ATV

Blog

  • S’respektohet orari i punës në QMF-në e fshatit Lumëmadh në Vushtrri

    S’respektohet orari i punës në QMF-në e fshatit Lumëmadh në Vushtrri

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ndaj një mjeku, një laboranti dhe një infermiere të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Lumëmadh të Vushtrrisë, janë ndërmarrë masa disiplinore, pasi nuk ishin në vendin e tyre të punës me datë 16 tetor.

    Drejtori i Shëndetësisë, Lorik Maxhuni, tha se kjo situatë është evidentuar gjatë një vizite të paplanifikuar, në këtë qendër për të parë nga afër shërbimet mjekësore që po ofrohen për pacientët.

    “Ka qenë një vizitë rastësore kur kam shkuar aty, por kam parë që aty disa prej stafit mjekësor nuk janë në vendin e punës e bëhet fjalë për një mjek, një laborant dhe një infermiere, që konform ligjit u kemi lëshuar masa disiplinore vërejtje me shkrim. Unë i kuptoj se kanë shumë angazhime e përgjegjësi, por kjo nuk lejohet të ndodhë, meqenëse kështu rrezikohet jeta e qytetarëve”, tha Maxhuni.

    Tre punonjësit shëndetësorë nuk pranuan të flasin për televizionin për të treguar asryet pse nuk ishin në vendin e punës në momentin kur drejtori vizitoj Qendër të mjekësisë familjare.

    Megjithatë, disa nga pacientët me të cilët bisedoi ekipi i televizionit, thanë se janë ballafaquar me neglizhencë nga ana e personelit mjekësor.

    “Asnjë pikë këta punëtor në qendër nuk e respektojnë orarin. Vijnë një analizë e kryejnë edhe ikin, hiç asnjë minutë nuk e këqyrin orarin”, tha Shefqet Dushi, banor.

    “Kjo është një katastrofë se këta orarin duhet me respektu, po jo po dalin nëpër lokale e pacientët me pritë. Veç kështu po shtohet edhe urrejtja për mjekët nga pacientët”, tha Ibrahim Ibrahimi, banor.

    Drejtori i shëndetësisë, Lorik Maxhuni, që vetëm javë më parë mori detyrën, tha se ka në plan që të krijojë një komision për inspektim të qendrave të mjekësisë familjare, për të evituar raste të tilla.

    Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje se sa inspektime kanë kryer në këtë 10-mujor të vitit, për respektimin e orarit të punës në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

    Ndërsa, gjatë vitit 2022 Inspektorati Shëndetësor ka realizuar mbi 80 inspektime, nga të cilat ka rezultuar se 15 qendra të mjekësisë nuk e kanë respektuar orarin e punës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Vdiq skulptori Luan Mulliqi, la pas vetës një krijmtari të madhe në fushën e artit

    Vdiq skulptori Luan Mulliqi, la pas vetës një krijmtari të madhe në fushën e artit

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Duke lënë pas një karrierë të bujshme artistike, sot vdiq skulptori e piktori kosovar, Luan Mulliqi.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Platformën Facebook kujtoi skulpturën e Nëna Terezës duke e cilësuar si një nga veprat kryesore të Mulliqit për të cilën kishte shkruar edhe Ismail Kadare në librat e tij.

    Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se puna e tij e jashtëzakonshme do ta shënojë përgjithnjë hapësirën publike me monumente e skulptura të nënshkruara me prurjen e rrallë artistike.

    Përpos krerëve të lartë përmendur, për vdekjen e Mulliqit, telegram ngushëllimi ka shprehur edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    “Luan Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor. Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm”, thuhet në telegramin e MKRS-së.

    Mulliqi, gjatë karrierës së tij, mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar dhe botoi një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë.

    Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka njoftuar se homazhet do të bëhen nesër në orën 11:00, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Indikacione për largimin e masave ndaj Kosovës

    Indikacione për largimin e masave ndaj Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova vazhdon të jetë nën masat politike dhe ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    Megjithatë, nga mazhoranca theksojnë se ka indikacione se BE-ja do i largojë këto masa.

