ATV

Blog

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, KFOR-i dhe FSK-ja deminojnë një granatë

    Vrasje në tentativë në Podujevë, KFOR-i dhe FSK-ja deminojnë një granatë

    Policia e Kosovës njofton se një person dje (e enjte) në Podujevë ka raportuar se persona të panjohur kanë shtënë me armë dhe janë larguar me shpejtësi me një veturë në drejtim të panjohur.

    Policia këtë rast e ka cilësuar vrasje në tentativë dhe kanë bërë të ditur se njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pesë gëzhoja të armës, po ashtu një granatë dore me siguresë është gjetur në rrugë, me ç’rast njësitet për deminim nga KFOR dhe FSK kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente.

    “Podujevë 09.11.2023-02:08. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur pasi kanë shtënë me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi me një veturë në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pesë (5) gëzhoja të armës, po ashtu një granatë dore me siguresë është gjetur në rrugë, me ç’rast njësitet për deminim nga KFOR dhe FSK kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente. Në konsultim me prokurorin, rasti është kualifikuar si më lartë dhe ndodhet në proces hetimor”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Vrasja në Dujakë të Gjakovës, bashkëshortja e të ndjerit thotë se familja e të akuzuarit vendosi pa leje kabllon elektrike

    Vrasja në Dujakë të Gjakovës, bashkëshortja e të ndjerit thotë se familja e të akuzuarit vendosi pa leje kabllon elektrike

    Dëshmitarja Erjeta Juniku, gruaja e të ndjerit M.J, ka thënë se në shtëpinë e tyre në bjeshkë, familja e të pandehurit e kishte lidhur një kabllo të rrymës pa lejen e të ndjerit.

    Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj ia kishte këputur kabllon dhe i kishte paralajmëruar vëllezërit e tij që të bisedojnë me vëllezërit e të pandehurit që të mos kenë probleme.

    Këtë deklarim dëshmitarja Juniku e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Shpejtim Knushi, i cili ka ngarkohet se vrarë M.J., pas një mosmarrëveshje për heqjen e kabllos elektrike nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitarja ka treguar se në natën kritike ka qenë me vajzën e vogël në shtëpi.

    Më pas tha se ishte njoftuar nga familjarët e bashkëshrotit të saj kur kanë telefonuar të pyesin se çka ka ndodhur.

    Dëshmitarja ka thënë se të ndjerin e kishin dërguar në Gjakove në spital në gjendje të rëndë dhe pastaj e kanë transferuar në Prishtinë, nga plagët e rënda që i ka pësuar.

    Ajo tha se ditën tjetër e kishte takuar në repartin intensive ku ishte në aparatet e oksigjenit, i cili kishte qëndruar një javë dhe më pas ishte transferuar në një repart tjetër.

    Dëshmitarja tha se pas disa trajtimeve e kishin dërguar edhe në Tiranë, ku pas disa ditëve aty ka ndërruar jetë.

    Në fjalën hyrëse prokurorja Ardita Beqiraj deklaroi se për tu vërtetuar gjendja faktike e veprës penale gjatë shqyrtimit gjyqësor do të procedohen dëshmitarët, bashkëshortja e të ndjerit vëllai i këtij të fundit ku do të tregojnë raportet në mes të ndjerit dhe të pandehurit.

    Gjithashtu, prokurorja Beqiraj tha se do të administrohen provat materiale të cekura në aktakuzë, por me theks të veçante tha se CD-ja me video-incizim ku shihen veprimet e të pandehurit, ekspertiza mjekoligjore, shkaku i vdekjes, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe deklarata e tani të ndjerit M.J., do të vërtetojnë qëllimet dhe motivin e kryerjes së veprës penale.

    Tutje, përfaqësuesi i të dëmtuarve avokati Berat Vokshi, tha se provat që do të administrohen do të jenë të pa kontestueshme për vërtetimin e gjendjes së drejtë dhe faktike, ku përgjatë shqyrtimit do të dëgjohen dëshmitarët në bazë të të cilëve do të argumentohen rrethanat se si ka ndodhur rasti ditën kritike, këmbëngulja e të akuzuarit për realizimin e veprës penale, ashtu edhe në bazë të provave materiale, aktekspertimeve mjekoligjore, tha se do të vërtetohet veprimi kundërligjor.

