ATV

Blog

  • Eurodeputeti Mandl u takua me ambasadoren e Kosovës në Izrael

    Eurodeputeti Mandl u takua me ambasadoren e Kosovës në Izrael

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, është takuar me Ambasadoren e Republikës së Kosovës me seli në Jerusalem, Ines Demiri.

    Mandl po zhvillon një vizitë solidariteti në Izrael.

  • Kontejnerë të stërmbushur me mbeturina në kryeqytet – ankohet qytetarët, bëjnë thirrje për shqiptim të gjobave

    Kontejnerë të stërmbushur me mbeturina në kryeqytet – ankohet qytetarët, bëjnë thirrje për shqiptim të gjobave

    Kontejnerë të stërmbushur me mbeturina, mund të shihen pothuajse në çdo pjesë të kryeqytetit. Madje edhe përreth tyre mbeturinat janë prezente. Hedhja e tyre vazhdona të jetë shqetësuese për qytetarët e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

    Ata ankohen se edhe një pjesë e qytetarëve janë të papërgjegjshëm duke mos i hedhur ato në kontejnerë, por jashtë tyre e vend e pavend edhe nëpër qytet. Sipas tyre Komuna duhet të ndërmerre masa për të shqiptojë gjoba për të gjithë ata që hedhin mbeturina, por që kërkojnë përgjegjësi edhe te Kompania “Pastrimi”.

    Teuta Danuzaj tha se edhe përkundër rritjes së numrit të banorëve, numri i kontejnerëve nëpër lagje ka mbetur i njëjtë.

    Madje thotë se edhe orari i mbledhjes së mbeturinave nga kompania “Pastrimi” nuk i mjaftueshëm. Ajo thotë se duhet të vendosen gjoba, por pohon se faji është edhe i qytetarëve.

    “Faji është i dyanshëm fillimisht Komuna duhet me marrë parasysh me pas orare më të shpeshta t’u e marr numrin ma të madh të banorëve që e kemi në Prishtinë dmth lagjet po rriten numri i banorëve po rritet ndërsa pikat e mbeturinave janë shumë të pakta po edhe siç po e sheh jemi disa banesa dhe janë vetëm 3 kontejnerë do të thotë është numri shumë i vogël i kontejnerëve si dhe orari i mbledhjes së këtyre mbeturinave prej kompanisë së Pastrimit nuk është i mjaftueshëm në anën tjetër mendoj qe edhe qytetarët janë të papërgjeshëm”.

    “Thjesht mendoj që kemi nevojë për disa rregullore qe parashohin gjoba për qytetarët e papërgjeshëm mendoj qe është kjo shume e nevojshme mirëpo nevojitet një qasje e dyanshme për me arritur pastërtinë brenda kryeqytetit. Mendoj që gjobat kishin me qenë shume efikase”.

    Fatmir Murati, tha se që qytetarët të bëhen më të përgjegjshëm duhet të ketë dënime të larta.

    “Shteti i ka fajet duhet me pas ligj duhet me pas diçka që e dënon ata. Unë jom nxor për veti unë e mbaj e pastroj po gjuajnë prej nalt e lajmëron Policinë, kurrkush s’merret. Nëse s’ka ligje kurrkush nuk e mban pastërtinë duhet me të dënuar ty ose mu e për me mbajtur pastër diçka ndryshe nuk ka shans”.

    Edhe Elmi Rrahmani tha se komuna duhet me ndërmarrë masa, edhe pse thotë se fajin më të madh e kanë qytetqrët, raporton EO.

    “Fajin ma të madhe e kemi ne qytetarët, Komuna po mundohet në të veten po na qytetarët pse me gju. Shiko sa qytetarët çdo polic me i’u afruar nuk mundet njeri po na duhet me kon të vetëdijshëm kur po vijnë ata prej jashti prej Gjermanisë prej Zvicrës atje nuk guxojnë me gjuajt po këtu e gjuajnë edhe ata bërllokun”.

    Xhelush Dauti, tha se pastrimi duhet që të bëhet me kohë nga Komuna, ngase qytetarët po pagujanë për shërbimet.

    “Komuna i ka fajet. Komuna duhet me i pastruar me rregulluar një ditë po e një jave jo. Qytetarët nuk mund t’i fajësojë, qytetari po ia paguan paret Komunës. Komuna është e detyruar me mbajtur pastërtinë edhe rregullin në qytet”.

