ATV

Blog

  • ‘Krejt i lodhi sa herë të doni”, Gjini thotë se i ka mundë VV-në

    ‘Krejt i lodhi sa herë të doni”, Gjini thotë se i ka mundë VV-në

    Kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin COTEXT në ATV, tha se i ka mundë Lëvizjen Vetëvendosje në Gjakovë dhe do të vijë edhe “këtu” (në Qeveri) me i mundë.

    “Sa herë të dua dalë edhe i lodhi te tanë”, thotë Gjini, duke shtuar se edhe në pushtetin qendror do t’i mundë VV-në.

    Këtë deklaratë, Gjini e bëri pas një debati me analistin Xhevdet Pozhari.

    Gjini tregoi se në kohën kur e ka marrë udhëheqjen e Komunës së Gjakovës, buxheti për investime kapitale ishte 3.2 milionë euro, ndërsa në vitin e kaluar ishte 17.5 milionë euro.

    “Vitin që e lam, buxheti përfundimtar për investime kapitale u kanë 17.5 milionë euro, pa para të Qeverisë asnjë. A jeni tu e kuptu dallimin, prej 3.2 milionë në 17.5 milionë. Kjo ëhstë komuna e Gjakovës”, tha Gjini. /atvlive.tv

  • Gjini: Politika po ia huq debatit për dialogun, kjo është pyetja esenciale që kërkon përgjigje për këtë temë

    Gjini: Politika po ia huq debatit për dialogun, kjo është pyetja esenciale që kërkon përgjigje për këtë temë

    Kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin COTEXT në ATV, tha se Kosova humb nga zvarritja e dialogut me Serbine.

    “Unë dhe Aleanca besojmë që me zvarritje të procesit nuk kemi me fitu kurgjë. Rrethanat kanë me u rëndu për ne, kështu besojmë ne. A mundemi me qenë gabim eventualisht, patjetër gjithkush mundet me qenë gabim nëse e ka një mendim. Nuk mundet me thanë dikush që nëse unë e kam një mendim, kurrë gabim nuk e kam”, tha Gjini.

    Ai tha se për një kohë të gjatë, politika është duke ia huqe debatit sa i përket dialogut me Serbinë.

    “Për një kohë të gjatë, politika e Kosovës po ia huq debatit për këtë temë e si huqje e politikës edhe debati nëpër studio, nëpër të gjitha studiot po kthehet tek çështjet tepër praktike e jo strategjike. Nëse e shihni deklaratat e veçanta, sidomos të disa njerëzve në Kosovë që kanë përvojë në dialog që kanë marrë pjesë përpara, që kanë mbërri me kriju përvojë për me i pa caqet strategjike sepse nuk është koj vetëm dije e natyrshme, e inteligjencës apo diçka, por përvoja e bënë të veten fundi i fundit. Diskutimi duhet me qenë në atë se qysh fiton Kosova më shumë. A fiton Kosova më shumë me e zvarritë procesin, a fiton Kosova më shumë me e përshpejtua procesin. Pyetja e parë që është esenciale, se është lehtë që mbas 7-8 vjete me thanë a po e sheh çka keni pasë ba, qysh po thotë dikush sot, është lehtë me ia lanë fajin tjetrit, por kemi nevojë për zgjidhje. Pyetja e parë është, a jemi tu fitu si shtet edhe si popull me e zvarritje të procesit, apo jemi duke humbur me zvarritje të procesit”, tha Gjini. /atvlive.tv

  • Qeveria mban mbledhje elektronike, kërkohet autorizimi i presidentes për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren

    Qeveria mban mbledhje elektronike, kërkohet autorizimi i presidentes për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren

    Qeveria ka zhvilluar sonte mbledhjen e radhës në mënyrë elektronike.

    Në këtë mbledhje është miratuar vendimi që Presidentja t’ia japë autorizimin ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu, në mënyrë që të nënshkruajë me Maqedoninë Veriore Marrëveshjen për hartimin e projektit për tunelin në rrugën Tetovë-Prizren.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sonte një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Për këtë projekt, Qeveria ka siguruar buxhetin përmes ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore për vitin 2024”, thuhet në vendim.

  • “Nuk pritet me truproje” – Gjini tregon pse nuk u takua Ramush Haradinaj me Vjosa Osmanin

    “Nuk pritet me truproje” – Gjini tregon pse nuk u takua Ramush Haradinaj me Vjosa Osmanin

    Kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin COTEXT në ATV, ka sqaruar arsyen se pse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ishte takuar me presidenten Vjosa Osmani, në dhjetorin e vitit të kaluar.

    Ai tha se Haradinja ka shkuar në Presidencë në kohën e përcaktuar nga shefja e shtetit, por kjo e fundit nuk e ka respektuar orarin e caktuar.

