ATV

Blog

  • Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në vendin tonë

    Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në vendin tonë

    Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë shqiptuar 1 mijë e 832 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 29 aksidente me të lënduar dhe 34 me dëme materiale.

    Ndërkaq, në 24 orëshin e fundit edhe janë arrestuar 20 persona dhe 12 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Shqipëri: 18-vjeçari i dehur hidhet nga kati i nëntë, vdes në vend

    Shqipëri: 18-vjeçari i dehur hidhet nga kati i nëntë, vdes në vend

    Në qytetin e Korçës në shqipëri, një 18-vjeçar nga Durrësi është hedhur nga kati i 9-të i një ndërtese.

    Bëhet me dije se i riu ka festuar mbrëmjen e djeshme ku ka konsumuar alkool.

    Në gjendje të dehur dhe në rrethana ende të paqarta, ai është hedhur nga lartësia dhe për pasoje ka ndërruar jetë në vend.

    Policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

  • DW: Kosova alarmon për sulme të mundshme në veri

    DW: Kosova alarmon për sulme të mundshme në veri

    Autoritetet në Kosovë kanë ngritur alarmin për sulme të reja të mundshme në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha, se Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës së bashku me grupin që kreu sulmin e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

    Në një konferencë në fundjavë, duke u bazuar në informacione të inteligjencës kosovare, Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, ku grupi sipas tij, po kryen trajnime, përfshirë poligone ushtarake të Serbisë. Pretendimet e kryeministrit të Kosovës u hodhën menjëherë poshtë nga Ministria Serbe e Mbrojtjes. Kryeministri kosovar nuk ofroi dëshmi, por sipas Kurtit, “Milan Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj”.

    Kurti: Radoiçiq përgatit sulme të tjera në Kosovë

    “Kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoçiqit. Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste Mbrojtja Civile”, tha kryeministri Kurti. Duke zbuluar të dhëna, kryeministri kosovar tha se “Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të inteligjencës serbe (BIA).

    “Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti. Ai po ashtu, përmendi edhe një poligon të ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që sipas Kurtit “kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë”. “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, dy organizata të serbëve të veriut në Kosovë cilësohen organizata terroriste.

    “Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti. Sipas tij, Kosova në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri Kurti para takimit në Prishtinë 20.11.2023Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri Kurti para takimit në Prishtinë 20.11.2023

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri Kurti para takimit në Prishtinë 20.11.2023Fotografi: Office of the Prime Minister in Kosovo

    Serbia mohon akuzat

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, që nga viti 2021 e deri më tash, “Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri”, kryesisht të kryera nga grupi, që kreu sulmin në Banjskë të Zveҫanit.

    Menjëherë pas këtyre deklarimeve të kryeministrit Kurti, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, mohoi këto akuza duke i quajtur madje “absurde”. “Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Ministria Serbe e Mbrojtjes, duke hedhur poshtë po ashtu se “ka plane për sulme në territorin e Kosovës”.

    Shtimi i prezencës së NATO-s pas sulmit të 24 shtatorit në Kosovë

    Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të veriut të Kosovës është cilësuar si më i rëndi që nga shpallja e pavarësië së Kosovës, duke ngritur edhe shqetësimin faktorit ndërkombëtar për stabilitet në vend. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën e tij të fundivitit tha, se “ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    ”Në këtë periudhë të vitit, falënderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Pa ju nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri. Shërbimi i tyre na mban pa rreziqe, të sigurt dhe të lirë”, tha Stoltenberg. Aleanca veriatlantike, këtë vit dërgoi qindra trupa shtesë duke e rritur numrin në 4600 trupa. Rritja e numrit të ushtarëve u bë pas trazirave në veri pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, ku serbët lokalë plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it si dhe pas sulmit në Banjskë më 24 shtator, ku grupe serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

    Thirrje për heqjen e masave ndëshkuese

    Sidoqoftë, udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të ndëshkojë Serbinë për siç thonë “veprime armiqësore ndaj Kosovës dhe largim nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve”.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “masat e vendosura nga Bashkimi Evropian pas tensioneve të fundit ishin të padrejta”. “Ato që janë kërkuar nga Kosova për atë që e quanin depërshkallëzim, tashmë kanë ndodhur dhe masat është dashur të hiqeshin tashmë, sepse, janë masa që në mënyrë të padrejtë ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve tanë për shkak të projekteve që janë bllokuar, të cilat kryesisht u dedikohen komunave”, thotë Presidentja Osmani.

