ATV

Blog

  • Kreshnik Uka, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

    Kreshnik Uka, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

    Federata e Futbollit e Kosovës, i ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, futbollistit të KF Drenicës, Kreshnik Uka, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në fitoren ndaj Ferizajt me rezultat 3:2, ku realizoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pasi mori këtë çmim, Uka u shpreh i lumtur për suksesin e arritur dhe rëndësinë e kësaj fitoreje për skuadrën.

    “Çdo lojë prej sezonit pranveror ka qenë finale për neve. E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, pavarësisht faktit që Ferizaji ishte përshëndetur nga Albi Mall Superliga, por e kemi ditur që ka me qenë shumë vështirë me fitu dhe në fund ia arritëm. Jam i lumtur që kontribuova me dy gola dhe një asistim. I falënderoj gjithë bashkëlojtarët e mi për angazhimin gjatë gjithë ndeshjes”.

    “Ndeshjen e fundit e kemi ndaj Prishtinës si mysafir dhe e dimë që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të shkojmë për tri pikë për t’iu shmangur barazhit. Faleminderit Federatës për çmimin “Ylli i Javës”, si dhe të gjithë bashkëlojtarëve, stafit të trajnerëve dhe tifozëve për përkrahjen e tyre”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

  • Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutojnë për zgjedhjet e parakohshme

    Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutojnë për zgjedhjet e parakohshme

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu gjatë një takimi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves kanë diskutuar për procesin zgjedhor të 7 qershorit 2026.

    Presidenca ka bërë të ditur se në takim u bisedua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në procesin zgjedhor, rëndësinë e mbarëvajtjes së tij dhe ruajtjen e stabilitetit institucional.

    “U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit të afërt mes dy vendeve” – shkruan në njoftim.

  • Oda e Avokatëve ngre alarmin për zvarritjet në trajtimin e ankesave për paraburgim

    Oda e Avokatëve ngre alarmin për zvarritjet në trajtimin e ankesave për paraburgim

    Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me zvarritjet e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.

    Sipas reagimit të OAK-së, kodi i procedurës penale përcakton afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

    Megjithatë, OAK-ja thekson se në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

    “Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, thuhet në reagim.

    Sipas OAK-së, vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

    Oda e Avokatëve e Kosovës vlerëson se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk është vetëm obligim procedural, por edhe garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve juridike.

    Në fund, OAK-ja u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.

  • KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 maj, do të përfundojë më 30 maj 2026.

    Gjatë kësaj periudhe 26-ditore, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

  • “VV e mbrojti Kosovën nga Thaçi, Veseli e Haradinaj”, Gucati i reagon Pacollit: Liria nuk matet me urrejtje

    “VV e mbrojti Kosovën nga Thaçi, Veseli e Haradinaj”, Gucati i reagon Pacollit: Liria nuk matet me urrejtje

    Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, i ka reaguar ministres në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, lidhur me deklaratën e saj, e cila javën e kaluar në një emision televiziv tha se Lëvizja Vetëvendosje “e ka mbrojtur Kosovën” nga emra si Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli.

    Përmes një postimi në Facebook, Gucati këtë deklaratë e quajti të tmerrshme, ndërsa tha se vjen nga një ministre që s’ka dhënë asnjë kontribut për Kosovën.

    Ndër të tjera, Gucati tha se Kosova nuk është mall tregtie që mund të shitet, as pronë ekskluzive e askujt për t’u përvetësuar.

    “Ajo është projektuar me gjakun e dëshmorëve, është ngritur mbi sakrificën e brezave të tërë dhe është mbrojtur nga bijtë e bijat më të mirë të këtij populli në ditët tona më të rënda. Përpjekja për të ndërtuar të ardhmen duke përdhosur apo dënuar në bllok ata që i dolën zot atdheut atëherë kur mbijetesa ishte në fije të peut, nuk i shërben as të vërtetës e as përparimit. Historiografia nuk shkruhet me fraza elektorale dhe as liria nuk matet me urrejtje partiake. Gabimet politike dhe llogaridhënia e pasluftës janë legjitime në një demokraci, por gjuha që kriminalizon luftën çlirimtare dhe bartësit e saj vetëm për poena politikë, cenon themelet e shtetësisë sonë. Kosova mbrohet duke ndërtuar institucione të forta, drejtësi dhe unitet, e jo duke mbjellë përçarje e duke mohuar sakrificën e atyre që shkruan historinë me gjak”, ka shkruar ai.

