ATV

Blog

  • Sot mbahet konferenca “Sulmi terrorist në Banjskë – implikimet rajonale e gjeopolitike”

    Sot mbahet konferenca “Sulmi terrorist në Banjskë – implikimet rajonale e gjeopolitike”

    Instituti “Octopus” sot (e mërkurë) mban konferencën “Sulmi terrorist në Banjskë – implikimet rajonale e gjeopolitike”.

    Sipas njoftimit, në këtë konferencë do të prezantohet studimi i radhës nga autorët Agim Musliu, drejtor i Institutit dhe hulumtuesit Arta Haxhixhemajli dhe Taulant Elshani.

    Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe njohës të çështjeve të sigurisë nga vende të ndryshme.

    Në mesin e panelistëve do të jenë edhe Ilir Kulla nga Shqipëria. Jasmin Mujanoviq nga ShBA-ja, Ivica Antiq nga Kroacia etj.

    Konferenca do të nisë në ora 11:00.

  • Presidentja Osmani në Kroaci sot i adresohet komunitetit shqiptar

    Presidentja Osmani në Kroaci sot i adresohet komunitetit shqiptar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot vazhdon ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci.

    E para e vendit sot do të bëjë dekorimin e tre personaliteteve të shquara. Ceremonia do të mbahet në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.

    Po ashtu Osmani do të ketë një bashkëbisedim me studentët e Libertas University me temën “Udhëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: “Çfarë vjen më pas”?.

    Në qytetin e Karlovacit, ajo do të ketë një vizitë në një fabrikë të armëve.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë edhe statujën e Nenë Terezës.

    Në fund të agjendës së takimeve dhe aktiviteteve, Osmani do të ketë takim me komunitetin shqiptar në Kroaci, ku presidentja do t`i adresohet komunitetit shqiptar.

  • Grupi i specializantëve proteston edhe sot para Ministrisë së Shëndetësisë

    Grupi i specializantëve proteston edhe sot para Ministrisë së Shëndetësisë

    Grupi i specializantëve sot do ta vazhdojë protestën para Ministrisë së Shëndetësisë.

    Sipas specializantëve, kjo protestë po mbahet në lidhje me mospagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

    Protesta nis në orën 10:00.

    Ndryshe edhe dje specializantët e 37 klinikave të QKUK-së u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mospërmbushjen e kërkesave.

    “Po protestojmë sot, pasi specializantët detyrohen të paguajnë 500 euro për vit për shkollim specialistik, që për një shkollim specialistik 5-vjeçar, kjo i bie që një specializant paguan 2500 euro për një vit e që nuk ka qenë përpara. Specializantët nga muaji shkurt nuk e kanë marrë asnjë cent për kujdestaritë që i kanë mbajtë”, tha Arianit Zajmi, kryetar i specializantëve.

    Protesta të këtilla të stafit shëndetësor janë të vazhdueshme, derisa kërkohet ekzekutimi i pagesës për kujdestari. ATV-ja ndërkaq nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë nëse do t’i ekzekutojë këto pagesa.

  • Dita Botërore e Mbipeshës

    Dita Botërore e Mbipeshës

    Dita Botërore e Mbipeshës shënohet çdo 11 tetor, me qëllim që të promovohen zgjidhje praktike për ta luftuar krizën botërore të mbipeshës.

    Dita e parë e mbipeshës u shënua në vitin 2015, dhe që nga atëherë në mbarë botën kjo datë synon të rritë vetëdijen për pasojat e mbipeshës, si një nga shkaktarët kryesor të përkeqësimit të cilësisë së jetës të njeriut.

    Obeziteti është në rritje globalisht dhe përpjekjet për ta trajtuar atë janë sfiduese për shkak të keqkuptimeve rreth obezitetit dhe rolit që ajo luan në shëndetin e një personi.

    Parandalimi i mbipeshës, fushatat vetëdijësuese, si dhe ndihma ndaj personave që vuajnë nga mbipesha, janë disa nga synimet kryesore që kjo ditë synon të arrijë.

  • Tonino Picula: Serbia po i eksporton problemet e saj të pazgjidhura në fqinjësi

    Tonino Picula: Serbia po i eksporton problemet e saj të pazgjidhura në fqinjësi

    Deputeti kroat njëherit përfaqësues në Parlamentin Evropian, Tonino Picula ka folur mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe mbi situatën në Lindjen e Mesme.

