ATV

Blog

  • Planifikuan rrëmbimin e një 49-vjeçari, ndalohen katër persona në Sarandë

    Planifikuan rrëmbimin e një 49-vjeçari, ndalohen katër persona në Sarandë

    Katër persona që dyshohet se kishin planifikuar rrëmbimin e një 49-vjeçari në Sarandë janë arrestuar.

    Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në rrugën “Skënderbeu”, kur pas kontrollin në makinën e Angelos Tsimperis me pasagjerë shtetasit Juljan Brinja, Sandri Brinja e Gjergji Prenga, policia gjeti një armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike.

    Katër të ndaluarit dyshohet se kishin planifikuar rrëmbimin e një 49-vjeçari në qytetin bregdetar. Nuk dihen shkaqet, ndërkohë që ndaj të ndaluarve pritet të nisë hetimi për veprën penale “heqja e paligjshme e lirisë”. /tch

  • E para grua që merr këtë detyrë, Violeta Berisha do të drejtojë një nga bashkitë e New Yersey në SHBA

    E para grua që merr këtë detyrë, Violeta Berisha do të drejtojë një nga bashkitë e New Yersey në SHBA

    Një shqiptare është betuar si kryetare e një prej bashkive në New Yersey të Shteteve të Bashkuara, duke u bërë kështu e para grua dhe kryebashkiake shqiptare që merr këtë detyrë.

    Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku me një status në rrjetet sociale ka uruar zonjën Violetta Berisha për detyrën e re.

    “Dita e sotme shënon një moment historik për komunitetin Shqiptar në Amerikë. Violetta Berisha u betua si Kryetarja e Bashkisë e Fairvieë, Neë Jersey. Borough of Fairview

    Urime Violetta Berisha, e para grua dhe Kryebashkiake shqiptare që merr këtë detyrë.

    Mirënjohje dhe krenari për arritjet e saj dhe komunitetit.

    Suksese në rrugëtimin tuaj.

    Krenarë për arritjet e shqiptarëve kudo që janë”, shkruan ambasada.

  • Nga 30 mijë në 63 mijë, zyrtari financiar i Pejës akuzon KEDS-in për rritje të faturës

    Nga 30 mijë në 63 mijë, zyrtari financiar i Pejës akuzon KEDS-in për rritje të faturës

    Zyrtari financiar në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, ka akuzuar KEDS-in për shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Abazaj tha se faturat e rrymës për trupat ndriçues, përkatësisht të ndriçimit të rrugëve në Pejë, për muajt e kaluar ka qenë 30 deri 32 mijë euro, kurse për këtë muaj ka çmimi ka arritur në 63 mijë euro.

    Ai tha se KEDS-i ndaj qytetarëve është arsyetuar se ata kanë shpenzuar më shumë energji elektrike, por se një gjë e tillë nuk mund të arsyetohet edhe për Komunën e Pejës, pasi shpenzimet e trupave ndriçues mbesin të njëjtë gjithmonë.

  • ZDF prezanton gjelin nga Kosova që për 70 sekonda këndon pa asnjë ndërprerje

    ZDF prezanton gjelin nga Kosova që për 70 sekonda këndon pa asnjë ndërprerje

    Televizioni gjerman Zweites Deutsches Fernsehen (ZDF) ka ndarë një kuriozitet interesant për gjelin, i cili këndon për 70 sekonda pa asnjë ndërprerje, duke i dhënë atij një avantazh evolucionar.

    Gjeli me qafë të gjatë në Kosovë është një racë pulash me një talent të veçantë.

    Emisioni u transmetua dje, më 04.01.2024, me titull “Gjelat rekord nga Kosova”.

    Shikoni videon duke klikuar KËTU.

  • Qarkullimi me targa RKS në Serbi, Cramon: Realitet i njohjes de-facto të Kosovës

    Qarkullimi me targa RKS në Serbi, Cramon: Realitet i njohjes de-facto të Kosovës

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për të larguar letrat ngjitëse në targa të automjeteve, dhe lejimin me targat në RKS në Serbi.

    Cramon theksoi se ky është një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet.

    “Nuk ka më ngjitëse në tabela të automjeteve kur udhëtoni nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte dizajnuar si masë e përkohshme tani është përfundimisht e tepërt. Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqe dhe përparim në rajon”, është shprehur Cramon në rrjetin social X.

  • Dhuna ndaj Sanduloviqit, Kurti: Kjo është tarifa që Serbia ua imponon qytetarëve të vet për guximin për të pranuar të vërtetën

    Dhuna ndaj Sanduloviqit, Kurti: Kjo është tarifa që Serbia ua imponon qytetarëve të vet për guximin për të pranuar të vërtetën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për dhunën brutale ndaj politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

    Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Kurti është shprehur thellësisht i shqetësuar për raportimet lidhur me gjendjen e Sanduloviqit, për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb.