    Përderisa Ali Kuqi, tha se qytetarët nuk duhet që të jenë dembelë, por duhet t’i hedhin mbeturinat në vendin e caktuar.

    “Qytetarët duhet me kanë pak ma të kulturuar. Komuna s’ka faj hiq, Komuna i kryen ato obligimet e veta. Qytetarët i kanë fajet vet se janë dembelë e i gjunjë te dera e i lajnë nëpër rrugë mbeturinat. Qytetarët duhet me i dënuar me pare atëherë ai nuk i gjuna”.

    Gjon Hajdari, tha se nuk duhet të bëhemi më të kulturuar, duke shtuar se më së shumti kanë faj qytetarët.

    “Neve na mungon kultura përgjithësi ai është faji më i madhi pse nuk e futë ata në gjep e me shkuar me hedhur mbeturina po e gjuan prej kerrit, masë shumti kanë faj qytetarët. Komuna duhet përmes televizionit, përmes shtypit internetit me reaguar me i vetëdisuar njerëzit s’ka rrugëdalje tjetër me dënime kurgjo nuk bënë”.

  • Kurti: Sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar Klani i Novi Sadit

    Kurti: Sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar Klani i Novi Sadit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar Klani i Novi Sadit, një grup i organizuar kriminal me lidhje të forta me pushtetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Postimi i plotë:

    Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

    Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

    Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.
    Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

    Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.

  • Abuzoi me të mitur, FIFA e pezullon për 20 vjet dhe e gjobit me 100 mijë euro

    Abuzoi me të mitur, FIFA e pezullon për 20 vjet dhe e gjobit me 100 mijë euro

    FIFA njoftoi për pezullimin për një periudhë 20-vjeçare të ish-trajnerit të futbollit të Republikës Demokratike të Kongos, Jonathan Bukabakwa, pas një dënimi për dhunë seksuale ndaj një të mituri.

    “Vendimi është në përputhje me politikën e tolerancës zero të aplikuar nga FIFA ndaj të gjitha formave të dhunës në futboll”, lexohet në deklaratën e organizatës, e cila krahas pezullimit të aplikuar, e gjobiti ish-trajnerin me 100 mijë euro.

    Organi më i lartë i futbollit tha gjithashtu se kishte krijuar një forum specifik alarmi në internet për të “komunikuar në mënyrë konfidenciale problemet e mundshme në mënyrë që të arrihet parandalimi i rasteve të tilla”.

  • Arrestohet personi që sulmoi persona zyrtarë në Deçan

    Arrestohet personi që sulmoi persona zyrtarë në Deçan

    Policia e Kosovës njofton se të shtunën është arrestuar i dyshuari për shkak se në gjendje të dehur i kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht personat zyrtarë si dhe kishte dëmtuar disa pajisje.

    Po ashtu sipas policisë gjatë arrestimit i njëjti ka sulmuar edhe një zyrtar policor.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur i kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht personat zyrtarë si dhe kishte dëmtuar disa pajisje. Po ashtu gjatë arrestimit i njëjti ka sulmuar edhe një zyrtar policor. Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Historike: Kandidati shqiptar Islam Alijaj, zgjidhet deputet i Parlamentit Zviceran

    Historike: Kandidati shqiptar Islam Alijaj, zgjidhet deputet i Parlamentit Zviceran

    Në zgjedhjet që u mbajtën dje për Parlamentin Federal të Zvicrës, ku kandiduan 30 shqiptarë për një ulëse në parlamentin helvetik në Bernë, një shqiptar është zgjedhur deputet dhe fjala është për Islam Alijajn, kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP), njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Ai ka fituar 95.054 vota nga qytetarët e Zvicrës me të drejtë vote. Komuniteti shqiptar në Zvicër është gëzuar dhe ka përshëndetur fitoren e kandidatit me origjinë shqiptare, të cilën fitore e kanë konsideruar si fitore historike.

    Alijaj, duke qenë person me nevoja të veçanta, është i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm për të drejtat e kategorisë së njerëzve të cilës i takon.

    Ai ka qenë deri tash asamblist në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut.

    Me fitoren e Islamit, komuniteti shqiptar i Zvicrës për herë të parë bëhet me një deputet të nivelit federal.

    Në Zvicër jetojnë dhe veprojnë 300,000 shqiptare, prej të cilëve mbi 100,000 albanofonë (shqiptarë nga gjitha viset e Ballkanit) janë të natyralizuar (posedojnë pasaporta), më shumë se gjysma e tyre kanë të drejtë vote, ka shkruar Canton27.ch.

