ATV

Blog

  • Ende ka kundërshtime për projektligjin për fekondim të asistuar

    Ende ka kundërshtime për projektligjin për fekondim të asistuar

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas disa tentimeve, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor u miratua në lexim të parë më 4 tetor. Ndonëse mori votat e 58 deputetëve, votimi në lexim të dytë mund të dështojë, nëse nuk ndryshojnë disa amendamente.

    Neni mbi të cilin fertilizimi i asistuar mjekësor është e drejtë edhe i një gruaje të pamartuar, mbi 18 vjeç, që është në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe e aftë “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore” është njëra prej pikave të projektligjit që po kundërshtohet nga disa deputetë.

    Mes tjerash, deputetët po e kundërshtojnë edhe nenin, sipas të cilit çdo burrë në moshën mbi 23-vjeçare ka të drejtë sterilizimi, pa lejen e Komisionit për vlerësim mjekësor.

    Në mënyrë që Projektligji të mos dështojë në lexim të dytë, kryetarja e Komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie, Fatmire Kollçaku, tha se përmirësimet eventuale në nene janë duke u shqyrtuar.

    Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, mes tjerash, u ofron mundësi të gjitha grave që metodën IVF ta kryejnë edhe në klinikat publike, meqë ajo në Kosovë ofrohej vetëm në spitale private.

    Por, bashkë me zvarritjet e deritanishme që projektligji të kalojë në Kuvend, njëkohësisht po zvarritet edhe projekti i Ministrisë së Shëndetësisë, që klinika Gjinekologjike të furnizohet me pajisje mjekësore për këtë metodë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Përformuesit e Filarmonisë së Kosovës kërkojnë nivelizimin e pagave

    Përformuesit e Filarmonisë së Kosovës kërkojnë nivelizimin e pagave

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Punën dhe përgjegjësinë me kolegët e saj e kanë të njëjtë, por koristja Fjolla Gashi-Dobruna, pagën e ka më të ulët. Tash e tre muaj anëtarët e Filarmonisë janë ndarë në kategori.

    “Është shumë shqetësuese, është diskriminim në mes të këngëtarëve dhe në mes të pjesëtarëve të korit që e bëjnë punën e njëjtë. Unë jam njëra ndër ato që jam diskriminuar në këtë aspekt dhe pagën e marr me një koeficient të vjetër, nëse e krahasojmë me një shoqe që e kam afër, e bëjmë punën e njëjtë, shkollimin e njëjtë, të gjitha të njëjta”, tha Gashi-Dobruna.

    Ankesën e njëjtë si Gashi-Dobruna, e ka edhe kryetari i sindikatës së Filarmonisë së Kosovës, Shaban Behramaj.

    “Edhe unë jam pjesë e kësaj parregullsie dhe gjithë këtij gabimi që është bërë në institucionin tonë dhe kjo është arsyeja që ne kemi vendosur të reagojmë publikisht dhe të kërkojmë nga ministria e kulturës që të rregullohet sa më shpejtë dhe të nivelizohen artistët e këtij institucioni, të cilët i takojnë të njëjtës kontratë, të njëjtës përgjegjësi, por që janë të ranguar në dy koeficiente të ndryshme, kjo është shumë e padrejtë dhe ka ngjallur pakënaqësi tek muzikantët, pra tek ne”, tha Behramaj.

    Nga kjo shoqatë madje paralajmëruan edhe veprime ndaj Ministrisë së Kulturës, nëse siç thonë ata shpërfillja ndaj tyre vazhdon.

    Por, nga ky institucion thanë se ekzekutimi i pagave bëhet në bazë të vendimit të Qeverisë nga shkurti i këtij viti.

    “Aktualisht ekzekutimi i pagave ne sektorin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore është duke ndodhur bazuar ne rregullat e ekuivalentimit te sistemit te vjetër dhe sistemit te ri te pagave sipas vendimit te Qeverise se Kosovës te datës 16.02.2023. -Ky vendim obligon institucionet te harmonizojnë sistemet e pagave dhe pas këtij procesi, te kalojnë ne klasifikimin e pozitave qe sipas ligjeve ne fuqi behet përmes aprovimit te strukturave te reja organizative.- Sa i përket ekuivalentimit, MKRS, është ne kontakt te vazhdueshëm me MPB dhe vazhdimisht raportohen rastet e korrigjimeve dhe kërkohet konfirmimi i sakte nga DMZP/MPB për këto raste”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

    Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë mbi 350 raste të administruara të përcaktimit të sakte të ekuivalencës se pagave.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Pesë projektligje ndodhen në Gjykatën Kushtetuese që presin shqyrtim

    Pesë projektligje ndodhen në Gjykatën Kushtetuese që presin shqyrtim

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Nuk janë të pakta projektligjet që votën e morën në Kuvend, por përfunduan në Gjykatën Kushtetuese.

