ATV

Blog

  • Pesë ditë para vitit të ri – Kjo është gjendja në pikat kufitare sot

    Pesë ditë para vitit të ri – Kjo është gjendja në pikat kufitare sot

    Numër i madh i mërgimtarëve kanë marrë rrugën drejt Kosovës për pushimet dimërore.

    Nga fluksi i madh i veturave ka bëre që në pikat kufitare të krijohen kolona të gjata.

    Por, në këtë mëngjes duket që kolonat janë pakuar dhe nuk ka pritje të gjata.

  • ​Barcelona mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

    ​Barcelona mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

    Njëra nga dinamikat më të mëdha të punës së UEFA-s është menaxhimi sanksionues i Fair Play Financiar.

    Një lajm i publikuar nga e përjavshmja gjermane “Welt am Sonntag”, potencon se UEFA po mendon të përjashtojë Barcelonën nga Liga e Kampionëve për dy deri në tre vjet për çështje që lidhen me respektimin e Fair Play Financiar.

    Shkak për sanksionin e mundshëm do të ishte shkelja e pretenduar e rregullores financiare të UEFA-s sipas së cilës klubet janë të detyruara të kompensojnë shpenzimet me të ardhurat përkatëse.

    Klubi spanjoll mbylli sezonin 2022-2023 me një fitim neto prej 303.71 milionë euro, më i lartë se sa pritej, por rezultat i të ardhurave të paparashikuara kontabël prej 208.16 milionë eurosh që rrjedhin nga operacioni i “Barça Vision” lidhur me të drejtat televizive të titulluara (d.m.th. të shitura në avancim, një operacion i përbashkët për pothuajse të gjitha klubet në Evropë).

    Nëse nuk do të kishte pasur këto të ardhura shtesë, sipas gjetjeve fillestare të UEFA-s, rezultati neto do të kishte qenë shumë më i ulët se sa pritej, do të kishte kompromentuar diferencën për kufirin e pagave 2023-2024 dhe do ta kishte bërë edhe më të vështirë për klubin për ta rregulluar gjendjen financiare.

    Mësohet se UEFA do të vazhdojë këtë hetim deri në detaje dhe në rast se konfirmohen këto spekulime, atëherë gjiganti katalanas mund të përballet me një tjetër situatë të vështirë.

  • Dy ushtarë të FSK-së diplomojnë në trajnimin për oficer në Akademinë Ushtarake të Izmirit

    Dy ushtarë të FSK-së diplomojnë në trajnimin për oficer në Akademinë Ushtarake të Izmirit

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se dy pjesëtarët e FSK-së, Vildane Tmava dhe Besnik Behrami, kanë diplomuar me sukses të lartë në trajnimin për oficer në Akademinë Ushtarake të Izmirit në Republikën e Turqisë.

    Maqedonci ka publikuar fotografi nga ceremonia, me ç’rast ka shkruar se është krenar për sukseset e vazhdueshme të ushtarakëve.

    “Pjesëtarët e FSK-së, Vildane Tmava dhe Besnik Behrami diplomuan me sukses të lartë trajnimin për oficer në Akademinë Ushtarake të Izmirit në Republikën e Turqisë. Krenar për sukseset e vazhdueshme të ushtarakëve tanë”, thuhet në njoftim.

  • Ukraina thotë se ka shkatërruar një anije ruse në Krime

    Ukraina thotë se ka shkatërruar një anije ruse në Krime

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë më 26 dhjetor se kanë shkatërruar një anije të Flotës ruse në afërsi të Gadishullit të Krimesë, anije që dyshohet se ka bartur dronë të cilët Moska synonte t’i përdorte në luftën kundër Kievit.

    “Rreth orës 02:30 [sipas kohës lokale] më 26 dhjetor, Forcat Ajrore sulmuan me raketa lundruese në zonën e Feodosias avionmbajtësin e madh, Novocherkassk, të Flotës së Detit të Zi të Federatës Ruse”, u tha në njoftimin e Forcave Ajrore ukrainase të publikuar në Telegram.

    Feodosia është shtëpi e një baze të madhe detare të Gadishullin e pushtuar të Krimesë.

    Në një njoftim paraprak nga autoritetet ukrainase u tha se Novocherkassk u “shkatërrua”, duke shtuar se “njerëzit thonë se po transportonte Shahed” – duke iu referuar dronëve kamikazë iranianë, që Rusia rregullisht i përdor kundër Ukrainës.

    Komandanti i Forcave Ajrore ukrainase, Mykola Olechtchouk, ka publikuar një video ku shihet një shpërthim në bazën detare ruse në Feodosia.

    Sergey Aksyonov, kreu i Krimesë që mbështetet nga Kremlini, dhe Ministria e Mbrojtjes thanë se një person është vrarë dhe dy janë plagosur nga sulmi në Feodosia.

    Aksyonov konfirmoi“një sulm i armikut është kryer në zonën e Foedosias”.

    “Zona e portit është mbyllur për qarkullim”, tha ai.

    “Deri më tani, shpërthimet janë ndalur dhe zjarri është lokalizuar. Të gjitha shërbimet relevante janë në vendin e ngjarjes. Banorët e disa shtëpive janë evakuuar”, shtoi ai në postimin e publikuar në Telegram.

