ATV

Blog

  • Policia del me raport për vrasjen në Gjilan

    Policia del me raport për vrasjen në Gjilan

    Policia ka dalë me raport për vrasjen në Gjilan.

    Në raport thuhet se është arrestuar një person pasi dyshohet se e ka goditur viktimën me thikë.

    Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar në Gjilan, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “VRASJE- Gjilan 16.12.2023-21:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti dyshohet se me një mjet të mprehtë-thikë ka goditur viktimën mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Viktima është dërguar në QE-Gjilan, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar.”

  • Pritje të gjata në pikat kufitare Kosovë – Serbi

    Pritje të gjata në pikat kufitare Kosovë – Serbi

    Pritje të gjata janë krijuar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në pikat kufitare Jarinje dhe Dheu i Bardhë, për të dalë nga Kosova, pritjet janë deri në dy orë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    E në Merdar dhe Bërnjak pritjet janë deri në 40 minuta.

    Pritje deri në gjysmë ore ka edhe për të hyrë në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare Merdar.

    Kolona janë parë edhe në pikën kufitare Muçibabë.

    Në veri të Kosovës ka pasur organizim të transportit për qytetarët serbë që kanë të drejtë vote në Serbi. Po ashtu edhe nga Gjilani, qytetarët e Luginës me të drejtë vote janë nisur me transport të organizuar për të votuar në Luginë.

    Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

  • Qytetarët e Luginës nisen nga Gjilani për të votuar në Serbi

    Qytetarët e Luginës nisen nga Gjilani për të votuar në Serbi

    Një numër i qytetarëve të Luginës janë nisur nga Gjilani për ta ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi që po mbahen sot.

    Transporti është siguruar falas nga Komuna e Gjilanit për të gjithë qytetarët e Luginës që jetojnë e veprojnë në Gjilan.

    “Ju njoftojmë se komuna e Gjilanit ka siguruar transportin për të gjithë ju që jetoni e veproni në Gjilan, për në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi. Për më shumë informata, ju lutemi të drejtoheni tek Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të komunës së Gjilanit. Të mobilizohemi për të vazhduar betejën për të vërtetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, kishte njoftuar të enjten kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

    Disa autobusë me qytetarë nga Lugina janë parë duke u nisur për në Serbi për të ushtruar të drejtën e votës.

    Sipas përditësimit të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të dalë në Serbi nëpërmjet pikës kufitare Dheu i Bardhë në Gjilan, janë mbi dy orë.

    Pritje të gjata ka edhe në Jarinje, afro dy orë.

    Shqiptarët në zgjedhjet në Serbi po garojnë me dy lista. “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

  • E rëndë: Dy nga viktimat në Prizren dikur ishin futbollistë, reagon KF Gjakova

    E rëndë: Dy nga viktimat në Prizren dikur ishin futbollistë, reagon KF Gjakova

    Një ngjarje e rëndë mbrëmë tronditi tri familje shqiptare si dhe mbarë vendin. Tre të rinjtë Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj humbën jetën tragjikisht, siç dyshohet, gjatë një gare ilegale me vetura në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Për vdekjen tragjike të Delijajt e Sylës ka reaguar klubi futbollistik “KF Gjakova”, duke bërë të ditur se dikur që të dy viktimat luanin për këtë ekip.

    Me këtë rast kryesia si dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave u kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave.

    “Lajm i kobshëm për të gjithë ne sonte humbën jetën tragjikishtë dy ishë futbollistët tanë Molos Delija dhe Lordi Syla. Ne si kryesi klubit Gjakova dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave shprehim ngushllimet më të sinqerta dy familjeve DELIA dhe SYLA për humbjen e dy më të dashurve të tyre. Qofshit banorë të Xhehnetit Molos dhe Lordi”, thuhet në reagimin e tyre.

  • Tre këmbësor të vdekur dhe tre të lënduar në aksidentin në Prizren, policia del me detaje

    Tre këmbësor të vdekur dhe tre të lënduar në aksidentin në Prizren, policia del me detaje

    Një person gjatë ngasjes mbrëmë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka goditur për vdekje tre këmbësorë.

