ATV

Blog

  • ​Policia jep detaje për gjetjet mortore në Skenderaj

    ​Policia jep detaje për gjetjet mortore në Skenderaj

    Njësitet e DHKRL-së së bashku me komisionin qeveritar për persona të zhdukur dhe IML-në, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç’ rast në fshatin Prekaz i Poshtëm, kanë gjetur mbetje eshtrave që dyshohet se janë të së paku tre personave, të cilët dyshohet se janë në listën e personave të zhdukur gjatë periudhës së luftës së fundit në vitin 1999.

    Njësitet e angazhuara janë në proces të kryerjes së veprimeve të nevojshme.

  • ​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

    ​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

    Një alarm i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë, ku përmbytjet së fundmi vranë tetë persona.

    Shkollat dhe parqet do të mbyllen sot në Livorno dhe në provincën Massa Carrara.

    Alarmi portokalli është shpallur pasi një valë e re e motit të keq ka mbërritur në Itali, duke prekur kryesisht rajonet qendrore dhe jugore.

    Gjithashtu do të ketë një alarm të verdhë të premten në Kalabri, Sardenja, Abruzzo, Basilicata, Lazio, Molise, Pulia, Siçili, Umbria dhe Campania. /ANSA/.

  • ​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

    ​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se vendi nuk po kërkon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës së tij me Hamasin.

    Benjamin Netanyahu i tha televizionit amerikan Fox News se një “forcë e besueshme” do të ishte e nevojshme për të hyrë në enklavë nëse është e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e kërcënimeve militante.

    “Ne nuk kërkojmë të pushtojmë Gazën, nuk kërkojmë të okupojmë Gazën dhe nuk kërkojmë të qeverisim Gazën,” tha ai, duke shtuar se do të kërkohet një qeveri civile, por se Izraeli gjithashtu do të duhet të sigurojë se një sulm si ai i 7 tetorit, në të cilin Hamasi vrau rreth 1400 njerëz, nuk do të përsëritet më.

    “Pra, ne duhet të kemi një forcë të besueshme që, nëse është e nevojshme, do të hyjë në Gaza dhe do të vrasë vrasësit. Sepse kjo është ajo që do të parandalojë rishfaqjen e një entiteti të ngjashëm me Hamasin”, tha ai. /BBC/

  • ​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

    ​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Paris, dje zhvilloi një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiq dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegonivës, Denis Beciroviq.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, tema qendrore të bisedës ishin Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon.

    “Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina. Kryeministri Kurti, kryetari Komsiq dhe anëtari i Presidencës, Beciroviq gjithashtu diskutuan rreth mundësive dhe potencialin për shtim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë e të arsimit”, thuhet në komunikatë.

  • Kryhet transplanti i parë i syrit të njeriut

    Kryhet transplanti i parë i syrit të njeriut

    Kirurgët në Nju Jork kanë kryer transplantin e parë të syrit te njeriut, një arritje që u cilësuar si një zbulim i madh edhe pse pacienti nuk e ka rifituar shikimin në sy.

    “Fakti që ne kemi transplantuar një sy është një hap i madh përpara, është diçka që është menduar me shekuj, por nuk është bërë kurrë”, tha Eduardo Rodriguez, mjeku që drejtoi ekipin që kreu operacionin, i cili zgjati 21 orë.

    Pacienti është veterani ushtarak i Arkansas, Aaron James, fytyra e të cilit preku një tel të ndezur ndërsa punonte si punonjës i mirëmbajtjes elektrike në Oklahoma në qershor 2021.

    Aksidenti e la atë me djegie të rënda në anën e majtë të fytyrës, duke përfshirë syrin e majtë, hundën dhe buzët dhe dëmtime të shumta në krahun e tij të majtë.

    “Unë do të doja të falënderoja donatorin dhe familjen e donatorit. Pa ata, asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur,” tha James.

    Operacioni për transplantin e pjesshëm të fytyrës dhe të gjithë syrit kërkoi ndihmën e 140 kirurgëve.

    Syri i transplantuar tregon shenja “të jashtëzakonshme” të shëndetit të mirë, por James ende nuk mund të shohë dhe shpreson se me kalimin e kohës shikimi i tij do të kthehet dhe se operacioni inovativ që i është nënshtruar do të ndihmojë në transplantimin e mjekësisë.

    “Është shpresa ime më e madhe. Nëse mund ta shoh do të jetë fantastike. Nëse operacioni hap një rrugë të re në fushën mjekësore, unë jam plotësisht në favor të tij,” tha James për CNN.

