ATV

Blog

  • Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liroi ish pjesëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj

    Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liroi ish pjesëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtë të martë është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Apelit të Shqipërisë. Kjo gjykatë e hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “Në përfundim të gjykimit në Apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi: Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
    Rrëzimin e kërkesës për ekstradimin e shtetasit D.G nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Heqjen e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, datë 20.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në vendimin Gjykatës së Apelit të Shqipërisë.

    Goxhaj ishte arrestuar më 31 korrik me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, derisa akuzohej për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria.

    Gjithashtu, Goxhaj u akuzua edhe për pengim të punës së zyrtarëve të gjykatës dhe frikësim të dëshmitarëve. Arrestimi i tij ishte kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kjo ishte hera e parë që Gjykata Speciale kryente arrestim në territor jashtë Kosovës.

    Gjatë luftës në Kosovë, Goxhaj ishte shoqërues i trupave amerikane. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm, të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

  • Osmani:Serbia kishte qëllim aneksimin e veriut, komuniteti euroatlantik të ndërmarrë masa

    Osmani:Serbia kishte qëllim aneksimin e veriut, komuniteti euroatlantik të ndërmarrë masa

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Krahas falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme, në vizitën e saj zyrtare në Zagreb, presidentja Vjosa Osmani informoi në detaje krerët shtetërorë të Kroacisë për sulmin terrorist të 24 Shtatorit.

    Pas takimit me homologun kroat, Zoran Milanoviç, presidentja tha se është e rëndësishme që partnerët ndërkombëtarë të ndëshkojnë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

    Edhe pse tha se nuk e di nëse Rusia ishte e përfshirë direkt në sulmin në Banjskë, presidenti Milanoviç shtoi se ajo që ndodhi i përshtatet asaj. Për përfshirjen e strukturave shtetërore serbe në sulm, ai tha se duhet kërkuar llogari nga presidenti Aleksandar Vucic.

    “Dikush qëndron prapa kësaj dhe ne duhet ta dimë këtë, në mënyrë që të vazhdojmë të jetojmë normalisht… Uniformat mund të blihen online; sidoqoftë armët nuk mund të blihen në atë mënyrë. Nuk është IKEA, e as park zbavitjeje. Për të përgatitur diçka të tillë, duhet të kesh aprovimin e liderit suprem ose së paku njerëzve të afërt me të. Ka një numër pyetjesh logjike, të cilave Serbia duhet t’u japë përgjigje”, tha Milanoviç.

    Pasi theksoi nevojën për rritjen e sigurisë kufitare, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë, presidentja Osmani tha se Kosova mbetet e palëkundur në synimet e saj për anëtarësim në NATO dhe BE.

    Krahas përsëritjes së thirrjes së përbashkët për njohjen e Kosovës nga shtetet që nuk e kanë bërë ende, presidentët Osmani dhe Milanoviç folën edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe rolin e ushtarëve kroatë në KFOR.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 17 vjeçarit i dyshuar për vrasjen në Podujeve

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 17 vjeçarit i dyshuar për vrasjen në Podujeve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Përmes publikimit të fotografisë dhe emrit, Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të mësuar vendndodhjen e 17-vjeçarit, Lordi Sulja, i dyshuar për vrasjen që ndodhi më 11 shtator në Podujevë.

    Edhe pas një muaji nga ngjarja ku mbeti i vrarë Valmir Breznica, i njohur me nofkën “Dhija” dhe e plagosur gruaja e tij, Sulja ende ndodhet në arrati.

    “Meqenëse është i paarritshëm deri më tani, prokurori ka autorizuar të publikohet fotografia e tij, madje të kërkohet edhe ndihma e qytetarëve. Personi që po bëhen përpjekjet t’i sillet drejtësisë dyshohet për tri vepra penale, vrasje e rëndë, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Ndërkaq, të dyshuarit tjetër për këtë vrasje, Arsim Syla, që ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, të hënën i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

    “I pandehuri Arsim e ka orientuar personin N.N ne drejtim te te ndjerit, i cili ishte vene ne ndjekje te tij, ndërsa i pandehuri Arsim ka vazhduar per te dale nga objekti dhe ne momentin kur tani i ndjeri sẽ bashku me bashkeshorten dhe femijen e tij kane arritur tek sektori i produkteve te qumështit, personi
    N.N iështe afruar nga prapa tani te ndjerit Valmir, e pastaj nga afersia fillimisht ka shtene dy here ne drejtim te tij, duke e gelluar ne shpine dhe gafe, njera nga predhat ka tejshkuar trupin e tani te ndjerit dhe ka qëlluar edhe të dëmtuarën, e cila kishte filluar te ike ne momentin kur kishte dëgjuar krismën, pastaj personi N.N, nga canta ka nxjerre revolen tjetër, me te cilen ka shtene edhe kater here ne koken e tani te ndjerit Valmir”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të cilin e ka siguruar televizioni, zbulohen edhe motivet e vrasjes së 11 shtatorit në Podujevë.