    Avokati Vokshi tha se nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe administrimit të provave do të ketë edhe ricilësim të veprës penale dhe atë nga vrasje në vrasje të rëndë.

    Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Knushi, avokati Ndrec Dodaj, në fjalën hyrëse deklaroi se nëse shihen provat dhe faktet brenda aktakuzës në raport me gjendjen e provave do të rezulton se kanë të bëjnë me një aktakuzë sipërfaqësore për faktin se elementet kryesorë të veprës penale nuk do të vërtetohen.

    Sipas tij, ka shumë fakte notore nga aktakuza që i vërteton vet i pandehuri siç janë takimi i ditës kritike, koha dhe vendi ku janë takuar me viktimën si ka shkrepur me armë, si dhe faktet tjera përcjellëse.

    Në cilësi të dëshmitarit kishte për t’u dëgjuar edhe i dëmtuari Osman Juniku, mirëpo përfaqësuesi i tij, deklaroi se nuk ka mundur të vijë në shqyrtim gjyqësor për arsye shëndetësore dhe se jeton jashtë shtetit.

    Më pas seanca u ndërprerë dhe pritet të vazhdojë me dëgjimin e të dëmtuarit dëshmitarit Osman Juniku, për datën 13 dhjetor të këtij viti në ora 10:00.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, me 15 qershor 2023, po e ngarkon të pandehurin Shpejtim Knushi, që me 4 korrik 2022, rreth orës 21:20 min, në fshatin Dujakë Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.

    Sipas aktakuzës, shkaku u vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kabllo elektrikë nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë.

    Pas fjalosjes mes vete në një moment i pandehuri kishte nxjerr nga brevzi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 shtënë fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.

    Për këto ai ngarkohet për veprën penale të “vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

  • Netanyahu hedh poshtë pretendimet e Shtëpisë së Bardhë: Nuk ka pauza disa orëshe ditore

    Netanyahu hedh poshtë pretendimet e Shtëpisë së Bardhë: Nuk ka pauza disa orëshe ditore

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka dhënë një intervistë tjetër për median amerikane, në të cilën ka hedhur poshtë pretendimet e Shtëpisë së Bardhë se Izraeli do të pauzonte katër orë në ditë luftën.

    Ka pasuar shumë konfuzion natën e kaluar pas raportimeve të ndryshme të zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë rreth asaj se a do të ketë pauza disa orëshe të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza.

    Kur u pyet nga Fox News në lidhje me këtë çështje, lideri izraelit ka sqaruar se “jo, lufta vazhdon kundër armikut Hamas… por në vende të caktuara për një periudhë të caktuar – disa orë këtu, disa orë atje – ne dëshirojmë të lehtësojmë një kalim të sigurt të qytetarëve larg zonës së luftës”.

    Ai nuk e tha në mënyrë eksplicite, por ka të ngjarë t’i referohej rrugës Salah al Din, të cilën Izraeli e ka hapur si një “korridor humanitar” disa herë gjatë kësaj jave, për të lejuar qytetarët e Gazës të largohen nga jugu.

    Netanyahu tha gjithashtu se nuk kishte një plan kohor për luftën, por se ajo do të përfundonte pasi të mposhtet Hamasi.

    Kryeministri e bëri të qartë se megjithëse Izraeli nuk kishte ndërmend të pushtonte apo qeveriste Gazën, ai parashikonte një territor të riformuar rrënjësisht dhe një rajon më të gjerë.

    “Ne nuk duam të kërkojmë të qeverisim Gazën, nuk kërkojmë të pushtojmë, por kërkojmë t’i japim asaj dhe neve një të ardhme më të mirë në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha ai.

  • Shkencëtarët zbuluan ‘virusin vampir’, ky fenomen s’ishte i njohur deri tash

    Shkencëtarët zbuluan ‘virusin vampir’, ky fenomen s’ishte i njohur deri tash

    Ky fenomen i pazakontë u zbulua në një grup bakteriofagësh satelitorë që sulmojnë specien bakteriale Streptomyces.

