ATV

Blog

  • Merr fund ëndrra evropiane për Kosovën

    Merr fund ëndrra evropiane për Kosovën

    Ka përfunduar pa fitues ndeshja tejet interesante mes Zvicrës dhe Kombëtares së Kosovës, ku kjo e fundit është përshëndetur nga Kampionati Evropian Euro 2024.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “St. Jakob-Park”, Kosova ka barazuar 1:1 si mysafire e Zvicrës, raporton KosovaPress.

    Zvicra kaloi në epërsi në minutën e 47’ përmes golit të Ruben Vargas, para se Kosova të barazonte me golin e Muhamet Hysenit në minutën e 82’.

    Me pikët e reja, Zvicra ngjitet në kuotën e 17 pikëve në vendin e dytë në Grupin I dhe siguron biletën drejt Evropianit Euro 2024.

    Në anën tjetër, Kosova zë vendin e katërt me 11 pikë të arkëtuara.

    Rezultati final i ndeshjes, 1:1.

  • Skena apokaliptike në Kinë: Qindra zogj të ngordhur bien nga qielli

    Skena apokaliptike në Kinë: Qindra zogj të ngordhur bien nga qielli

    Një histori e çuditshme vjen nga qyteti Laibin, në rajonin jugor kinez të Guangxi, ku u filmua një tufë e madhe e dallëndysheve.

    Zogjtë fluturuan mbi qytet dhe më pas, për ndonjë arsye të pashpjegueshme, filluan të binin në tokë.

    Pamje të tilla të kujtojnë filmat e apokalipsit. Banorët e tronditur pohojnë se janë me qindra zogj të shtrirë në tokë, gjë që vërtetohet nga fotot e publikuara në rrjetet sociale.

    Në kulturën kineze, zogjtë e ngordhur përfaqësojnë dëshpërimin dhe fatkeqësinë. Thuhet se zogjtë, të cilët fluturojnë në jug drejt klimave më të ngrohta në dimër, mund të kishin ngrirë në temperaturën nën zero, por kjo nuk shpjegon pse kaq shumë ngordhën në të njëjtën kohë, shkruan gazeta britanike “The Sun”.

  • E konfirmon vëllai i Thaçit: Specialja ua anulon vizitat familjarëve dhe miqve të ish-krerëve të UÇK-së

    E konfirmon vëllai i Thaçit: Specialja ua anulon vizitat familjarëve dhe miqve të ish-krerëve të UÇK-së

    Familjarëve dhe miqve të ish-krerëve të UÇK-së që janë në Hagë sot u janë anuluar vizitat pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit.

    Ani pse kishin bërë shpenzimet e tyre, pra në blerjen e biletave e fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: “Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar.”

    Vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.

    Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Blerim Thaçi, vëllai i ish-presidentit, Hashim Thaçi, ku për media ka thënë se nesër kishin lënë takim me Thaçin, atyre sot u është anuluar vizita.

    Ai tutje ka thënë se kjo sjellje është e papranueshme për ata si familjar.

    “Sot, deri sa ishim nisur për të shkuar në Hagë dhe i kishim bërë të gjitha rezervimet e nevojshme atje, pasi që nesër kishim vizitë të konfirmuar te vëllai ynë, na ka ardhur një njoftim që na është anuluar vizita, pa na e dhënë asnjë arsye, asnjë sqarim. I njëjti njoftim u kishte shkuar edhe vizitorëve të tjerë. Për ne si familje, kjo sjellje është vërtet e papranueshme. Jo vetëm që po i mbajnë të paraburgosur jashtë çdo praktike juridike, duke ua shkelur edhe të drejtat njerëzore, por tash po na penalizojnë edhe neve, familjarëve të tyre, duke mos na lejuar as që t’i vizitojmë e takojmë familjarët tonë. Përpos që po i mbajnë padrejtësisht në burg që tri vjet, tash po mundohen t’i izolojnë edhe më shumë, duke mos iu lejuar as vizitorë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi.” – ka thënë vëllai i ish-presidentit Thaçi, Blerim Thaçi.

    Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për “Vizitat dhe komunikimet” të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.

    Mirëpo, sot ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli i kanë vizituar dy bashkëpartiakët e tyre, Uran Ismaili dhe Memli Krasniqi.

