ATV

Blog

  • Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

    Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.

    Shala e ka bërë deklarimin e tij të premten në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

    Prokuroria në Hagë e ngarkon Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

    “Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Shala kur është pyetur se si deklarohet lidhur me tri akuzat.

    Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Për çfarë dhe cilën periudhë akuzohet Haxhi Shala?

    Shala akuzohet për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale, tha të mërkurën në seancë gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

    Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

    Kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet në aktakuzë.

    Si do të zhvillohet procesi?

    Në muajin tetor, janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

    Prokuroria ka propozuar, më 13 dhjetor, që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohet me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.

    Lidhur me këtë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pritet të dorëzojë parashtrimin për një aktakuzë të përbashkët deri më 12 janar të vitit 2024, datë kjo që u bë e ditur nga urdhri i gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, të premten.

    Kësaj kërkese, mbrojtja do të mund t’i përgjigjet jo më vonë se 19 janari, ndërkaq kundërpërgjigja e prokurorisë mund të bëhet deri më 26 janar.

    Në konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin kundër Haxhi Shalës, u tha se afati i prokurorisë për nxjerrjen e materialeve është 26 janari, muaj ky që pritet të shënojë përfundimin e hetimeve të prokurorisë në këtë çështje.

    Sipas prokurorisë, materialet do të dorëzohen për të dy lëndët “me shpresën që nga 26 janari të mund të bashkohen çështjet në një të vetme”.

    Para gjykatësit të procedurës paraprake, prokuroria bëri të ditur se lloji i provave që synojnë të përdorin përfshinë materiale të dokumentuara, të dhëna nga lidhjet telefonike, transkripto nga deklarata të ndryshme dhe dëshmitarë.

    Ndërkaq mbrojtja tha se gjatë arrestimit, Shalës i janë dhënë pak informacione lidhur me krimet për të cilat akuzohet.

    Si rrjedhojë, mbrojtja deklaroi se ka nevojë të shqyrtojë materialet dhe theksoi nevojën që prokuroria t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme në një kohë të përshpejtuar.

    Rastet tjera në këtë gjykatë

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

    Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

    Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

    Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

    Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

    Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

    Më 14 dhjetor Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur për katër vjet dënimin ndaj ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Një vit më parë, Mustafa ishte është dënuar në shkallë të parë më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Së fundi ata janë liruar, nën disa kushte.

    Këtë vit, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë. /REL

  • Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën

    Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën

    Bashkimi Evropian ka dështuar të arrijë një pajtim për një paketë prej 50 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën, pasi Hungaria vuri veton ndaj ndihmës mbrëmjen e 14 dhjetorit.

    Veprimi i Hungarisë si goditje ndaj Kievit, vjen në kohën kur liderët e BE-së vendosën t’i hapin bisedimet për anëtarësimin e Ukrainën dhe Moldavisë në BE.

    Hungaria do të mund të ndalojë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian më vonë nëse është e nevojshme, meqë BE kishte marrë një “vendim të keq” kur vendosi të fillojë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës, tha kryeministri Viktor Orban, për radion shtetërore.

    Ai tha se nëse BE dëshiron të ndryshojë buxhetin e saj aktual, atëherë do të jetë një “mundësi e madhe për Hungarinë të thotë se duhet të marrë paratë që ka të drejtë”.

    Liderët e Bashkimit Evropian vendosën të enjten t’i hapin bisedimet për anëtarësim në BE me Ukrainën dhe Moldavinë.

    Të enjten blloku 27 anëtarësh miratoi gjithashtu një paketë prej dymbëdhjetë sanksionesh kundër Rusisë, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

    Hungaria ka kohë të gjatë që e kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Kievin, megjithatë, nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.

    Viktor Orban i cili abstentoi nga vendimi i BE-së të enjten, tha në një reagim në rrjetin social Facebook se vendi i tij nuk deshi “të marrë pjesë në një vendim të keq”.

    Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL/

  • Arrestohet një person në Gjakovë, i dehur sulmoi një grua

    Arrestohet një person në Gjakovë, i dehur sulmoi një grua

    Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një person në Gjakovë pasi që kishte sulmuar fizikisht një grua.

    Sipas policisë personi i dyshuar ka qenë në gjendje të dehur.

    “Gjakovë / 14.12.2023 – 22:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se në gjendje të dehur e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • BeH-ja arreston shtatë persona, dyshohet se ishin pjesë e gjenocidit në Srebrenicë

    BeH-ja arreston shtatë persona, dyshohet se ishin pjesë e gjenocidit në Srebrenicë

    Oficerët e policisë së Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) arrestuan sot në zonën e Zvornikut shtatë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Gjenocidit”.

    SIPA thekson se kjo vepër penale ka të bëjë me veprat penale “Përgjegjësia individuale dhe komanduese” dhe “Ndihma”, të cilat janë të parapara me Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Personat e arrestuar do t’i kalojnë Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës pas procedimit penal në ambientet e SIPA-s.

    Personat që u arrestuan dyshohet se kanë marrë pjesë në gjenocidin në Srebrenicë në korrik 1995.

