ATV

Blog

  • Antonio Conte, pasuesi i vetëm i Piolit te Milani

    Antonio Conte, pasuesi i vetëm i Piolit te Milani

    I vetmi trajner që Milani po mendon të zëvendësojë Stefano Piolin sezonin e ardhshëm është Antonio Conte.

    Kishte sugjerime përpara pushimeve të Krishtlindjeve se Pioli ishte vërtet në prag të shkarkimit pas një serie rezultatesh të dobëta, përfshirë eliminimin nga Liga e Kampionëve.

    Ai duket se i ka kthyer gjërat në javët e fundit, kështu që ka të ngjarë të qëndrojë deri në fund të sezonit, por e ardhmja mbetet e hapur.

    Drejtori i mediumit Sportitalia, Michele Criscitiello, pretendon se i vetmi opsion real në karta për pronarin e Milanit, Gerry Cardinale, është Conte.

    Ky do të ishte një rikthim i jashtëzakonshëm në anën tjetër të San Siros për njeriun që dha Scudetton më të fundit për rivalët e përhershëm të Milanit, Interin.

    Conte shihet si alternativa e vetme e mundshme, pasi Roberto De Zerbi nuk duket i gatshëm të largohet nga Brighton, ndërsa Thiago Motta do të ishte shumë i rrezikshëm për t’u ngjitur nga Bologa te kuqezinjtë.

    Paga e Contes do të ishte gjithashtu shumë më e lartë se ajo e pranuar nga Pioli.

    Milani nuk është i vetmi klub në Serie A që ndjek Conten, pasi ai u afrua gjithashtu nga Napoli dhe refuzoi të pranonte rolin në mes të sezonit pas shkarkimit të Rudi Garcia, por është në listën e dëshirave të tyre për verën./atvlive.tv/

  • Futbollisti i vitit pritet të largohet nga Kosova, skuadra evropiane shpreh interesim për Dellovën

    Futbollisti i vitit pritet të largohet nga Kosova, skuadra evropiane shpreh interesim për Dellovën

    Futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2023, Lumbardh Dellova është duke u kërkuar nga skuadra të ndryshme evropiane. Së fundmi, pëlqim për qendërmbrojtësin kosovar ka shprehur edhe skuadra rumune, Universiteti i Krajovës.

    Trajneri i skuadrës rumune, Ivaylo Petev ka kërkuar një qendërmbrojtës në skuadrën e tij dhe sipas informacioneve të fundit nga Rumania në radhë të parë është Lumbardh Dellova.

    Dellova po shihet si transferimi i duhur te skuadra që ndodhet në pozitën e tretë në Superligën e Rumanisë, duke marrë parasysh performancën e tij të mirë me Ballkanin e Kosovën.

    Një tjetër pikë e rëndësishme thuhet të jetë edhe marrëveshja e Dellovës me Ballkanin, e cila skadon në verë.

    Dellova ka fituar 3 herë titullin e kampionit në Kosovë me Ballkanin, teksa ka fituar edhe Kupën e Kroacisë me Hajdukun.

  • Mbi 50 kërkesa në ditë për rezonancë magnetike në Radiologji

    Mbi 50 kërkesa në ditë për rezonancë magnetike në Radiologji

    Rreth 150 mijë pacientë kanë kryer ekzaminime në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në nëntor të vitit 2023. Mbi 10 mijë persona i janë nënshtruar Rezonancës Magnetike (MRI), derisa janë kryer mbi 18 mijë Tomografi të Kompjuterizuara (CT). Ndërkaq, kjo klinikë merr rreth 50 kërkesa brenda ditës për MRI.

    Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza në një intervistë për KosovaPress, tha se ndër kërkesat më të mëdha për ekzaminime, janë tek rezonanca magnetike. Ajo shtoi se për të bërë një CT, maksimumi i pritjes është pesë deri në shtatë ditë.

    “Klinika e Radiologjisë ka gamë të madhe të shërbimeve që ofron, duke filluar nga rëntgeni deri tek biopsitë dhe ekzaminimet tjera shtesë. Sipas statistikave në vitin 2022, kemi pasur diku 151 mijë 536 pacientë…Deri më tani i kemi 141 mijë 898 pacientë, ndërsa kërkesat më të mëdha për ekzaminime janë tek rezonanca magnetike… Në vitin 2022, në rezonancë magnetike, janë kryer gjithsej 9 mijë e 683 mijë pacientë, ndërsa vetëm për 11 muaj të vitit 2023, i kemi 10 mijë e 349 pacientë… Sa i përket CT ekzaminime, në vitin 2022, kemi pasur gjithsej 23 mijë e 751, ndërsa vetëm për nëntë muaj (2023), i kemi pothuajse 18 mijë ekzaminime… Sa i përket CT, unë mendoj që nuk është ndonjë listë e pritjes, nëse një pacientë do të pret 5-7 ditë maksimumi, unë nuk e quaj listë të pritjes, për arsye se ende që krejt Kosova ka qytete të mëdha që janë të pajisur me CT aparate, do të duhej të kryhej ende kryejmë pacientë të të gjitha komunave… Sa i përket rezonancës magnetike pritja është pak më e gjatë…çdo ditë kemi diku 40-50 kërkesa për rezonanca magnetike”, tha Nuza.

