ATV

Blog

  • Vërejtjet e Kurtit për draft statutin mbesin ende “sekrete”

    Vërejtjet e Kurtit për draft statutin mbesin ende “sekrete”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në vlerësimin e kryeministrit Albin Kurti draft-statuti i propozuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është “pakrahasimisht më i mirë” sesa dokumentet nga viti 2013 apo 2015.

    Pa treguar vërejtjet për propozimin, të cilin ishte gati ta nënshkruajë, në një intervistë për ATV-në, referuar definicioneve dhe dispozitave të përgjithshme, Kurti tha se dallimi është te definimi ku bëhet Asociacioni dhe ligji i aplikueshëm.

    “Së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës, e që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës. Dhe, në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia, për këtë draft më datën 24 Tetor, meqenëse natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, tha Kurti.

    As Bashkimi Evropian nuk tregoi se cilat janë vërejtjet që kryeministri Kurti ia ka dërguar Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, e as nëse i kanë kthyer përgjigje për to.

    Ndërkaq, Qeveria e as BE-ja nuk i treguan as temat në rend dite, në vazhdimin e dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, të enjten. Por, sipas kryenegociatorit serb, Asociacioni do të jetë temë qendrore.

    “Është po ashtu e rëndësishme që më në fund po hyjmë në bisedime për Statutin e Asociacionit, gjithashtu kompetencat ekzekutive që ka në pajtim me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Beogradi ka të drejtën e plotë të financimit të këtij institucioni”, tha kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.

    Javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dialogu është në fazë të zbatimit të marrëveshjeve dhe se Kosova këmbëngul që ato të zbatohen në tërësi, pa parakushte dhe pa vonesa.

  • Vashat e Kosovës U19 pësojnë humbje nga Sllovenia në ndeshjen përcaktuese

    Vashat e Kosovës U19 pësojnë humbje nga Sllovenia në ndeshjen përcaktuese

    Kombëtarja e Kosovës U19 në ka pësuar humbje nga Sllovenia U19, në ndeshjen vendimtare për promovim në Ligën A për kualifikimet e Evropianit “Lituania 2024″.

    Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ‘Igrišče Terme” në Çatezh u mbyll me shifrat 5:2, në dobi të vashave sllovene.

    Rezultati u zhbllokua në minutën e 9-të kur shënoi Naja Miheliç.

    Vetëm dy minuta më vonë Noelle Vilçnik shtoi epërsinë e slloveneve në 2:0, teksa Naja Miheliç shënoi pak para përfundimit të pjesës së parë për 3:0.

    E njëjta futbolliste kompletoi “HatTrik”-un vetëm dy minuta pasi filloi pjesa e dytë për 4:0. Të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit, në minutën e 51-të e ngushtuan disavantazhin me golin e Eltina Bozhdaraj.

    E njëjta futbolliste realizoi edhe në minutën e 80-të, por ishte vonë për ndryshim të epilogut të ndeshjes, ngase paraprakisht në minutën e 61-të Sllovenia shënoi edhe golin e pestë përmes Nezha Çebashek.

    Do theksuar se për Dardanet gjërat u vështirësuan edhe më shumë nga minuta e 60-të kur Kreshnike Ramaja u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.

  • Rama i bën publicitet edhe një pune që është duke u kryer në Prishtinë: Duket si e re pas rinovimit

    Rama i bën publicitet edhe një pune që është duke u kryer në Prishtinë: Duket si e re pas rinovimit

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga QMF në lagjen “Kodra e Timave”, e cila është duke u rinovuar.

    Rama ka thënë se është duke u punuar intensivisht që punëtorëve shëndetësorë tu ofrohen kushte sa më të mira të punës dhe pacientëve rehati.

    “Jemi duke punuar intenzivisht e me përkushtim të madh që punëtorëve shëndetësorë të ju ofrojmë kushte sa më të mira të punës e pacientëve rehati gjatë trajtimit.”

  • Osmani reagon për djegien e veturës në Leposaviq: Synon ta pengojë integrimin e serbëve

    Osmani reagon për djegien e veturës në Leposaviq: Synon ta pengojë integrimin e serbëve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur vepër kriminale djegien e veturës së nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq.

    Presidentja Osmani ka shkruar në X, se djegia e veturës së Miletiqit synon të përhapë frikë te serbët vendas dhe të pengojë integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

    Ajo tha se autorët e këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë.

