ATV

Blog

  • ​Përfundon seanca, miratohet raporti vjetor financiar për buxhetin e vitit të kaluar

    ​Përfundon seanca, miratohet raporti vjetor financiar për buxhetin e vitit të kaluar

    Në mungesë të opozitës, nuk është shqyrtuar pika e rendit të ditës për formimin e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

    Pas pauzës, seanca plenare ka vazhduar sërish pa prezencën e partive opozitare. Këto të fundit kanë propozuar që të miratohen dy mocione për trajtimin e kërkesave të minatorëve të “Trepçës” dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Por të dy këto mocione nuk kanë marrë mbështetjen e shumicës parlamentare.

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish nesër, ku për raportim në këtë seancë është ftuar kryeministri Albin Kurti. Ai para deputetëve pritet të përgjigjet lidhur me atë që është dakorduar në takimin e fundit në Bruksel.

  • ​Osmani: Kosova, e përkushtuar t`i përmbushë standardet e KiE për anëtarësim

    ​Osmani: Kosova, e përkushtuar t`i përmbushë standardet e KiE për anëtarësim

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i vendit tonë, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

    Në këtë kontekst, Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.

    Sipas Osmanit, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare.

    “Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Osmani.

    Ajo në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti i Ministrave.

    “Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75-vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Osmani.

    Në këtë takim, presidentja Osmani e ka njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë më 24 shtator.

  • KMDLNj: Institucionet të përmbushin kërkesat e policëve

    KMDLNj: Institucionet të përmbushin kërkesat e policëve

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka deklaruar se protesta e djeshme e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive ka qenë mirë e organizuar, pa asnjë provokim apo lëshim profesional dhe përcillej nga një numër i madh i mediave.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se e veçanta e protestës ishte se u përjashtua çfarëdo ndikimi politik duke u identifikuar qartë si një protestë krejtësisht të karakterit ekonomiko – social.

    “Nuk ka asnjë logjikë që ky segment i pazëvendësueshëm që garanton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit të mos ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore në kohën kur 24 orë i ekspozohen rrezikut për jetë”.

    “KMDLNj edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

  • IKShPK: Ka rënie të vlerave të manganit në Liqenin e Badocit, por jo për konsum

    IKShPK: Ka rënie të vlerave të manganit në Liqenin e Badocit, por jo për konsum

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se kanë rënë vlerat e manganit në ujin e Liqenit të Badocit, porse nuk ka rekomanduar që ky ujë të përdoret për pije.

    IKShPK-ja ka theksuar se nuk ka vend për panik dhe se uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera, përveç përgatitjes së ushqimit. Kjo pasi sipas institutit, vlimi i ujit nuk e zvogëlon sasinë e manganit.

    “IKSHPK apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se: Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera; Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdoren për pije pa përkufizim. Shpëlarja e rezervuarëve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat”, thuhet në njoftimin e Institutit.

  • Biden bën thirrje për “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas

    Biden bën thirrje për “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se duhet të ketë një “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas, pasi fjalimi i tij gjatë një tubimi zgjedhor u ndërpre të mërkurën mbrëma nga një protestuese që bëri thirrje për armëpushim.

    “Mendoj se na duhet një pauzë”, tha Biden.

    Kjo deklaratë paraqet ndryshim në qëndrim, pasi Biden dhe ndihmësit e tij, gjatë gjithë krizës në Lindjen e Mesme kanë qenë të palëkundur në deklarimet e tyre se nuk do të diktojnë se si izraelitët do të kryejnë operacionet e tyre ushtarake në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të militantëve palestinezë të Hamasit.

    Por, presidenti amerikan është përballur me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut, nga liderët botërorë, por edhe nga anëtarët më liberalë të partisë së tij, të cilët kanë thënë se bombardimet e Izraelit në Gazë janë ndëshkim kolektiv dhe se është koha për një armëpushim.

    Në deklarimin e tij, Biden i bëri presion kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’u ofrojë palestinezëve të paktën një pushim të shkurtër nga operacioni i vazhdueshëm ushtarak që ka lënë mijëra të vdekur dhe e ka zhytur Rripin e Gazës në një katastrofë humanitare.

    Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të bëjë thirrje për armëpushim, por ka sinjalizuar se izraelitët duhet ta shqyrtojnë mundësinë e një pauze humanitare për të lejuar civilët që të marrin ndihmë dhe që shtetasit e huaj në Gazë, të largohen nga ky territor.

    Trupat tokësore izraelite kanë përparuar afër qytetit të Gazës, përderisa janë përfshirë në luftime të ashpra me militantët, tha ushtria një ditë më parë. Ndërkaq, qindra shtetas të huaj dhe dhjetëra palestinezë të plagosur rëndë u lejuan që të largohen nga Gaza për në Egjipt pas më shumë se tre javësh nën rrethim.

  • ​Ciaran sjell mot ekstrem në Itali

    ​Ciaran sjell mot ekstrem në Itali

    Italia u përgatit për mot më ekstrem të enjten me stuhinë Ciaran që do të mbërrijë në veriun e vendit pasi ende numëron dëmet pas shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të fuqishme që shkaktuan përmbytje, rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të mëdha elektrike në shumë zona këtë javë.

    Vendi u godit nga moti ekstrem të martën kur lumi Seveso në Milano dhe liqeni Como dolën nga brigjet e tyre.

    Stuhia Ciaran parashikohet të mbërrijë në Itali pasi goditi Britaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën dhe Francën, ku mori një jetë.

    Fronti i stuhisë, me erëra mbi 90 km/h, pritet të sjellë “reshje gjithnjë e më të bollshme”, tha faqja e internetit iLMeteo.it.

    Shkencëtarët thonë se kriza klimatike e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë të njeriut po i bën më të shpeshta dhe më intensive ngjarjet ekstreme të motit si valët e të nxehtit, thatësira, stuhitë e mbingarkuara dhe përmbytjet. /ANSA

  • Angelina Jolie: Gaza po shndërrohet në një varr masiv, 40% e viktimave janë fëmijë

    Angelina Jolie: Gaza po shndërrohet në një varr masiv, 40% e viktimave janë fëmijë

    Angelina Jolie kritikoi Izraelin për bombardimet në Rripin e Gazës. Në postimin e saj në Instagram, Angelina Jolie shprehet se Gaza ka qenë një burg për gati dy dekada dhe po kthehet me shpejtësi një varr masiv.

    Angelina Jolie në postimin e saj tregon se si miliona civilë palestinezë, fëmijë, gra dhe familje po ndëshkohen kolektivisht, ndërsa u privohen nga ushqimi, ilaçet dhe ndihma humanitare.

    “Ky është bombardim i qëllimshëm i një popullate të bllokuar pa ku të shpëtojë. Gaza ka qenë një burg në ajër të hapur për gati dy dekada dhe po bëhet shpejt një varr masiv. 40% e të vdekurve janë fëmijë të pafajshëm. Po vriten familje të tëra. Ndërsa bota shikon dhe me mbështetjen aktive të shumë qeverive, miliona civilë palestinezë, fëmijë, gra, familje që dënohen kolektivisht, privohen nga ushqimi, ilaçet dhe ndihma humanitare kundër ligjit ndërkombëtar. Duke refuzuar thirrjen për një armëpushim humanitar dhe duke penguar Këshillin e Sigurimit të OKB-së që ta imponojë atë nga të dyja palët, liderët botërorë janë bashkëfajtorë në këto krime”.

    Angelina Jolie iu referua edhe “valëve” të refugjatëve, pasi ka kaluar më shumë se 20 vjet në Komisionerin e Lartë të OKB-së për Refugjatët.

    Jolie përfaqësoi UNHCR-në si Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga viti 2001 deri në 2012 dhe më pas si e dërguar speciale nga 2012 në 2022.

  • Kurti takohet me raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kurti takohet me raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, raporton EO.

    Mediet janë lejuar që të marrin pamje vetëm në oborrin e Qeverisë.

