ATV

Blog

  • Dehari: Prokurorët janë të manipuluar, tentuan ta fshihnin vrasjen e Astritit

    Dehari: Prokurorët janë të manipuluar, tentuan ta fshihnin vrasjen e Astritit

    Sot janë bërë 7 vjet nga vrasja e Astrit Deharit, andaj sot nga ora 12:00 dhjetëra qytetarë protestuan përballë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, për siç thanë ata, shkaku i neglizhencës së Prokurorisë, në hetimin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje. 

    I pranishëm në këtë protestë ishte edhe babai i Astritit, Avni Dehari, i cili fajësoi prokurorët e rastit, duke thënë se të njëjtit janë të manipuluar, derisa shtoi se arrestimi i Astritit asokohe ishte i inskenuar, për qëllime politike.

    “Po bahen 7 vite që ne si familje dhe e gjithë shoqëria po kërkojmë drejtësi për vrasjen e Astrit, në burgun e Prizrenit. Arrestimi i Astritit, ishte një arrestim i inskenuar i politikës së kohës së atëhershme, për qëllime politike dhe jo për veprën që ishte kryer, sepse të gjithë shokët e Astriti ishin shpallur të pafajshëm… Vet fakti që 7 vite nuk u zbardh rasti, flet shumë së është një drejtësi e manipuluar nga vet prokurorët, si prokurori Sylë Hoxha për 2 vite me radhë e keqtrajtoi këtë rast derisa poli në pension e po ashtu në ditët e para ende pa përfunduar analizat e duhura, u përpoq ta mbledhë vdekjen e Astriti si vetëvrasje dhe siç po duket edhe pasuesi i tij Afrim Shefkiu po vazhdon të manipuloj me këtë rast njëjtë”, tha ai.

    Tutje edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha se ende nuk dihen arsyet se pse nuk po jepen informata se çfarë po ndodh me këtë rast.

    “Deri më tani prokuroria nuk e ka përfunduar rasti ashtu siç kërkohet. I ka të gjitha provat që Dehari u ra mirëpo ne nuk i dimë arsyet por besojmë që nuk janë arsye ligjore se për çfarë arsye prokuroria deri më tani nuk ka nxjerrë së paku një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në këtë rast, në zbulimin e emrave të vrasësve të Deharit, emrat e atyre që nxiten vrasjen e tij. Ne e dimë që një dëshmitar i cili ka qenë në dhomë me Astrit Dehari ka vdekur në rrethana të pasqaruara është vrarë. Nuk po e dimë se cila është arsyeja pse nuk po jepet informata se çfarë po ndodhë me këtë rast”, tha Gashi.

    Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016. Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqini videon e mëposhtme:

  • “Termokos”, 5 milionë euro për zgjerim të rrjetit, kyçet edhe kazerma “Adem Jashari”

    “Termokos”, 5 milionë euro për zgjerim të rrjetit, kyçet edhe kazerma “Adem Jashari”

    Kuvendi Komunal i Prishtinës me shumicë votash ka vendosur dje t’i ndajë për NP “Termokos” 5 milionë euro.

    Në komunikatë thuhet se kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Osmani duke falënderuar këshilltarët komunal, e në veçanti kryetarin, Përparim Rama, e ka cilësuar si një lajm të jashtëzakonshëm përkrahjen e pakursyer të Kuvendit Komunal për ndërmarrjen.

    “Me këto mjete në rrjetin e ngrohjes do të kyçen 129 objekte, me një sipërfaqe prej mbi 700 mijë m/2, ndërsa ndër të parat ngrohje do të përfitojë kazerma “Adem Jashari”, pastaj kompleksi i “Banesave të bardha”, ndërtesa në “Lakrishte”, shkolla, xhami etj”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu thuhet se në saje të mbështetjes së vazhdueshme të Komunës së Prishtinës, donatorëve ndërkombëtar dhe fondeve vetanake, NP “Termokos” është duke e zgjeruar në vazhdimësi rrjetin dhe duke ofruar shërbimet e ngrohjes për mijëra qytetarë të kryeqytetit.