    Sipas saj, “ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga ato për të cilat janë vendosur”, dhe një qasje e tillë sipas Presidentes Osmani është e papranueshme. Edhe kryeministri Albin Kurti, na ana e tij, në një postim në rrjetet sociale, kërkoi heqjen e masave ndëshkuese dhe që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n. “Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte detyrimin e njohjes de facto të Kosovës. Kurti shfaqi shpresën se “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione Serbisë, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, dhe për heqjen dorë nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve”.

    Marrëveshja e arritur në Ohrër me ndërmjetësim të BE-së, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit më të lartë evropianë Kosovës i kërkuan themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë, njohjen de facto të Kosovës.

  • Osmani publikon pamje të ambasadorit Hovenier së bashku me vajzat e saj, të tre këndojnë “Jingle Bells”

    Osmani publikon pamje të ambasadorit Hovenier së bashku me vajzat e saj, të tre këndojnë “Jingle Bells”

    Besimtarët e krishterë në mbarë botën sot festojnë Krishtlindjen. E festimi i kësaj feste po shënohet edhe në Kosovë.

    Presidentja Vjosa Osmani, ka publikuar në Instagram një video shumë të veçantë, përmes të cilit ka uruar edhe festën e Krishtlindjes.

    Në videon e publikuar shihet ambasadori amerikan Jeff Hovenier teksa i bie pianos dhe së bashku me të dy vajzat e presidentes Osmani, këndojnë këngën e famshme të Krishtlindjes “Jingle Bells”.

  • Bërnabiq pranon se shërbimi rus “u dha informacione” autoriteteve për protestën në Serbi

    Bërnabiq pranon se shërbimi rus “u dha informacione” autoriteteve për protestën në Serbi

    Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha më 24 dhjetor se shërbimi rus i sigurisë “siguroi informacion” për incidente të mundshme në protestën në Beograd, ndërsa ajo akuzoi koalicionin opozitar “Serbia kundër dhunës” për përpjekje për të “destabilizuar me dhunë shtetin”.

    Ajo deklaroi se gjatë fushatës, para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, “paralajmëroi për synimet e opozitës”.

    “Para së gjithash, të dhënat na janë dorëzuar në këtë mënyrë nga shërbimi rus i sigurisë. Kur personalisht e ndava këtë me disa ambasadorë, ata na akuzuan për përhapje të dezinformatave, të pavërteta, se i kemi besuar shërbimit rus dhe se e gjitha kjo ishte marrëzi”, tha Bërnabiq, transmeton REL

    Më 24 dhjetor, koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” organizoi protesta në Beograd, për të shtatën natën me radhë, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

  • Një person digjet brenda veturës në Prizren

    Një person digjet brenda veturës në Prizren

    Një person është djegur brenda veturës në rrugën “Kastriotët” në Prizren të dielën në orën 01:20, e Policia e Kosovës ka thënë se sipas hetimeve të para, dyshohet për vetëvrasje.

    Sipas njoftimit, viktima dyshohet të jetë me inicialet SH.K., i lindur në vitin 1968 nga fshati Jeshkovë, e vetura golf 2. Në njoftimin policor thuhet se “vetura ishte djegur plotësisht bashkë me viktimën”.

    “Patrullat Policore kanë shkuar në vendngjarje dhe nga informatat e para nga aty kanë kuptuar se një person gjendet në veturë e cila tanimë ishte e djegur plotësisht bashkë me viktimën. Vetura e djegur është një golf 2, ndërsa viktima dyshohet të jetë Sh. K. I lindur në vitin 1968 nga fshati Jeshkovë, Prizren. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësit përgjegjëse për rastin si dhe prokurori kujdestar. Nga hetimet e para dyshohet se viktima ka bërë vetëvrasje”, thuhet në njoftim.

    Rasti është iniciuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa mbetjet e trupit të pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

  • Mesha e Krishtlindjes, Dodë Gjergji bën thirrje për paqe e solidaritet

    Mesha e Krishtlindjes, Dodë Gjergji bën thirrje për paqe e solidaritet

    Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha kryesore e Krishtlindjeve, e udhëhequr nga Ipeshkivi i Kosovës, Dodë Gjergji.

    Me këtë rast, ai dha mesazhe për mirësinë, afërsinë dhe solidaritetin, duke thënë se Krishtlindjet janë mundësi për të qenë mirënjohës dhe për të përforcuar vetëdijën tonë.

