ATV

Blog

  • Berisha: Duan të më burgosin, por s’gjetën asnjë fakt kundër meje

    Berisha: Duan të më burgosin, por s’gjetën asnjë fakt kundër meje

    Ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku gjatë fjalës së tij u shpreh se nuk ka asnjë fakt apo provë për ta burgosur atë, edhe pse sipas tij kjo është ajo që qeveria do të bëjë.

    Sipas Berishës, arsyeja se përse duan ta burgosin, është sepse janë të tmerruar, teksa shtoi se për ta goditur “përdorin kodin e mafies”.

    Fjala e Berishës:

    “Nuk e kam fjalën këtu vetëm për kërkesën e fundit për arrestimin e Sali Berishës. Simptomat e kësaj sëmundje kanë kohë që janë shfaqur me kosto shumë të lartë për Shqipërinë.

    Një i dënuar që sot është në burg, McGonigal, zyrtari ndër më të lartët i kundërzbulimit amerikan, korruptohet nga Edi Rama dhe shpall Sali Berishën non-grata, kur e vërteta ishte se nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje.

    Në sytë e të gjithë botës i vidhet vula PD-së, kur e vërteta është se shumica e demokratëve në dy palë zgjedhje dhe tre votëbesimi, kanë zgjedhur Sali Berishën si liderin e opozitës demokratike.

  • Trajkoviq: Kosova mundi ta arrestojë Radojiçiqin por dështoi

    Trajkoviq: Kosova mundi ta arrestojë Radojiçiqin por dështoi

    Politikania serbe, Rada Trajkoviq, ka reaguar pas konferencës së sotme të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka alarmuar për rigrupimet në Serbi të grupit të Radojiçiqit.

    Trajkoviq ka thënë se Kosova ka pasur disa mundësi për ta arrestuar por s’kishte arritur. Politikania serbe thotë se mbase “dëshmia e Radojiçiq do të ishte e papërshtatshme për elitat politike në Kosovë” dhe njejtë “për ato të Serbisë”.

    Trajkoviq ka thënë se gjithçka që mbetet sot është “nxitja e frikës”.

    “Kosova kishte disa mundësi për të arrestuar Radoiçiqin, por nuk ia arriti. Kjo mund të jetë pasi dëshmia e tij mund të jetë po aq e papërshtatshme për elitat politike të Kosovës sa do të ishte për atë të Serbisë. Gjithçka që mbetet për të bërë tani është të nxitësh frikën dhe të ngacmosh/destabilizosh vazhdimisht komunitetin tone”, ka shkruar ajo.

  • Çeku: Shteti i Kosovës i braktisi heronjtë e tij në Hagë

    Çeku: Shteti i Kosovës i braktisi heronjtë e tij në Hagë

    Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka drejtuar kritika të ashpra për sjelljen përjashtuese të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti ndaj spektrit tjetër politik në vend.

    Ai në një rrëfim ekskluziv për TV Arbërinë u ka bërë thirrje të dy liderëve shtetërorë të tregojnë më shumë respekt dhe konsiderata ndaj atyre që kanë kontribuar në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, veçanërisht heronjve të gjallë që aktualisht gjenden padrejtësisht në Hagë.

    Ai ka thënë se është detyrë madhore e institucioneve të Kosovës që të angazhohen që të rrëzohet kjo aktakuzë.

    Se si duhet të veprohet në këtë rast ai ka marrë shembullin e Kroacisë. Tre gjeneralët kryesorë të ushtrisë kroate për shkak të rolit të tyre në operacionin “Stuhia”, qenë akuzuar me një aktakuzë identike. Mirëpo, atëbotë shteti kroat u mobilizua i tëri, duke përfshirë diplomacinë, sportin, kulturën madje edhe kishën, me qëllim që ta rrëzojë një aktakuzë të tillë.

    Ndërkohë, përpos familjarëve të atyre që ndodhen në Hagë, institucionet e Kosovës po i veçon një heshtje dhe indiferencë e çuditshme, të cilën ai e ka quajtur një heshtje të papranueshme.

    Çeku ka komentuar edhe deklarimet e krerëve të shtetit në lidhje me ndonjë sulm të ri nga Serbia, ngjashëm me atë terrorist të 24 shtatorit në Banjska.