    Picula në N1 të Zagrebit iu referua konflikteve mes Serbisë dhe Kosovës të 24 shtatorit në Banjska, ku u vra një polic kosovar.

    “Serbia i eksporton problemet e saj të pazgjidhura në fqinjësi në formën e konflikteve. BE nuk mund ta kthejë kokën nga përgjegjësia e presidentit (Aleksandar) Vuçiq dhe regjimit të tij për gjithçka që po ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, shtoi Picula.

    Ndryshe, Picul ka përmendur edhe zhvillimet pas sulmeve në Izrael.

    “Unë shpreha solidaritetin me ata që u sulmuan dhe dënova plotësisht sulmin terrorist nga Hamasi,” tha ai.

  • Blinken do të vizitojë Izraelin këtë javë

    Blinken do të vizitojë Izraelin këtë javë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të udhëtojë në Izrael këtë javë për të takuar udhëheqës të lartë izraelitë, sipas Departamentit të Shtetit të martën.

    “Do të jetë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje”, u tha gazetarëve zëdhënësi Matthew Miller në një konferencë të përditshme për shtyp.

    Miller tha se Blinken do të angazhojë drejtpërdrejt partnerët izraelitë për situatën në terren dhe do të diskutojë “si ne mund të vazhdojmë t’i mbështesim më së miri ata në luftën e tyre”.

    Udhëtimi është i pari i diplomatit të lartë amerikan pas sulmit të së shtunës nga Hamasi në Rripin e Gazës në qytetet jugore të Izraelit.

    Situata u përshkallëzua që atëherë pasi Izraeli u hakmor me sulme masive ajrore në Gaza dhe e vendosi enklavën nën bllokadë totale.

    Më shumë se 1.900 njerëz janë vrarë deri më tani në dhunë, duke përfshirë të paktën 900 palestinezë dhe 1.000 izraelitë, sipas autoriteteve.

    Izraeli gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare të enklavës së bllokuar.

    Shtëpia e afro 2.2 milionë njerëzve, Rripi i Gazës tashmë është duke u zhytur nën një rrethim izraelit që nga viti 2007./AA

  • Rohde: Mund të mos iu pëlqej ta dëgjoni, por Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

    Rohde: Mund të mos iu pëlqej ta dëgjoni, por Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka folur sërish për sulmin terrorist të grupit të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e përleshjeve me armë, mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Rohde është shprehur se ky ka qenë sulm vrastar dhe qyqar kundër policëve në detyrë, teksa ka bërë të ditur se Gjermania ka kërkuar nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente dhe t’i sjellë në llogaridhënie përgjegjësit.

    “Bashkimi Evropian e ka klasifikuar si sulm terrorist, i dërguari ynë për Ballkanin Perëndimor e ka quajtur ashtu, edhe unë vetë e kam përdorur atë term. Ka qenë sulm vrastar, qyqar kundër policëve në detyrë si dhe kemi kërkuar dënimin e kryesve të tillë. Shpresojmë që edhe kjo të ndodh. Ne kemi kërkuar qartë nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente si dhe t’i sjellë përgjegjësit në llogaridhënie. Unë jam tërësisht kundër shpërqëndrimit të procesit të dialogut me anë të sulmit terrorist”, ka thënë ai.

    Diplomati gjerman ka theksuar se sërish duhet një zgjidhje politike, ndërkohë që ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut.

    “Prapë na duhet zgjidhja politike si dhe jam I bindur se shumica e njerëzve, qofshin ata shqiptarë apo serbë të Kosovës, boshnjakë a të tjerë, duan të jetojnë në paqe, apo siç e ka deklaruar Qeveria e Kosovës kur e ka marrë pushtetin  “Punë dhe drejtësi”. Kur ke klimë konstante të krizave, atëherë nuk ndihmohet askush, as shumicat as pakicat. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por vetëm mund ta përsëris që nuk mund të bëhen kërkesa absolute. E kuptoj plotësisht qëndrimin që ky sulm vërtetë nuk lejon më atë vazhdimin e zakonshëm si dhe kemi parë shumë komente. E kam parë të dërguarin e posaçëm Lajcak, që ka thënë se masat duhet të hiqen. Pra ka një ndryshim, por për ne ekuacioni themelor dhe këtë e ka thënë edhe ministrja ime të premten, mund të mos keni dëshirë ta dëgjoni, por Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë të flasin mes vete dhe të fillojnë implementimin e marrëveshjeve”, ka thënë ambasadori gjerman për RTK.

