ATV

Blog

  • Jep dorëheqje drejtori i BKS-së, Sami Mazreku

    Jep dorëheqje drejtori i BKS-së, Sami Mazreku

    Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ka dhënë dorëheqje të premten.

    Mazreku, i cili ushtronte pozitën e drejtorit të BKS-së tash e tri vite, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtoret e tij në punë si dhe veçanërisht Bankën Qendrore të Kosovës.

    “Unë sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), duke iu falënderuar të gjithëve një nga një për bashkëpunimin që ma keni ofruar gjatë 38 muajve të fundit sa unë kam drejtuar një Institucion të rëndësishëm siç është Byroja Kosovare e Sigurimit”, ka shkruar Mazreku në një njoftim në rrjetin social Facebook.

    Tutje, ai ka renditur disa nga të arriturat e tij në pozitën e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

    Postimi i plotë:

  • Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

    Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për dhunën brutale ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Konjufca ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dhunës ndaj Sanduloviqit.

    “Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, shkroi ai.

    Sipas kryekuvendarit, përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviq, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

    “Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

    Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, shkroi më tej Konjufca.

    Kryetari Konjufca tha po ashtu se demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht.

    Ndryshe, politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht nga shërbimi sekret serb.

    Sanduloviqi thuhet se ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA).

    Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

  • Qeveria paralajmëron qytetarët: Kujdes, mos shkoni në Shengen pa viza për punësim

    Qeveria paralajmëron qytetarët: Kujdes, mos shkoni në Shengen pa viza për punësim

    Qeveria e Kosovës i ka paralajmëruar qytetarët që të mos shkojnë për punësim apo studime në zonën Schengen nëse nuk janë të pajisur me viza.

    Tashmë qytetarët e Kosovës prej 1 Janarit janë të lirë të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Në kuadër të kësaj, Integrimi Evropian i Kosovës ka njoftuar qytetarët që të kenë kujdes pasi me udhëtimin pa viza, qytetarët mund të bëjnë vetëm vizita të shkurtra turistike.

    Kur qytetarët duan të lëvizin në zonën Schengen për studime apo për punësim, qeveria bën të ditur se atyre iu nevojiten vitza nga ambasadat përkatëse.

    “Kujdes: Pavizë mund të bëni vizita të shkurtra turistike e tek të afërmit, por jo për punësim apo studime në zonën Schengen. Për studime afatgjata dhe punësim ju duhet viza nga ambasadat përkatëse e të cilat paraqesin pastaj bazën që ju të pajiseni atje me leje qëndrim (Residence Permit)”, thuhet tutje në njoftim.

  • ​Koreja e Veriut gjuan predha artilerie pranë kufirit detar me Korenë e Jugut

    ​Koreja e Veriut gjuan predha artilerie pranë kufirit detar me Korenë e Jugut

    Koreja e Veriut ka gjuajtur më shumë se 200 predha artilerie në brigjet e saj perëndimore, drejt ishullit Yeonpyeong të Jugut, ka thënë ushtria e Seulit.

    Më pas, Koreja e Jugut urdhëroi civilët të kërkonin strehim në ishull përpara se të zhvillonte stërvitjet e saj me zjarr të drejtpërdrejtë (ushtrime ushtarake apo sesione stërvitore në të cilat përdoren municione reale ose municione të drejtpërdrejta, në krahasim me materialet e simuluara ose inerte).

    Jugu e ka dënuar këtë lëvizje duke e quajtur atë një “akt provokues”.

    Në vitin 2010, artileria e Koresë së Veriut gjuajti artileri shumë herë në ishullin Yeonpyeong, duke vrarë katër persona, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Predhat e artilerisë të lëshuara të premten, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 me orën lokale nuk hynë në territorin e Koresë së Jugut pasi të gjitha ranë në zonën e mbrojtur midis dy vendeve.

    Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë se incidenti nuk shkaktoi “asnjë dëm për popullin apo ushtrinë tonë”, por shtoi se akti “kërcënon paqen në gadishullin Korean dhe rrit tensionet”.

