ATV

Blog

  • Rama kërkon të hiqen masat e BE-së: Janë bllokuar rreth 20 milionë € për Sallën Koncertale e Muzeun e Artit

    Rama kërkon të hiqen masat e BE-së: Janë bllokuar rreth 20 milionë € për Sallën Koncertale e Muzeun e Artit

    Kryetari i Komunës se Prishtinës Përparim Rama, në një intervistë për EO, tha se shpreson që masat e vendosur nga BE-ja ndaj Kosovës të hiqen sa më shpejt. Kjo pasi sipas tij, po pamundësohet ndihma që BE-ja ka premtuar në vlerë prej rreth 200 milionë euro për ndërtimin e Sallës Koncertale dhe Muzeut të Artit.

    Rama ka përmendur projektet të cilat do të fillojnë në vitin 2024 për të cilat tha se gjitha janë në të mirë të qytetarëve.

    “Viti 2024 është i planifikuar me një numër të madh të projekteve madhore, pra e kemi nënkalimin prej pas Teatrit deri tekë komuna, ku e kemi nënkalimin i cili do ta lidh tregun e gjelbër me sheshin. E kemi edhe projektin e tregut të gjelbër, pra ku e bëjmë bartjen në zonën ku ka qenë zona e AKP-së. Kemi projektin e platformës e cila e ndërlidh Arbërinë me Pallatin e Rinisë, vetëm se e kemi kryer projektin detal për krimin e nënkalimit prej Flamurit deri tek Stacioni i Autobusëve”.

    “Tash vetëm se jemi në përfundim të projektit detal për Sallën Koncertale dhe Muzeut të Artit. Për fat të keq Kosova është nën masa dhe lutemi që sa më parë që të kem mundësin që Kosova të mos jetë nënë masa sepse kjo është e ndërlidhur edhe me një fond prej 15 deri në 20 milionë euro, që është i premtuar nga BE-ja që të na ndihmoj në ndërtimin e kësaj ndërtese monumentale me rëndësi shumë të madhe për artin edhe kulturën në kryeqytet”, tha ai.

    Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos e bllokoj punën dhe projektet e kryeqytetit, duke bërë thirrje për bashkëpunim ku ekzekutivi mund të ndihmojë. Rama ka thënë se Qeveria nuk e ka prioritet që ta ndihmojë komunën e Prishtinës, sipas ka ndarë më shumë fonde për komunën e Shtimes se sa për kryeqytetin.

    Kryetari Rama ka thënë se në vitin 2023 është bërë shumë më shumë se vitin e kaluar, duke shtuar se tij, ka edhe shumë punë për të bërë.

    “Është detyre e opozitës me pas kritika edhe faktikisht gjithmonë janë të mirëseardhura kritikat konstruktive. Sa kemi arrit e keni parë edhe vetë qe kemi bërë punë të madhe në kryeqytet dhe jemi duke vazhduar me bërë punë të mëdha në kryeqytet. Krejt çka kërkojmë është që mos të na bllokojnë me bllokadat që janë puro partiake dhe të pa nevojshme, si për shembull aspekti i rrugës ‘A’ apo ‘Xhim Xhema’, ku edhe ne kishim pas mundësi me vazhduar po ashtu mos me na blloku duke bërë bartjen shumë vonë në fund të viti, sepse kjo na lenë një dritare shumë të vogël ku mundemi me i shfrytëzuar fondet të cilat janë tonat, janë të kryeqytetit”.

    “Kemi shpenzuar dhe kemi krijuar shumë më shumë se vitin e kaluar, pra kemi përmirësim të dukshme nga viti i kaluar, por a kemi mbërri atë çka duam absolutisht jo. Kemi shumë punë për me bërë, për këtë arsye edhe kërkoj nga niveli qendror që të jenë më bashkëpunues pra në këto pikat ku edhe munden me ndihmuar dhe jo me blloku, pra siç janë bartja, mos më bërë ndalje të pa nevojshme të projekteve të cilat janë madhore që janë për të mirën e kryeqytetit, për të mirën e çlirimit të trafikut, pra nga kaosi që e kemi sot e që e kemi pasur me vitet të tëra me dekada e që ne jemi duke u mundura që në bazë të projekteve të shumta ta përmirësojmë gjendjen e kryeqytetit”, tha ai.