    “I pandehuri me qëllim të hakmarrjes për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin Valmir Breznica dhe Shaban Rushitin, tani i pandehuri Arsim ka porositur N.N që ta privoi nga jeta Valmir Breznicën dhe duke rrezikuar jetën e tjerëve të pranishëm”, thuhet më tej ”, në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ndërkaq, Lordi Sulja për të cilin policia po kërkon bashkëpunim nga ana e qytetarëve për ofrim të informatave për të, është nga fshati Gllamnik i Podujevës, por posedon edhe nënshtetësi holandeze.

  • Mungojnë deputetët e pushtetit, sërish dështon konstituimi i Komisionit hetimor për rezerva

    Mungojnë deputetët e pushtetit, sërish dështon konstituimi i Komisionit hetimor për rezerva

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje mbetën bosh. Në mungesë të tyre edhe tentativa e tretë për konstituimin e Komisionit Hetimor për rezerva shtetërore dështoi.

    Bojkotimi i anëtarëve që vijnë nga partia në pushtet, u konsiderua nga opozita si ikje nga përgjegjësia.

    Madje, LDK-ja propozoi që të bëhet edhe ndërrimi i deputetëve, të cilët nuk janë duke ardhur në mbledhje të komisionit.

    Por, meqë në këtë komision nuk erdhën, deputetët opozitarë shfrytëzuan komisionin për ekonomi për të kërkuar llogari.

    Por nga partia në pushtet thanë se këto diskutime duhet të lihen për seancë plenare.

    Kështu deputetët e opozitës lëshuan mbledhjen e komisionit për ekonomi.

    Mbledhja e radhës e komisionit hetimor u vendos të mbahet të premten.

  • Ministrisë së Infrastrukturës nuk i mjafton 1 vit për ta nënshkruar një kontratë

    Ministrisë së Infrastrukturës nuk i mjafton 1 vit për ta nënshkruar një kontratë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Shoferi i këtij kamioni e ka të pamundur ngasjen vetëm në korsinë e tij.

    Për shkak të rrëshqitjes së dheut, në vendin e njohur si “Kërrshi i Kajushës” përgjatë magjistrales Mitrovicë – Leposaviq, lëvizja në një pjesë të rrugës tash e 1 vit, vazhdon të jetë e kufizuar.

    Pavarësisht ndarjes së mjeteve nga Ministria e Financave dhe njoftimit për kontratë të publikuar më 31 tetor të vitit të kaluar, tenderi për rregullimin e kësaj pjese të rrugës akoma nuk është nënshkruar.

    Në thirrjen e hapur nga Ministria e Infrastrukturës për sanimin e rrëshqitjes së gurëve, kishin aplikuar gjithsej 13 kompani.

    Edhe pse ishin paraparë të shpenzohen 300 mijë euro, kompanitë e interesuara kishin ofertuar me çmime prej 120 mijë, deri në 288 mijë euro.

    Pas vlerësimit të ofertave në nëntor të 2022-tës, Autoriteti Kontraktues, në këtë rast, MI-ja kishte rekomanduar kompaninë ERST BAU, për kryerjen e punimeve. Por, pas ankesave kompania në fjalë ishte eliminuar nga gara.

    Ndërkohë, pas 4 muajve, Ministria e Infrastrukturës ia dha tenderin dy kompanive që kishin garuar së bashku: Eurokod dhe Mirusha COMPANY.

    Edhe ndaj këtij vendimi pati ankesa. Në kundërshtim me afatet ligjore, Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte aprovuar ankesën e kompanisë “Sallahu” dhe kështu më 27 qershor vendosi për anulimin e dhënies së kontratës.

    Me vendimin e Gjykatës së Tenderëve, përfaqësues të kompanisë “Eurokod” nuk po pajtohen assesi.

    “Vendimi ka qenë skandaloz. Shikojeni vendimin. Nuk e di nëse ka ndonjë bazë”, thuhet në përgjigjen e “Eurokod”.

    Në platformën e prokurimit publik të Kosovës, e-prokurimi, Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka publikuar ndonjë njoftim pas vendimit të OSHP-së, të muajit qershor, për ta kthyer tenderin në rivlerësim.

    Kontakti me Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me këtë çështje, ka qenë i pamundur gjatë dy javëve tentim.

  • Konkursi i “dyshimtë”, Graçanica punëson 28 mësimdhënës të cilët nuk shkojnë në punë

    Konkursi i “dyshimtë”, Graçanica punëson 28 mësimdhënës të cilët nuk shkojnë në punë

    Përgatiti: Nora Luta

    Kjo kërkesë e zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi, ka hasur në vesh të shurdhër. Gashi i ka kërkuar Drejtorisë së Arsimit që t’i kthejë procedurat për punësimin e 28 arsimtarëve dhe profesorëve në pikën zero.