    Në sirtarët e Kushtetueses aktualisht janë 5 projektligje që presin për shqyrtim të kushtetutshmërisë, shumica të dërguara nga partitë opozitare.

    “Partitë opozitare grupi parlamentar jonë në veçanti e kemi detyrë ë të jemi korrektues të kësaj qeverie të keqe që të jemi përmirësues të legjislacionit që të përmirësojmë jetën e qytetare me anë të legjislacionit. Nuk mund të mbyllim sytë para atyne që e them me përgjegjësi të plotë që nuk dijnë të shkruajnë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Projektligji për caktimin e çmimeve të produkteve esenciale ka gati 1 vit që është dërguar në gjykatë por, për të njëjtin ende nuk ka vendim. (GRAFIKË)

    Njëjtë, nuk ka vendim as për projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e as për atë për pagën minimale.

    “Projektligjet që ende nuk janë në fuqi e dërgohen në afat prej 8 ditësh në gjykatën kushtetuese nga nënshkrimet e 10 a më shumë deputetëve gjykata ka afat prej 60 ditësh të japë një vendim për shkak se ky ligj edhe nuk ka hyrë në fuqi. Mirëpo përkundër kësaj gjykata kushtetuese nuk e respekton këtë afat”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Ndërkaq Ligji për pagat pas hyrjes në fuqi është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit tash e më shumë se 6 muaj.

    “Në këto raste procedura nuk është aq urgjente sepse ligji është në fuqi. Përkundër rëndësisë që rastet të trajtohen shpejt nuk e kemi urgjenten sikurse te rastet që nuk hyjnë në fuqi pasi janë iniciuar dhe në këtë rast ligji nuk ka përcaktuar afat për gjykatën kushtetuese”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Të premten në Gjykatë përfundoi edhe një projektligj. PDK-ja e LDK-ja kontestuan projektligjin n për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës.

    E deri më tani gjykata ka vendosur të rrëzoi tërësisht projektligjin për këshillin prokurorial, pjesërisht atë për zyrtarët publikë dhe për pezullimin e nenit të 5-të të ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Familjari i viktimave izraelite thotë se lufta s’ka të bëjë me palestinezët por, me Hamasin

    Familjari i viktimave izraelite thotë se lufta s’ka të bëjë me palestinezët por, me Hamasin

    Përgatiti: A. Hamiti & T. Arifaj

    Dymbëdhjetë vjeçarja Noya Dan dhe gjyshja e saj, Carmela 80 vjeçare u gjeten të vdekura të enjten, pasi besohej se ishin rrëmbyer nga Hamasi. Noya e cila vuante nga autizimi, se bashku me Carmelen u rrëmbyen në kibucin, Niz Or, kur filloi sulmi i papritur terrorist ndaj izraelitëve.

    Oded Onn, nga Tel Avivi, familjar i viktimave përshkroi për ATV-në ditën kur ato u rrëmbyen.

    “Një pjesë e madhe e familjes sime jeton në zonat përgjatë kufirit me Gazan dhe për fat të keq ata u sulmuan të parët nga terroristët e Hamasit. Militantët, pra u futën në fshatra dhe kryen vrasje e masakra ndaj civilëve. Më 7 tetor diku rreth orës 11 të ditës humbëm kontaktin me Karmellan e cila ka 80 vjet e bashkë me të ishte edhe njëra prej mbesave të saj Noya, vetëm 12 vjeçare. Gjëja e fundit që dinim rreth tyre ishte kur na treguan se militantët kishin hyrë në shtëpi. Situatë e njëjtë ka ndodhur edhe me së paku 4 anëtarë të tjerë të familjes me të cilët kemi humbur kontaktin”, tha Onn.

    Rrëmbimi i Noyas tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, pasi shkrimtarja britanik J.K. Rowling shpërndau fotografinë e saj duke theksuar gjendjen e vështirë të vajzës, e cila ishte adhuruese e madhe e Harry Potterit.

    Trupat e tyre u gjetën në territorin izraelit ndërkaq janë vetëm dy prej më shumë se 200 izraelitëve të cilët militantët i morën peng që nga e shtuna e 7 tetorit.

