Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën sot do të mbajnë konferencë për media.
MPB-ja ka njoftuar se konferenca do të mbahet në orën 10:00 në objektin qendror të ministrisë.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, do të raportojë sot në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.
Në mbledhjen që pritet të fillojë në orën 10:00, janë në rend dite edhe tri pika tjera.
Ndryshe, Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së udhëhiqet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, teksa anëtarë janë pesë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, një nga PDK-ja, një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato të ndodhin.
Haradinaj këtë deklaratë e ka dhënë pas takimit që ka pasur me degët e AAK-së në Klinë e Gjilan të martën.
“Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato mund të ndodhin. Mbetemi të vendosur në mbrojtje të të arriturave që Kosova ka shënuar gjatë rrugëtimit të saj e që sot janë të rrezikuara nga mentaliteti i tanishëm politik që qeverisë me vendin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Me kolegët e Aleancës nga Klina dhe Gjilani zhvilluam një diskutim përmbajtësor për situatën aktuale politike dhe aspektet organizative në parti.
Klina mbetet storje suksesi në qeverisje lokale, kjo falë punës së palodhshme të kryetarit Zenun Elezaj dhe kolegëve tjerë nga dega.
Aleanca në Gjilan është më e fuqishme se kurdo herë më parë. Kuadro të shumta i janë bashkuar degës në rrugëtimin tonë politik dhe kjo na jep garanci se Aleanca në Gjilan do ta ketë pushtetin pas zgjedhjeve të ardhshme lokale, sikurse do të jetë e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato mund të ndodhin. Mbetemi të vendosur në mbrojtje të të arriturave që Kosova ka shënuar gjatë rrugëtimit të saj e që sot janë të rrezikuara nga mentaliteti i tanishëm politik që qeverisë me vendin.
Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar në një aksident që ka ndodhur mbrëmë, në fshatin Llapashticë të Podujevës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Llapashticë të Podujevës.
Ai ka bërë të ditur se personi i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti.
“Rreth orës 20:00, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën “Qëndresa” në fshatin Llapashticë të komunës së Podujevës. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura. Një person ka humbur jetën ndërkaq një tjetër është dërguar në QKUK, ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, ka thënë Borovci.
Punëtorë të pesë institucioneve kulturore u bënë bashkë për një qëllim.
Dhjetëra persona erdhën para komunës së Prishtinës për të protestuar për shkak të pakënaqësive që kanë në vendet e punës. Kërkesat ndërkaq i vlerësuan minimale.
Sipas tyre, kërkesat janë të njëjta tash e dy vjet, por asnjëherë nuk u bë asgjë në plotësimin e tyre.
Nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre dhe nuk ka ndonjë reflektim nga ana kryetarit Përparim Rama, ata thanë se do të vazhdojnë me masa të tjera, duke përmendur edhe grevën.
Në protestën e së martës morën pjesë punëtorë të Teatrit “Dodona”, Arkivit të Komunës së Prishtinës, Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Qendrës Kulturore për Rini dhe Zjarrfikësit.
Për disa orë, të hënën shtëpizat e tregut të fundvitit ishin pa energji elektrike.
Si pasojë e kësaj, disa nga afaristët u detyruan ta hedhin në mbeturina mallin që kishin planifikuar ta shisnin.
“Krejt çfarë kam pasur është dashur me i hedh, kemi qenë për 6 orë pa energji elektrike…”, tha Shpat Hashani, pronar.
“Prej se jemi vendos ne këtu nuk jemi bërë rehat, asnjëherë me energji elektrike, gjë e cila po ndikon drejtpërsëdrejti në punën tonë, financa, numrin e klientëve e shumë faktorë të tjerë, ndërkohë që pagesat i kemi kryer”, tha Shkëlzen Rugova, pronar.
Mirëpo, KEDS-i, ekipet e të cilëve dolën në terren pasi ATV-ja u interesua për një përgjigje në lidhje me shqetësimin e pronarëve, tha se reduktimet janë si pasojë e mbingarkesës.
“Nuk bëhet fjalë për ndërprerje të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, por për instalime elektrike të brendshme në ato shtëpiza”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Për t’i evituar këto telashe, edhe në kontratën e Komunës së Prishtinës ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse të tregut të Vitit të Ri, potencohet se përgatitjet e ushqimeve dhe pijeve duhet të bëhen me anë të lëndës së gazit.
Duke u nisur nga kjo edhe vetë pronarët i bëjnë thirrje njëri-tjetrit që të mos përdorin pajisje që nuk parashihen në kontratë.
“Ata që nuk duan të punojnë le të del inspektorati le t’i kontrollon edhe t’i dënojë kush nuk është ligjshëm le t’i gjobit edhe asgjë askujt, se për të punuar kemi dal t’i shfrytëzojmë këto kohë të mira, pasi klientët nuk vijnë të qëndrojnë në terr”, tha Adnan Sylejmani, pronar.