    Ndërkaq, sa i përket bërjes së biopsisë, Nuza tha se në nëntë mujorin e parë të vitit 2023, janë kryer rreth 900 ekzaminime. Ajo shtoi se Klinika e Radiologjisë, posedon tri rezonanca magnetike, derisa shtoi se njëra nga to ka mbi 15 vite që punon, për çka shpreson se do të zëvendësohet me një aparat të ri.

    Drejtoresha e Radiologjisë vuri në theks edhe nevojën për rritjen e stafit në këtë klinikë.

    “Sa i përket biopsive për nëntëmujorin e këtij viti dhe 12 mujorin e 2002. Gjithsej janë kryer 1288 2022-tën, ndërsa rreth 900 janë bërë vetëm në nëntë mujorin e parë…Klinika e Radiologjisë i posedon tri rezonanca magnetike, njëra ka 15 vite që punon dhe atë në dakordim me drejtorinë e kam paraparë që do duhet të zëvendësohej, e kemi mbështetjen e tyre dhe shpresojmë në realizmin e premtimeve… Jemi në vazhdimësi në trajnimin e stafit për ngritjen e shërbimeve terciare, në rritjen e numrit stafit, duhet ketë sa më shumë staf nëse merremi me diagnostika më specifike siç është Qendra e Strokut”, potencoi Nuza.

    Ndërkaq, për vitin 2024, Nuza tha se presin që të fillojë së funksionari Qendra e Strokut, si dhe të rrisin shërbimet e nivelit terciar që i takojnë Klinikës së Radiologjisë.

    Qendra e Strokut është një strukturë shëndetësore që ofron kujdes dhe trajtim të specializuar për pacientët që kanë pësuar një goditje të trurit, e cila njihet si “strok”.

    “Ndërtesa është pak më e vjetër se janë spitale më të tjera, ndërsa në Klinikën e Neurologjisë dhe në Klinikën e Pediatrisë janë kushtet më të mira, se janë ndërtesa të reja… Klinika e Radiologjisë sa i përket vitit 2024, përveç shërbimeve të cilat veç i ofron, do të urojmë që të fillojë Qendra e Strokut, të jetë një qendër me një numër shumë më të madh të mjekëve që do të merren me Strokun dhe ta mbulojnë komplet shërbimin… Të ngrisim shërbimet e nivelit terciar, që i edhe i takojnë Klinikë së Radiologjisë”, theksoi Nuza.

    Ndryshe, rëntgen aparatet e parë në Kosovë kanë arritur pas Luftës së dytë Botërore. Tuberkulozi i mushkërive në Kosovë është konsideruar si problem i madh, ku pas Luftës së Dytë Botërore fillojnë të arrijnë rëntgen aparatet e para të asaj kohe.

    Ndërkaq, radiologët e parë shqiptarë në Kosovë arrijnë pas vitit 1967, siç ishte Eshref Biçaku në Prizren, kurse radioterapeuti i parë në Kosovë ishte Xhavit Bicaj.

    Ndërsa, rëntgen teknikët e parë të shkolluar në Zagreb, vijnë në Kosovë pas vitit 1954, e që në shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë, në vitet 1982-1984 janë shkolluar tri gjeneratat e para të rëntgenteknikëve.

    Provimi i parë specialisik për radiolog në Kosovë është dhënë në vitin 1987.

    Shërbimi i Radiologjisë ngritet në nivelin e Klinikës së Radiologjisë në vitin 2013 me Statutin e ri të QKUK-së.

  • Përkeqësohet situata energjetike: Bie blloku B1, importi arrin në shifra milionëshe

    Përkeqësohet situata energjetike: Bie blloku B1, importi arrin në shifra milionëshe

    Viti 2024 nuk po fillon aq mirë për sa i përket sektorit elektroenergjetik.

    Kjo, pasi prodhimi vendor nuk po ecën si duhet dhe si pasojë vendi po detyrohet të importojë mbi 1 milion euro energji në ditë për të mbuluar konsumin.

    E gjithë situata është përkeqësuar pas paralajmërimit të KEK-ut për ta ndalë një bllok që prodhon 250 megavatë në orë energji elektrike, rrjedhimisht njësinë B1.