    Disa lloje të entiteteve virale, të njohura si “elemente gjenetike të lëvizshme” (MGE), mund të konsiderohen si format më të thjeshta të jetës. Midis tyre janë “acidet nukleike satelitore”, të cilat janë pothuajse minimale.

    Këto MGE nuk përmbajnë informacion për prodhimin e elementeve kyçe siç është kapsula, kështu që varen nga viruse të tjera për të prodhuar pajisjet e tyre.

    Megjithatë, hulumtimi i kryer nga një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Maryland në Baltimor, SHBA, zbulon se këto MGE sillen si “parazitë” ose “vampirë” të vërtetë.

    Gjatë infektimit të një popullate qelizash bakteriale, shkencëtarët vunë re se acidet nukleike satelitore fjalë për fjalë “bashkohen” me viruse të tjera që i ndihmojnë ata.

    Ky fenomen nuk ishte i njohur deri atëherë, gjë që është një zbulim befasues për studiuesit.

    “Askush nuk ka parë ndonjëherë një bakterofag – ose ndonjë virus tjetër – të ngjitet me një virus tjetër,” tha biologu Tagide deCarvalho, autori kryesor i studimit.

    Ky fenomen i pazakontë u zbulua në një grup bakteriofagësh satelitorë që sulmojnë specien bakteriale Streptomyces.

    Ndryshe nga disa bakteriofagë të tjerë satelitorë, këta mund të krijojnë në mënyrë të pavarur “pajisjet” e tyre. Megjithatë, për shkak se atyre u mungon një mjet specifik për të thyer muret dhe membranat qelizore, ata duhet të mbështeten në viruse të tjera për të kryer këtë funksion, raporton Science Alert.

  • A do të takohen Kurti e Vuçiq në Forumin e Paqes, i cili fillon sot në Paris?

    A do të takohen Kurti e Vuçiq në Forumin e Paqes, i cili fillon sot në Paris?

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po qëndrojnë në Paris, ku sot do të fillojë Forumi i Paqes në Paris, me rastin e Ditës së Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

    Siç mëson ATV, Vuçiq dhe Kurti do të kenë takime të rëndësishme me përfaqësues të vendeve evropiane në margjinat e takimit, të cilat do të jenë sërish një mundësi për t’u thënë atyre se duhet të ndërmarrin hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmbushjes së detyrimeve nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars.

    Ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nëse do të ketë ndonjë takim mes tyre, apo nëse takimet do t’i zhvillojnë individualisht vetëm e përfaqësues të vendeve të BE-së.

    Kryeredaktori i ATV-së, Leart Hoxha, po qëndron në Paris për të përcjellë nga afër ngjarjet që do të zhvillohen në këtë forum, ku gjatë ditës do të ketë edhe lidhje të drejtpërdrejta për të dhënë detaje e fundit që do të pasojnë nga takimet e përfaqësuesve të BE-së me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkohë, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien po ashtu do të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ku pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    O’Brien do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski.

    Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të mërkurën doli në një konferencë për media, ku foli për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështjen që po shihet si pikë e nxehtë e këtij procesi, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për çka tashmë është propozuar një draft statut, që sipas SHBA-së përmbush të gjitha kriteret që i parashohin ata.

    Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

    Hovenier është pyetur edhe nëse ekzistojnë afate kohore për zbatim të këtij draft-statuti.

    Ai ka thënë se duhet vlerësuar angazhimin e madh të zyrtarëve më të lartë të vendeve evropiane për këtë proces, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

    “Ata i përdorin shprehjet ‘urgjente’, ‘sa më shpejt që është e mundur’, e të ngjashme. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Kryeministri ka thënë se ka gatishmëri që ta pranojë në tërësi, javë më parë. Edhe ne po punojmë që kjo gjë të bëhet në kuadër të strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Këtë dëshirojmë ta shohim”, ka thënë mes tjerash Hovenier.

  • ​Punët që ofrojnë më së shumti siguri momentalisht

    ​Punët që ofrojnë më së shumti siguri momentalisht

    Viti 2023 është konsideruar si viti kur ekonomia ka hyrë në një recesion, me rritje të ngadalësuar të vendeve të punës, inflacion më të lartë dhe rritje të normave të interesit. Shumë kompani kanë filluar të largojnë një numër të madh punëtorësh nga puna. Siguria e punës është më e rëndësishme tani se kurrë.