    Rama shpreh i bindur se do të mbahet mend si kryetari që e ka kthyer besimin e qytetarëve. Ai tha se kryeqytetit do të bëhet një vend me karakter unik në botë, me një mocion të mrekullueshëm ku qytetarët do të kenë mundësin me kaluar një jetë të mirë e të shëndetshme.

    “Unë mendoj që kthimi i besimit tekë qytetarët sepse qytetarët e patën humbur besimin që Prishtina mundet me u bë mirë dhe kthimi i besimit tekë qytetarët. Jo vetëm që do të behët mirë, por do të bëhet një vend me karakter unik në botë, me një mocion të mrekullueshëm ku edhe qytetarët kanë me pasur mundësin me kaluar një jetë të mirë, të shëndetshme. Gjitha këto transferime të kryeqytetit janë duke u bërë në të mirën e kryeqytetit të qytetarëve të kryeqytetit. Gjitha këto transformime edhe marrin kohë edhe kanë impakte negative gjatë punës për shembull, si në aspektin kohorë. Mirëpo kur e dimë që e kemi vizonin, e dimë ku jemi duke shkuar edhe jemi duke shkua në rrugë të mirë për transformim të kryeqytetit”, tha ai.

    Kryetari Rama tha se ka kërkuar përsëri nga Ministria e Financave që të nënshkruajnë marrëveshjen për unazën e qytetit, por që të njëjtit janë duke refuzuar, sipas tij, ky projekt do të lehtësoj trafikun. Ai tha se nëse ndihma nuk vjen nga qeveria për këtë projekt komuna do të shikoj forma të tjera që të gjejë mbështetje për të, raporton EO.

    Ai theksoi se Qeveria nuk është duke e shikuar me prioritet ndihmën ndaj kryeqytetit. Sipas tij, Qeveria më shumë është duke ndarë fonde për komunën e Shtimes se sa për Prishtinën.

    “Unë edhe sot kërkova nga ministri i Financave që ta nënshkruaj marrëveshjen për unazën e kryeqytetit mirëpo për fat të keq niveli qendror nuk e sheh këtë si prioritet. Ne nëse nuk e bëjmë unazën e kryeqytetit edhe tash na paralelisht jemi duke i bërë të gjitha të tjerat, ne faktikisht edhe për atë po Organizojmë Konferencën për Investitor, sepse nëse nuk na ndihmomë niveli qendror atëherë do të gjejmë mënyra që vetë t’i bëjmë këto. Sepse janë shumë të nevojshme për zgjidhjen e problemit me trafik. Pse se për shembull kur e kemi unazën e kryeqytetit nuk kanë nevojë qytetarët me shkuar prej një lagje ne lagjen tjetër duke hyre në qendër të kryeqytetit”.

    “Po ashtu paralelisht e dini që jemi duke ndërtuar 10 shkolla në periferi, prindërit nuk kanë nevojë me i dërguar prej zonave periferike ku jetojnë me i dërguar fëmijët në qendër në shkollë. Unazën të cilën tashmë si dizajnë e kemi të kryer, vetëm po e presim atë nënshkrim edhe ai nuk është duke ardhur, kështu që ne po e bëjmë Konferencën për Investitor. Për këtë duhet që të pyetet ministria e financave, nuk ka prioritet prioritet për ta më shumë është Shtimja, më shumë dhurojnë fonde për Shtimen se për kryeqytetin”, tha ai.

  • Pa viza/ 50 kosovarë fitojnë udhëtimin drejt Vjenës, Kurti kërkon që të respektohen kërkesat dhe kriteret

    Pa viza/ 50 kosovarë fitojnë udhëtimin drejt Vjenës, Kurti kërkon që të respektohen kërkesat dhe kriteret

    Mbrëmë pas orës 24:00 edhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave. Për të folur lidhur me liberalizimin e vizave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti doli në një konferencë për media së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, raporton Gazeta Sinjali.