  • Nis konferenca e parë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës

    Nis konferenca e parë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës

    Konferenca e parë mbi ecurinë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës po mbahet sot.

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dy ditë më parë, nuk është deklaruar sot për akuzat që rëndojnë mbi të.

    Shala u transferua në Hagë të martën.

    Ai po akuzohet për pengim në administrim të drejtësisë.

    Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzi dhe Bahtijari me dëshmitarin 1.

    Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të Shalës, Januzit dhe Bahtijarit u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

    Sipas Aktakuzës, “kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

  • Largohet nga Specialja njëri nga gjykatësit kryesor

    Largohet nga Specialja njëri nga gjykatësit kryesor

    Nikola Giju, gjykatesi i njohur i procedurave paraprake, eshte larguar nga Gjykata Speciale.

    Kete njoftim e ka dhene vet Specialja me ane te nje komunikate per media.

    Arsye e largimit te Giju, eshte fakti se ai eshte zgjedhur gjykates ne Gjykaten Penale Nderkombetare.

    Komunikata e plote:

    Më 5 dhjetor 2023, gjykatësi Nikola Giju i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjykatësi Giju u emërua gjykatës në DHSK më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake çështjet gjyqësore të z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, të z. Salih Mustafa, të z. Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve, të z. Pjetër Shala, si edhe të z. Sabit Januzi dhe z. Ismet Bahtijari. Gjykatësi Giju është caktuar gjithashtu në funksionin e Gjykatësit të Vetëm në çështjen kundër z. Isni Kilaj.

    Kryetarja e DHSK-së, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova – e cila gjithashtu ka qenë gjykatëse në GJPN përpara se të emërohej në DHSK – e përgëzoi gjykatësin Giju dhe theksoi se zgjedhja e tij është “pasqyrim i përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Giju në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare, që e ka demonstruar tashmë me dedikimin e tij të jashtëzakonshëm në DHSK, si Gjykatës i Procedurës Paraprake ose Gjykatës i Vetëm në të gjitha çështjet gjyqësore që janë aktualisht para kësaj gjykate”.

    Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje.

  • Pacolli e paralajmëron analistin nga Shqipëria: Do të punoj për t’ju sjellur para përgjegjësisë

    Pacolli e paralajmëron analistin nga Shqipëria: Do të punoj për t’ju sjellur para përgjegjësisë

    Behgjet Pacolli, deputet i AKR-së, ka shkruar një status mbrëmë në orët e vona, ku i ka reaguar Arjan Currit, analist nga Shqipëria.

    Pacolli ka shkruar për shpifjet dhe tentativat për shantazh dhe propagandë. Tutje, Pacolli ka shkruar se këto deklarata, duke e përmendur me emër Currin, e kanë bërë objekt të bullizmit të vazhduar djalin e tij.

    Në fund, Pacolli e ka paralajmëruar Currin.

    “Pas një udhëtimi të gjatë, në kthim të mbrëmjes, vura re një kumulim lajmesh dhe opinionesh të shpërndara kohët e fundit. Disa individë, duke përdorur shpifjet, deklaratat të pasqyruara, tentativa për shantazh dhe propagandë, kanë ndërmarrë përpjekje për të kontaminuar emrin tim dhe për të poshtëruar integritetin e familjes sime. Ju, zotni Arjan Curri nuk keni asnjë të drejtë t’i shkaktoni vuajtje familjes sime, veçanërisht djalit tim të vogël, i cili tani është bërë ojekt bulizmi të vazhdueshëm nga shokët e tij per shkak te deklaratave te juaja te rrejshme dhe hutuese.

    Zotëri, une nuk ndaj vlerat tuaja, unë kam një familje me tradita të forta dhe do të punoj për të ju sjellur para përgjegjësisë për krejt këto vuejtje që i shkaktuat fëmijëve dhe familjes sime.” – shkroi ai.

  • Abdullahu: Qeverisë i konvenon ikja e të rinjve, zhgënjimi do të kthehej në protesta e revoltë sociale

    Abdullahu: Qeverisë i konvenon ikja e të rinjve, zhgënjimi do të kthehej në protesta e revoltë sociale

    Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, i tha Ekonomia Online, se Qeveria aktuale po u hakmerret të gjithë qytetarëve që nuk e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje.

    Sipas tij, edhe përkundër premtimeve Qeveria po bënë padrejtësi të madhe sociale, duke shkaktuar pakënaqësi të qytetarëve që synim e kanë vetëm ikjen.

    Gjithë ky zhgënjim thotë ai i konvenon Qeverisë, ngase mund të kishte protesta e revoltë sociale ndaj vendimeve të ekzekutivit.

    Abdullahu konstaton se Qeveria nuk ka ide e as strategji se si të zhvillohet vendi, prandaj edhe e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Kjo mendësi politike sot në Qeveri dje në opozitë ka premtuar drejtësi dhe sot kemi padrejtësi të mëdha edhe sociale. Mjafton të përmendet çfarë ka bërë kjo Qeveri me buxhetin e saj në shpërndajnë për komunat. Kjo Qeveri po hakmerret ndaj të gjithë atyre që nuk e kanë votuar LVV”.