    US News rendit sigurinë e punës bazuar në nivelin aktual të kënaqësisë së punëdhënësit, nivelin e stresit dhe balancën punë-jetë. Ne Në këtë listim është i përfshirë edhe potenciali për rritje të vendeve të punës në këtë pozicion gjatë 10 viteve të ardhshme.

    AkademiPune ju liston disa nga profesionet që përfshijnë disa nga karrierat më të qëndrueshme të këtij viti.

    Terapistët e frymëmarrjes – janë të kërkuar në spitale, zyra mjekësh dhe klinika për të ndihmuar të moshuarit që kanë probleme me frymëmarrjen. Terapistët e frymëmarrjes trajtojnë kushtet që lidhen me ndotjen e ajrit, pirjen e duhanit ose urgjencat shëndetësore. Rreth 13.6% më shumë vende pune për terapist të frymëmarrjes janë parashikuar për vitin 2021-2031.

    Zhvilluesit e web-it – Mundësitë e punësimit për zhvilluesit e uebit dhe dizajnerët dixhitalë pritet të rriten së bashku me mundësitë e tregtisë elektronike. Zhvilluesit e uebit dhe dizajnerët dixhitalë janë gjithashtu të kërkuar për të siguruar që faqet e internetit t’u përmbahen praktikave më të mira të uebit për shikimin e përmbajtjes në pajisjet celulare dhe ekranet më të vegjël. Rritja e parashikuar e punësimit është 30% nga 2021 në 2031.

    Epidemiolog/Shkencëtar Mjekësor – Kërkesa për epidemiologë është rritur me pandeminë COVID-19 dhe do të vazhdojë të rritet me zbulimin e sëmundjeve të reja. Do të nevojiten epidemiologë për të hulumtuar trajtimet. Shumë nga këto vende pune janë të disponueshme në nivel shtetëror dhe në qeveritë lokale. Ka gjithashtu kërkesë në rritje për shkencëtarë mjekësorë që ofrojnë shumë shërbime të kujdesit shëndetësor ndërsa njerëzit plaken dhe kanë nevojë për trajtim për sëmundje kronike si kanceri. Shkencëtarët mjekësorë janë gjithashtu të nevojshëm për të hulumtuar tendencat shëndetësore pasi më shumë njerëz udhëtojnë dhe sëmundjet përhapen ndërkombëtarisht. Punët për epidemiologët dhe shkencëtarët mjekësorë parashikohen të rriten 25.8% nga 2021 deri në vitin 2031.

    Analist financiar – Punët e analistëve financiarë janë të kërkuara nga kompanitë që kërkojnë të përmirësojnë financat e tyre dhe të menaxhojnë investimet e tyre me analiza të cilësisë së lartë. Punësimi për analistët financiarë parashikohet të rritet me 9.3% gjatë dekadës së ardhshme, që është më shpejt se mesatarja për të gjitha profesionet.

    Teknik i Shkencës dhe Mbrojtjes së Mjedisit – Meqë shqetësimet për mjedisin po rriten si brenda ashtu edhe jashtë vendit, bizneset dhe qeveritë kanë nevojë për teknikë të shkencës dhe mbrojtjes mjedisore për të monitoruar ndikimin e njeriut në mjedis dhe për të siguruar përputhjen me rregulloret. Punët e teknikëve të shkencës dhe mbrojtjes së mjedisit duhet të rriten me 2,100 gjatë 10 viteve të ardhshme.

    Psikologët e shkollës – Derisa shkollat vazhdojnë të lidhin shëndetin mendor së bashku me mësimin, psikologët shkollorë do të nevojiten për të ndihmuar studentët me çështje që mund të ndikojnë në përvojat e tyre në klasë. Psikologët e shkollës mbështesin studentët që mund të kenë probleme të sjelljes, zhvillimit ose edukimit. Në këtë profesion priet një rritje e punës prej 5.5% për psikologët e shkollave nga 2021 deri në 2033

    Veterinarët – Kërkesa për veterinerë duhet të rritet së bashku me plakjen kafshëve shtëpiake dhe shpenzimet e lidhura me kafshët shtëpiake. Veterinerët vazhdojnë të ofrojnë shërbime më të avancuara për kafshët shtëpiake si dhe trajtime të komplikuara mjekësore. Sipas Trackerit të Industrisë Veterinare nga Shoqata Amerikane e Mjekësisë Veterinare, të dhënat e nëntorit 2022 tregojnë një rënie të vogël prej 2.6% në vizitat veterinare dhe një rritje prej 5.7% të të ardhurat.