    Tani në javën e dytë të luftimeve synimi i Izraelit vazhdon të jetë shkatërrimi i labirintit të tërë të tuneleve nëntokësore të Hamasit ku ndodhen edhe postet komanduese.

    “E gjithë kjo nuk ka të bëj me palestinezët as myslimanët as kundër islamit. Është luftë kundër Hamasit. Hamasi është organizatë terroriste. Izraelitët s’kanë asgjë kundër palestinezëve por, Hamasi i dëmton edhe ata. Kur keni një organizatë terroriste që i bën këto gjëra mendoj se e gjithë bota duhet të punojë ta zhbëjë madje edhe vet palestinezët”, tha Onn.

    Qysh më herët militantët kanë thënë se tunelet shtrihen deri në 500 kilometra në Gaza e shumë prej tyre kanë hyrje të fshehta brenda shtëpive, xhamive, shkollave dhe ndërtesave të tjera publike.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Ambasadorja e Izraelit në Kosovë thotë se lufta nuk është kundër popullit palestinez, por kundër Hamasit

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë thotë se lufta nuk është kundër popullit palestinez, por kundër Hamasit

    Përgatiti: K. Mulliqi & T. Arifaj

    Shteti i fundit që ia njohu pavarësinë, i është mirënjohës Kosovës për përkrahjen dhe solidaritetin derisa po përjeton ditët më të errëta që nga themelimi, para 75 vjetëve.

    “Jemi falënderues për përkrahje që kemi marrë nga Kosova, presidentja, kryeministri, ministrat, partitë politike në pushtet e opozitë dhe shoqëria civile. Kemi pranuar mesazhe të shumta në forma të ndryshme me përkrahje e solidaritet. Për fat të keq shumë kosovarë ende e mbajnë mend tragjedinë e tyre”, tha ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

    Tash e dy javë, Izraeli është përfshirë në konfliktin më të ashpër në disa dekada kundër terroristëve të Hamasit, si pasojë e të cilit u vranë më shumë se 1400 izraelitë. Ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, Tamar Ziv thotë se lufta nuk ka të bëjë asgjë me palestinezët, ngase edhe ata po vuajnë.

    “Dua të them se kjo betejë nuk është kundër palestinezëve sepse ata përdoren nga terroristët. Palestinezët… mua më vjen keq edhe për ata sepse janë viktima të këtyre terroristëve dhe po përdoren si mburojë në mënyre që Izraeli të fajësohet siç ndodhi rasti i qartë me spitalin në Gaza. Spitalin e goditi një raketë e terroristëve por, propaganda e fajësoi Izraelin. Ky është një shembull se si ata vrasin popullin e vet. Për fat të keq në çdo konflikt pësojnë civilët por kjo luftë nuk është kundër palestinezëve por terroristëve”, tha Ziv.

    Që nga 7 tetori, ambasadorja Ziv thotë se jeta nw Izrael është gjithçka përpos normale, derisa ditët vazhdojnë mbi parimet si kujtimi për të vdekurit, shpëtimi i pengjeve dhe uniteti.

    “Situata është shumë e vështirë, njerëzit gradualisht po e kuptojnë nivelin e këtij sulmi terrorist që ndodhi. Trupat ngadalë po identifikohen e familjarët po njoftohen për vdekjen e tyre. Çdo ditë po mbajnë funerale dhe i gjithë vendi është i tronditur e në traumë, është situatë e pikëlluar. Por, ky sulm terrorist ka shërbyer në mënyrë që ne të bashkohemi dhe më duhet të them se përgjatë 2 javëve të shkuara nuk ka më ndarje në mes nesh, thjesht të gjithë jemi izraelitë që po e luftojmë Hamasin dhe Xhihadin Islamik”, tha Ziv.

    Në shtetin prej rreth 9 milionë banorë, pothuajse të gjithë njohin dikë që është vrarë, zhdukur apo mbahet peng.

    “Kjo nuk është vetëm betejë e Izraelit por e botës. Fakti që presidenti amerikan dhe kryeministri britanik por edhe liderë të tjerë erdhën në Izrael përgjatë këtyre ditëve për të shprehur përkrahjen dhe solidaritetit, mendoj se tregon që në botë ka pajtim se organizatat si HAMAS e ISIS nuk do të duhej të ekzistonin”, tha Ziv.