  • Dy gjigantët italianë dështojnë në garën për Ligën e Kampionëve, ndodh për herë të parë në histori

    Dy gjigantët italianë dështojnë në garën për Ligën e Kampionëve, ndodh për herë të parë në histori

    Për herë të parë që nga riemërtimi i Ligës së Kampionëve nga UEFA në sezonin 1992/93, as Milani dhe as Juventusi nuk do të marrin pjesë në të njëjtin edicion të garës më prestigjioze evropiane për klube.

    Mungesa historike e dy gjigantëve italianë u vulos në javën e fundit të sezonit në Serie A.

    Milani doli jashtë zonës që siguron kualifikimin pas humbjes 2-1 në shtëpi ndaj Cagliarit, duke e mbyllur kampionatin në vendin e pestë me 70 pikë.

    Nga ana tjetër, Juventusi përfundoi një pikë më pak, në pozitën e gjashtë me 69 pikë, pas barazimit 2-2 ndaj Torinos.

    Si pasojë, të dy klubet mbetën jashtë katër vendeve të para që sigurojnë kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve, ndërsa Roma dhe Como siguruan biletat e mbetura së bashku me Interin dhe Napolin.

    Ky është një moment i paprecedentë në historinë e futbollit italian, pasi gjatë 34 viteve të fundit të paktën njëri prej dy klubeve legjendare kishte qenë pjesë e çdo edicioni të Ligës së Kampionëve.

  • Gjatë tre muajve u braktisën dy fëmijë në Kosovë

    Gjatë tre muajve u braktisën dy fëmijë në Kosovë

    Gjatë periudhës janar–mars të këtij viti, në Kosovë janë raportuar dy raste të braktisjes së fëmijëve. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të dy rastet janë regjistruar gjatë muajit shkurt.

    Një rast i braktisjes së fëmijës është raportuar në Gjilan, ndërsa rasti tjetër në Klinë.

  • I shpëtoi nënës nga dora: Detaje nga aksidenti tragjik në Elbasan, ku vdiq 7-vjeçari

    I shpëtoi nënës nga dora: Detaje nga aksidenti tragjik në Elbasan, ku vdiq 7-vjeçari

    Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël të Elbasan, ku një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

    Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 08:00, automjeti me drejtues shtetasin P. B., 61 vjeç, ka përplasur të miturin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka vdekur, shkruan Euronews.al.

    Bëhet e ditur se fëmija ishte duke kaluar rrugën për të shkuar në shkollë, kur dyshohet se i ka shpëtuar nga dora nënës së tij dhe është përplasur nga makina.

  • Tahiri: Gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro

    Tahiri: Gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro

    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është shprehur se duhet të bëhen investime të cilat e bëjnë Kosovën superfuqi energjetike.

    Ai për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova u shpreh se qëndrueshmëria energjetike në Kosovë është jetike.

    “Duhet të bëhen investime të cilat do ta bëjnë Kosovën superfuqi energjetike. Investime shumë të sakta të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë edhe me pastërtinë, po njëkohësisht edhe me energjinë e pastër, në anën tjetër projekti i dytë shumë i madh është projekti i gazit amerikan, ndërlidhja me gypa dhe pastaj ndalja në Ferizaj për të bërë atë centralin e gazit”, tha ai.

    Tahiri gjithashtu u shpreh se gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro.

    “Qëndrueshmëria energjetike e Kosovës është jetike, nuk është vetëm siguri që do të kemi rrymë, por është siguri e një vendi mos me qenë në dorë të tregtarëve të cilët për gjatë kësaj qeverie, diku kanë blerë rrymë, apo është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro, me 1 miliard euro i kishim kryer të dyjat”, u shpreh ai.

  • Këto tri shenja të horoskopit ju fshijnë nga jeta pa u penduar fare

    Këto tri shenja të horoskopit ju fshijnë nga jeta pa u penduar fare

    Dashi, Shigjetari dhe Ujori largohen ndryshe nga të tjerët: pa shumë shpjegime, pa kthim pas dhe shpesh pa ndjenjë faji

    Disa njerëz largohen nga jeta jonë sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Pa shpjegime, pa përpjekje për ta shpëtuar miqësinë apo lidhjen dhe pa dëshirë për t’u kthyer pas.

