ATV

Blog

  • Interi shumë i interesuar për sulmuesin Armando Broja

    Interi shumë i interesuar për sulmuesin Armando Broja

    Inter mbetet favoriti kryesor për të fituar titullin këtë sezon në Serie A, por ky është një vit i gjatë, një maratonë, ku trajneri Inzaghi ka paguar shpesh, madje edhe shtrenjtë, rotacionet e kryera, si në Champions ku e mbylli grupin në vendin e dytë, apo eliminimi i fundit nga Kupa e Italisë.

    Në këto kushte, është e qartë që Inzaghi-t i duhet ndonjë dhuratë e çmuar për Krishtlindje, ndonjë përforcim në çdo repart për të qenë konkurrues, për të pasur pak më shumë cilësi në organikë.

    Sipas La Gazzetta dello Sport, Inter do të kërkojë një sulmues të ri gjatë merkatos së janarit, por ky afrim është i lidhur ngushtë me largimin e Sanchez. Për sulmin kilian ka disa oferta të rëndësishme ekonomike nga Arabia Saudite, nëse largohet, atëherë Marota do të futet në merkaton për të gjetur një zëvendësues. Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, mes emrave është edhe Armando Broja, një profil që drejtuesit e klubit zikaltër e ndjekin prej kohësh.

    Broja, sipas La Gazzetta-s, nuk është shumë i lumtur në Londër, kjo pasi nuk po gjen shumë hapësira, nuk është i lumtur me situatën e tij, për këtë arsye në janar mund të largohet. Broja është në monitorim, në javët e fundit të janarit mund të kthehet në një pistë konkrete.

  • Numri i viktimave në Gazë kalon shifrën prej 20.000

    Numri i viktimave në Gazë kalon shifrën prej 20.000

    Lufta e Izraelit për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Britania – ka vrarë mbi 20.000 palestinezë, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gazë, përderisa Izraeli ka zgjeruar ofensivën e tij dhe ka urdhëruar edhe dhjetëra mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Vdekjet në Gazë paraqesin pothuajse 1 për qind të popullsisë së territorit para se të niste lufta 11 javë më parë.

    Fushata ajrore dhe tokësore e Izraelit ka qenë një prej fushatave ushtarake më shkatërruese në historinë moderne, duke zhvendosur pothuajse 85 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës dhe duke rrafshuar pjesë të mëdha të enklavës. Pothuajse gjysmë milion persona në Gazë – çereku i popullsisë – janë duke u përballur me uri, sipas të dhënave të prezantuara më herët gjatë javës nga Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera.

    Izraeli shpalli luftë ndaj grupit radikal të Hamasit, pasi luftëtarët e tij sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke marrë peng 240 të tjerë. Izraeli është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet e të rrëzohet nga pushteti në Gazë si dhe të lirohen të gjitha pengjet.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se ka dokumentuar 20.057 vdekje në luftime dhe mbi 50.000 të plagosur. Kjo ministri nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve të vrarë. Paraprakisht, zyrtarët shëndetësorë kishin thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Izraeli fajëson Hamasin për numrin e lartë të civilëve të vrarë, duke thënë se grupi operon në zonat e banuara.

    Ushtria izraelite ka thënë se 139 ushtarë të saj janë vrarë gjatë ofensivës tokësore. Ajo ka thënë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit, përfshirë edhe rreth 2.000 në tri javët e fundit, por nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për këto pretendime./REL/

  • Lëndohen tetë persona në një aksident trafiku në Malishevë, njëri prej të lënduarve në gjendje kome

    Lëndohen tetë persona në një aksident trafiku në Malishevë, njëri prej të lënduarve në gjendje kome

    Tetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy automjeteve në fshatin Mirushë të Malishevës.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se njëri prej të lënduarve është në gjendje kome.

    “AKSIDENTTRAFIKU ME LËNDIME – Fsh. Mirushë, Malishevë 22.12.2023 – 00:50. Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve. Përveç dëmeve materiale të shkaktuar lëndime trupore kanë pësuar tetë persona të cilët janë dërguar në QKUK për tretman të nevojshëm mjekësor, njëri prej tyre gjendet në gjendje kome. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Mariah Carey ndahet nga Bryan Tanaka

    Mariah Carey ndahet nga Bryan Tanaka

    Pas shtatë vitesh së bashku, Mariah Carey dhe Bryan Tanaka janë ndarë.

    Page Six citoi një burim që tha se Tanaka dëshironte të kishte fëmijë.

    Carey është tashmë nënë e binjakëve 12-vjeçarë ,të cilët i ndan me ish-bashkëshortin e saj Nick Cannon. Cannon, natyrisht, është gjithashtu një prind i famshëm i 10 fëmijëve të tjerë nga nëna të ndryshme.

    Njohja mes tyre ka nisur në vitin 2006 kur Bryan filloi të punonte si balerin me Carey dhe më pas filluan të takoheshin së bashku.

    Një raport nga New York Post vlerësoi se këngëtarja fiton rreth 3 milionë dollarë çdo vit nga kënga ‘’All I want for Christmas Is You’’.