  • Haki Abazi shpërndan foto të Kurtit si “palaço” në Kuvend, gjatë kohës sa ai po raporton

    Haki Abazi shpërndan foto të Kurtit si “palaço” në Kuvend, gjatë kohës sa ai po raporton

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tash deputet i pavarur, Haki Abazi, ka vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës fotografi të kryeministrit Albin Kurti si “palaço”, gjatë kohës sa i njëjti po raporton lidhur me takimin e fundit në Bruksel rreth dialogut Kosovë-Serbi.

    Poshtë fotografisë së Kurtit, në fotot që ka shpërndarë Abazi shkruan “Zajednica”.

    Ndërkohë, Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me deputetin Pal Lekaj kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës me disa lule të kuqe të cilët i kanë shpërndarë për deputetët e ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

  • Kurti: Draft-statuti për Asociacion parasheh të shikohet nga Gjykata Kushtetuese pas nënshkrimit

    Kurti: Draft-statuti për Asociacion parasheh të shikohet nga Gjykata Kushtetuese pas nënshkrimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka raportuar në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në dialog. Kurti para deputetëve tha se me marrjen e pushtetit ka deklaruar se do të kenë qasje të re në dialog, raporton Ekonomia Online. Kurti tutje deklaroi se ka kërkuar më shumë siguri në kufirin Kosovë-Serbi. 

    “Sundimi i ligjit do të vazhdojë pavarësisht dialogut. Dy vite dialog kanë sjellë një marrëveshje, është ajo marrëveshja e Brukselit. Marrëveshja siç është thënë, është marrëveshje për njohje de-facto nga Serbia. Ky është rezultati i dy viteve dialog”.

    “Marrëveshja bazike në gjashtë rreshtat e ka njohjen de-facto nga Serbia. 5 nenet tjera janë përfituese për të dyja palët. Qëndrimi i Qeverisë ka qenë dhe mbetet të zbatimi i plotë i marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel. Në tetor kemi pritur emisarët, të cilët sollën planin për ecjen përpara”.

    “Ne e kemi mbështetur planin e ri. Kur kemi marrë qeverinë kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog. Draft-propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës menjëherë pas nënshkrimit”, tha ai.

    Tutje, kryeministri tha se drafti i Asociacionit “qartazi nuk është “Zajednicë”.

    “E para, kjo qartazi nuk është Zajednicë, siç e parashihin marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme. E dyta, drafti në vlerësimin tim politik, e bën të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter bashkëpunues. E treta, drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’ua projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës”, tha Kurti.

  • Seanca e raportimit të Kurtit për “Zajednicën”, AAK shpërndan lule të kuqe për VV-në

    Seanca e raportimit të Kurtit për “Zajednicën”, AAK shpërndan lule të kuqe për VV-në

    Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me deputetin Pal Lekaj kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës me disa lule të kuqe të cilët i kanë shpërndarë për deputetët e ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Deputeti Pal Lekaj është parë teksa ia dërgon një edhe shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Ky aksion simbolik i AAK-së vjen pak para fillimit të raportimit të Kurtit për dialogun dhe Asociacionin.

  • Muja me djalin në Kuvend, aktivistët e PSD-së e “dekorojnë” me medaljen “Deputet i Zajednicës”

    Muja me djalin në Kuvend, aktivistët e PSD-së e “dekorojnë” me medaljen “Deputet i Zajednicës”

    PSD gjatë ditës së sotme ka mbajtur një aksion simbolik para Kuvendit të Republikes së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Derisa deputeti i VV-së, Armend Muja po vinte me djalin e tij në Kuvend, aktivistët e kësaj partie e kanë “dekoruar” me “medaljen” “Regjimi i Zajdenicës”, siç kanë thënë ata si shenjë falënderimi për punën e bërë në themelimin e Asociacionit.

    “Sot është seanca e Zajdenicës, fillimisht edhe deputet janë të Zajdenicës. Po ua japim nga një medalje për punën që e kanë bërë për themelimin e kësaj Zajdnicës”, kanë thënë PSD.