    Padyshim që po. Nga ana jonë janë cilësuar si masa të padrejta të cilat duke konsideruar se ishin masa ekonomike dhe duke ditur sa fragjile është ekonomia e Kosovës nuk mendoj se ishin as politikisht dhe as strategikisht një potezë i duhur. Andaj është theksuar nga ne, por edhe mbështetur nga senatorë dhe deputetë të tjerë që duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Tashmë është edhe qëndrimi i joni që të ketë veprime, por ka edhe sinjale nga autoritetet dhe ndërmjetësues që do të ketë largim të këtyre masave”, tha deputetja e ‘’Guxo’’, Jeta Statovci.

    Deputeti i partisë më të madhe opozitare në vend, Ferat Shala thotë se Qeveria e Kosovës nuk është angazhuar për largimin e masave të BE-së.

    “Ne nuk shohim asnjë veprim konkret juridik e as ekonomik dhe lobues që ne do të bëjmë një gjë të tillë. Kosova nuk e meriton që të jetë nën sanksione në asnjë rast dhe rrethanë. Mirëpo ana tjetër është se ne duhet të kryejmë detyrat tona të shtëpisë dhe duhet të rrisim unitetin e brendshëm dhe jo logjika e përjashtimit dhe sanksionimit të opozitës dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, tha Shala.

    Kurse, profesori Seb Bytyqi thotë se ka dyshime se masat mundë të largohen.

    “Është problem, pasi masat janë vendosur për t’i bërë presion Kosovës. Kemi pa deklarata se ende flasin për masa dhe deeskalim nga ana e Kosovës që tingëllojnë shumë të çuditshme pas 24 shtatorit, pasi ato masa nuk vlejnë më. Arsyet pse janë vendosur ato masa nuk vlejnë më pasi nuk ka nevojë për zvogëlim të policisë, por përkundrazi rritje. Logjikisht masat nuk duhet të qëndrojnë por janë vendosur për t’i bërë presion politik Kosovës për implementim të marrëveshjes”, tha Bytyqi.

    Ndërkaq, masat ndaj Kosovës janë vendosur në fund të muajit qershor, si rezultat i mos përmbushjes së kushteve të bashkësisë ndërkombëtare për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.

    Ndërkaq, Parlamenti Evropian në rezolutën e miratuar të enjten kërkoi nga BE-ja largimin e masave për Kosovën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Plani ‘’misterioz’’ i ndërkombëtarëve

    Plani ‘’misterioz’’ i ndërkombëtarëve

    Përgatiti: Armand Hoti

    As Qeveria e Kosovës, e as Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje për planin që Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, paraqiti të shtunën para liderëve në Prishtinë dhe Beograd.

    Njohës të rrethanave politike, shprehen optimistë se plani që shënon një hap tjetër të përpjekjeve të ndërkombëtarëve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmban një qasje më të balancuar në raport me dy vendet.

    Politologu Fidan Ukaj, beson se bëhet fjalë për një plan sekuencimi që synon të shtyjë palët drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

    “Në diskutim me akterët e rëndësishëm me akterët evropian dhe amerikan mendoj se do ketë një plan final të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve që do u prezantohet palëve dhe pastaj do jetë ajo faza merre ose lëre dhe brenda planit do jenë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe afatet kohore të përcaktuara nga ndërkombëtarët”, tha Ukaj.

    Pos themelimit të asociacionit sa më parë, që është kërkesë edhe e ndërkombëtarëve, politologu Ukaj pret që në plani i ri paralelisht të kërkoj edhe zbatimin e obligimeve të Serbisë.

    “Sigurisht se aty paralel janë futur edhe obligimet e Serbisë, qoftë në zbatim të marrëveshjes për energji, targat, njohjen e dokumentacionit, vulës doganore, por sigurisht se formimi i Asociacionit sipas ndërmjetësuesit do jetë pika kyqe e këtij plani që tashmë është prezent edhe para palëve”, tha Ukaj.

    Ndërkohë, profesori universitar Basri Muja, thekson se plani mund të mbahet larg syve dhe veshëve të publikut deri në një fazë të caktuar pikërisht për t’u shmangur mundësia e presionit publik ndaj pjesëmarrësve dhe ndërmjetësuesve.

    Profesori Muja mbështet prioritet për Kosovën për siguri territoriale e saj. Sipas tij, kjo duhet të respektohet edhe nga ndërmjetësuesit.

    “Mediatorët duhet ta marrin parasysh prioritetin e Kosovës se pse e kam që ngjarjet e shtatorit mundë ta ndryshojnë situatën jo vetëm në veri të Kosovës”, tha Muja.