    “Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviq është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”, shkroi ai.

    Më tej, kreu i Qeverisë tha se ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin.

    “Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me Putinin ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, tha më tej ai.

  • Arrestohet i dyshuari që u shpall në kërkim për kanosje

    Arrestohet i dyshuari që u shpall në kërkim për kanosje

    Pa u bërë 24 orë nga kërkesa e Policisë së Kosovës për bashkëpunim me qytetarët për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje në Prizren, i njëjti është identifikuar dhe ka përfunduar në prangat e Policisë. I dyshuari tashmë në ndalim policor.

    Siç mëson Sinjali, i dyshuari që u zbulua nga Policia është E.Q ndaj të cilit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Kanosje’.

    Ai është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë, për veprën me të cilën ngarkohet.

    Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera brenda afatit ligjor.

  • Mustafa i reagon Ramës ndaj vendimit për vendosje të kamerave, thotë se “qytetarët shndërrohen në njerëz të dyshuar

    Mustafa i reagon Ramës ndaj vendimit për vendosje të kamerave, thotë se “qytetarët shndërrohen në njerëz të dyshuar

    Para pak ditësh kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se do të vendosen kamera të sigurisë nëpër qytet. Për këtë pati reagime të ndryshme. Sot ka reaguar edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, i cili ka thënë se me këtë veprim qytetarët realisht shndërrohen në njerëz të dyshimtë.

    “Do të ishte mirë që udhëheqësit e Prishtinës ta lexojnë një herë, dy herë e disa herë këtë shkrim, para se ti fusin të gjithë qytetarët në kamera ose para se qytetarët si njerëz të lirë ti shndërrojnë një njerëz të dyshuar të cilët duhet vëzhguar”, shkroi Mustafa.

    Mustafa ka treguar se si gjatë mandatit të tij e kishte menduar një gjë të tillë por se me daljen jashtë Kosovës, e ka cilësuar si veprim të panevojshëm.

    “Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë. Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë, sepse nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj”, shkroi Mustafa në Facebook.

  • Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Në motin e keq dhe rrugët e dëmtuara, ekipet e shpëtimit në Japoni kërkuan të premten edhe 222 persona që janë ende të zhdukur, katër ditë pasi një tërmet shkatërrues e goditi vendin. Numri i të vdekurve është afër 100.

    Dy gra të moshuara u nxorën nga rrënojat të enjten por shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë pas tërmetit 7.5 ballësh, që ndodhi në ditën e Vitit të Ri, po shuheshin me shiun, borën dhe uljen e temperaturave që parashikohen në ditët në vijim.

    Mijëra shpëtimtarë nga e gjithë Japonia po luftojnë me pasojat e goditjeve dhe rrugët e mbushura me gropa të hapura, e të bllokuara nga rrëshqitjet e shpeshta të dheut në rajonin qendror Ishikaua, për të arritur qindra njerëz në vendet bllokuara.

    Të enjten pasdite, 72 orë pas tërmetit, dy gratë e moshuara u nxorën mrekullisht të gjalla nga rrënojat e shtëpive të tyre në Uajima, njëra prej tyre falë një qeni nuhatës.

    Qyteti port i Uajimas në Gadishullin Noto ishte një prej vendeve më të goditura.

    “Unë isha duke pushuar ditën e Vitit të Ri kur ndodhi tërmeti. Të afërmit e mi ishin të gjithë atje dhe ne po argëtoheshim”, i tha AFP-së Hiroyuki Hamatani, 53 vjeç, mes makinave të djegura dhe ndërtesave të shkatërruara.

    “Shtëpia në vetvete është në këmbë, por është larg të qenit të banueshme tani…Unë nuk mund të mendoj tani për të ardhmen”, tha ai.

    Autoritetet thanë të premten pasdite se 222 persona janë ende të pagjetur, nga një numër i mëparshëm prej 242, duke përfshirë 121 njerëz në Uajima dhe 82 në Suzu.

    Numri i të vdekurve u rrit nga 92 në 94, me 464 persona të plagosur. Një prej personave të vdekur është edhe një djalë i shkollës së mesme që ishte për vizitë te familja e tij, thanë raportet.

    Rreth 30.000 familje ishin pa energji elektrike në rajonin Ishikaua, dhe 89.800 shtëpi atje, përfshirë edhe ato në dy rajone fqinje, nuk kishin ujë.

    Qindra njerëz ishin në strehimoret e qeverisë.

    “Ne po bëjmë çdo gjë për të kryer operacione shpëtimi në fshatrat e izoluara… Megjithatë, realiteti është se izolimi nuk është zgjidhur në masën që do të donim,” tha të premten guvernatori rajonal, Hiroshi Hase.

    Në qytetin e Anamizu, Sang dhe katër bashkëkombasit e tij nuk kanë ngrohje apo ujë në shtëpinë e tyre të dëmtuar.