    Kështu ka njoftuar i pari i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se në Hagë i kanë gjetur të gjithë së bashku dhe ballëlartë, si gjithmonë dhe me Kosovën në mendje e zemër.

    “Bashkë me Uranin, vizituam përsëri në Hagë, Presidentin Hashim Thaçi e Kryetarin Kadri Veseli. Dyert e hekurta, korridoret e gjata e muret e larta, çdo ditë e më shumë po e humbasin betejën kundrejt zemrave, besimit dhe kurajos së çlirimtarëve tanë. I gjetëm të gjithë bashkë ballëlartë – si gjithmonë – dhe me Kosovën në mendje e zemër, që vazhdon t’i frymëzojë, t’i mbajë të fortë e krenarë secilin.” – ka shkruar Krasniqi.

    Ai tutje ka thënë se “gjithmonë me ta dhe pranë tyre, deri në ditën e shumëpritur të triumfit të drejtësisë! Sepse, dielli do të lind përsëri!”

  • Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat

    Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat

    Edhe pse i kishin të konfirmuara vizitat nga Njësia e Paraburgimit e Gjykatës Speciale, shumë familjarëve dhe miqve të krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, sot ato u janë anuluar pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit.

    Me dhjetra persona që këto ditë kishin vizita të konfirmuara në Hagë, të cilët kanë bërë shpenzime me blerjen e biletave të fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: ‘’Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar’’.

    Kanal 10 ka mësuar se vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.

    Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për ‘’Vizitat dhe komunikimet’’ të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.

    Po ashtu, siç nuk ndodh askund në botë, shumë përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së që thjeshtë dëshirojnë të shkojnë për t’i takuar dhe vizituar ata në Qendrën e Paraburgimit, kohëve të fundit po iu refuzohen aplikacionet me arsye banale, kinse në formularët e tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë afërsinë, pa u pyetur fare të paraburgosurit nëse duan apo jo t’i pranojnë si vizitorë.

    Përkundër që procesi gjyqësor po zvarritet tejmase shumë, në Kosovë është rritur agresiviteti i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me bastisje dhe sekuestrime telefonash.

    Deri më tani nga trupi gjykues janë dëgjuar vetëm 37-të dëshmitarë, ndërkohë që ish-krerët e UÇK-së i kanë bërë këtë muaj tri vjet qëndrim në paraburgim.

  • Gripi prek “Dardanët”: Pos Muriqit të lënduar, ndaj Zvicrës mungojnë Rashica, Krasniqi e Muriç

    Gripi prek “Dardanët”: Pos Muriqit të lënduar, ndaj Zvicrës mungojnë Rashica, Krasniqi e Muriç

    Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se tre futbollistë të rëndësishëm do të mungojnë kundër Zvicrës që do të luhet sot.
    FFK-ja tha se për shkak të lëndimeve dhe gjendje me grip, futbollistët Milot Rashica, Ermal Krasniqi dhe protieri Arijanet Muriç nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Primozh Gliha.
    “Milot Rashica është lënduar në fund të stërvitjes së djeshme dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë”.

    “Ndërsa Ermal Krasniqi, i cili u lëndua disa ditë më herët, përkundër përkushtimit maksimal të tij dhe stafit mjekësor nuk është në gjendje për të luajtur në ndeshjen e sotme, por po bëhet përpjekje për ta riaftësuar për lojë për sfidën e ardhshme me Bjellorusinë”, thuhet në njoftimin e FFK-së, transmeton Klankosova.tv.

    Ndërsa, sipas federatës, Muriç po përballet me një gjendje gripale e cila ka bërë që ai të mos jetë në gjendje të përfshihet as në stërvitjen e fundit, e si rrjedhojë do të mungojë edhe në ndeshjen e sotme.

    “Përkundër këtyre mungesave të mëdha, në kampin e Dardanëve ekziston një motiv i lartë për paraqitje dinjitoze në ‘St. Jakob-Park’. Le ta mbështesim Kombëtaren dhe të shpresojmë në rezultat pozitiv”, tha FFK-ja.

    Kujtojmë se përveç Rashicës, Krasniqit e Muriç, Kosova në përballjen kundër Zvicrës e cila do të luhet sonte nga ora 20:45 nuk do të mund të llogarisë as në sulmuesin Vedat Muriqi, i cili po ashtu u lëndua.