  • Izraeli akuzon gazetarët e Gazës se kanë pasur njohuri për sulmin e Hamasit

    Izraeli akuzon gazetarët e Gazës se kanë pasur njohuri për sulmin e Hamasit

    Ministri izraelit për Komunikime, Shlomo Karhi, i ka akuzuar katër gazetarë me bazë në Gazë, që kanë punuar me mediat perëndimore, se kanë pasur informacione për sulmin e Hamasit në Izrael.

    Karhi u ka thënë mediave si Reuters, AP, CNN dhe New York Times se “individë brenda organizatave tuaja kanë pasur njohuri paraprake për këto veprime të tmerrshme”.

    Reuters, AP, CNN dhe New York Times e kanë mohuar një pretendim të tillë.

    New York Times ka thënë se “akuza të tilla të pabaza” i rrezikojnë bashkëpunëtorët e jashtëm.

    Hamasi ka nisur sulme shkatërruese dhe të pashembullta në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë më shumë se 1.400 civilë dhe ushtarë izraelitë, dhe i ka kidnapuar më shumë se 240 persona tjerë.

    Në imazhet e shkrepura prej fotografëve janë parë: një tank i djegur izraelit, palestinezët duke e thyer barrierën në komunitetin Kfar Aza dhe skena tjera të sulmit.

    Karhi ka thënë se sulmet kanë ndodhur në vendin ku kanë qenë prezentë gazetarët “teksa i kanë dokumentuar këto tmerre, dhe kështu janë bërë pjesëmarrës në këto ngjarje të tmerrshme”.

    Ministri izraelit i ka bërë këto deklarata pas sugjerimeve të faqes pro-Izraelit Honest Reporting, se prezenca e gazetarëve mund të ketë qenë “pjesë e planit”.

    Mirëpo katër agjencitë e akuzuara kanë lëshuar deklarata duke thënë se nuk kanë pasur marrëveshje paraprake me asnjërin prej gazetarëve për të dërguar fotografi.

    “Asnjë pjesëtar i stafit të AP-së nuk ka qenë në kufi në kohën e sulmeve dhe asnjë pjesëtar i stafit të AP-së nuk e ka kaluar kufirin në atë kohë”, është thënë në deklaratën e agjencisë.

    “Kur pranojmë fotografi prej bashkëpunëtorëve të jashtëm, ne marrin shumë hapa për ta verifikuar vërtetësinë”.

    Agjencia ka thënë se nuk është duke punuar më me njërin prej gazetarëve, Hassan Eslaiah, i cili është parë në një fotografi me liderin e Gazës, pjesëtarin e Hamasit, Yahya Sinwar.

    Edhe CNN ka thënë se i ka pezulluar të gjitha kontaktet me një tjetër bashkëpunëtor të jashtëm.

    New York Times e ka mbrojtur punën e disa bashkëpunëtorëve të saj për mbulim të luftës, dhe akuzat i ka cilësuar si të pavërteta.

    Edhe Reuters e ka mohuar të ketë pasur dijeni paraprakisht për planet.

    Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve ka thënë se të paktën 39 gazetarë dhe punëtorë mediash janë vrarë prej nisjes së luftës, përfshirë 34 palestinezë, katër izraelitë dhe një libanez./REL/

  • Ja kur pritet të bie bora e parë në Kosovë

    Ja kur pritet të bie bora e parë në Kosovë

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka dhënë parashikimin e motit në Kosovë për ditët në vijim

    Në njoftimin e ASHNA-së, bëhet e ditur se bora e parë në Kosovë në viset e ulëta do të bie në fundin e javës së ardhshme.

    “Pas shiut që ra të mërkurën që lamë pas në sasi mbi mesatare, vendi ynë ditëve në vijim dhe javën që vjen do të përshkohet me riga lokale shiu që do të jenë të shtuara në intenzitet në intervale kohore të shkurtëra, sipërfaqet në nivelet mbi 1200m lartësi mund të mbulohen edhe nga shtresa të cekëta bore.

    Temperaturat minimale do të sillen nga 03°C deri në 05°C ndërsa temperaturat maksimale nga 10°C deri në 13°C.

    Erërat do të jenë kryesisht jug-jugperëndimore, me rritje në intensitet përgjatë ditës nga 03 m/s deri në 20m/s.

    Shtresat e petkut të bardhë sipas modeleve në dispozicion pritet të zënë vend në sipërfaqet e ulëta jo para fundit të javës së ardhshme” thuhet në njoftimin e ASHNA-së.