    Muja shprehet optimist se plani në fjalë mundë të jetë më i balancuar nga ai i paraqitur në takimin e shtatorit në Bruksel, por skeptik për arritjen e një marrëveshjeje.

    “Unë shpresoj që do jetë më i ekuilibruar edhe më pro Kosovë sado që do ketë edhe pika që do duhej të jenë të pranueshme për Serbinë që të ia ‘’ruajnë fytyrën Serbisë’’, por nuk pres që dy palët janë të gatshme të arrijnë marrëveshje. Qështja është si të menaxhohet faji për dështimin e këtyre bisedimeve dhe shpresoj që Kurti të dijë që të mos jetë Kosova fajtore për dështimin e këtij rundi”, tha Muja.

    Ndërkaq, sulmet e 24 shtatorit janë cilësuar nga Bashkimi Evropian si terroriste, teksa është kërkuar nga Serbia bashkëpunim i plotë dhe pakushte në zbardhjen e tyre.

    Parlamenti Evropian, pak ditë më parë përmes në rezolute ka kërkuar angazhim më intensiv nga ndërmjetësuesit e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Asnjë iniciativë për shkarkimin e katër kryetarëve në veri

    Asnjë iniciativë për shkarkimin e katër kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Lista Serbe u shpreh e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore.

    Por, deri më tani nuk ka nisur asnjë iniciativë për organizimin e peticionit për largimin e kryetarëve aktualë, sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Sidoqoftë, një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti sipas gazetarit serb, Branislav Krstic. Ai thotë se Serbia do të mundohet me çdo kusht t’iu shmanget sanksioneve, madje duke i pranuar edhe kushtet e Qeverisë së Kosovës.

    Krstic thotë se qytetarët serbë këtu sërish do të jenë të detyruar të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht vullnetit të tyre.

    Megjithatë, kurdo që të nisë, një procedurë e tillë merr goxha kohë, kështu që zgjedhjet zor se do të mund të mbahen brenda këtij viti.

    Katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, udhëhiqen për herë të parë nga kryetarë shqiptarë, ndonëse morën mandat me fare pak vota, pasi serbët e veriut bojkotuan, nuk morën pjesë në zgjedhje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Serwer: Vuçiq përdori shërbimin sekret dhe Listën Srpska për kryengritje në Veri

    Serwer: Vuçiq përdori shërbimin sekret dhe Listën Srpska për kryengritje në Veri

    Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, në një intervistë për Krug 99 të Sarajevës thotë së Beogradi po përpiqet të krijojë atë që tashmë është pagëzuar si “bota serbe” duke kontrolluar fatin politik të serbëve në vendet fqinje.

    “Presidenti Vuçiq dëshiron të kontrollojë fatin politik të serbëve në vendet fqinje. Kjo përfshin jo vetëm Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe Malin e Zi dhe Kosovën. Ai po përdor forcat e tij të sigurisë dhe inteligjencës, financimin, dezinformimin dhe Kishën Ortodokse Serbe për të kapërcyer rezistencën dhe për të siguruar që demokracitë serioze, të lidhura me Perëndimin, nuk mund të shfaqen në periferi të Serbisë” thotë Serwer.

    Ish-diplomati amerikan thekson se Vuçiq ka qenë më i suksesshëm në Malin e Zi, ku ai shfrytëzoi pakënaqësinë ndaj ish – Presidentit Gjukanoviq dhe DPS-it që sundonte prej kohësh.

    “Kjo pakënaqësi fuqizoi një opozitë pro-evropiane, e cila po kërkon mbështetje nga Beogradi dhe përfaqësuesit e tij. Ironia është se Gjukanoviq kryesoi, me dinjitet, një tranzicion kryesisht paqësor dhe tërësisht kushtetues që po sjell kundërshtarët e tij hipokritë në pushtet” thotë tutje Serëer. Duke folur për Kosovën Serwer thotë se përpjekja e hapur politike e Vuçiqit për të kontrolluar popullsinë serbe kryhet përmes Listës Srpska.

    “Por ai gjithashtu përdor shërbimet sekrete serbe dhe aleatët e tyre në krimin e organizuar për të siguruar që popullata serbe, veçanërisht në veri, t’i qëndrojë besnike Beogradit, jo Prishtinës” thotë ai.