    Agjencia Interfax citoi Ministrinë e Mbrojtjes të ketë thënë se Ukraina ka lëshuar raketat nga avionët për të sulmuar Feodosian.

    Ukraina, që po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit të kaluar, shpesh sulmon caqe në Krime, veçmas ato të ushtrisë ruse.

    Në prill të vitit 2022, Kievi sulmoi luftanijen Moskva të Flotës së Detit të Zi./REL/

  • Tentim-vrasje në Prishtinë, policia jep detaje

    Tentim-vrasje në Prishtinë, policia jep detaje

    Një përleshje fizike që ka përfunduar me përdorimin e një brisku dhe një boksi hekuri ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.

    Kështu ka bërë të ditur policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

    Si pasojë e përleshjes, dy të dyshuarit të mitur kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Policia ka iniciuar rastin si “tentim-vrasje”.

  • Arrestohet një person për tentim rrëmbimi në Vushtrri

    Arrestohet një person për tentim rrëmbimi në Vushtrri

    Është arrestuar një person në Vushtrri lidhur me një rast të tentim rrëmbimit që ka ndodhur më 23 dhjetor.

    I njëjti pas intervistimit është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    “Smrekonicë, Vushtrri 23.12.2023-22:48. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit, i njëjti është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

    Sipas njoftimit të mëhershëm kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi.

    “TENTIM RRËMBIMI- Vushtrri 23.12.2023-22:48. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas shkëmbimit të disa mesazheve me të dyshuarin mashkull kosovar – rreth një borxhi dhe derisa ishte me veturë në lëvizje, tri automjete i kanë bllokuar rrugë dhe nga ato janë dal disa persona të cilët duke e sulmua fizikisht janë munduar ta fusin në veturën e tyre, por në pamundësi janë larguar nga vendi i ngjarjes. Është njoftuar prokurori rasti në procedurë hetimore”, pati njoftuar policia.

  • Serbia do t’i lejojë në territorin e saj automjetet me targa RKS

    Serbia do t’i lejojë në territorin e saj automjetet me targa RKS

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 25 dhjetor se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.

    Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”, tha Petkoviq, duke insistuar se nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

    Ai gjithashtu bëri të ditur se vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari, mirëpo nuk specifikoi nëse targat e veturave nuk do të mbuloheshin më me letra ngjitëse kur ta kalojnë kufirin – siç ndodh aktualisht, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

    Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin pesë euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit, që detyronte edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

    Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

    Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

    Petkoviq tutje tha që Qeveria e Serbisë është në pritje të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ndërkohë, sipas Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë në veri kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi.

    Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

    Çështja e targave KM ka shkaktuar kriza në veri vitin e kaluar, që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.

    Tensionet në veri kulmuan më 24 shtator të këtij viti, ku në Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist serb kreu agresion, duke lënë të vrarë policin Afrim Bunjaku.

  • Aksident i rëndë në afërsi të Plavës, raportohet për katër të vdekur

    Aksident i rëndë në afërsi të Plavës, raportohet për katër të vdekur

    Katër persona raportohet se kanë vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në Barane në afërsi të Plavës, në Mal të Zi.

    Siç raportojnë mediat atje dy nga viktimat janë çift bashkëshortor.

    Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe një person, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Radio Televizioni i Malit të Zi raporton se të gjithë të vdekurit janë nga Plava.

  • ​Milani synon Antonio Conten

    ​Milani synon Antonio Conten

    Sipas raportimeve të mediave në Itali, Milani mund provojë angazhimin e Antonio Contes si trajner për sezonin e ri, gjithmonë nëse klubi nuk vendos për shkarkimin e Stefano Piolit gjatë këtyre ditëve.

    Pioli e ka gjetur veten nën presion të shtuar pas barazimit zhgënjyes 2-2 të së premtes kundër Salernitana-s. Kuqezinjtë kanë fituar vetëm një nga tre ndeshjet e fundit në Serie A.

    Pasi u eliminua edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, përfundimi në top katërshe është bërë edhe më i domosdoshëm, përcjellë KosovaPress.

    Megjithatë, ka spekulime në rritje se kohës së Piolit në San Siro po i vjen fundi, dhe mediat italiane sugjerojnë se mund të ketë një ndryshim gjatë verës.

    Nëse do të ishte kështu, “La Gazzetta” dhe ‘Calciomercato” sugjerojnë se Conte është trajneri më i mirë dhe më i profilit të lartë aktualisht në treg.

    Ekziston një pritshmëri që Conte do të kishte një pagë të lartë dhe ka të ngjarë të kërkonte disa nënshkrime të menjëhershme dhe potencialisht të shtrenjta, por ai gjithashtu do të pritet të rregullojë problemet e Milanit që lidhen me intensitetin dhe qëndrueshmërinë mbrojtëse.

    Një emër tjetër, dhe me gjasë një opsion shumë më i lirë, që është sugjeruar është ish-mbrojtësi i djathtë dhe trajneri aktual i Primavera, Ignazio Abate, i cili ka impresionuar në rolin e tij me U19.

  • PDK-ja dorëzon sot edhe një lëndë tjetër në Kushtetuese

    PDK-ja dorëzon sot edhe një lëndë tjetër në Kushtetuese

    Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot do të dorëzojë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Dorëzimi do të bëhet nga ora 10:30.

    Sipas njoftimit, pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media.