    Duke përmendur rëndësinë e Krishtlindjeve, Ipeshkvi Dodë Gjergji tha kjo është festë për të qenë falënderues ndaj Krijuesit, për të cilin tha na bën më të fortë.

    “Festa e Krishtlindjes është momenti më i bukur dhe mundësia më e mirë për të falënderuar Hyun, për t’i dhënë lavdi krijuesit, pasi në këtë natë të shenjtë me mishërimin e fjalës është plotësuar premtimi shpëtimtues për të gjithë njerëzit.

    Na u është dhuruar princi i paqes i cili në mbushë me dashuri e na bën të fuqishëm e të fortë. Me këtë kremtim solemn të kësaj nate përtrijmë kujtesën mbi veprën e Zotit, përforcojmë vetëdijën tonë dhe këndojmë jo vetëm me hare këngë engjujve por edhe i përsërisim psalmet, e pastaj shpallim shpëtimin që vie nëpërmjet Krishtit duke i dhënë lavdi që e meriton dhe duke e çmuar veprën e tij. Është vërtetë gjë e bukur dhe nuk duhet askush të ketë frikë që të ulet e ta përqafojë këtë foshnje të pafajshme”, tha ai.

    Ipeshkvi Dodë Gjergji bëri lutje edhe për personat në nevojë, teksa bëri thirrje për më shumë paqe në botë, për të cilën tha po shkatërron fatin e shumë njerëzve.

    “Dëshiroj me gjithë zemër t’i lutem Zotit për të gjithë njerëzit që kanë nevojë, për të sëmurët, për ata të cilët u mungon kujdesi, dashuria, sidomos lutem për paqe në botë sepse paqja në shumë vende është duke shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe në që kemi përjetuar këtë të keqe të angazhohemi që të ruajm paqen pas nesh”, tha ai.

    Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit dhe për promovim të tolerancës ndër fetare, për të cilën tha se është pasuri për shoqërinë tonë.

    “Të mos pushojmë kurrë duke kërkuar të vërtetën dhe që ajo të na gjejë neve, të promovojmë dashurinë me njëri tjetrin dhe tolerancën ndërfetare si pasuri e pacmueshme në mesin tonë, por duke e ngritur në dimension tjetër. Nëpërmjet paqes, lirisë e dashurisë cdo njëri të zbulojë bukurinë e shpirtit dhe atë t’ia paraqet Krijuesit dhe nëse gjen guximin të afrohet për t’u pagëzuar”, shtoi ai.

    Me rastin e Krishtlindjeve, mesazhe urimi kanë dërguar përfaqësues fetarë e politik në Kosovë. /KP/

  • Kosovarët me borxhe deri në ‘fyt’, rreth 5 miliardë euro kredi

    Kosovarët me borxhe deri në ‘fyt’, rreth 5 miliardë euro kredi

    Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat e komerciale të Kosovës është rritur për rreth 13 mijë deri në nëntor të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gati 200 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi gjatë këtij viti. Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor është rreth 5 miliardë euro. Krahas kësaj, rritje ka shënuar edhe norma mesatare e interesit për dy për qind, sa ishte 6.2 për qind vitin e kaluar.

    Se kamatat janë rritur dhe nuk janë të favorshme e thonë edhe qytetarët, për çka tregojnë se për shkak të standardit të jetesës që kanë, obligohen që të hyjë në borxhe.

    Për KosovaPress, qytetari Hysni Thaçi tha se familjarë të tij kanë marrur kredi, për çka tha se u janë shfaqur vështirësi në kthimin e mjeteve.

    Ndërkaq, qytetari Sabri Rexha e quan “fajde” normën e interesit. Sipas tij, përveç nevojës, “njerëzit e kanë shprehi, nuk mund të jetojë pa borxhe”.

    Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se numri i përgjithshëm i kredi marrësve është 118 mijë e 102 deri në nëntor, rreth 13 mijë më shumë se vitin e kaluar.

    Në një përgjigje me shkrimn për KosovaPress, nga BQK theksojnë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor të këtij viti është 4.8 miliardë euro.

    Ata shtojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin tetor 2023 përllogaritet 6.4%, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar përllogaritej 6.2%.

    Po ashtu, edhe nga Shoqata e Bankave të Kosovës potencojnë se është rritur për mbi 1 miliardë euro vlera e kredive të reja të raportuara deri në shtator të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Për KosovaPress, ata shtojnë se kjo vlerë është për 8.91% më e lartë se në vitin 2022.