  • Eurodeputeti Picula: Serbia do të përballet me akte më rigoroze nga BE nëse refuzon ekstradimin e Radojçiqit

    Eurodeputeti Picula: Serbia do të përballet me akte më rigoroze nga BE nëse refuzon ekstradimin e Radojçiqit

    Tonino Picula nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), ka thënë se refuzimi i Serbisë për ta ekstraduar përgjegjësin për përgatitjen e kryengritjes së armatosur ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore, Millan Radojçiq, mund të komplikojë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu të vështira mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, eurodeputeti kroat ka theksuar se reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë nëse refuzon të përmbushë kërkesën parësore të Bashkimit Evropian (BE) që t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist që janë arratisur në Serbi.

    Në Parlamentin Evropian është miratuar një rezolutë javën e kaluar më 19 tetor, me të cilën kërkohen sanksione për Qeverinë e Serbisë nëse konstatohet se shteti i Serbisë ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

    “Në rezolutën e miratuar nga PE-ja, masat kufizuese duhet të përfshijnë, por jo vetëm, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës, sikurse Radojiçiçi, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të përmendur terrorist”, ka theksuar Picula, i cili kishte përpiluar tekstin e Rezolutës së miratuar së fundmi në PE për konfliktin në Banjskë.

    Sa i përket bashkëpunimit të Serbisë në këtë drejtim, eurodeputeti kroat ka nënvizuar se është e vështirë të konfirmohet me siguri absolute përfshirja e palës serbe në zgjidhjen e konflikteve, madje edhe atëherë dhe Serbia bashkëpunon, sipas tij, shpesh e bën këtë me një “fik në xhep”, duke ilustruar traditën e thyerjes së zotimeve nga autoritetet në Beograd.

  • ​Homeri shqiptar në 152-vjetorin e lindjes

    ​Homeri shqiptar në 152-vjetorin e lindjes

    Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.

    Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi.

    Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.

    Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

    Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.

    Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

    Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.

    Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.

    Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

    Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.

    Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

    Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj.

    Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.

    Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

  • ​Radha e përplasjes së madhe, Sigal Prishtina-Peja

    ​Radha e përplasjes së madhe, Sigal Prishtina-Peja

    Pesë xhirot e para të Superligës së Kosovës në basketboll tashmë janë kompletuar, javë të cilat kanë sjellë ballafaqime spektakolare e rivalitet të jashtëzakonshëm.

    Renditja tabelare pas këtyre pesë xhirove tregon qartë se ndërmjet cilave skuadra do të zhvillohet lufta për titullin e kampionit, raporton KosovaPress.

    Është kampioni aktual, Peja që kryeson tabelën me 10 pikë, e ndjekur nga Trepça dhe Sigal Prishtina me nga nëntë sosh.

    E pikërisht xhiros e radhës është ajo që do të sjellë përplasjen e madhe në basketbollin kosovarë, atë ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, sfidë e cila do të zhvillohet në fundjavën e ardhshme.

    Në xhiron e pestë, Sigal Prishtina mposhti Bashkimin me rezultat 91-89, kurse Peja triumfoi kundër Istogut me rezultat 84-69.

  • Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së diskuton sot për situatën Kosovë-Serbi

    Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së diskuton sot për situatën Kosovë-Serbi

    Këshilli i Punëve të Jashtme, i kryesuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, do të zhvillojë sot një takim në Luksemburg duke filluar nga ora 8:30, ku në rendin e ditës do të jetë edhe situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit.

    BE-ja thotë se është e bashkuar duke u kërkuar të dyja palëve të kontribuojnë urgjentisht në de-përshkallëzimin dhe kthimin në zbatimin e detyrimeve të tyre të pazgjidhura që dalin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Në një deklaratë për media thuhet se Këshilli do të diskutojë edhe mbi situatën në Izrael dhe në rajon, pas veprimeve brutale të Hamasit dhe sulmet terroriste pa dallim kundër Izraelit dhe ngjarjet që po shpalosen në Gaza.

    Po ashtu, në rend dite do të jetë edhe agresioni rus kundër Ukrainës, duke u fokusuar në angazhimet e BE-së për sigurinë, dhe zhvillimet në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

    Këshilli i Punëve të Jashtme do të diskutojë edhe për situatën në Kinë dhe Sahel.

    Ministrat e BE-së do të marrin pjesë më pas në takimin e 19-të ministror BE-Azinë Qendrore me Kazakistanin, Republikën e Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.