    Granatimet pasojnë paralajmërimet nga Pheniani se po ndërtonte arsenalin e tij ushtarak në përgatitje të luftës që mund të “shpërthejë në çdo kohë” në gadishull.

    Autoritetet në ishullin aty pranë Baengnyeong raportuan gjithashtu një urdhër evakuimi atje.

    Incidenti i fundit vjen disa muaj pasi Koreja e Veriut pezulloi plotësisht një marrëveshje ushtarake me Jugun që kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve.

    Marrëveshja filloi të përkeqësohej pasi Pheniani pretendoi se kishte lëshuar me sukses një satelit spiun në hapësirë në nëntor. Kjo bëri që Koreja e Jugut të pezullonte pjesërisht marrëveshjen, duke thënë se do të rifillonte fluturimet e vëzhgimit përgjatë kufirit.

    Më pas, Pheniani tha se do të tërheqë të gjitha masat “për të parandaluar konfliktin ushtarak në të gjitha sferat, përfshirë tokën, detin dhe ajrin” dhe do të vendosë “forca të armatosura më të fuqishme dhe pajisje ushtarake të tipit të ri” në rajonin kufitar.

    Por Koreja e Veriut e kishte shkelur paktin disa herë në dy vitet e mëparshme, duke lëshuar raketa dhe gjuajtje artilerie në det në drejtim të Jugut.

    Disa analistë argumentojnë se tërheqja zyrtarisht e Phenianit nga marrëveshja mund të mos sjellë shumë ndryshim.

    Ishulli Yeonpyeong, shtëpia e një baze ushtarake dhe një popullsie të vogël civile prej rreth 2,000 njerëz, shtrihet 3 km (2 milje) nga kufiri detar në Detin e Verdhë dhe 12 km nga bregu i Koresë së Veriut.

    Ajo ka qenë skena e përleshjeve detare ndër-koreane gjatë viteve.

    Në vitin 2010 – dy ushtarë dhe dy civilë u vranë pasi Koreja e Veriut gjuajti dhjetëra predha artilerie drejt ishullit.

  • Sandulloviq po dërgohet nga spitali në burg, ndodhet në rrezik për jetë

    Sandulloviq po dërgohet nga spitali në burg, ndodhet në rrezik për jetë

    Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka njoftuar se klienti i tij po dërgohet në burgun qendror në Beograd nga Emergjenca, ku dje ishte shtruar pasi ishte rrahur prej shërbimit sekret të Serbisë.

    Avokati ka thënë se Sanduloviqi po transferohet në burg kur “jeta e tij është në rrezik”.

    “Ata po e largojnë sepse Nikola vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, ka shkruar ai në platformën X.

    Ai shihet në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa e bija e tij, Klara ka deklaruar se politikani është helmuar dhe ka ngritur dyshime se një gjë e tillë është bërë me agjentin nervor novichok, të cilën shpesh e përdor presidenti rus, Vladimir Putin për të eliminuar ish-bashkëpunëtoret apo kundërshtarit e tij.

    Pas rrahjes së Sanduloviqit, ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns. Ajo është shprehur e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e politikanit serb.

    Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që politikani serb është në prag të jetës dhe vdekjes. Ai ishte helmuar edhe një herë, dy vjet më parë – me sa duket është mjeti i preferuar i likuidimit në Lindje, Novichok ndërsa i mbijetoi dy atentateve me eksploziv.

    Ndryshe, Sanduloviq e ka quajtur presidentin serb, Aleksnadar Vuçiqi, kriminel lufte dhe e ka porositur që para se të shkojë në Kosovë, duhet të kërkojë falje dhe ta pranojë krimin e kryer në Reçak.

  • Kurti për targat: Në rast se Serbia ndërron qasje, të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova

    Kurti për targat: Në rast se Serbia ndërron qasje, të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi për heqjen e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë mund të ndryshojë po qe se ndryshon qasja apo sjellja e autoriteteve serbe për lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS.