    Kurti në këtë konferencë njoftoi se 50 qytetarë të Kosovës pas liberalizimit të vizave kanë përfituar udhëtim për në Vjenë të Austrisë nga Qeveria në kuadër të fushatës informuese.

    “Për të shënuar këtë arritje, sot do të udhëtojmë për në qytetin e bukur të Vjenës, 50 qytetarë që fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë informuese. Këtë të drejtë, duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret, sepse kështu respektojmë shtetin tonë”, u shpreh Kurti nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

    I pari i ekzekutivit pas kësaj arritje për vendin gjithashtu pati edhe një porosi për të gjithë qytetarët.

    “Kudo që të udhëtojmë, le ta kujtojmë e kurrë mos ta harrojmë që shtëpia jonë është Kosova jonë e dashur“, tha ai.

  • Hyn në fuqi për zbatim vendimi për targat RKS, mund të lëvizni lirshëm në gjithë territorin e Serbisë

    Hyn në fuqi për zbatim vendimi për targat RKS, mund të lëvizni lirshëm në gjithë territorin e Serbisë

    Nga sot, automjetet me targa të Kosovës RKS do të mund të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e Serbisë.

    Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që të lejojë lëvizjen e lirë për të gjitha automjetet me targa RKS. Ky vendim hyn në fuqi për zbatim nga sot 1 janari 2024.

    Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka theksuar se lejimi i të gjitha automjeteve nga Kosova për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes.

    Vendim, sipas tij, hyn në fuqi për zbatim nga 1 janari 2024. “Ky vendim në fakt ishte detyrim i yni nga marrëveshja e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes e nënshkruar nga Borko Stefanoviq, e cila u referohet targave RKS dhe letërnjoftimeve të Kosovës, lejimin e patentëshoferëve të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.

    Bashkimi Evropian ka përshëndetur vendimin e Serbisë për njohjen zyrtare të targave të automjeteve të Republikës së Kosovës.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano bëhet fjalë për një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe në detyrimet e mëhershme të dialogut lidhur me lirinë e lëvizjes.

    “Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky vendim gjithashtu përben një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit”, ka nënvizuar Stano në një përgjigje dërguar me shkrim.

    Për zëdhënësin e BE-së, Peter Stano ky vendim hap rrugën drejt heqjes së plotë të regjimit të afisheve. Bashkimi Evropian, pohon Stano, tani pret që Kosova të veprojë në të njëjtën mënyrë.

    Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar veturat me targa të Serbisë për qarkullim në Kosovë, vetëm pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se autoritetet e Serbisë po e zbatojnë plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.

    Ai një gjë të tillë e bëri të ditur në mbledhjen e 62-të dhe të fundit për këtë vit të ekzekutivit. Gjatë kësaj mbledhje kryeministri Kurti përmendi të arriturat e qeverisë, shkruan RTK.

    Kurti tha se Kosova do të veprojë bazuar në parimin e reciprocitetit dhe sapo policia kufitare të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që veturat me targat RKS qarkullojnë lirshëm në shtetin fqinj, do të lejojë qarkullimin e veturave me targa të Serbisë në Kosovë.

  • Edi Rama i gëzohet liberalizimit të vizave, uron Kosovën

    Edi Rama i gëzohet liberalizimit të vizave, uron Kosovën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Kosovën për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave.

    Rama, në një postim në Facebook, ka theksuar se ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Europian.

    “Ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Europian. Gëzuar Kosovë, gëzuar, shëndet e gjithçka ju do zemra shqiptarëve e shqiptareve të Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Nga sot pa viza në BE

    Nga sot pa viza në BE

    Pritjeve të gjata u erdhi fundi. Tash e tutje, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kosovarët nuk do të presin më para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.

    E për ditën e parë pa viza, Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të qëndrojnë në Aeroportin “Adem Jashari” për t’i uruar dhe përshëndetur qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza.

    Kurti e Gërvalla do të mbajnë konferencë për media.

    Kujtojmë se Komisioni Evropian ka vlerësuar që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi ishte shtyrë.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi pritej të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, për të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës.

    Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

    Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

  • Kurti nga kazerma “Adem Jashari”: Gëzimi i FSK-së i jep forcë gëzimit të Kosovës

    Kurti nga kazerma “Adem Jashari”: Gëzimi i FSK-së i jep forcë gëzimit të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari kanë qëndruar për vizitë në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e ndërrimit të motmoteve.

    Kurti theksoi se gëzimi i Forcës së Sigurisë i jep siguri e forcë gëzimit të Kosovës në vitin 2024.

    “Nga Kazerma “Adem Jashari”, te ushtarë e oficerë kujdestarë, me Ministrin e Mbrojtjes Ejupin dhe Komandantin e Ushtrisë Bashkimin, gëzimi i Forcës së Sigurisë i jep siguri e forcë gëzimit të Kosovës në vitin 2024. Ju dëshiroj të gjithëve ngado që jeni shëndet e lumturi, suksese e mbarësi për çdo ditë gjatë Vitit të Ri!”, shkroi Kurti.

  • Foshnja e parë e këtij viti në Kosovë është djalë

    Foshnja e parë e këtij viti në Kosovë është djalë

    Në orën 00:05 në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare u lind foshnja e parë për vitin 2024.

    Kështu bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili qëndroi për vizitë.

    “Jam shumë i lumtur me nënat të cilat i dhanë foshnjet e para. E kemi Rajanën pesë minuta para mesnatës dhe e kemi Naronin, pesë minuta pasmesnatës, edhe foshnjat dhe nënat janë mirë”, deklaroi Kurti.

  • Belgjika nis kryesimin e BE-së

    Belgjika nis kryesimin e BE-së

    Belgjika nga sot merr kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian.

    Kështu Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian- Brukseli, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, do të kryesojë për të 13 herë me radhë.

    Kryesimi belg ndodh në kohën kur do të mbahen zgjedhjet evropiane, mes datave 6-9 qershor.

    Qeveria belge ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses, por nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund 2022 kur kryesimin e kishte Republika Çeke.

    Qeveria e Belgjikës ka përmendur prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve.

    “Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në dokument.

    Gjatë kryesimit të Belgjikës, më 1 maj 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të BE-së. Belgjika do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm. Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së 2024-2029.

    Sa i përket procesit të zgjerimit të BE-së, gjatë kryesimit të Belgjikës, do të mund të nisin negociatat e aderimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Bosnja e Hercegovina do të vlerësohet në mars 2024, për të parë nëse i ka përmbushur kushtet për të nisur negociatat e aderimit.

  • Qeveria organizon udhëtimin e parë pa viza drejt BE-së

    Qeveria organizon udhëtimin e parë pa viza drejt BE-së

    Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon sot (e hënë) udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuiz-i i BE-së më 1 janar 2024.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla do të urojnë dhe përshëndesin qytetarët e parë që udhëtojnë pa viza.

    Takimi mbahet në terminalin kryesor të Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00, ndërsa konferenca për media e Kurtit dhe Gërvallës në orën 10:30.

    Ndryshe, qytetarët e Kosovës nga sot do të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Faqja e Integrimit Evropian në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka përpiluar një listë të atyre së çfarë duhet të dinë qytetarët në mënyrë që të udhëtojnë pa viza.

    Aty thuhet se udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turistë, por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.

    Sa i përket kohës së qëndrimit, aty thuhet se qëndrimi është i mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda zonës Shengen. Ndërsa, për dokumentet e nevojshme, bëhet e ditur se qytetarët duhen të kenë pasaporta biometrike, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimit e udhëtimit. Për ata që udhëtojnë me veturë nevojitet edhe dokumentet, përfshirë kartonin e gjelbër.

  • 21 të lënduar me mjete piroteknike, dy prej tyre në gjendje të rëndë – njëri i plagosur me plumb qorr

    21 të lënduar me mjete piroteknike, dy prej tyre në gjendje të rëndë – njëri i plagosur me plumb qorr

    Gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

    Dy prej janë në gjendje më të rëndë, ngase njëri pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërkaq tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve, raporton Klankosova.tv.

    Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftamologjisë. Ndërkaq, të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

    Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.

    Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.

    Ndryshe, Policia e Kosovës për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.