    Në vitin 2021 u pretendua se Carey ka grumbulluar më shumë se 60 milionë dollarë nga kjo këngë dhe ajo vazhdon të përfitojë çdo vit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Greta Gerwig rrëfen se është rritur në një familje anti Barbie

    Greta Gerwig rrëfen se është rritur në një familje anti Barbie

    Greta Gerwig, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit ‘’Palm Springs’’, do të marrë cmimin për regjisoren e vitit dhe për suksesin e filmit ‘’Barbie’’.

    Në një intervistë për BBC Radio 4, Greta zbuloi se është rritur në një familje anti-Barbie.

    Mamaja ime nuk e pëlqente shumë kukullën Barbie. Ndoshta, shumë nëna të tjera do e gjykonin, por sipas nënës time kjo kukull nuk ishte shembulli më i mirë i gruas; lloji i trupit, gjithçka.

    Rikujtojmë se filmi “Barbie” thyer rekorde për fitimet e mëdha që ka marrë pas publikimit të tij.

    “Barbie” ka fituar më shumë se 575 milionë dollarë në arkat e Amerikës duke kaluar shifrën e Marios prej 574.2 milionë dollarësh.

    Kapërcimi i “Barbie” në krye ishte më i shpejtë se ai i “Mario”, duke arritur titullin rekord në vetëm 34 ditë që nga publikimi i tij./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Padia për sulm seksual: Vin Diesel mohon akuzat

    Padia për sulm seksual: Vin Diesel mohon akuzat

    Ish-asistentja e aktorit Vin Diesel pretendon se aktori e ngacmoi seksualisht atë gjatë xhirimeve të “Fast & Furious Five” në Atlanta në 2010.

    Sipas Deadline , një padi e ngritur në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit pretendon se Diesel ngacmoi Asta Jonasson në një dhomë të hotelit.

    “Vin Diesel e kapi me forcë atë, i preku gjoksin dhe e puthi”, thuhet në padinë për sulm seksual. Më pas ajo tha vazhdimisht “jo” me zë të lartë dhe u përpoq të shkëputej nga duart e Vin Diesel.

    Më pas, disa orë më vonë, Diesel thuhet se e pushoi nga puna.

    Sipas avokates së Jonasson, aji sot e kësaj dite ende vuan nga pasojat e sulmit, nga stresi emocional si dhe nga dhimbjet psikologjike dhe fizike.

    Ndërkohë, në një deklaratë u shpreh edhe avokati i Vin Diesel. Bryan Freedman deklaroi se klienti i tij i mohon akuzat: “Dua ta bëj shumë të qartë se Vin Diesel e mohon kategorikisht dhe plotësisht këtë pretendim’’, tha ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Tajvani raporton për aktivitet ushtarak të Kinës afër ishullit

    Tajvani raporton për aktivitet ushtarak të Kinës afër ishullit

    Tajvani ka raportuar për avionë luftarakë dhe luftanije të Kinës përreth ishullit të shtunën, përfshirë edhe avionë që kanë kaluar vijën e ndjeshme në Ngushticën e Tajvanit, përderisa Pekini po vazhdon aktivitetet ushtarake tri javë para se Tajvani të mbajë zgjedhje.

    Ishulli vetëqeverisës i Tajvanit, që Kina thotë se është pjesë e territorit të saj, është ankuar për katër vjet se Kina kryen patrullime dhe stërvitje ushtarake afër ishullit.

    Fushata është duke u zhvilluar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Tajvan më 13 janar. Raportet me Kinën janë në epiqendër të fushatës.

    Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se që nga ora 13:30, sipas kohës lokale, të së shtunës, kanë detektuar avionë të llojeve J-10, J-11 dhe J-16, në pjesën veriore dhe jugperëndimore të hapësirës ajrore të Tajvanit.

    Dhjetë avionë kanë kaluar vijën e Ngushticës së Tajvanit, apo i janë afruar shumë, përderisa luftanijet kineze kanë kryer “patrullime për gatishmëri të luftimeve”, tha Ministria.

    Vija në Ngushticën e Tajvanit është një kufi jozyrtar mes dy palëve, por avionët kinezë rregullisht e shkelin atë.

    Ministria e Mbrojtjes tha se forcat e saj po monitorojnë situatën.

    Kina nuk ka komentuar për aktivitetet e fundit ushtarake afër Tajvanit. Më herët, ajo i kishte thënë se aktivitetet ushtarake synonin të parandalonin “përplasjen” midis separatistëve të Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara dhe kishin për qëllim të mbronin integritetin territorial të Kinës.

    Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile më 1949, por Pekini vazhdon të pretendon se ishulli prej 23 milionë banorësh është territor kinez, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës që ta rimarrë atë./REL/

  • Gërxhaliu: Masat e dhëna nga BE-ja, rezymeja më e mirë karakterizuese e aktualitetit ekonomik në Kosovë

    Gërxhaliu: Masat e dhëna nga BE-ja, rezymeja më e mirë karakterizuese e aktualitetit ekonomik në Kosovë

    Ish-kryetari Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se realiteti me të cilin janë duke u përballur qytetarët dhe ajo se çka është duke ndodhur në Kosovë është pasqyra më e mirë e që mund të tregoj rritjen ekonomike në vend.