    Më tej Rohde ka thënë qartë që i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e kanë përkrahjen e plotë të tyre.

    “Për ne lehtësuesi Lajcak dhe përfaqësuesi I lartë Borrell e kanë mbështetjen tonë. Kanë bërë përpjekje të mëdha këto vite si dhe nuk mendoj që është e mençur të goditet ndërmjetësuesi. Për momentin kemi një situatë të vështirë, por të jeni të sigurt që Lajçaku e ka përkrahjen e plotë të BE-së”, përfundoi Rohde.

  • Lugati përlotet në Studio A, flet për dy operacionet që duhet të ju nënshtrohet

    Lugati përlotet në Studio A, flet për dy operacionet që duhet të ju nënshtrohet

    Në emisionin STUDIO A në ATV ishte i ftuar këngëtari Gjon Karrica, i njohur me emrin artistik si ‘Lugati’.

    Ai në këtë emision rrëfeu shumë nga jeta e tij private, familjen si dhe karrierën artistike.

    Gjoni ndau historinë e tij në Big Brother Kosova, ku foli edhe për sëmundjen, për shkak të së cilës u detyrua ta ndërpresë garën.

    Ai madje është përlotur në emision derisa ka treguar për problemet e tij shëndetësore. Gjoni ka folur edhe për dy operacionet që duhet të ju nënshtrohet.

    Bisedën e tij të plotë në STUDIO A e gjeni në videon më poshtë:

  • Nga sulmi epileptik që e la në koma një javë e deri tek dedikimi më i bukur që i kushtoi gruas

    Nga sulmi epileptik që e la në koma një javë e deri tek dedikimi më i bukur që i kushtoi gruas

    Në emisionin STUDIO A në ATV ishte i ftuar këngëtari Gjon Karrica, i njohur me emrin artistik si ‘Lugati’.

    Ai në këtë emision rrëfeu shumë nga jeta e tij private, familjen si dhe karrierën artistike.

    Gjoni ndau historinë e tij në Big Brother Kosova, ku foli edhe për sëmundjen, për shkak të së cilës u detyrua ta ndërpresë garën.

    Bisedën e tij të plotë në STUDIO A e gjeni në videon më poshtë:

  • Specializantët në protestë, kërkojnë pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të pagave

    Specializantët në protestë, kërkojnë pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të pagave

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Kohën e pauzës e shfrytëzuan për të protestuar.

    Specializantët e 37 klinikave të QKUK-së u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mospërmbushjen e kërkesave.

    “Po protestojmë sot, pasi specializantët detyrohen të paguajnë 500 euro për vit për shkollim specialistik, që për një shkollim specialistik 5-vjeçar, kjo i bie që një specializant paguan 2500 euro për një vit e që nuk ka qenë përpara. Specializantët nga muaji shkurt nuk e kanë marrë asnjë cent për kujdestaritë që i kanë mbajtë”, tha Arianit Zajmi, kryetar i specializantëve.

    “Zgjidhja e problemit financiar duhet të jetë fokus shumë i madh për shkak se presioni është i hatashëm te anëtarët e familjes, të cilët nuk kanë të ardhura tjera përpos të asaj që e kanë pasë deri tash përmes kategorisë së subvencioneve ose përmes grupit të kujdestarive”, tha Nysret Agani, specializant në Klinikën e Psikiatrisë.

    Specializantët thanë se do të vazhdojnë të protestojnë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

    “Kjo protestë do të vazhdojë deri ditën e premte në orarin e njëjtë, prej orës 10 deri në orën 11, shpresojmë që Ministria do të reflektojë diçka dhe normal do ta ndërpresim protestën, përndryshe do të vendosim për hapa të mëtutjeshëm”, tha Veton Kurti, specializant në Klinikën e Radiologjisë.

    Protesta të këtilla të stafit shëndetësor janë të vazhdueshme, derisa kërkohet ekzekutimi i pagesës për kujdestari. ATV-ja ndërkaq nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë nëse do t’i ekzekutojë këto pagesa.