    “Ne e pamë atë kombinim në vepër më 24 shtator, kur Lista Srpska dhe shërbimet sekrete tentuan një kryengritje të armatosur. Policia e Kosovës dhe KFOR-i e penguan këtë” shton Serwer.

    Sipas profesorit amerikan Vuçiç që atëherë është ka shkuar shumë në drejtim të Rusisë dhe Kinës.

    “Ai pa dyshim ka frikë se SHBA dhe Evropa do të kërkojnë që ai të kërkojë falje për kryengritjen e 24 shtatorit dhe të premtojë se nuk do të ndodhë më.

  • Presidentja Osmani në Nju Jork, përfaqëson Kosovë në Këshillin e Sigurimit

    Presidentja Osmani në Nju Jork, përfaqëson Kosovë në Këshillin e Sigurimit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Nju Jork, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.

    Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.

    Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.

    Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.

    Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 21:00 me kohë të Kosovës ndërkaq në orën 15:00 me kohë të Nju Jorku-ut.

  • Kurti për vdekjen e skulptorit Luan Mulliqi: Mungesën do t’ia ndjejmë, por, do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij

    Kurti për vdekjen e skulptorit Luan Mulliqi: Mungesën do t’ia ndjejmë, por, do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij

    Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Mulliqi me rastin e vdekjes së skulptorit, Luan Mulliqi

    Kurti ka shkruar se “pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas”.

    “Shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, iu kishte ngulitur aq thellë në mendje një skulpturë e Nënës Terezë sa edhe pati shkruar: “Nënë Tereza e Mulliqit ka një metaforë të rrallë që duke shpërthyer nga toka dëshmon për vërtetësinë e shenjtores sonë.” Luan Mulliqi ka ndërruar jetë. Si veprat, edhe emri i tij, jehon gjithandej. Pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Më tej, kreu i shtetit tha se një artist me shije të hollë e me dije të gjerë nga sot nuk është më në mesin tonë.

    “Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Luanin do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij. Artisti nuk shuhet, sepse vepra e tij jeton. Ngushëllime familjes, miqëve, kolegëve e studentëve të tij! Ngushëllime të gjithë neve”.

  • Kurti takon Kearnsin: Prioritet, siguria e shtetit dhe qytetarëve

    Kurti takon Kearnsin: Prioritet, siguria e shtetit dhe qytetarëve

    Prioritet kryesor për Kosovën është sigurua e shtetit dhe e qytetarëve, është thënë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me deputeten britanike, Alicia Kearns, që së fundmi qëndroi në Kosovë.

    Për vizitën e kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar nuk janë dhënë detaje. Takimet janë mbajtur pa publicitet për shkak të sigurisë së saj. Deputetja britanike ishte figura e parë ndërkombëtare që alarmoi për armatimin serb në kishat në Kosovë. Pak muaj pas alarmit të bërë nga ajo, në Zveçan një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në aksionin e Policisë u kap arsenal i madh armësh. Gjatë aksionit të Policisë, sulmuesit u strehuan në Manastirin e Banjskës.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është thënë se Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe të Kearsnit për Kosovën.

    “Në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve. U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”, thuhet në njoftim.

    Deputetja Kearns ka pasur takime edhe me udhëheqës të tjerë institucionalë në Kosovë. Ajo ka parë nga afër edhe armët e kapura nga Policia e Kosovës.

  • Jevtiq: Pres që pesëshja të krijojë mekanizma që mundësojnë themelimin e Asociacionit

    Jevtiq: Pres që pesëshja të krijojë mekanizma që mundësojnë themelimin e Asociacionit

    Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se pret që pesë emisarët euro-amerikanë të cilët vizituan Beogradin dhe Prishtinën, të krijojnë më në fund mekanizmat që do të mundësojnë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

    “Së pari nuk kam asnjë pritshmëri nga Kurti, pavarësisht se çfarë mund t’i ketë thënë apo premtuar në takim. Dhe presidenti i Francës tha se ka pasur premtime të bëra më parë, të cilat nuk janë realizuar. Prandaj nuk pres që të ndryshojë asgjë”, tha Jevtiq për Kosovo Online.

    Jevtiq tha emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar iu kishin thënë atyre se “Asociacioni do të formohet si parakusht për zgjedhjen e çështjeve tjera”.