    Derisa familjet druajnë për fatin e të dashurve të tyre, qoftë të përfshirë në luftime apo të rrëmbyer, Izraeli ka hyrë në atë që Associated Press e përshkroi si luftë për mbijetesën e shtetit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Deputetja Britanike Kearns pritet ne takim nga Osmani e Konjufca

    Deputetja Britanike Kearns pritet ne takim nga Osmani e Konjufca

    Takimin e paraparë për të premten me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetja britanike Alicia Kearns e realizoi të shtunën në mëngjes. Përpos bashkëpunimit dhe ndihmës që Britania e Madhe i ofron Kosovës, në takim mes tyre u fol edhe për sulmin në Banjskë, me ç’rast Konjufca potencoi se aktet e agresionit nga Serbia nuk janë kërcënim vetëm për Kosovën por edhe rajonin.

    “Prania e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës si dhe në rajon është e një peshe të pazëvendësueshme për sigurinë, stabilitetin dhe përbën garanci ekuilibruese në dinamikat e aktualitetit të brishtë”, njoftoi drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit.

    Në ditën e parë të vizitës së saj në Prishtinë, presidenca po ashtu njoftoi se deputetja Kearns u takua me presidenten, Vjosa Osmani. Osmani, edhe asaj ia përsëriti kërkesën për ta ndëshkuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit në veri.

    “Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, thuhet në njoftimin nga zyra e Presidencës së Kosovës.

    Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Punë të jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është deputetja më e zëshme në parlamentin britanik për çështjet e Kosovës, megjithatë vizita e saj në Prishtinë nuk ka pasur publicitet.

    Më pak se dy muaj nga sulmi terrorist në Banjskë, në korrik të këtij viti deputetja Kearns kishte paralajmëruar se ushtarët britanik në kuadër të KFOR-it kishin zbuluar në veri të vendit po bëhet kontrabandë me armë përmes autoambulancave dhe po ruheshin në kisha. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Pesëshja diplomatike e kërkon asociacionin, dënon sulmin në Banjskë

    Pesëshja diplomatike e kërkon asociacionin, dënon sulmin në Banjskë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Më shumë policë se zakonisht, u panë këtë të shtunë rreth ndërtesës së Qeverisë.

    Edhe interesimi i mediave ishte i madh.

    Me qëllim ringjalljen e dialogut mes dy vendeve, i dërguari i BE-së për dialog, Mioslav Lajçak, emisari amerikan, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e liderëve të Gjermanisë, Francës e Italisë, realizuan vizitën në Kosovë dhe Serbi.

    Në takimin që zgjati më shumë se një orë, pesë diplomatët perëndimor ia prezantuan kryeministrit Albin Kurti një plan për rrugën përpara pas sulmit terrorist në Banjskë.

    “Ne gjithmonë kemi plane. Pra kemi një plan, kemi diskutuar për të me kryeministrin Kurti, dhe do të bisedojmë për të me presidentin Vuçiq më vonë gjatë ditës. Andaj, duhet ta kuptoni se nuk do të lëshohem në detaje në këtë pikë”, tha Lajçak.

    Miroslav Lajcak, i cili foli në emër të delegacionit, tha se kryeministri kosovar ka përgjegjësi në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron që të bëjë progres drejt Bashkimit Evropian. Mes tjerash, diplomati sllovak, përmendi edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Duhet të nënvizojmë rëndësinë për të lëvizur drejt themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pa vonesa të mëetjshme. Pa këtë, nuk do të ketë progres në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ne e vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti që të vazhdojmë diskutimet tona së shpejti”, tha Lajçak.

    Teksa e dënoi ashpër ngjarjen në Banjskë, emisari evropian tha se hetimet për sulmin terrorist ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku janë duke vazhduar.

    “Proceset janë duke vazhduar, Bashkimi Evropian, NATO-ja, sigurisht se janë shumë të zëna duke mbledhur faktet, dhe mendoj se koha do të vijë shpejt kur do të informoheni lidhur me rezultatet”, tha Lajçak.

    Për takimin me diplomatët perëndimor, Qeveria e Kosovës u mjaftua vetëm me një komunikatë.

    Sipas zyrës së kryeministrit, në takim u bisedua për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, derisa u theksua nevoja për një qasje të re.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Kompania e Destanit nga Tetova, Next.e.Go listohet në bursën NASDAQ në Nju Jork

    Kompania e Destanit nga Tetova, Next.e.Go listohet në bursën NASDAQ në Nju Jork

    Kompania me pronarë nga Maqedonia e Veriut, e udhëhequr nga familja Destani nga Tetova, është listuar në NASDAQ, bursën zyrtare amerikane, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

    Listimi i Next.e.Go Mobile në këtë bursë amerikane dhe shpallja e djeshme e bërjes publike përbën kulmin e një pune të madhe e me përkushtim të një ekipi të tërë.