    Fizioterapeutët – Fizioterapeutet janë të kërkuar për të ndihmuar në ofrimin e kujdesit rehabilitues për të moshuarit që qëndrojnë aktivë dhe punësimi i tyre parashikohet të rritet me 17% nga 2021 në 2031. Terapistët fizikë ofrojnë gjithashtu mbështetje për pacientët që kanë probleme kronike dhe duhet të qëndrojnë të lëvizshëm .Ata gjithashtu vazhdojnë të ndihmojnë në trajtimin e një numri në rritje të pacientëve që kanë pasur ndërhyrje kirurgjike.

    Stomatologët – Kërkesa për stomatologë pritet të rritet me 6.1% nga viti 2021 deri në vitin 2031. Kjo është një rritje e parashikuar prej 7,700 vendesh pune gjatë dekadës. Stomatologjia është një profesion i qëndrueshëm me paga të larta dhe me kërkesa të vazhdueshme.

  • Kryeministri Kurti në Francë do të takohet me James O’Brien

    Kryeministri Kurti në Francë do të takohet me James O’Brien

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur së Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien do të udhëtojë për Francë dhe Belgjikë, nga 9 deri më 14 nëntor 2023.

    Në komunikatë është bërë e ditur se në Paris do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris e ku do të takohet edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    O’Brien gjithashtu do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Në këto takimet do të diskutohet për çështjet rajonale dhe raportet bilaterale.

    Kryeministri Kurti në Francë do të takohet me James O’Brien

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur së Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien do të udhëtojë për Francë dhe Belgjikë, nga 9 deri më 14 nëntor 2023.

    Në komunikatë është bërë e ditur se në Paris do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris e ku do të takohet edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    O’Brien gjithashtu do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Në këto takimet do të diskutohet për çështjet rajonale dhe raportet bilaterale

    “Ndërsa në Paris, ai do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris dhe do të takohet me drejtorin politik francez Frederic Mondoloni dhe zyrtarë të tjerë francezë për të diskutuar sfidat rajonale dhe globale. Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet gjithashtu me liderët evropianë, duke përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin armen Pashinyan, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, presidentin malazez Milatovic dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovachevski për të diskutuar çështjet rajonale dhe dypalëshe”, thuhet në komunikatën e DASH.

    Ndërkohë Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet me Shefin e Stafit të Kryeministrit belg Peter Moors për të diskutuar mbjatjen përgjegjëse të Rusisë për luftën e saj të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës. Ai do të takohet gjithashtu me zyrtarë të BE-së dhe NATO-s.

  • Policia jep detaje për sulmin ndaj u.d. Drejtorit të Minierës së Trepçës

    Policia jep detaje për sulmin ndaj u.d. Drejtorit të Minierës së Trepçës

    Është sulmuar dje fizikisht ushtruesi i Detyrës i Drejtorit të Minierës së Trepçës, Bahri Karaça, në zyrën e tij.

    Viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Stantërg 09.11.2023-11:05. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti, për motive të panjohura ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Gjuriq ankohet për njohjen e Kosovës nga Izraeli, me frazat e vjetra të Millosheviqit

    Gjuriq ankohet për njohjen e Kosovës nga Izraeli, me frazat e vjetra të Millosheviqit

    Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, në një intervistë për “Jerusalem Post” ka përsëritur frazën e vjetër të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, se Kosova është “djepi i shtetësisë, shpirtërores, kulturës dhe identitetit të Serbisë” dhe se njohja e pavarësisë së saj nga Izraeli ishte një goditje e rëndë për marrëdhëniet serbo-izraelite.

    “Njohja e “të ashtuquajturës” Kosovë nga qeveria izraelite ishte, pa asnjë dyshim, goditja më e rëndësishme për marrëdhëniet serbo-izraelite në 75 vjetët e fundit”, ka pretenduar Gjuriq.