    Ndërsa, themeluesi i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, Fehmi Mehmeti për KosovaPress thotë se rritja e kreditimeve vazhdon të jetë e lartë, sidomos pas pandemisë. Këtë rritje, Mehmeti e vlerëson si të mirë, pasi sipas tij ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.

    Përveç kësaj, ish guvernatori i BQK-së tha se pandemia ka ndikuar edhe në rritjen e inflacionit. Ai potencoi se pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për rritjen e normës së interesit për katër herë radhazi, duke vepruar njëjtë edhe Sistemi i Rezervës Federale Amerikane, që sipas tij është e ditur se kjo do të ndikonte në rritjen e inflacion në tërë Evropën, rrjedhimisht edhe në Kosovë.

    Mehmeti shtoi se pret që të ketë ulje të inflacionit.

    Përveç rritjes së kredive, edhe depozitat kanë arritur në vlerën 5 miliardë e 875.9 milionë euro.

    Ndërsa, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të sigurojnë profit të lartë gjatë periudhës janar-tetor 2023.

    Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), për dhjetë muaj të këtij viti nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 141 milionë euro ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.

  • Liberalizimi i vizave: Afër 300 mijë qytetarët u pajisën me pasaporta në vitin 2023

    Liberalizimi i vizave: Afër 300 mijë qytetarët u pajisën me pasaporta në vitin 2023

    Na ndajnë edhe pak ditë nga 1 Janari, kur hynë në fuqi liberalizimi i vizave për kosovarët.

    E për të udhëtuar drejt shteteve të zonës Shengen, qytetarët duhet të jenë të pajisur me pasaportë të Kosovës.

    Një numër i madh i qytetarëve kosovar kanë aplikuar që të pajisen me këtë dokument.

    Nga fillimi i vitit 2023, 287 mijë e 965 kosovar janë pajisur me pasaporta.

    Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Qytetarë të pajisur me pasaporta për vitin 2023 gjithsej janë 287965”.

    209 mijë e 755 qytetarë u pajisen me letërnjoftim gjatë 2023-tës

    Numri i qytetarëve që janë pajisur me letërnjoftim gjatë 2023-tës ka shkuar tek 209755.

    Këtë statistikë e kanë bërë të ditur nga MPB-ja.

    “Qytetarë të pajisur me letërnjoftime për vitin 2023 gjithsej janë 209755”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    E numri për letërnjoftime për herën e parë që kanë aplikuar qytetarët është me i ulët se ai parapraku.

    “Qytetarë të cilët janë pajisur për herë të parë më letërnjoftim gjithsej janë 41798”.

    Kaq persona janë të pajisur me patentë shoferë në Kosovë

    Nga muaji janar 2023 e deri më tani gjithsej 93 mijë e 385 shofer të rinj u pajisen me patent shofer.

    Ndërsa qytetarë që kanë aplikuar për herën e parë për këtë kategori është mbi 40 mijë.

    Statistikat janë siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme për Front Online.

    “Qytetarë të pajisur me patentë shofer në vitin 2023 gjithsej janë 93385. Qytetarë të pajisur për herë të parë me patentë shofer këtë vit gjithsej janë 40308”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Mbi 2 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia kosovare gjatë këtij viti

    Për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia, shumë kosovarë gjatë 2023 hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës.

    2 mijë e 938 persona u liruan nga shtetësia.

    Kështu thonë nga MPB-ja për Front Online.

    “Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2023 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 2,938 persona”.

    Nga fillimi i këtij viti e deri më tani 654 qytetarë kanë marrë shtetësi kosovare.

    “Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2023, kanë aplikuar 1,174 persona për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe prej tyre 654 persona kanë marrë shtetësinë e R. Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Ndryshe, që nga tetori i 2022-tës deri në fund të janarit të 2023-tës Kosova është përballur me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve si pasaporta, patentë-shoferët e letërnjoftimeve.

    MPB pati bërë të ditur me 26 janar se gjatë asaj jave ishte pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale.

  • Deri në gjysmë orë pritje në Merdarë për të hyrë në Kosovë

    Deri në gjysmë orë pritje në Merdarë për të hyrë në Kosovë

    Deri në gjysmë ore është koha e pritjes në pikën kufitare në Merdarë për të hyrë në Kosovë.

    Te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 15 minuta dhe 10 minuta në Jarinje.

    Ndërkaq, në pikat e tjera kufitare ka pritje deri në 5 minuta.