    Nga konkursi i shpallur në prill të këtij viti janë pranuar ky numër i personave dhe paguhen nga buxheti i shtetit për punën që s’e bëjnë.

    Igor Rasic figuron në listën e pagave nga konkursi i kaluar si i punësuar në pozitën e profesorit në gjimnazin e Llapnasellës, por të martën ai nuk ishte aty. Punonjës të gjimnazit i thanë televizionit se nuk njohin profesor me këtë emër.

    Gashi thotë se njësoj kanë vepruar edhe 28 persona të tjerë, që, sipas tij, disa janë sistemuar nëpër drejtori të Komunës.

    Sipas Gashit, Komuna në konkursin e fundit ka vepruar në kundërshtim me rregulloren për rekrutimin e mësimdhënësve, dhe ka bërë shkelje në formimin e Komisionit për përzgjedhjen e të punësuarve.

    “Një përfaqësues i komunitetit pakicë, komuna asnjëherë nuk e ka respektu”, tha Gashi.

    ATV-ja ka provuar për disa ditë rresht të marrë përgjigje nga Komuna e Graçanicës, por as të martën nuk dha qëndrim.

    Ndërkohë Ministria e Arsimit ka thënë se punësimi i mësimdhënësve është në kompetencë të komunave. Sipas përgjigjes nga MASHT-i, e cila thotë të mos ketë pranuar ankesë lidhur me konkursin, ankesat e mësimdhënësve drejtohen tek komisionet e ankesave në nivel të komunave përkatëse.

    Por zv.kryesuesi i Kuvendit Komunal thotë se e kishin rekomanduar ta raportojë rastin në Polici.

    “Ministria e Arsimit paguan mbi një milion euro në vit, që shumica e tyre rrinë në shtëpi. Kam bërë disa ankesa, MASHT-i na ka sugjeru që me iu drejtu Policisë…”, tha Gashi.

    Aktualisht, Komuna e Graçanicës, sipas regjistrit të tabelës së shpërndarjes së granateve për paga nga Ministria e Arsimit, ka të punësuar rreth 240 mësimdhënës.

  • Kërkohet rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor

    Kërkohet rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor

    Përgatiti: Sara Shehu

    Me fillimin e javës në kuadër të shëndetit mendor, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, me moton “Është okej të mos ndihesh okej”, ka organizuar një tryezë diskutimi me panelistë të fushave profesionale, që lidhen me shëndetin mendor, kushtuar nxënësve.

    Shëndeti mendor konsiderohet çështje e gjerë për të cilën psikologët e shkollave duhet të angazhohen më shumë.

    “Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës. Zhvillimi i programeve, krijimi i një kulture shkollore, shkollë – familje dhe komunitet duhet t’i jepet një rëndësi. Kemi me punu ma shumë që çerdhet dhe shkollat të mësojnë më shumë në promovimin e shëndetit mendor”, tha shefi i DKA-së në Prishtinë, Lulzim Vrapça.

    Por, psikologët e shkollave thonë se në punën e tyre nuk kanë sistem adekuat për trajtimin e nxënësve me probleme të kësaj natyre.

    “Është një çështje komplekse dhe faktor të shumtë janë që çojnë deri në këtë situatë, por mundësitë e tona lënë për të dëshiruar në përmirësimin e kësaj gjendjeje”, tha Valdet Pakolli, psikolog në shkollën “Hasan Prishtina”.

    Edhe Mimoza Shahini, psikiatre në QKUK, e cila trajton rastet më të rënduara, tha se çdo shkollë duhet të këtë programe të veçanta që funksionojnë për nxënësit që vuajnë nga shëndeti mendor.

    “Shkollat urgjent të marrin masa se fëmijët duhet të evidentohen në parashkollor e jo para se të bëhet vonë, harroni vjershat që i kemi maltretu fëmijët me lexu poezi para neve. Kjo është absurde për shëndetin mendor të fëmijëve, shkolla duhet ta ketë vendin ku duhet, me u socializu, çka është hierarkia këto gjëra duhet me i ba në shkollë. Psikologu shkollor ka të bëjë me promovimin e shëndetin mendor të fëmijëve nëse fëmija nuk është i lidhur me shkollën atëherë është e rëndë”, tha Shahini.

    Pjesë e debatit ishin edhe përfaqësuesit e prindërve së bashku me nxënësit, të cilët thanë se rrjetet sociale janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në shëndetin mendor të fëmijëve.