    Megjithatë Çeku ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë sulmi ndaj Kosovës nga Serbia në rrethanat aktuale.

    Ai ka komentuar edhe sulmin në Banjska duke thënë se ai ishte organizuar nga ushtarakë me përvojë serbë në kohën e vendosjes së masave ndëshkuese nga BE-ja për Kosovën, të cilën Serbia e ka parë si të “duhur” për të ndërmarrë një sulm terrorist.

    Çeku e ka quajtur sigurinë si prioritet numër një për vendin duke thënë se kapacitetet e Kosovës në këtë fushë duhet të shtohen, teksa praninë e NATO-s në vendin tonë e ka quajtur fat të madh. Ai ndërkaq e ka quajtur dekurajuese qasjen e kryeministrit Albin Kurtit ndaj pjesëtarëve sa i përket shtesave të rrezikshmërisë.

  • Arratiset një person në Gjakovë pasi rrahu vëllanë dhe dy motrat e tij

    Arratiset një person në Gjakovë pasi rrahu vëllanë dhe dy motrat e tij

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se në mesin e ngjarjeve është edhe një rast i dhunës në familje.

    Në Gjakovë, një person ka ushtruar dhunë fizike mbi vëllaun dhe dy motrat e tij.

    Sipas të dhënave, i dyshuari pas veprës është arratisur në drejtim të panjohur.

  • Pas deklaratave të Kurtit ushtarët amerikanë patrullojnë pranë Leposaviqit

    Pas deklaratave të Kurtit ushtarët amerikanë patrullojnë pranë Leposaviqit

    Ushtarë amerikanë që janë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë kanë patrulluar bjeshkëve të Leposaviqit.

    Njoftimi është bërë përmes faqes së misionit të NATO-s në Faceboook, ku thuhet se “ushtarët amerikanë të KFOR-it nga Komanda Rajonale e Lindjes (RC-E_ kanë kryer një patrullim të sigurisë pranë Leposaviqit”.

    “KFOR është i fokusuar plotësisht në baza ditore për ta përmbushur mandatin, sipas Rezolutës 1244  të Këshillit të Sigurisë të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar ambient për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë si dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në faqen e KFOR.

    Ky njoftim vjen pas një konference të kryeministri Albin Kurti, ku u tha se në Serbi janë duke u bërë plane të tjera për ta sulmuar Kosovën.

  • Xhaka në mesin e 100-shes së lojtarëve më të mirë për vitin 2023

    Xhaka në mesin e 100-shes së lojtarëve më të mirë për vitin 2023

    Gazeta e madhe britanike, “The Guardian”, ka publikuar listën me 100 lojtarët më të mirë në botë për vitin 2023.

    Lista është përpiluar nga një panel prej 218 personash.

    Vendin e parë e ka zënë Erling Haaland, i ndjekur nga Jude Belingham, Mbappe, Kane e Rodri, që përbëjnë pesëshen më të mirë.

    Pastaj vijnë Vinicius Junior, Mohamed Salah, Kevin De Bryne, Victor Osimhen dhe Lionel Messi.

    Ndërkaq, në top-100 është renditur edhe Granit Xhaka, i cili disa sezone i kaloi në Arsenal, kurse aktualisht është në Gjermani me skuadrën më në formë në ligat më të forta evropiane, Bayer Leverkusen.

    Në sezonin e tij të parë me skuadrën, Xhaka me shokë po e kryesojnë ligën gjermane, duke lënë prapa gjigantët si Bayern Munich e Dortmund.

    10 lojtarët e fundit në këtë listë janë: Antonio Rudiger (91), Riyad Mahrez (92), Granit Xhaka (93), Marcelo Brozovic (94), Theo Hernández (95), Alphonso Davies (96), Denzel Dumfries (97), Ollie Watkins (98), Warren Zaire-Emery (99) dhe Marcus Thuram (100). /KK

  • Ekstradohen drejt Shqipërisë dy persona të kapur në Gjermani

    Ekstradohen drejt Shqipërisë dy persona të kapur në Gjermani

    Ilir Nazaj, 53 vjeç i dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, dhe Kristaq Tota, i dënuar me 5 vjet burgim janë lokalizuar në Gjermani dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë.

    Policia bën me dije se ata janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, raporton Euronews.al.