    Si pasojë e aksidentit, përveç që tre personat e goditur kanë humbur jetën edhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime. Ata janë dërguar për tretman mjekësor.

    Policia ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 22:45.

    “Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion.“, njofton policia.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore“, thuhet në raportin e policisë.

  • 111 vjet nga themelimi i Shërbimit Sekret Shqiptar

    111 vjet nga themelimi i Shërbimit Sekret Shqiptar

    Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, u formua Qeveria me kryeministër Ismail Qemalin, e cila filloi ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar.

    Ndër to, më 17 dhjetor 1912, u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. Në këtë vendim thuhej: “Të organizohet një shërbim i fshehur për vise të shkelura të Shqipërisë”.

    Për organizimin e tij u ngarkuan persona konkretë, ndërmjet të cilëve Lef Nosi e Bajram Curri.

    Vazhdimësinë e shërbimit sekret shqiptar e shohim përsëri pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit (në vitin 1913), gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.

    Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës bëri organizimin e Këshillit të Naltë dhe risanksionoi ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe krijimin e Ministrisë së Brendshme. Më datë 24 dhjetor 1921, ministër i Punëve të Brendshme u dekretua Ahmet Zogu, i cili bëri riorganizimin e MPB-së, duke krijuar dhe Seksionin sekret, ku drejtues u caktua Haki Stërmilli.

    Shikuar në planin historik, shërbimi kryesor inteligjent shqiptar, gjatë kësaj periudhe, ka pasur këto emërtesa: në vitin 1922, Sekretari sekrete dhe, në vitet 1923-1939, Zyra sekrete. Në nivel qendror, veprimtaria e shërbimit sekret do të drejtohej nga Zyra sekrete, ndërsa në nivel vendor drejtohej nga prefekti, i cili kishte ngritur një zyrë të posaçme që merrej me “çështje rezervate”.

    Në konsolidimin e institucioneve të shtetit shqiptar, nga janari 1927, pati rëndësi edhe organizimi i Shërbimit Informativ të Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e përfaqësuar nga selitë tona diplomatike, duke organizuar një rrjet informativ që vepronte i lidhur me mekanizmin konsullatë – legatë -prefekturë.

    Klane dhe forca politike të ndryshme, gjatë periudhës 1925 -1939, të shtyra nga interesa të ngushta dhe të përkrahura nga jashtë, kanë provokuar trazira, komplote, vrasje, kryengritje, etj., me qëllim destabilizimin e vendit dhe cenimin  e sigurisë kombëtare.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën dhjetor 1944 – mars 1945, shteti shqiptar i kushtoi menjëherë rëndësi të veçantë krijimit të organeve të sigurimit të shtetit. Këto ishin vijuese të Shërbimit informativ ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fillimisht, pas çlirimit të vendit u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila funksionoi deri në vitin 1946, kur u krijua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1966, u bë riorganizimi në tre drejtori: e para e Kundërzbulimit, e dyta e Udhëheqjes dhe e treta e Zbulimit politik, strukturë që e ruajtën deri në vitin 1991.

    Organet e sigurimit të shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-byrosë politike dhe të pambështetur në ligj. Kjo solli shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Gjatë veprimtarisë së tij u bënë shumë shkelje ligjore. Ai vuri në survejim gjithë sektorët e jetës së vendit, kuadrot dhe njerëzit e thjeshtë, zbatoi praktika të padrejta dhe tejkaloi kompetencat, sidomos në kuadrin e luftës së klasave dhe të nxitjes artificiale të saj. Një numër qytetarësh u bënë viktima të kësaj veprimtarie.

    Pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, Organet e sigurimit të shtetit u reformuan, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor. Kështu, në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar, me Ligjin nr. 7495, datë 02.07.1991, “Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar.” Detyrë parësore e këtij shërbimi u vendos parandalimi, zbulimi dhe ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. SHIK-u u krijua si një institucion i depolitizuar dhe si i tillë ka pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme. Në vitin 1999, me vendimin numër 61, datë 22 nëntor 1999, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ndryshohet emërtimi nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK) në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).

    Drejtuesit e SHISH-it ndër vite:

    01.08.1991 deri 29.06.1992         Irakli Koçollari

    29.06.1992 deri 09.04.1997         Bashkim Gazidede

    09.04.1997 deri 29.05.1997         Astrit Kodra (i komanduar)

    29.05.1997 deri 21.08.1997         Arben Karkini

    21.08.1997 deri 07.08.2002         Fatos Klosi

    07.08.2002 deri 18.11.2002         Petrit Myftari (i komanduar)

    18.11.2002 deri 27.01.2005         Kujtim Hysenaj

    27.01.2005 deri 09.08.2012         Bahri Shaqiri

    09.08.2012 deri 30.10.2017         Visho Ajazi Lika

    01.11.2017 deri 05.11.2018         Helidon Bendo (ka kryer funksionin)

    05.11.2018 deri 23.12. 2022        Helidon Bendo

    03.04. 2023 në vazhdim                Vlora Hyseni

  • Të ndarë shqiptarët në zgjedhjet në Serbi, garojnë me dy lista

    Të ndarë shqiptarët në zgjedhjet në Serbi, garojnë me dy lista

    Sot në Serbi do të mbahen dy palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme, lokale dhe parlamentare.

    Të drejtë vote kanë edhe shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

    Por, gara e liderëve politik shqiptarë atje do të jetë e ndarë.

    Ata do të garojnë me dy lista.

    “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

    Të drejtë vote në Serbi, kanë mbi 6.5 milionë qytetarë.

  • Tre persona humbin jetën në një aksident në autostradë afër Prizrenit, dy vetura po garonin ilegalisht

    Tre persona humbin jetën në një aksident në autostradë afër Prizrenit, dy vetura po garonin ilegalisht

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të Prizrenit.

    Sipas raportimeve të para, dyshohet për të paktën tre të vdekur si pasojë e këtij aksidenti dhe disa të tjerë janë lënduar.

    Aksidenti është shkaktuar si pasojë e garave në në autostradën “Ibrahim Rugova”, afër Prizrenit.

    Njëra nga veturat ka goditur disa persona të cilët po qëndronin pranë autostradës dhe ishin duke e ndjekur garën në momentin kritik.

  • Në Serbi sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale

    Në Serbi sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale

    Serbia mban të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

    Të hapura do të jenë 8.273 qendra votimi.

    Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi prej vitit 2012, dhe mbahen vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet e së dielës do të monitorohen nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet e mbajtura deri më tani.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

    Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

    Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

    Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

    Serbët në Kosovë do të udhëtojnë për të votuar

    Serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm për Kuvendin e Serbisë.

    Ata do të duhet të udhëtojnë drejt Serbisë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk do të zhvillohet në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

    Ata do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë, shkruan REL.

    Thirrje shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

    Shqiptarët e Luginës garojnë këtë herë me dy lista.

    Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar./REL

  • Kosova dridh Evropën në xhudo, rrëmben katër medalje në Evropian

    Kosova dridh Evropën në xhudo, rrëmben katër medalje në Evropian

    Është mbyllur tashmë Kampionati Evropian i Xhudos i mbajtur në Kosovë, përkatësisht në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

    Kosova edhe kësaj radhe dëshmoi se është vend i pathyeshëm në këtë sport, pasi ka rrëmbyer hiç më pak se katër medalje.

    Ndryshe, 55 shtete morën pjesë në Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos në Prishtinë. Kosova fitoi një medalje të artë dhe tri të bronzta.

    Tri medalje të bronzta rrëmbyen nga Dardan Cena, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, ndërsa me medalje të artë u stolis xhudisti Akil Gjakova i cili fitoi katër luftëra për ta arritur objektivin e madh.