    “Ne ishim duke gatuar kur ndodhi. Të gjithë dolëm me vrap nga shtëpia”, tha 32-vjeçari.

    “Ne nuk kishim lidhje interneti ditën e tërmetit, por ai rifilloi dje. Ne mund të kontaktonim familjen në Vietnam”, tha ai.

    “Ajo që na duhet tani është diçka për të ngrënë dhe për të pirë”, shtoi ai

    Zona e Suzus u shkatërrua gjithashtu, me varkat e peshkimit të fundosura ose të ngritura si lodra në breg nga valët e cunamit që raportohet se rrëmbyen edhe një person.

    Noriaki Yachi, 79 vjeç, luftoi me lotët pasi gruaja e tij u nxor nga rrënojat atje dhe u konfirmua e vdekur, raportoi e përditshmja Asahi Shimbun.

    “Jeta ime me të ishte e lumtur,” tha Yachi. Japonia përjeton qindra tërmete çdo vit dhe shumica nuk shkaktojnë dëme, me kode strikte ndërtimi në fuqi për më shumë se katër dekada.

    Tërmetet kanë goditur rajonin e Notos me forcë dhe frekuencë në rritje gjatë pesë viteve të fundit.

    Vendi ishte goditur nga një tërmet masiv nënujor me magnitudë 9.0 në vitin 2011, i cili shkaktoi një cunami që la rreth 18.500 njerëz të vdekur ose të zhdukur./REL/

  • Oscar Pistorius lirohet me kusht, 11 vjet pas vrasjes së të dashurës

    Oscar Pistorius lirohet me kusht, 11 vjet pas vrasjes së të dashurës

    Atleti i lojërave paraolimpike, Oscar Pistorius, është liruar me kusht pasi mbajti gati nëntë vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij dhe tani ndodhet në shtëpi, tha të premten Departamenti Korrektues i Afrikës së Jugut.

    Njoftimi u bë më 5 janar, duke treguar se vrapuesi paraolimpik me famë botërore ishte liruar nga Qendra Korrektuese në Pretoria, kryeqytetin e Afrikës së Jugut. Departamenti nuk dha më shumë detaje për lirimin e tij.

    Pistorius mbajti gati nëntë vjet, nga dënimi prej trembëdhjetë vjet e pesë muaj, për vrasjen e të dashurës Reeva Steenkamp, më 2013. Ai u lirua me kusht në nëntor.

    Shkelësit e rëndë në Afrikën e Jugut kanë të drejtë të lirohen me kusht pasi kanë vuajtur të paktën gjysmën e dënimit.

    Zyrtarët e Departamentit të Korrigjimeve thanë se koha e lirimit të Pistorius nuk do të shpallej paraprakisht dhe nuk do të “parakalohej” me shpresën për të qëndruar jashtë vëmendjes së medias që e ka ndjekur që kur qëlloi Steenkamp disa herë përmes derës së tualetit të shtëpisë së tij në mars.

    Pistorius do të jetojë në kushte të rrepta lirimi deri në fund të dënimit të tij në dhjetor 2029.

    Departamenti i Korrektues deklaroi se lirimi i kampionit të shumëfishtë paralimpik – si çdo shkelës tjetër i liruar me kusht – nuk do të thotë se ai e ka vuajtur dënimin.

    Disa nga kërkesat për lirimin me kusht të Pistorius përfshijnë kufizime se kur lejohet të largohet nga shtëpia e tij, ndalim i alkoolit dhe urdhra për pjesëmarrje në programe për menaxhimin e zemërimit dhe dhunën ndaj grave.

    Pistorius do të duhet kontrollohet në shtëpinë e tij nga oficerët që e liruan, dhe do të paraqitet në zyrat e shërbimeve korrektuese si dhe do t’i nënshtrohet vizitave të paparalajmëruara nga autoritetet. Ai nuk lejohet të largohet nga Qarku Waterclough pa leje dhe i ndalohet të flasë në media deri në fund të dënimit.

    Ai mund të kthehet në burg nëse shkel ndonjë nga kushtet e lirimit.

    Pistorius e kishte vrarë të dashurën e tij në ditën e Shën Valentinit, ndërsa gjatë fjalës së tij në gjykatë ai kishte thënë se e kishte vrarë nga pakujdesia duke menduar se është një hajdut.

    Prokurorët thanë se ai vrau qëllimisht të dashurën e tij.

    Familja e Riva Steenkamp nuk e kundërshtoi kërkesën e tij për lirim me kusht në nëntor, megjithëse nëna e saj, June Steenkamp, tha se ajo nuk besonte se Pistorius ishte rehabilituar plotësisht dhe se ende ishte duke gënjyer për vrasjen.

    Përpara vrasjes, Pistorius ishte model frymëzues, duke u bërë atlet i suksesshëm pavarësisht se kishte të dyja këmbët të amputuara si shkak i një problemi nga lindja./REL/