trajnuar dhe i organizuar dhe është dikush pas tyre që i ka pajisur me armatim të rëndë”, ka thënë ai.

  • Snajperisti gjerman komenton ikjen e terroristëve: Diçka këtu nuk shkon, po ecin si në një shëtitje të së dielës

    Snajperisti gjerman komenton ikjen e terroristëve: Diçka këtu nuk shkon, po ecin si në një shëtitje të së dielës

    Ish-snajperisti gjermano-amerikan i UÇK-së, Michael Spath, ka komentuar videon e terroristëve serbë duke ikur maleve, pamje që u transmetuan dje nga Associated Press.

    Spath ka thënë se në këtë video nuk sheh rezistencë nga Policia e Kosovës.

    Ai thotë se kryengritësit madje po ecin “si në një shëtitje të mëngjesit të së dielës”.

    “Më thuaj çfarë dëshiron, unë shoh një goditje plumbi pas kamionit dhe kaq. Ata kryengritës po ecin atje si në një shëtitje në mëngjes të së dielës me gjyshin. Përveç kësaj, ata po lënë pas miliona armë dhe pajisje. Më thuaj përsëri, por diçka nuk është në rregull këtu”, tha ai.

  • Von Cramon pas publikimit të videos nga Sveçla pyet BE-në: Kur do të sanksionohen këta njerëz

    Von Cramon pas publikimit të videos nga Sveçla pyet BE-në: Kur do të sanksionohen këta njerëz

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq në krye.

    Von Cramon ka pyetur zyrtarët e Bashkimit Evropian, duke etiketuar Josep Borrell, Oliver Varhlelyi dhe Ursula Von Der Leyen se kur Bashkimi Evropian do të sanksionojë këta persona ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka nja dy kriminelë të tjerë) që të udhëtojnë në vende? Ky do të ishte të paktën një fillim (siç bëri SHBA disa kohë më parë).”, ka shkruar ajo në platformën X.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Sveçla ka thënë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

  • Konjufca priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili

    Konjufca priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

    Kryetari Konjufca e falënderoi Ambasadorin Angili për bashkëpunimin dhe i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë, derisa theksoi se ato burojnë nga miqësia e kahmotshme, partneriteti strategjik dhe respekti i ndërsjellë.

    Kreu i Kuvendit po ashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur që Turqia mike i ka dhënë në vazhdimësi Republikës së Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare.

    Kryetari Konjufca dhe Ambasadori Angili ritheksuan gatishmërinë për intensifikimin e raporteve dypalëshe dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.