“Tregu i Fundvitit” është aktivitet i organizuar nga Komuna e Prishtinës, i cili ofron shërbime për qytetarët deri më 8 janar 2024.
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë rrezikojnë që edhe këtë dimër ta kalojnë me çizme të vjetra. Teksa OSHP-ja, tenderin e hapur në qershor të vitit të kaluar, e ka kthyer dy herë në rivlerësim, Ministria e Mbrojtjes për herën e tretë e rekomandoi fitues operatorin ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”
Mirëpo, tenderi për “Furnizim me Çizme Ushtarake” ka përfunduar përsëri në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Grupi i operatorëve “Furkan Rada B.I & OZKAN KUNDURA” që nga Ministria e Mbrojtjes ishte shpallur fitues dy herë, ka paraqitur ankesë.
Kompania ankuese pretendon se buxheti i Kosovës mund të dëmtohet nga vendimi i Autoritetit Kontraktues.
Ministria e Mbrojtjes në anën tjetër i ka mohuar të gjitha këto pretendime.
“Është rekomanduar Operatori Ekonomik më i lirë, sipas kriterit të dhënies “Tenderi i Përgjegjshëm me çmimin më të lirë” dhe i gjithë procesi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Tenderi 2 milionë eurosh, parashihte që brenda 36 muajve ushtarët të pajisjen me 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.
Pas reshjeve të shiut ditëve të fundit, nënkalimi në hyrje të lagjes Veternik është bërë gati i pakalueshëm.
Përveç ujit, aty janë grumbulluar edhe mbeturina, gjë e cila vështirëson lëvizjen e qytetarëve.
“A m’patë si e kalova. Njerëzit që vinë me gjendje të keqe shëndetësore, ose fëmijët. Është e tmerrshme ky nënkalim sa oshtë ndërtu, oshtë e tmerrshme”, thotë një qytetar.
“Oshtë e vështirë se p.sh., unë vi e shkoj në shkollë përmes këtij nënkalimi e shpesh kur është me ujëra mujna me rrëshit e me u rrëzu… plot herë po duhet me ecë nëpër rrugë, nëpër rrugë kryesore me kalu”, tha një nxënës.
Megjithatë, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, tha se do të intervenohet për pastrimin e nënkalimit.
“Ne si Drejtori e Shërbimeve Publike do të kujdesemi për pastrimin e nënkalimit gjithmonë, ndërkohë për të investuar në pjesën e Infrastrukturës duhet të intervenojë Drejtoria e Investimeve Kapitale”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.
Me telashe të njëjta qytetarët po përballen edhe nëpër nënkalime të tjera, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Pas publikimit të lajmit nga ATV-ja se disa kategori të dala nga lufta janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë, ka reaguar Ministri i Financave Hekuran Murati.
Por, postimi i ministrit Murati nuk e sqaron situatën për këto kategori.
Sipas ministrit këto kategori të dala nga lufta duhet të aplikojnë për subvencionim. Por, Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, specifikon se këto kategori gëzojnë të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë.
Vendimi të cilit i referohej ministri Murati, e që është miratuar në Qeveri më 19 tetor, as nuk ishte i publikuar në ueb-faqen e Qeverisë e as në atë të Ministrisë së Financave.
Ministri Murati, në reagimin e tij publikoi vetëm një faqe të vendimit, duke përmendur pikën B, ndryshe definimin e termeve të vendimit të ri, sipas të cilit vetëm invalidët e luftës përjashtohen nga aplikimi për subvencion për familje me të hyra mujore prej 150 eurosh për person dhe nuk përmenden kategoritë e tjera.
ATV-ja madje kishte tentuar të sqarojë pretendimet e organizatave të dala nga lufta, duke kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave, por askush nuk dha sqarime. Madje edhe tentimi për të pyetur vetë ministrin nuk ishte i mundur.
Në mungesë të përgjigjes së ministrit, shqetësimet e kategorive të dala nga lufta u adresuan me email. Por, Ministria e Financave asnjëherë nuk ktheu përgjigje, ndërkaq ATV-ja mori përgjigje vetëm nga zëdhënësi i Qeverisë, përgjigje e cila ishte e përgjithshme dhe nuk sqaronte situatën e kategorive të dala nga lufta.
Ndërkaq nga Shoqata e Invalidëve të Luftës thirren në ligj me qëndrimin se dispozita ligjore nuk shfuqizohet me vendim.
Andaj, sipas Qeriqit, ministri Murati po manipulon, pasi subvencionimin e gëzonin pa asnjë kriter dhe, sipas tij, janë përjashtuar si kategori të luftës.
Sipas ligjit neni 8 parasheh reduktim të tarifës për rrymë për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, neni 9 përfshin invalidët e UÇK-së dhe neni 13 përfshin familjet e viktimave civile të luftës.