  • OKB me apel urgjent, kërkon 1.2 miliard dollarë për të ndihmuar palestinezët

    OKB me apel urgjent, kërkon 1.2 miliard dollarë për të ndihmuar palestinezët

    OKB-ja ka nisur një apel për ndihmë urgjente duke kërkuar 1.2 miliard dollarë për të ndihmuar rreth 2.7 milionë njerëz në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

    “Kostoja e plotësimit të nevojave të 2.7 milionë njerëzve – që është e gjithë popullsia e Gazës dhe 500,000 njerëzve në Bregun Perëndimor të pushtuar – vlerësohet të jetë 1.2 miliardë dollarë”, tha Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

    OCHA fillimisht kishte kërkuar 294 milionë dollarë ndihmë për të mbështetur afro 1.3 milion njerëz në një apel më 12 tetor.

    “Situata është bërë gjithnjë e më e dëshpëruar që atëherë”, tha ai.

    OCHA tha se apeli i ri do të flasë për nevojën për ushqim, ujë, kujdes shëndetësor, strehim, higjienë dhe prioritete të tjera urgjente pas bombardimeve masive në Rripin e Gazës.

    “Ne i nxisim donatorët që të vënë menjëherë burimet në dispozicion për përgjigje”, shtoi ai.

    “Aftësia jonë për të lehtësuar vuajtjet e popullatës palestineze do të varet nga financimi adekuat; qasje të sigurt dhe të qëndrueshme për të gjithë njerëzit në nevojë, kudo që ndodhen; rrjedhje e mjaftueshme e furnizimeve humanitare; dhe – më e rëndësishmja – karburant”.

  • ​Loxha kalon në raundin e dytë të Evropianit të xhudos, rivalja e radhës nga Serbia

    ​Loxha kalon në raundin e dytë të Evropianit të xhudos, rivalja e radhës nga Serbia

    Xhudistja jonë, Flaka Loxha e ka nisur në mënyrën më të mirë Kampionatin Evropian të xhudos për senior.

    Në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogramë, Loxha e mposhti në raundin e parë të kësaj gare xhudisten bullgare, Ivelina Ilieva, raporton KosovaPress.

    Tani, në raundin e dytë Loxha do të përballet me xhudisten serbe, Marica Perisic.

  • Konjufca takohet me raportuesen e KiE, Dora Bakoyannis

    Konjufca takohet me raportuesen e KiE, Dora Bakoyannis

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, raporton Ekonomia Online.

    Të enjten ajo është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

  • Suedia projekton rrugën që do t’i mbushë veturat elektrike

    Suedia projekton rrugën që do t’i mbushë veturat elektrike

    Suedia po ndërton rrugën e parë në botë që do të mbushë automjetet elektrike ndërsa ato janë në lëvizje.

    Shteti ka realizuar tashmë katër pilot-projekte, duke ndërtuar katër rrugë të përkohshme të elektrizuara. Por seksioni rrugor prej 21 km do të jetë i përhershëm.

    Rruga e elektrizuar po ndërtohet nga autoriteti suedez i transportit ‘Trafikverket’, i cili aktualisht po punon për të gjetur kontraktor për projektin. Trafikverket nuk e ka përzgjedhur ende teknologjinë e mbushjes për projektin novator, por projektimi dhe ndërtimi pritet të përfundojnë në vitin 2025, me rrugën që do të hapet menjëherë pas kësaj.

    ‘Trafikverket’ po shqyrton tre opsione, instalime ajrore, shina elektrike në sipërfaqen e asfaltit që transmetojnë energjinë EV përmes një përcjellësi nën veturë, ose bobina induktive të vendosura në rrugë që transmetojnë energji elektrike me valë në automjet.

    Rruga e elektrizuar do të jetë në autostradën midis Halsbergut dhe Orebros. Autostrada shtrihet midis Stokholmit në veri, nëpërmjet Goteborgut dhe Malmos në jug – dhe u zgjodh me qëllim sepse është një korridor trafiku për transportin tregtar të mallrave. Ka edhe furnizimin me energji elektrike te nevojshme.

    Universiteti i Teknologjisë, Chalmers, publikoi një studim në mars duke sugjeruar se një kombinim i rrugëve të elektrizuara në 25 për qind të rrugëve më të ngarkuara dhe karikimi në shtëpi i automjeteve elektrike do të ishte optimale për kalimin në automjete elektrike.
    Shkencëtarët pohojnë se atëherë bateritë në automjetet elektrike mund të jenë dukshëm më të vogla./ATVLIVE.TV/