    Ai duke komentuar raportin e Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit thuhet se Kosova pritet që të ketë rritje ekonomike prej 3.8 përqind për vitin 2023, tha se sanksionet nga Bashkimi Evropian janë rezymeja më e mirë karakterizuese e aktualitet ekonomik në Kosovë.

    Tutje Gërxhaliu ka përmendur disa çështje sipas së cilit mund të vendoset pastaj se sa vlen një renditje e tillë.

    “Çka flitet e thuhet nëpër institucione të ndryshme është për t’u respektuar, mirëpo besoj realiteti më i mirë i rritjes ekonomike është ajo çka ndodh në Kosovë, atë që e shijojnë Kosovarët dhe atë që e ndjen qytetari i Kosovës”.

    “Kisha pas dëshirë që të jetë e vërtetë ajo që qarkullon nëpër media, mirëpo në qoftë se kemi shkallën e inflacionit, në qoftë se kemi ngritjen e çmimeve çoftë të produkteve bazike, në qoftë se kemi rënie të investimeve të huaja direket, në çoftë se kemi tkurrje të projekteve kapitaleve, keq menaxhim të buxhetit vjetor, rënie të eksporteve dhe jemi shoqëri e varur nga importi, nëse kemi pakënaqësi sa i përket pagave në Kosovë çoftë në nivelin publik e atë privat, raportet nga ShBA-të, BE-ja e në veçanti këto rajonale aty ku hyn edhe Shqipëria, në çoftë se kemi këtë zbrazjen masive të Kosovës ,atëherë shtrohet pyetja se sa ka kuptim një term i tillë dhe se në çka është i bazuar”,- vazhdoi tutje ai.

    Eksperti i çështjeve ekonomike tha se Kosova ka nevojë për rritje ekonomike, çoftë edhe për një përqind apo 1.5%.

    “Duhet të ketë sa më shumë investime të huaja direket, rritje te eksporteve, dialog publik-privat, vende të reja të punës, edukime në funksion të zhvillimit ekonomik dhe atij masovik, perspektiva që të rinjtë të mbesin në Kosovë, pra në këto duhet të jemi të orientuar të arrihen”,- tha Gërxhaliu deri sa shtoi faktin se çfarë është blerë vitin e kaluar me 100 euro sot nuk mund të merret as me 150-të.

    Në raportin e FMN-së për Kosovën, për dallim nga raporti i prillit ku parashikohej rritje ekonomike prej 3.5%, në raportin e tetorit, kreditori global e ka rritur projeksionin në 3.8% për vitin 2023.

    Sipas raportit inflacioni pritet që të ngadalësohet për 4.7 përqind në 2023 nga 11.7 përqind nga viti paraprak, para se të bie në 3.1 përqind më 2024.

  • Vdes një foshnje në Suharekë, Policia fillon hetimet

    Vdes një foshnje në Suharekë, Policia fillon hetimet

    Një foshnjë ka vdekur dje në Suharekë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas raportit 24 orësh, prindërit e kanë dërguar në emergjence foshnjën pasi që iu ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore, por sipas mjekut kujdestar foshnja ishte dërguar pa shenja jete.

    “Suharekë 21.12.2023 – 15:40. Raportohet se nga prindërit është dërguar në emergjence foshnja e porsalindur, pasi që iu ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore. Sipas mjekut kujdestar, foshnja është sjell pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit përkatëse policore. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Kishte oferta të shumta, Hasani zbulon pse zgjodhi Rapid Bucurestin

    Kishte oferta të shumta, Hasani zbulon pse zgjodhi Rapid Bucurestin

    Skuadra e Rapid Bucurestit e prezantoi sot transferimin më të ri të klubit, Florent Hasanin.

    Ylli kosovar largohet nga KF Tirana për t’iu bashkuar skuadrës rumune në një marrëveshje dy vjeçare e gjysmë, raporton KosovaPress.

    Tani, Hasani ka folur për mediat e klubit, ku zbuloi se kishte pasur oferta të shumta, por që zgjidhja më e mirë për të dukej se ishte Rapid Bucuresti.

    “Kam pasur oferta të shumta, por me Rapidin e kisha një ndjenjë nga zemra që do të ishte një zgjidhje e mirë. Kam analizuar gjithçka, kam folur me njerëz të ndryshëm, i fundit Albion Rrahmani. Pas kësaj, unë e morra vendimin që ky ishte opsioni më i mirë për mua dhe tani unë jam këtu”, tha Hasani.

    Po ashtu, ylli kosovar kishte edhe një mesazh për tifozët e skuadrës rumune.

    “Ju premtoj tifozëve të mrekullueshëm të Rapidit që unë do të jap më të mirën për ta dhe për skuadrën dhe unë shpresoj që do të shijoj sa më shumë ndeshje së bashku”, tha Hasani.

    Florent Hasani do ta bartë numrin 8 në fanellën e tij me Rapid Bucurestin.