    Për palën tjetër kjo mund të jetë shumë e dhimbshme, sepse në mendje nisin pyetjet: çfarë ndodhi, ku gabova dhe pse gjithçka përfundoi kaq ftohtë?

    Por, sipas astrologëve, te disa shenja të horoskopit kjo sjellje nuk është domosdoshmërisht qëllim i keq. Mund të jetë pjesë e karakterit, mënyrë mbrojtjeje ose thjesht mënyra si ata e përjetojnë fundin e një marrëdhënieje.

    Gjithçka mund të duket perfekte: biseda të gjata, momente të bukura, afërsi dhe plane. Pastaj papritur krijohet një mur. Miku ose partneri nuk përgjigjet më, nuk kërkon sqarime dhe duket sikur ka mbyllur çdo derë.

    Astrologët thonë se tri shenja veprojnë më shpesh kështu kur ndiejnë se diçka ka marrë fund.

    Dashi: Prerje e shpejtë dhe pa shumë keqardhje

    Personat e lindur në shenjën e Dashit jetojnë me ritëm të shpejtë. Reagojnë vrullshëm, ndizen lehtë emocionalisht dhe po aq shpejt mund të ftohen.

    Kur Dashi kupton se një lidhje dashurie ose miqësi ka arritur në pikë pa kthim, nuk humb shumë kohë duke analizuar “çfarë do të ndodhte sikur”. Ai zgjedh ta ndërpresë, ta harrojë dhe të ecë përpara.

    Mund të ndalojë së përgjigjuri në mesazhe, të mos hapë telefonin dhe thjesht të zhduket nga përditshmëria juaj. Për Dashin, e kaluara nuk ka shumë peshë kur vendimi është marrë. Më shumë rëndësi kanë e tashmja dhe e ardhmja.

    Kjo mund të duket e ashpër, por Dashi zakonisht nuk i zvarrit gjërat për një kohë të gjatë. Nëse vendos të largohet, kjo kuptohet shpejt.

    Shigjetari: Zhduket ngadalë, pa e bërë dramë

    Shigjetari nuk e pret gjithmonë kontaktin në mënyrë të menjëhershme. Ai thjesht një ditë fillon të mos shfaqet më si më parë.

    Nuk telefonon, nuk shkruan, shmang takimet dhe gradualisht largohet. Për të, përfundimi i një raporti nuk është gjithmonë tragjedi, por mbyllje natyrale e një faze.

    Kjo shenjë ka nevojë të madhe për liri. Kur një marrëdhënie bëhet shumë e rëndë, e parashikueshme ose kufizuese, Shigjetari fillon të humbasë interesimin.

    Ai nuk largohet gjithmonë nga zemërimi. Shpesh largohet sepse nuk ndien më emocionin, kuriozitetin ose hapësirën që i duhet. Por për personin që mbetet pas, kjo mënyrë largimi mund të jetë shumë e dhimbshme.

    Ujori: Ftoh emocionet dhe mbyll kapitullin

    Ujori është ndoshta më misteriozi kur bëhet fjalë për largimin nga njerëzit.

    Ai nuk shpërthen domosdoshmërisht në zemërim, nuk bën skena dhe nuk kërkon dramë. Thjesht, në një moment, mund të ndalojë së ndieri si më parë.

    Sikur dikush të ketë fikur një çelës, emocionet shuhen dhe personi që deri dje ishte i afërt, sot mund të duket i largët.

    Ujori jeton shumë me mendje dhe racionalitet. Nëse arrin në përfundimin se një marrëdhënie nuk i sjell më gëzim, kuptim apo qetësi, ai mund të vendosë të tërhiqet pa shumë sentimentalizëm.

    Për të tjerët kjo mund të duket e ftohtë, madje edhe lënduese. Por Ujori rrallë e sheh këtë si mizori. Ai thjesht mendon se kur diçka ka përfunduar, nuk ka arsye të mbahet gjallë artificialisht.

    Në fund, këto tri shenja nuk largohen gjithmonë sepse nuk kanë ndjenja. Shpesh largohen sepse nuk dinë, nuk duan ose nuk munden ta zgjasin një marrëdhënie që për ta ka humbur kuptimin.