    Me herët me Bakoyannis, është takuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

  • ​Kriminelët e shfrytëzuesit e sanksioneve shfrytëzojnë ‘boshllëkun’ e sekretit në Britani

    ​Kriminelët e shfrytëzuesit e sanksioneve shfrytëzojnë ‘boshllëkun’ e sekretit në Britani

    Një kompani e vendosur në një vend të huaj ndihmoi në krijimin e kompanive të përdorura nga anëtarët e rrethit të brendshëm të Vladimir Putin.

    Një nga aktivitetet specifike të përmendura është se firma ishte e përfshirë në krijimin e një kompanie që ndihmoi në fshehjen e pronësisë ose vendndodhjes së një jahti që i përkiste Yevgeny Prigozhin, bos i njohur mercenar rus.

    Alpha Consulting, firmë me bazë në Seychelles, gjithashtu ndihmoi në formimin e më shumë se 900 partneriteteve në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat përdorën një mënyrë sekrete për të fshehur pronarët e tyre të vërtetë.

    Një partneritet ishte i përfshirë në drejtimin e një cisterne nafte që shkatërronte sanksione, ndërsa të tjerët kryen krime. (“Shkatërrimi i sanksioneve” zakonisht i referohet përpjekjeve për t’iu shmangur sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga qeveritë ose organizatat.)

    Në përgjigje të këtyre akuzave, Alpha Consulting deklaroi se ka ndjekur gjithmonë ligjin. Hetimi nga BBC, Finance Uncovered dhe Korporata Transmetuese Seychelles ka analizuar dokumentet e brendshme Alpha dhe mijëra të dhëna të kompanisë për të identifikuar disa nga njerëzit që kanë përfituar fshehurazi nga puna e firmës, me qendër në vendin ishull në Oqeanin Indian.

    Përveçse u shërbente anëtarëve të rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, Alpha Consulting ishte një fabrikë sekrete – një nga kompanitë më prodhuese që ndihmon në shfrytëzimin e një ‘boshllëku’ në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar.

    Disa nga partneritetet që ajo ndihmoi në krijimin kanë qenë të përfshirë në mashtrime të supozuara. Njëra nga partneritetet është akuzuar për ndërhyrje në një zgjedhje të huaj.

    Oligarkët e ndaluar shfrytëzuan ‘boshllëkun’ e sekretit në Mbretërinë e Bashkuar Yevgeny Prigozhin, shefi i Wagner Group i cili vdiq në fillim të këtij viti, ishte një nga ata që përfitoi nga shërbimet e Alpha Consulting.

    Kompania e tij Beratex Group Ltd u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në 2019, si një kompani e cila fshehu pronësinë e avionit dhe jahtit të tij privat.

    Dokumentet e zbuluara – të marra nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues dhe të ekzaminuara si pjesë e hetimit të Pandora Papers 2021 – tregojnë se Alpha ndihmoi në ngritjen e kompanisë Beratex në Seychelles dhe pronari i fshehur përfitues u regjistrua si vjehrra e moshuar e shefit mercenar.

    Alpha tha se “nuk ishte përfshirë kurrë në asnjë aktivitet biznesi” me Beratex. Hetimi zbulon gjithashtu se Alpha, e drejtuar nga një biznesmene ruse e quajtur Victoria Valkovskaya, ndihmoi në krijimin e 927 partneriteteve të kufizuara – një në pesë nga ato të regjistruara në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut që nga viti 2017.

    Vitin e kaluar, BBC dhe Finance Uncovered zbuluan përdorimin në rritje të partneriteteve të kufizuara angleze dhe prova që lidhin një numër prej tyre me mashtrimin, terrorizmin dhe pastrimin e parave.

    Pavarësisht kësaj, qeveria ka dështuar të zgjerojë ligjet që u kërkojnë kompanive të identifikojnë njerëzit me të vërtetë në kontroll – të njohur si “persona me kontroll të rëndësishëm” – në të gjitha shoqëritë e kufizuara.

    Alpha Consulting tha se “përfshirja e saj në partneritetet e kufizuara me bazë në Mbretërinë e Bashkuar është e kufizuar në ofrimin e këshillave dhe asistencës për regjistrimin, inkorporimin dhe strukturimin e tyre në përputhje me rregulloret e MB”.