    Ai ka thënë se “Kosova është tokë e shenjtë për serbët, jo vetëm 13 për qind e territorit sovran, por djep i shtetësisë, shpirtërores, kulturës dhe identitetit të Serbisë”.

    Ai ka pretenduar se “Kosova konsiderohet si pjesë e Serbisë nga Kombet e Bashkuara dhe 110 shtete të botës, ku gjithsej 79.8 për qind e popullsisë e mbështesin qëndrimin e Serbisë për statusin e Kosovës”.

    “Në tre vjetët e fundit, 27 shtete “e kanë revokuar apo ngrirë” njohjen e Kosovës, për të lehtësuar zgjidhjen përmes dialogut. Izraeli ishte i vetmi njohës i ri. Marrëdhëniet dypalëshe pësuan një goditje të rëndë. Por, marrëdhëniet mes serbëve dhe hebrenjve janë aq të forta dhe të bazuara, saqë me krenari mund të them se ne po vazhdojmë t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në shumë sfera dhe jam i bindur se këtë do ta bëjmë me një ritëm edhe më të madh”, ka pretenduar Gjuriq.

  • “Nuk ka autonomi”, ShBA: Kushtetuesja rishikon draft statutin e AKSH-së

    “Nuk ka autonomi”, ShBA: Kushtetuesja rishikon draft statutin e AKSH-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se draft-statuti i Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, që i është prezantuar Qeverisë muajin e kaluar, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

    Pasi përmendi përfshirjen e SHBA-së, ambasadori Jeffrey Hovenier tha se fjalën përfundimtare për draft-statutin do të japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Është përgatitur në mënyrë që respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Dhe më lejoni t’ju kujtoj qëndrimin e SHBA-së se çfarë duhet të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, asnjë ndryshim kushtetues nuk duhet të kërkohet; duhet të jetë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive; nuk duhet të jetë një shtresë e re e qeverisjes; duhet të jetë në përputhje me pikë-vështrimin e dhënë, në Janar, nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe zëvendës-ndihmës-sekretari Gabriel Escobar. Ne besojmë se ky draft-statut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës, i përmbush këto kritere”, tha Hovenier.

    Duke folur për afatet kohore dhe rëndësinë e zbatimit, ambasadori iu referua deklaratës së përbashkët të Kancelarit të Gjermanisë, Presidentit të Francës dhe Kryeministres së Italisë.

    “Ata përdorin gjuhë si, “urgjente”, “sa më parë të jetë e mundur”, pra ka një urgjencë, ka një dëshirë për ta parë atë të lëvizë shpejt dhe kjo tani është pjesë e bisedave tona me Qeverinë. Nuk ka arsye që Qeveria e Kosovës të mos lëvizë përpara me këtë draft-statut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi, vetëm disa javë më parë. Ne po punojmë që ta shohim të kryer si një element të strategjisë tonë më të gjerë. Kjo nuk është vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk mund të jetë. Është për arritjen zbatim të plotë dhe në tërësi të të gjitha obligimeve të dialogut, nga të dyja, Kosova dhe Serbia. Marrëveshjen bazike dhe shtojcën e Ohrit. Kjo është ajo që duam të shohim”, tha Hovenier.

    Komentet për kushtetutshmërinë dhe autonominë për serbët, në kohën kur drafti nuk është publik, ai i quajti të pavenda dhe gati histerike.

    “Para së gjithash, jam argëtuar me numrin e njerëzve që kanë interpretuar një draft-statut, të cilin nuk e kanë parë. Ky është një trik mjaft mbresëlënës. Në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë statutin nuk kanë as bazë të mjaftueshme që të japin mendime për këtë draft-statut. SHBA-ja beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës; duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të jetë një shtresë e re e pushtetit; nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk e shoh se si mund të keni autonomi në këto rrethana. Nuk keni!”, tha Hovenier.

    Ambasadori theksoi se draft-statuti nuk po mbahet sekret, por se diskutimet janë duke u zhvilluar në kushte diskrecioni e konfidencialiteti me qëllim të përparimit, dhe se në kohën e duhur ai do të jetë i qasshëm për publikun.