  • Kurti takon kryesuesin e Presidencës së Bosnjës, flasin për lëvizjen e lirë mes dy vendeve

    Kurti takon kryesuesin e Presidencës së Bosnjës, flasin për lëvizjen e lirë mes dy vendeve

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Paris ka takuar kryetarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zeljko Komshiq dhe anëtarin të Presidencës, Denis Beçiroviq.

    Gjatë takimit ata kanë diskutuar rreth rëndësisë së zbatimit të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Ata po ashtu kanë shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

  • Oficeri i FSK-së shpërblehet me medaljen e argjendtë në një garë në Kroaci

    Oficeri i FSK-së shpërblehet me medaljen e argjendtë në një garë në Kroaci

    Një oficier i Forcës së Sigurisë së Kosovës është shpërblyer me medalje të argjendë gjatë një gare që është zhvilluar në Kroaci.

    Kështu ka bërë të ditur FSK-ja përmes një njoftimi për media.

    Oficeri Vllasa në kategorinë 35-40 vjeç, arriti të grumbulloi pikë dhe të radhitet në vendin e dytë dhe të shpërblehët me “Medaljen e argjendtë”.

    Njoftimi i plotë:

    Nëntoger Emir Vllasa pjesëmarrës nga Kosova në garën, Military Crossfit competition “Virbus Unitis 2023” që është mbajtur në Republikën e Kroacisë, në garën shumë sfiduese ku pjesëmarrës ishin njësi të ndryshme të sektorit të sigurisë, ushtarakë, policë, njësi speciale intervenuse, forca detare, zjarrfikës, gardian etj, ka arrritur rezultate të larta duke u radhitur i dyti në kategorinë ku ishte pjesmarrës.

    Gara ishte individuale dhe e ndarë në kategori në bazë të moshës dhe gjinisë, oficeri Vllasa në kategorinë 35-40 vjeç, arriti të grumbulloi pikë dhe të radhitet në vendin e dytë dhe të shpërblehët me “Medaljen e argjendtë”.

  • Analistët serbë thonë se Serbia e ka njohur de fakto Kosovën

    Analistët serbë thonë se Serbia e ka njohur de fakto Kosovën

    Analistët në Beograd thonë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo e Ohrit nënkuptojnë se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet, por që këtë duhet ta pranojnë edhe institucionet e Serbisë.

    Ata përmendin njohjen e dokumenteve dhe një sërë çështjesh tjera, por thonë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po nguron ta pranojë.

    Nga Serbia kërkohet dhënia e rezultateve në raport me Kosovën, që është njohja de facto.

    Sipas njohëseve të zhvillimeve, raporti vjetor i Komisionit Evropian ku kërkohet nga Serbia që t’i përmbushë obligimet në dialog, është në njëfarë mënyre thirrja për ta njohur sovranitetin e Kosovës.

    Dushan Janjiq, analist politik nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, ka thënë se ofrimi i njohjes de fakto të Kosovës nga Serbia është në kuadër të marrëveshjes së Ohrit.

    “Në thelb, kjo do të thotë se Serbia e pranon se në realitet ekziston Republika e Kosovës dhe jo e ashtuquajtura Kosovë, madje as ajo me yll. Në kuptimin juridik dhe diplomatik, kjo nënkupton, siç shkruhet në marrëveshjen e shkurtit, pezullimi i veprimeve për pengimin e njohjes së Kosovës dhe krijimin e pengesave për Kosovën në organizatat ndërkombëtare”, tha për televizionin publik Dushan Janjiq.

    Edhe pse Beogradi zyrtar refuzon që me marrëveshjet e arritura e ka pranuar de fakto Kosovën, për analistët kjo nënkupton një gjendje faktike dhe të qartë, por që në Serbi po manipulohet.

    “Presidenti i Serbisë tha se i pranoi marrëveshjet pa nënshkrim, a do të thotë kjo se një fjalë e dhënë në komunikimin zyrtar të një lideri dhe një politikani nuk do të thotë asgjë. Marrëveshjet nënkuptojnë që Serbia nuk do ta pengojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Me marrëveshjet e Brukselit, të gjitha institucionet realisht e kanë njohur Kosovën, pasi hyrja e përfaqësuesve serbë në institucione, pastaj njohja e dokumenteve, çfarë është kjo nëse nuk është njohje”, tha gazetari Rade Radovanoviq.

    Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga kërkesat kryesore për Serbinë në rrugën e saj evropiane. Në Beograd vlerësohet se nga Serbia kërkohet që t`i zbatojë marrëveshjet edhe nëse nuk janë nënshkruar dhe se Perëndimi nuk do të pranojë vonesa për shkak të zgjedhjeve apo kushteve të tjera.