  • Kurti takohet me Vasfije Krasniqin, flasin për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës

    Kurti takohet me Vasfije Krasniqin, flasin për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot Vasfije Krasniqi Goodman, ish deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe zërin e fuqishëm në avokimin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
    Goodman ndau observimin e saj lidhur me punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Gjatë takimit u diskutua edhe fillimi i punës në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë përmes Institutit të themeluar rishtazi.
    Kryeministri Kurti e falënderoi Goodman për rolin e saj, angazhimin e pareshtur, kurajën e pashoq për avokimin e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
  • Thyhet zyra e AAK-së në Istog

    Thyhet zyra e AAK-së në Istog

    Është thyer dhe demoluar dhunshëm nga persona të panjohur, zyra e ish-kandidatit për kryetar të Istogut, nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha.

    Lajmin e ka konfirmuar deputeti i AAK-së dhe kryetari i kësaj partie në Istog, Bekë Berisha.

    “Më kanë njoftuar më herët që është thyer xhami i zyrës, bash një ku ka qenë një fotografi. Kam pyetur se a ka pasë edhe thyerje të xhamave të tjerë, por kam dyshime se është thyer vetëm ajo dritare”, tha Berisha.

    Ai më tej bëri të ditur se ngjarjen e ka lajmëruar në Policinë e Kosovës, duke mos pranuar të komentojë mbi atë se pse ka mundur të ndodhe kjo ngjarje.

  • Kitara e Kurt Cobain u shit për më shumë se një milion e gjysmë dollarë

    Kitara e Kurt Cobain u shit për më shumë se një milion e gjysmë dollarë

    Kitara e këngëtarit të Nirvana, Kurt Cobain, u shit në një ankand në SHBA për më shumë se 1.5 milionë dollarë.

    Kitara elektrike ikonë blu “Skystang I” Fender Mustang, të cilën Cobain luajti gjatë turneut të tij të fundit, u shit të premten për pak më shumë se 1.58 milionë dollarë (1.45 milionë euro) në ankand në Nashville, Tenesi.

    Xhinset e grisura që Cobain veshi në videoklipin e këngës “Heart-Shaped Box” dhe në MTV Video Music Awards kushtuan më shumë se 400 mijë dollarë. Pantallonat vlerësoheshin nga 10.000 deri në 20.000 dollarë.

    Ankandi ishte pjesë e ankandit treditor “Të luajtur, të veshur dhe të grisur: Rock N’ Roll Iconic Guitars and Memorabilia”, i cili shfaqi më shumë se një mijë artikuj të madhështorëve të muzikës si Cobain, Eric Clapton, Elvis Presley, Prince, Beatles dhe Frank Zappa.

  • ​Raketa më e fuqishme në histori humbi kontaktin pas dhjetë minutash

    ​Raketa më e fuqishme në histori humbi kontaktin pas dhjetë minutash

    Starship i SpaceX, një anije kozmike e gjeneratës së ardhshme e zhvilluar për të transportuar astronautët në Hënë dhe më gjerë, la atmosferën e Tokës pa një ekuipazh për herë të parë, por kontakti u humb menjëherë pas ngritjes.

    Raketa me dy faza u nis nga baza e nisjes “Starbase” e Elon Musk në Boca Chica, Teksas.

    Ishte dashur të fluturonte 90 minuta në hapësirë, por kontakti humbi dhjetë minuta pas ngritjes, njoftoi kompania.

    “Kemi humbur kontaktet në fazën e dytë. Mendoj se humbëm fazën e dytë”, tha John Insprucker, drejtuesi i transmetimit të drejtpërdrejtë të SpaceX.

  • ​Rruga “Ukshin Hoti” në kryeqytet nga e marta bëhet me dy kahje

    ​Rruga “Ukshin Hoti” në kryeqytet nga e marta bëhet me dy kahje

    Komuna e Prishtinës ka dalë sot me një njoftim të rëndësishëm për ngasësit e automjeteve në kryeqytet.

    Ajo ka bërë të ditur se duke filluar nga dita e martë, datë 21 nëntor, rruga “Ukshin Hoti” do të bëhet rrugë me dy kahje.

    “Segmenti i rrugës, i cili lejon qarkullimin e mjeteve në dy kahe fillon nga udhëkryqi me rrugën “Robert Doll” deri në udhëkryqin me rrugën “Bekim Fehmiu””, thuhet në një njoftim në Facebook.