    “Prindërit të kenë një komunikim më të hapur me fëmijët, meqë ka faktorë të shumtë që duhet të diskutohen, bullizmi në rrjetet sociale, që është një realitet në të cilin po jetojnë. Si shoqëri duhet të kemi një alarm se ku po shkojnë fëmijët tanë”, tha Fisnik Durguti, përfaqësues i prindërve.

    “Mënyra se si na vinë problemet me shëndetin mendor janë të ndryshme. Rrjetet sociale, stresi shkollor, bullizmi po ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor. Psikologët duhet të punojnë me shëndetin mendor tek adoleshentët”, tha Anita Asllani, nxënëse.

    Njëkohësisht Dita Botërore e Shëndetit Mendor ka bashkuar rreth 450 psikologë nga Kosova e Shqipëria, të cilët kanë organizuar edicionin e pestë të Kongresit Ndërkombëtar me moton “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”.

  • Deliu Kodra shkarkohet nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit

    Deliu Kodra shkarkohet nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Paratë i mori e në mbledhjet e komisionit u tha që shkoi rrallë fare.

    Nga 16 mbledhjet që kishte komisioni për kompensimin e viktimave, deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra shkoi në vetëm 7, ndonëse u pagua për të gjitha.

    Kjo edhe qe arsyeja që Deliu-Kodra u shkarkua nga pozita e anëtares në këtë komision. Shkarkimi i saj u përcoll me debat të ashpër mes Deliu-Kodrës dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila edhe paraqiti këto pretendime.

    Për këtë çështje dhe për disa etiketime që u tha se Ministrja Haxhiu kishte bërë drejt Deliu-Kodrës, të dyja do të përballen në gjykatë.

    Megjithatë, vendimi për shkarkim nga komisioni u konsiderua i padrejtë nga deputetja e opozitës.

    Emra s’u përmendën, por u tha se Ka Edhe Të Tjerë Anëtarë Që Janë Paguar Pa Shkuar Nëpër Komisione.

  • Ilir Kurtishi flet për rastet e kancerit, tregon se si është gjendja në Kosovë

    Ilir Kurtishi flet për rastet e kancerit, tregon se si është gjendja në Kosovë

    Kanceri konsiderohet se është një qelizë që vazhdimisht shumëzohet. Kjo sëmundje sidomos viteve të fundit, po prek edhe të rinjtë në Kosovë.

    Sipas onkologut dhe udhëheqësit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishit i cili ishte i ftuar në “LIBERO”, çdo vit janë mbi 2 mijë të rinj që identifikohen me kancer.

    “…2000 persona i identifikojmë brenda një viti me kancer. Këtë vit, ky numër mund të kalojë edhe shifrën 2000, vitin e kaluar ishin 1800… Në raport me popullsinë nuk është e lartë…Jemi shumë më ulët se Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi… Ne jemi shumë më ulët se krejt Evropa”, potencoi Kurtishi.

    Vlen të theksohet se Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

    Kujtojmë që muaji tetor konsiderohet muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, dhe udhëheqësi i Onkologjisë diskutoi gjithashtu edhe për rëndësinë e zbulimit të hershëm të këtij lloj kanceri, e gjithashtu për aktivitetet që po mbahen këto ditë pikërisht për shkak të këtij muaji.

    Për më shumë informacione nga intervista e Ilir Kurtishit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Njerëzit e verbër po sfidohen deri në palcë – E para e Komitetit të Grave të Verbëra e mendoi vetëvrasjen

    Njerëzit e verbër po sfidohen deri në palcë – E para e Komitetit të Grave të Verbëra e mendoi vetëvrasjen

    Sipas National Library of Medicine (NIH), ankthi dhe çrregullimet e ankthit te njerëzit me dëmtim të shikimit janë më të shpeshta, krahasuar me popullatën e përgjithshme.

    Drejtoresha Ekzekutive në Komitetin e Grave të Verbëra, Bajramshahe Jetullahu ishte e ftuar në “LIBERO” dhe krahas vështirësive me të cilat përballen të gjithë të verbërit në Kosovë, ajo ndau me publikun edhe eksperiencën personale se si mbeti e verbër që nga mosha 2 vjeçare, duke theksuar edhe një moment errësire ku e mendoi (edhe) vetëvrasjen.

    “…Në moshën 2 vjeçare si pasojë e vdekjes së nënës, si fëmijë dy vjeç kam qajtë shumë, nuk kishte kush të kujdeset për mua… Pastaj e kam humb të pamurit, kam fituar tension të syrit…Kam provuar gjithçka, po shyqyr nuk ja kam dalë… Kam mendu me ba ma të keqen”, deklaroi Jetullahu.

    Humbja e shikimit mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave, megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë shumica e njerëzve me dëmtim të shikimit dhe verbëri janë mbi 50 vjeç.

    Për të  ndjekur intervistën e Bajramshahe Jetullahut, klikoni në linkun e mëposhtëm: