Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në një mëngjes pune, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës.
Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë. Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.
“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Presidentja Osmani.
Moska ndoshta fshihet pas sulmit terrorist në veri të Kosovës.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë me Avda Avdiq për Istraga.ba.
“Moska ndoshta qëndron pas sulmit terrorist në veri të Kosovës”, ka thënë Kurti
Kryeministri i Kosovës foli edhe për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”.
Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosur në Banjskë të Zveçanit janë interesuar që të marrin trupat e tyre, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës (MD).
Nga MD-ja thanë se është kryer autopsia për të tri trupat e pajetë, por ato po qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, “në kushte adekuate deri sa të lirohen nga Prokuroria”.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur dhe i maskuar, që sipas autoriteteve ishte i përbërë prej 30 personash.
Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe më pas autoritetet bënë të ditur se në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë, që Kosova e konsideron sulm terrorist.
Avokati i tij, Goran Petronijeviq, lexoi letrën e Radoiçiqit ku thuhej se ai kishte bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të [të kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, tha Radoiçiq, sipas letrës.
Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.
Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se po monitorojnë nga afër nëse Serbia po i përmbush kërkesat e BE-së për shtensionim në veri të Kosovës dhe nëse gjykojnë se Beogradi nuk i respekton ato, sipas tij, BE-ja është e gatshme të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj autoriteteve të Serbisë.
“Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë shtensionim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërmbushjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, ka thënë Borrell, raporton N1.
Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.
BE-ja ka thënë se do të presin hetimin e plotë përpara se të marrin ndonjë vendim për sulmin në Banjskë.
Policia e Kosovës sot ka kryer kontrolle në pesë lokacione nëpër tri komuna në veri të Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se sot në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, kanë bastisur pesë lokacione me ç‘rast janë konfiskuar dy makina, një barkë motorike dhe dy motorë me katër rrota.
Ai ka konfirmuar se i ka kërkuar gjykatës që të caktojë urdhrin ndalues që është hap para sekuestrimit për një vilë buzë liqenit të Ujmanit
E gjithë bastisja ka lidhje direkte mbi hetimet që po i bën prokuroria për rastin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit kur një grup i armatosur terrorist sulmoi Policinë e Kosovës.
Shteti tashmë e ka identifikuar që udhëheqës i këtij grupi është tash nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njoftoi se me kërkesë të PSRK-së dhe me urdhër të Gjykatës, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka zhvilluar sot aksion për bastisje në pesë (5) lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve M.R dhe V.R.
Prokuroria Speciale njoftoi se operacioni Policor ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24.9.2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, si dhe urdhër kontrolli është zhvilluar në pronat e të dyshuarve M.R dhe V.R. dhe në hapësirën e një objekti ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicë-Veri. Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientet.
Pas realizimit të urdhër kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale:
· 2 Automjete Mercedes
· Argjend 4.84 Kg
· 2 Motor 4X4
· 1 Barkë-Anije
· 7 DVR
· 2 Pllaka antiplumb me dy mbrojtës
· 3 Thika
· 2 Rutera
· 2 Çelësa të veturave
· 5 Gëzhoja
· 1 Dronë
· 5 USB
· 1 Kamera GoPro- SSD
· 1 Video kamerë me kartelë
· 1 Shënjestër optike
· 1 Spray
· 7 telefona celular
Po ashtu, Prokuroria Speciale do të parashtroj urdhrin ndalues në Gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokali.
NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje nga aksioni i Policisë së Kosovës në veri në vendit, ku është bastisur vila e Milan Radojçiqit në Liqenin e Ujmanit.
Sveçla thotë se udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë është pikërisht Radojçiqi.
Ministri shtoi se edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit.
“Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund”, shkroi Sveçla.
“Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami””.
“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë”.
“Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”.
Millan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terror”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.
Në letër, Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.
Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.
Ai ka thënë, mes tjerash, në letër se do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë.
Avokati i tij e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur në Banjskë.
Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit.
Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.
Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.
Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.
Avokati i Radojiçiqit, Goran Petronijeviq
Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?
Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.
Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.
Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.
Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.
Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.
Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.
Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.
Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.
Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt. /REL
Këshilli i NATO-s është mbledhur sot për të diskutuar për situatën në Kosovë. Në një deklaratë për media, Sekretari Gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rikthehen në tavolinën e negociatave në Bruksel.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratën e Stoltenberg.
Në deklaratë thuhet se misioni i KFOR-it ka një prezencë të dukshme në mbarë Kosovën.
“Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në deklaratë.
Stoltenberg ka deklaruar se NATO është e gatshme të rrisë praninë e trupave të KFOR-it nëse shfaqet nevoja për këtë.
“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, ka thënë Sekretari Gjeneral i NATO-s.