    “Djegia e veturës së nënkryetares së komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, është vepër kriminale që ka për qëllim të përhapë frikë te serbët vendas dhe të pengojë integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Autorët e këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në X.

  • Samir Ujkani flet ekskluzivisht pas pensionimit në futbollin aktiv, ja arsyeja e dorëheqjes

    Samir Ujkani flet ekskluzivisht pas pensionimit në futbollin aktiv, ja arsyeja e dorëheqjes

    Portieri i njohur Samir Ujkani në një intervistë ekskluzive në “LIBERO”, ka rrëfyer më tepër për sa i takon vendimit që e mori për t’i thënë lamtumirë futbollit.

    Ai tha se arsyeja kryesore e pensionimit të futbollit ishte familja.

    “…Kisha dëshirë që vajza ime t’ia fillojë shkollës në një vend dhe mos ta ndërrojë më.  Jeta ime ka qenë gjithmonë midis Italisë dhe Belgjikës, unë vendosa ta lë Italinë dhe të vendosem në Belgjikë, sepse viteve të fundit kam ndërruar shumë klube dhe kjo nuk ka qenë e lehtë për familjen time…”, tha mes tjerash Samir Ujkani.

    Futbollisti tha se qëllimi i tij ishte që të mos largohej nga futbolli pa shënuar Kosova një fitore, e pas fitores së Kosovës kundër Andorës, ai përfundimisht vendosi ta lë karrierën e tij.

    Vlen ta theksojmë se së fundmi, ai u emërua zëvendësdrejtor i Kombëtares së Futbollit të Kosovës.

    Për të ndjekur intervistën e Samir Ujkanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Punët e shtëpisë nuk janë veç për gratë, ato duhet të paguhen” – deklarata e fuqishme e aktivistes për të drejtat e grave

    “Punët e shtëpisë nuk janë veç për gratë, ato duhet të paguhen” – deklarata e fuqishme e aktivistes për të drejtat e grave

    Aktivistja e të drejtave të grave, njëherësh edhe sociologe dhe poete Sibel Halimi në vazhdimësi ka ngritur zërin për pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri dhe të drejtave të saj.

    Ajo ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” ku foli për sa i takon kësaj tematike dhe mes tjerash përmendi edhe barazinë gjinore sa i përket punëve të shtëpisë, duke potencuar se ato nuk janë vetëm të grave dhe duhet të paguhen.

    “Punët e shtëpisë  nuk janë  vetëm të  grave… Puna të cilën gratë e bëjnë në shtëpi duhet të jetë e paguar, shteti duhet të njohë punën e pa paguar të grave, sepse ekzistojnë gra të cilat e lënë pas veten dhe karrierën e tyre si pasojë e kryerjes së punëve të shtëpisë …”, shtoi ajo

    Sibeli, gjithashtu nuk la pa përmendur edhe të drejtat e grave për trashëgimi, e po ashtu ju bëri thirrje të gjitha grave të luftojnë  për të  drejtat e tyre dhe ta ngrisin zërin kundrejt çdo padrejtësie që ju bëhet.

    Vlen ta theksojmë se në Kosovë, vetëm katër për qind e grave deri me tani kanë gëzuar të drejtën për trashëgimi.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të  klikoni në  linkun e mëposhtëm:

     

  • Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi

    Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi, lidhur me akuzën për vjedhje të energjisë elektrike.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj Muharremit për shkak të veprës penale “Vjedhje e shërbimeve” pasi që në furrën “Bukë e Zemër”, i njëjti e kishte shfrytëzuar njehësorët e energjisë elektrike pa autorizim të KEDS-it, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës, e paraqitur nga i pandehuri R.M e ushtruar kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, …. të datës, 05.08.2023, si e pa bazuar”, thuhet në vendimin e Themelores.

    Në vendimin e Themelores, thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Muharremi, avokati Mahmut Halimi brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës, me pretendimin se njehësori elektrik i vendosur në biznesin e tij ishte i bllombuar dhe i paprekur nga askush.

    Mbi këto arsye, avokati Halimi ka kërkuar që të hudhet aktakuza pasi që nuk është arritur që të vërtetohet dashja e të mbrojturit të tij për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e shërbimeve”.