    Ai ka shtuar se veprimi i Serbisë për njohjen e targave RKS duhet të lexohet si “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.

    Ai ka theksuar se vendimi ka ardhur pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit dhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje.

    “Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kurti është shprehur se njohjen e targave RKS Serbia po përdorë për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe për ta ulur presionin nga Perëndimi për zgjedhjet e manipuluara në Serbi.

    “Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023”, ka shkruar ai tutje.

  • Pas 90 ditësh, finalizohen procedurat për ndërtimin e urës së re te Liqeni i Badovcit

    Pas 90 ditësh, finalizohen procedurat për ndërtimin e urës së re te Liqeni i Badovcit

    Ministria e Infrastrukturës ka përzgjedhur fituesin e kontratës për ndërtimin e urës së re te Liqeni i Badovcit.

    “Dreni Inginiering Sh.P.K.”, një kompani lokale me bazë në Skenderaj, është përzgjedhur fituese e kontratës në vlerë 468 mijë euro.

    Kontrata është nënshkruar të enjten më 4 janar, bazuar në të dhënat e publikuara në uebfaqen e prokurimit publik, e-prokurimi.

    Kostoja për këtë urë 35 metra e gjatë do jetë mbi 500 mijë euro, derisa afati për përfundim të punëve do jetë 125 ditë.

    MMPHI në muajin maj ka mbyllur urën tek Liqeni i Badovcit pas vlerësimit se paraqet rrezik, pak ditë më vonë ministria asfaltoi rrugën alternative mbi 1 km e gjatë e cila po shfrytëzohet deri në rregullim të urës.

  • Policia jep detaje për aksidentin tek zona industriale

    Policia jep detaje për aksidentin tek zona industriale

    Një tren dhe një automjet u përplasën mëngjesin e kësaj të premte në zonën industriale në Prishtinë.

    Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 08:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në zonën industriale në Prishtinë. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një tren dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ka thënë Ahmeti.

  • Haxhiu: Sanduloviqi rrihet vetëm pse e pranon të vërtetën e Kosovës, ndërkombëtarët ta dënojnë këtë akt

    Haxhiu: Sanduloviqi rrihet vetëm pse e pranon të vërtetën e Kosovës, ndërkombëtarët ta dënojnë këtë akt

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas rrahjes së politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

    Haxhiu në një status në rrejton social X ka shkruar se ai është rrahur vetëm pse e pranon të vërtetën e Kosovës.

    Sipas saj komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt.

    “Serbia është ende në vitet ‘90 dhe larg normalizimit. Atje, i vetmi opozitar, Sanduloviq, rrihet dhe përpiqet të eliminohet vetëm sepse e pranon të vërtetën e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë akt”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social X.

    Sanduloviqi raportohet se ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA).

    Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

  • Nikola Sanduloviq në gjendje të keqe shëndetësore dërgohet në burg, familja thotë se u rrah nga BIA dhe Radojiçiqi

    Nikola Sanduloviq në gjendje të keqe shëndetësore dërgohet në burg, familja thotë se u rrah nga BIA dhe Radojiçiqi

    Vazhdon drama me Nikolla Sanduloviqin, politikanin opozitar serb, i njohur për publikun e Kosovës për homazhet e tij te varri i Adem Jasharit në Prekaz dhe kërkim-faljen në emër të serbëve për krimet e luftës.

    Mbrëmë, atij i është bastisur shtëpia. Nuk i është gjetur asgjë, por prokurori ka dhënë urdhër që ai të dërgohet në paraburgim për 48 orë, raporton Ekonomia Online.

    Gruaja e tij ka dërguar një video, ku shihet si ai në gjendje të rëndë shëndetësore, po dërgohet sot në mëngjes nga Qendra Emergjente e Spitalin e Beogradit për në Burgun Qendror.

    Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke theksuar faktin se ai është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

    Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe, në godinën e BIA-s. Në mesin e personave, të maskuar, që e kanë rrahur, Sanduloviq ka thënë se e ka njohur Milan Radojçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 23 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.