    Filantropi Lazim Destani për gazetën zvicerane Le Canton27.ch thotë se “NASDAQ’ gjithmonë ka qenë qendër për inovacionin, dhe ne jemi vërtet të lumtur që jemi pjesë e këtij ekosistemi me aq shumë ndikim”.

    Përndryshe, NASDAQ është bursa me qarkullimin më të madh në SHBA, me seli në New York.

    Kompania Next.e.Go ka nisur edhe iniciativën për investim edhe në Maqedoni të Veriut, ku edhe janë hudhur edhe themelet e objektit, ku pritet të ndërtohen veturat elektrike, të cilat do të shiten në tregun evropian dhe vendor.

  • Rohde: Takimi Kurti-ShBA-BE nënvizon angazhimin për zgjidhje të qëndrueshme

    Rohde: Takimi Kurti-ShBA-BE nënvizon angazhimin për zgjidhje të qëndrueshme

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me pesëshen diplomatike nënvizon angazhimin e palodhshëm për zgjidhje të qëndrueshme.

    “Mbledhja e sotme e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesve nga Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Italia, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, nënvizon angazhimin e palodhshëm për zgjidhje të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë përshpejtimin e integrimit të plotë në familjen euroatlantike”, ka shkruar Rohde.

  • Nesër mbahen zgjedhjet në Zvicër për parlamentin e ri, do të garojnë edhe 30 kandidatë shqiptarë për deputet

    Nesër mbahen zgjedhjet në Zvicër për parlamentin e ri, do të garojnë edhe 30 kandidatë shqiptarë për deputet

    Bernë, 21 tetor (Nefail Maliqi) – Nesër qytetarët zviceranë do të zgjedhin parlamentin e ri. Në këto zgjedhje me zviceranët për një muaj rresht ishin në fushatë edhe 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar, pra për deputet. Për dallim nga vitet e mëparshme, ky është numri rekord i kandidatëve shqiptarë. Tashmë gati të gjitha mbi 5 milion zarfet me fletëvotime kanë arritur përmes postës te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 26 kantone, njofton gazeta zvicerane në shqip Canton27.ch.

    Në Zvicër jetojnë dhe veprojnë 300,000 shqiptarë, prej të cilëve mbi 100 mije posedojnë pasaporta zvicerane

    Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Zvicër, pas takimit me presidentin e konfederatës helvetike, së bashku me ministër Hajrulla Çeku, në Ambasadën e Kosovës në Bern, kanë takuar kandidatët shqiptarë në zgjedhjet federale të 22 tetorit, të cilët i kanë uruar fitore dhe suksese në fushatën zgjedhore dhe ditën e votimit.

    Sot në Zvicër jetojnë dhe veprojnë 300,000 shqiptarë, prej të cilëve mbi 100 mije shqiptarë nga gjitha viset e Ballkanit, janë të natyralizuar, dmth. që posedojnë pasaporta zvicerane, që më shumë se gjysma e tyre kanë të drejtë vote.

    Përderisa migracioni i italianëve në Zvicër kishte nisur menjëherë pas Luftës së Dyte Botërore në vitet e 50-ta, ata sot kanë disa deputetë dhe politikanë në institucionet e larta shtetërore. Kurse, shqiptarët nga Ballkani, sidomos kosovarët, kanë filluar të migrojnë pak më vonë drejt Zvicrës në vitet e 70-ta për arsye të njohura, të politikave diskriminuese dhe presionit nga regjimi serb.

    Ndryshe Ueli Leuneberger, themelues i Universitetit Popullor në Gjenevë dhe “ambasador” i shqiptarëve në Zvicër, për TV ATV ka thënë se “Është koha që një kandidat nga komuniteti shqiptar të ulet në Parlamentin zviceran në Bernë.”

    Është një gjë evidente, që nuk mund ta fshehim se Partitë politike në Zvicër në prag të zgjedhjeve, përmes këtyre kandidatëve me origjinë nga Ballkani, kanë interesa dhe synime për të tërhequr votat e shqiptarëve, duke ditur numrin e tyre të madh në territorin e konfederatës helvetike.

    Sidoqoftë, komuniteti shqiptarë si shembull i integrimit në Zvicër e meritojnë të kenë jo vetëm pasaportat helvetike, por edhe deputetët e tyre në Bernë.