    Pas analizimit të kërkesës së avokatit Halimi dhe përgjigjes në ankesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Themelorja ka ardhur në përfundimin se duhet që të lëshohen në shqyrtim gjyqësor dhe pas administrimit të provave, do të vërtetohet fajësia ose pafajësia e të akuzuarit Muharremi.

  • Qytetarët e zhgënjyer me Kurtin për “pranimin e Asociacionit”

    Qytetarët e zhgënjyer me Kurtin për “pranimin e Asociacionit”

    Qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online, janë shprehur të zhgënjyer me kryeministrin Albin Kurti në lidhje me pranimin e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

    Sipas tyre, shefi i ekzekutivit nuk e ka mbajtur fjalën për këtë çështje dhe se ka gënjyer kur ka thënë se nuk do ta pranojë.

    Murat Gerbeshi tha se kryeministri Kurti nuk i ka mbajt kurrë fjalët dhe se serbët kanë me shumë drejt se shqiptarët.

    “Kurrë Kurti fjalët nuk i ka mbajte edhe ka me i ndërru sa të jetë gjallë. Nga fillimi kanë më shumë drejta serbët se ne pse mos po paguajnë rrymë, mos po paguajnë tatim, mos po paguajnë ujë pse nuk janë këto drejta më shumë a?”, pyeti ai.

    Ndërsa Enver Latifi, akuzoi Kurtin se po e mban të fshehur draftin e Asociacionit.

    “I ka ndërruar fjalët sa ka mujt ka gënjyer sa ka mujt edhe po gënjen sa po mundet edhe po e fsheh draftin dhe nuk po e tregon nuk po e din kurrkush asgjë”, u shpreh ai.

    “Serbëve po ju jep më shume drejt se neve, u ndanë u kanë kundër ndarjes e tash i ndajti me gjithçka”, tha tutje ai.

    “E kanë bordin e vet, e kanë kryetarin e vet, e kanë flamurin e vet, i kanë të gjitha nëse vjen në kundërshtim diçka kundërshton Qeverinë. Qeveria nuk mundet me vendos asgjë”, tha ndër të tjerash Latifi.

    Ndërsa Fatmir Bahriu ka besim të plotë në kryeministrin Kurti në lidhje me Asociacionin.

    “E ka mirë, do të bëhet mirë me siguri. Serbëve neve duhet me përdor trurin, serbët pa fitu diçka nuk bën por jo çka kërkojnë ata, duhet me pas kujdes. Kurti është i kujdesshëm për këto punë edhe do të kryen këto punë”, u shpreh ai.

  • Maqedonci dhe shefi i EULEX-it, flasin për situatën e sigurisë në vend

    Maqedonci dhe shefi i EULEX-it, flasin për situatën e sigurisë në vend

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Bëhet e ditur se temë diskutimi në këtë takim ishte situata e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.

    “Sigurisht se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ngjallur shqetësim tek të gjithë, mirëpo është menaxhuar në mënyrën jashtëzakonisht profesionale nga ana e Policisë së Kosovës dhe për këtë ishim që të dy dakord”, tha Maqedonci.

    Derisa e falënderoi shefin e EULEX-it për mbështetjen ofruar Policisë së Kosovës gjatë kësaj kohe, përmes prezencës së EULEX-it në veri.

    “Ai theksoi se në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in është duke u monitoruar situata me kujdes të shtuar, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Në fund të takimit, ministri Maqedonci dhe shefi i EULEX-it u dakorduan që garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është interes i përbashkët i të dy palëve”, thuhet tutje.

  • Osmani: Djegia e veturës së nënkryetares së Leposaviqit synon të frikësojë serbët vendas

    Osmani: Djegia e veturës së nënkryetares së Leposaviqit synon të frikësojë serbët vendas

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pasi nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq, i është djegur vetura.

    Në një postim në “X” Osmani ka thënë se kjo vepër është kriminale dhe ka për qëllim të shpërndajë frikë te serbët vendas.

    Teksa është shprehur se autorët do të përballen me drejtësinë.

    “Djegia e veturës së nënkryetares së komunës së Leposaviqit, znj. Dragana Miletiq, është vepër kriminale që synon të përhapë frikë te serbët vendas dhe të pengojë integrimin e tyre në institucione. Autorët e këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar ajo.

    Djegien e veturës e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    “Po është djegur një veturë në një pjesë të saj, motori. Dëmi është diku 200-250 euro”, ka deklaruar ai.