    “Në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Interpol Tirana, pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, për dy shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar që fshiheshin në Gjermani, ia kanë dërguar informacionet autoriteteve policore gjermane, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre. Në bazë të këtyre informacioneve, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Capital 2’, janë lokalizuar dhe ekstraduar në Shqipëri, dy shtetasit”, njofton policia.

  • Papastërti e infrastrukturë jo e mirë në Klinikën e Kardiologjisë

    Papastërti e infrastrukturë jo e mirë në Klinikën e Kardiologjisë

    Gjendja infrastrukturore dhe niveli i pastërtisë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK nuk është për t’u lavdëruar.

    Në brendi të objektit mund të shihet një pjesë e tavanit të dëmtuar, shkallët e pa pastruara, madje mund të shihen edhe cigare të hedhura në fund të shkallëve.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në fillim të këtij muaji ka njoftuar nisjen e investimeve në këtë klinikë në vlerë mbi 750 mijë euro, ku përfshihen rinovimi i sportelit, zgjerimi dhe riorganizimi i dhomave të kujdesit intensiv, rinovimi i sallave operative. Po ashtu, për stafin, arkivat, depot e barnatores dhe materialit kirurgjik do të ketë hapësira të reja.

    Sipas tij, pas investimit, nga mesi i 2024 nuk do të ketë listë të pritjes, teksa me dyfishimin e numrit të shtretërve, rritet në 400 numri i pacientëve që mund të marrin shërbime nga 300 sa ishte.

  • Vdes ambasadori amerikan, John Kornblum, i cili bëri historinë duke hapur zyrën e parë të ShBA-së në Kosovë

    Vdes ambasadori amerikan, John Kornblum, i cili bëri historinë duke hapur zyrën e parë të ShBA-së në Kosovë

    Ambasada e Kosovës në Washington ka njoftuar për vdekjen e ambasadorit amerikan John Kornblum.

    Ai kishte bërë hapjen e parë të zyrës së SHBA-së në Kosovë më 5 qershor 1996, vendim ky historik në një moment historik në mbështetjen amerikane për Kosovën.

    Ambasada e Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Kornblum duke rikujtuar punën e palodhshme të tij për lirinë, demokracinë dhe raportet transatlantike.

     

  • ​BE-ja mirëpret rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndihmën ndaj Gazës

    ​BE-ja mirëpret rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndihmën ndaj Gazës

    Bashkimi Evropian përshëndeti një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten që kërkonte më shumë ndihmë dhe qasje më të mirë në Rripin e Gazës.

    “Unë mirëpres rezolutën e KS të OKB-së që bën thirrje për shpërndarje të shpejtë, të sigurt dhe të shkallëzuar të ndihmës për popullin e Gazës dhe hedh bazat për një ndërprerje të armiqësive”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në rrjetin social X.

    Komisioni po punon me partnerët në rajon dhe më gjerë “për të adresuar urgjencën humanitare dhe për t’u përgatitur për të nesërmen, tashmë sot”, tha ajo.

    Shefi i Politikës së Jashtme të bllokut Josep Borrell tha se ai përgëzoi përpjekjet e OKB-së për rezolutën dhe u bëri thirrje palëve të respektojnë detyrimet e tyre ligjore dhe të sigurojnë zbatimin.

    “Miratimi i rezolutës KS të OKB-së për rritjen e ndihmës humanitare në Gaza është thelbësore para së gjithash për civilët në terren”, shkroi ai në X.

    Borrell tha se ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për ta siguruar atë për “mbështetjen e palëkundur” të BE-së për rolin e OKB-së në ofrimin e ndihmës për civilët në Gaza.

    “Unë mirëpres theksin mbi nevojën për të respektuar IHL (të drejtën ndërkombëtare humanitare) dhe lëvizjen drejt një ndërprerjeje të qëndrueshme të armiqësive”, shtoi ai.

    Pas vonesave këtë javë, 13 vende anëtare të KS votuan pro rezolutës, ndërsa SHBA dhe Rusia abstenuan.

    Që nga 7 tetori, ushtria izraelite ka zhvilluar një luftë shkatërruese në Gaza, duke rezultuar në 20,057 të vdekur dhe 53.320 të plagosur, shumica prej tyre fëmijë dhe gra. Sipas burimeve palestineze dhe ndërkombëtare, ajo ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe një katastrofë humanitare të paprecedentë. /AA