    Ajo nuk “angazhohet, ose merr asnjë përgjegjësi për, menaxhimin, funksionimin ose vendimmarrjen e klientëve tanë fundorë ose kompanive që ne i ndihmojmë ata në formimin”, tha kompania. /BBC

  • Mbi 3.600 fëmijë palestinezë të vrarë gjatë tri javësh luftë

    Mbi 3.600 fëmijë palestinezë të vrarë gjatë tri javësh luftë

    Më shumë se 3.600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Ata janë goditur nga sulmet ajrore, nga raketat e lëshuara gabimisht nga militantët, janë djegur nga shpërthimet dhe janë shtypur nga rrëzimi i ndërtesave, tha ministria. Po ashtu, sipas kësaj ministrie, në mesin e viktimave ka të porsalindur dhe fëmijë të vegjël.

    Pothuajse gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Rripin e Gazës janë nën moshën 18-vjeçare dhe fëmijët përbëjnë 40 për qind të personave që janë vrarë deri më tani gjatë luftës. Sipas analizës që AP i ka bërë të dhënave të publikuara javën e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, deri më 26 tetor, 2.001 fëmijë të moshës 12 vjeç dhe më poshtë ishin vrarë, përfshirë edhe 615 fëmijë që ishin 3 vjeç apo më të vegjël.

    “Kur shtëpitë shkatërrohen, ato shemben në kokat e fëmijëve”, tha të mërkurën shkrimtari Adam al-Madhoun, teksa po qëndronte në një spital në Gazë me vajzën e tij katërvjeçare. Ajo i mbijetoi një sulmi ajror, në të cilin iu këput krahu i djathtë, iu shtyp këmba e majtë dhe pësoi çarje të kafkës.

    Izraeli tha se sulmet ajrore shënjestrojnë caqet e militantëve të Hamasit dhe infrastrukturën dhe ka akuzuar grupin se po përdor civilët si mburoja njerëzore. Po ashtu tha se mbi 500 raketa të militantëve, gabimisht kanë goditur caqe në Gazë, duke vrarë një numër të panjohur të palestinezëve.

    Sipas Save të Children më shumë fëmijë janë vrarë gjatë tre javëve në Gazë sesa në të gjitha konfliktet në mbarë botën në tre vjetët e fundit. Për shembull, sipas kësaj organizate, 2.985 fëmijë janë vrarë në dhjetëra zona të konfliktit gjatë vitit të kaluar.

    “Gaza është shndërruar në varrezë për mijëra fëmijë”, tha James Elder, zëdhënës i UNICEF-it, agjencisë për fëmijë të Kombeve të Bashkuara.

    “Është mallkim të jesh prind në Gazë”, tha Ahmed Modawikh, nga qyteti i Gazës, jeta e të cilit është shkatërruar pasi vajza e tij 8-vjeçare u vra gjatë luftimeve pesëditore në muajin maj.

    Edhe fëmijë izraelitë janë vrarë. Gjatë sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor në qytetet jugore izraelite – sulm që nxiti luftën – sulmuesit vranë mbi 1.400 persona. Në mesin e viktimave kishte edhe foshnja dhe fëmijë të vegjël, kanë thënë zyrtarët izraelitë, edhe pse nuk kanë ofruar shifra të sakta. Afër 30 fëmijë po ashtu janë në mesin e 240 pengjeve që i ka marrë Hamasi.

    Përderisa sulmet ajrore izraelite po godasin Gazën, fëmijët palestinezë së bashku me familjarët e tyre po fshihen në banesa apo në strehimore që udhëhiqen nga OKB-ja. Edhe pse Izraeli u ka kërkuar palestinezëve që të largohen nga veriu për në jug të Gazës, asnjë vend në këtë territor duket se nuk është i sigurt nga sulmet ajrore.

    Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave në Gazë, që tashmë ka arritur në mbi 8.800, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka argumentuar se grupi militant operon nga lagjet ku jetojnë civilët. Por, palestinezët kanë thënë se numri i lartë i viktimave është dëshmi se sulmet izraelite janë pa dallim.

    Sipas mjekëve, si pasojë e luftës, mbi 7.000 fëmijë palestinezë janë plagosur./REL/