    Siç raporton portali Fakteplus, kjo njësi do të jetë jashtë për 48 orët e ardhshme, që nënkupton se do ti kushtojë Kosovës së paku 2 milionë euro energji nga jashtë. Ndalja e këtij blloku po bëhet pas disa muajve që ka hyrë në funksion, pas riparimit goxha të gjatë.

    Sipas KESCO-s, në kohë piku, pritet të importohet gati gjysma e energjisë që do të konsumohet.

    “Kemi paraparë të importojmë deri në afro 600 megavatë në orë energji elektrike. Pra, në orën 23:00 të së enjtes parashihet të importohen 598 megavatë energji elektrike. Ne po importojmë një sasi të madhe vetëm që qytetarët të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.

    Sipas saj, çmimi, bashkë me transportin e saj kap shifrën e mbi 100 eurove për një megavat, përderisa importi i kontraktuar vetëm për ditën e enjte ka arritur në 1.1 milionë euro.

    Pas ndaljes së njësisë B1 prodhimi vendor është nën 600 MWh, ndërsa konsumi në pikun e tij pritet të arrijë deri në 1200 MWh.

    Jashtë gjithë kësaj sasie është veriu i vendit që furnizohet nga kompania Elektrosever, e cila e ka marrë detyrën dhe ka filluar me operimet në terren nga 1 janari i këtij viti. Pjesa veriore e vendit konsumon rreth 5 për qind të totalit të energjisë elektrike, ndërsa qytetarët kosovarë të asaj ane do të paguajnë në fund të muajit faturat për herë të parë paslufte.

    Nga viti 2017 ato para janë paguar nga Buxheti i Kosovës, ndërsa furnizimin e tyre e ka bërë KOSTT, kompani publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.

  • Presidenca i bën thirrje organeve të drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Tahir Zemajt

    Presidenca i bën thirrje organeve të drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Tahir Zemajt

    Presidenca e Kosovës, e ka kujtuar Tahir Zemajn në 21-vjetorin e vrasjes.

    Në një postim në Facebook thuhet se vrasja e tyre ka qenë njëra ndër ngjarjet më të rënda të pasluftës në Kosovë.

    “Në këtë përvjetor, u bëjmë sërish thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes së kolonel Zemajt dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij”.

  • Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Përleshje masive mes Policisë së Kosovës dhe disa mërgimtarëve ka ndodhur para pak çastesh në Merdarë.

    Në videon e siguruar nga ATV shihen disa mërgimtarë duke u përleshur me Policinë, në mesin e tyre edhe gra.

    ATV mëson se arsyeja e këtij konflikti është tejkalimi i kolonës.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, ndërsa kanë pësuar lëndime trupore dy zyrtarë policorë.

    “Sot rreth orës 10:00, në Merdarë ka ndodhë një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar. Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policor. Pas vënies nën kontrollë të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ahmeti.

  • Telekomi e fiton edhe një rast në arbitrazh

    Telekomi e fiton edhe një rast në arbitrazh

    Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e ndërmarrjes publike, njofton aksionarin dhe publikun se me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015.

    Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Vendimi i Arbitrazhit gjithashtu paraqet një sukses me rëndësi të Telekomit të Kosovës në drejtim të zbatimit të ligjshëm dhe të drejtë të të gjitha raporteve kontraktuale, në përputhje me ligjet e aplikueshme, praktikat normale të industrisë dhe të biznesit. Po të pranonte Telekomi imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë € më tepër!

    Si përfundim, Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro. Megjithatë, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces.

    E para, inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim Paykos LLC dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit. Përkundër kësaj, ka qenë Paykos pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka inicuar një proces të dytë.

    Së dyti, përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim.

    Telekomi i Kosovës është kompani publike pronë e Republikës së Kosovës dhe ne jemi të lumtur që edhe biznese ose qytetarë të ndryshëm gjenerojnë të hyra në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë përmes biznesit me Telekomin e Kosovës, ashtu siç Telekomi i Kosovës gjeneron të hyra nga bizneset dhe qytetarët e Republikës. Mirëpo, jemi të vendosur që askënd të mos e lejojmë që të dëmtojë Telekomin e Kosovës, përmes kontratave të dëmshme, interpretimeve të njëanshme në dëm të Telekomit ose formave tjera jo të ligjshme dhe jashtë normave standarde të të bërit biznes. Këtë e sigurojmë duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore në mënyrë strikte, të drejtë dhe profesionale pa dallim, ndaj kujtdo qoftë që ka synime që të dëmtojë pronën publike.