    “Kjo Qeveri ka premtuar shpresë ndërkohë kemi zhgënjim gjithandej, qytetarëve të cilët po presin të ikin. Ata janë vlerësimi më i madh, kjo Qeveri i ka zhgënjyer njerëzit prandaj edhe do të ikin”.

    “Kësaj Qeveri i konvenon që të ikin një pjesë e madhe e rinisë përndryshe do të kthehej gjithë ai zhgënjim në protestë në revoltë sociale. Prandaj e ka pranuar Asociacionin që tu jep këtë mundësi qytetarëve dhe mos të këtë zhgënjime të tilla nga një Qeveri që nuk ka as ide as strategji as si të zhvilloj këtë vend për më keq i hakmerret qytetarëve sidomos atyre që iu ka shkuar ndërmend të votojnë PDK sidomos ata që shquhen me këtë votë tash sa kohë pjesën e Drenicës”.

  • Gjermania nuk do të pranojë më imamë të trajnuar në Turqi

    Gjermania nuk do të pranojë më imamë të trajnuar në Turqi

    Një program trajnimi që dërgon imamë turq në xhamitë gjermane do të ndërpritet gradualisht, pasi Gjermania kërkon të përgatisë klerikët e saj myslimanë për të inkurajuar integrimin, njoftoi të enjten Ministria e Brendshme e Gjermanisë.

    Sipas një marrëveshjeje të re midis ministrisë, autoritetit fetar turk Diyanet dhe grupit koordinues turko-islamik DITIB, në qytetin Dahlem, në perëndim të Gjermanisë do të përgatiten çdo vit rreth 100 imamë. Këta imamë do të zëvendësojnë gradualisht rreth 1000 klerikët e trajnuar dhe të punësuar nga Diyaneti turk. “Ne kemi nevojë për liderë fetarë që flasin gjuhën tonë, njohin vendin tonë dhe mbrojnë vlerat tona”, tha në një deklaratë Nancy Faeser, ministrja e Brendshme e Gjermanisë.

    “Ne duam që imamët të marrin pjesë në dialogun midis feve dhe të diskutojnë çështjet e besimit në shoqërinë tonë”, shtoi Faeser.

    Sipas Konferencës Gjermane për Islamin (DIK), në Gjermani jetojnë rreth 5.5 milionë myslimanë, ose afërsisht 6.6% e popullsisë. “Ky është një hap i rëndësishëm për integrimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve myslimane”, tha Faeser.

    Gjermania ka rreth 2500 komunitete të xhamive, nga të cilat 900 menaxhohen nga DITIB. Një degë e Presidencës së Çështjeve Fetare të Ankarasë, DITIB është shoqata më e madhe islamike e Gjermanisë, por atë e kanë akuzuar se vepron si një dorë e zgjatur i qeverisë turke.

    Një anëtar i talebanëve foli në një xhami në Këln

    Debati i fundit për DITIB-in u ngrit kur një anëtar i talebanëve afganë foli muajin e kaluar në një nga xhamitë e organizatës, në qytetin perëndimor të Këlnit.

    Në vitin 2017, zyrtarët gjermanë i kërkuan DITIB të ndërmarrë reforma thelbësore pas akuzave se imamët e dërguar nga Diyanet-i kishin spiunuar në emër të Ankarasë, pas grushtit të dështuar të shtetit kundër qeverisë së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Diyanet-i mohoi çdo përfshirje dhe hetimi u mbyll pa u ngritur asnjë akuzë.

    Ish-kancelarja Angela Merkel u shpreh për herë të parë në vitin 2018 në favor të përgatitjes së imamëve në tokën gjermane, duke i thënë parlamentit se kjo “do të na bëjë më të pavarur dhe është e nevojshme për të ardhmen”.

    Përgatitja e 100 imamëve në vit në Gjermani do të kryhet në kuadër të programit ekzistues të DITIB-it, ashtu dhe përmes një programi shtesë, tha ministria. Për këtë qëllim, ajo tha se po kërkonte “bashkëpunim me Kolegjin Gjerman të Fesë Islame” në Osnabruck.

  • Adresimi vjetor i presidentes Osmani në Kuvend, PDK-ja vendos të mos marrë pjesë në seancë

    Adresimi vjetor i presidentes Osmani në Kuvend, PDK-ja vendos të mos marrë pjesë në seancë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do t’i adresohet Kuvendit me fjalimin e saj vjetor. Por, në seancën që është paraparë të fillojë nga ora 11:00, do të mungojë Partia Demokratike e Kosovës.

    PDK-ja ka vendosur që të braktisë sërish fjalimin e Osmanit.

    Osmani do t’i drejtohet Kuvendit sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit.

    Roli i saj është kritikuar nga partitë opozitare, që e kanë akuzuar në vazhdimësi.

    Ndryshe, më 4 prill 2021, Osmani me 71 vota në rundin e tretë të votimit, mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesë-vjeçar.