  • ShBA-ja thotë se nuk qëndrojnë raportimet se ajo do që Ukraina të ndryshojë strategji

    ShBA-ja thotë se nuk qëndrojnë raportimet se ajo do që Ukraina të ndryshojë strategji

    Departamenti Amerikan i Shtetit i ka quajtur të pavërteta raportimet se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategjinë e saj në luftën kundër Rusisë.

    “Jo. Kjo nuk është e vërtetë,” tha më 3 janar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategjinë e saj.

    Politico muajin e kaluar citoi një zyrtar të paidentifikuar të administratës Biden dhe një diplomat evropian të kenë thënë se zyrtarët amerikanë dhe evropianë po e zhvendosnin fokusin e tyre nga mbështetja me qëllim të fitores totale të Ukrainës, në përmirësimin e pozicionit të saj në negociatat e mundshme për t’i dhënë fund luftës.Më 28 dhjetor 2023, Shtëpia e Bardhë e ka miratuar një tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 250 milionë dollarëve.

    Në paketën e fundit përfshihen armë për mbrojtje ajrore, artileri, municion i vogël dhe armë anti-tank, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

    Mirëpo kjo është ndihma e fundit që mund të niset prej SHBA-së në Ukrainë, nëse Kongresi amerikan nuk miraton ndihmë shtesë.

    Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit.

    Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL/

  • Kolonat mbi 2 kilometra të gjata, deri 4 orë pritje në Merdarë

    Kolonat mbi 2 kilometra të gjata, deri 4 orë pritje në Merdarë

    Në Merdarë ku mërgimtarët pasi përfunduan pushimet e tyre në Kosovë janë duke u kthyer në vendet ku ata jetojnë.

    Pritjet në këtë pikë kufitare janë të gjata.

    Kolonat janë mbi dy kilometra në këtë pikë kufitare, derisa pritja për mërgimtarët për të kaluar këtë pikë kufitare është mbi katër orë.

    Një mërgimtar thotë për ATV-në se pritjet tashmë janë të zakonshme, mirëpo ai kërkon të ketë pak më shumë mirëkuptim sidomos për veturat që kanë me vete gra dhe fëmijë.

    “Ne kemi ardhur në ora 8:00 këto. Jemi tu pritë, kohë e gjatë, si zakonisht diçka që dihet. Problemi më i madh është që personat po janë shumë të pa ndërgjegjshëm, nuk po e shikojnë që ka gra, ka fëmijë, veç del mundohet me e futë kryet diku, veturën e fut brenda dhe këto po janë këto tollovitë më të mëdha. Po bëhet një kallabllak shumë i pa kuptueshëm. Vijnë Policia, ndoshta keni dëgjuar më herët, edhe këta nuk po dinë në atë formën, por munden me ba ma mirë diçka në këtë drejtim”, thotë ky mërgimtar.

    Për shkak të radhës së gjatë të veturave, disa mërgimtarë kanë tentuar t’i tejkalojnë kolonat për të kaluar më shpejt këtë pikë kufitare.

    Kjo ka çuar edhe një përleshje mes disa mërgimtarëve dhe Policisë së Kosovës, për shkak të tejkalimit të kolonës. Në pamjet e ATV-së, shihen edhe gra duke u përleshur me Policinë.

    Momentalisht nuk dihen detaje tjera lidhur me rastin dhe as a ka persona të lënduar, apo të arrestuar. /atvlive.tv

  • Iu gjet drogë dhe armë, arrestohet 19-vjeçari në Ferizaj

    Iu gjet drogë dhe armë, arrestohet 19-vjeçari në Ferizaj

    Është arrestuar një person në Ferizaj dje në orën 17:30.L.K, 19 vjeçar, i është gjetur një paketim letre me marihuanë.

    Më pas është bastisur shtëpia e tij, ku policia ka gjetur një armë zjarri me 11 fishekë, ndërsa në oborr edhe dy qese me marihuanë, dy mulli për bluarje dhe një pako letre për mbështetje të marihuanës.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.

    Njoftimi i plotë:

    Arrestohet një person për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analogeMe datën 03.01.2024 rreth orës 17:30 policët e stacionit në Ferizaj, gjatë patrullimit në rrugën ‘’Ramadan Rexhepi’’ në Ferizaj kanë ndaluar personin të dyshuar L.K ( M/K) i moshës 19 vjeçar , tek i cili është gjetur një paketim letre me substancë të narkotikëve, të marihuanës.I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe janë njoftuar njësia për hetimin e narkotikëve, ndërsa pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar është bastisur shtëpia e tij, ku është gjetur një armë zjarri ( pistoletë) me 11 fishekë, ndërsa në oborr janë gjetur edhe dy qese të substancës narkotike me marihuanë, me peshë gjithsej 20.80 gram, dy mulli për bluarje dhe një pako letra për mbështjellje të marihuanës.Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.