    “Nuk thirret një kryetar partie dhe një ish-kryeministër dhe me i thonë prit pak në korridor me roje, mos bëni hajgare. Më mirë me i thonë hajde dhjetë minuta më vonë me i lanë vetes kohë pak më shumë se me e lanë me pritë në korridor, vendoni veten në pozitë të tij edhe pritni pak në korridor edhe shihni qysh ju duket”, tha Gjini.

    Ai thotë se Haradinaj është i saktë me kohën, si në rastin kur e fton dikë në takim, si në rastin kur ftohet në takim.

    “Të gjithë njerëzit që kanë shku me taku kryetarin Haradinaj, qoftë kur ka qenë kryeministër, qoftë si kryetar partie e dinë që nëse e thërret dikë, vetë është me minuta. Edhe nëse e thërret dikush, vetë shkon me minuta. Nuk bën pjesë në grupin e politikanëve që nja 15 minuta vonohen edhe e shohin, sinqerisht po flas, e gjithë njerëzit që e njohin e dinë që është tepër i saktë në në takime, tepër i saktë, në fakt e kanë ndërtu një kulturë edhe të tjerët, më thonë në parti që kur caktohet takimi është fiks ora”, tha Gjini. /atvlive.tv

  • Gjini përmend këto dy pika, për të cilat thotë se AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit

    Gjini përmend këto dy pika, për të cilat thotë se AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit

    Kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin COTEXT në ATV, tha se janë dy pika që AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit.

    E para, thotë ai se, është e palogjikshme që në këtë draft të jetë përfshirë Rezoluta 1244.

    “Për ne në Aleancën, dy pika janë problematike. E para është tepër e thjeshtë, duhet veç me e ba një “delete” se për mendimin tim, kam marrë pjesë në negociata formalisht e jo formalisht e në çfarëdo mënyre, përmendja e Rezolutës 1244 është në gërrem, është një huk që don me u gjuajtë mbas asaj teme sepse është e panevojshme dhe e pakuptueshme, që një dokument të cilin duhet zyrtarisht me e prodhu Qeveria e Kosovës, në fund të fundit ka me qenë dokumenti i Qeverisë, me e pasë referencën te Rezoluta 1244. Kam provu me i shiku edhe aspektet e mundshme ligjore, nëse dikush ka gjetur ndonjë variant i cili mundet me qenë ndihmues më vonë, nuk ka as relevancë e as logjikë me qenë ajo pjesë aty”, tha Gjini.

    Ndërsa pika kryesore të cilën e kundërshton AAK-ja sipas tij është komisioni i arbitrimit.

    “Pjesa më kryesore që ne e besojmë që ndërlidhet me shumë aspekte tjera është komisioni i arbitrimit. Është e vërtetë që gjatë gjithë tekstit të Draft Statutit që ka ardhë, po thuajse gjithkund përmendet në bazë të ligjeve të Kosovës, që është diçka e mirë për shkaka se në Kosovë, vetëm një organ bënë ligje, është Kuvendi i Kosovës, nuk ka organe të tjera edhe nuk parashihet me pasë organe të tjera të cilat bëjnë ligje. Çfarëdo asociacioni, çfarëdo institucioni tjetër i çfarëdo lloji duhet me iu nënshtru Ligjeve të Kosovës që është krejt në rregull. Ligjet e Kosovës nënkuptojnë prej vendimeve që i merr Kuvendi, Qeveria deri te gjykatat. Sidoqoftë dua të them që duhet me insistu që në Kosovë gjithçka me iu nënshtru sistemit ligjor edhe politik të “setup-it” institucional”, tha Gjini. /atvlive.tv

  • 23 ish-ushtarë të UÇK-së të arrestuar në Serbi nga paslufta

    23 ish-ushtarë të UÇK-së të arrestuar në Serbi nga paslufta

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj është vizituar nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, kupton ATV.

    Dakajt i cili u arrestua në pikën kufitare në Merdare para disa ditësh autoritetet serbe tashmë i kanë caktuar edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Por që nga paslufta, deri më tani Serbia ka arrestuar së paku 23 ish-pjesëtarë të UÇK-së.

    “Nga paslufta janë 23 persona. Janë mbajtur disa procese gjyqësore, ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Megjithatë me vendime të plotfuqishme janë dënuar vetëm dy prej tyre: Anton Lekaj dhe Ramadan Maloku. Ndërkohë, Petrit Dula ishte liruar nga shkalla e dytë, në prill të vitit 2023.

    Ndërkohë, përveç Hasan Dakajt, në paraburgim që nga janari i vitit 2020 kur u arrestua vazhdon të qëndrojë Nezir Mehmetaj.

    “Ndaj Nezir Mehmetajt deri tash janë mbajtur 40 seanca. Ndaj tij ende nuk ka ndonjë vendim…”, tha Alija.

    Lidhur me arrestimin e Hasan Dakajt dhe ndaljen e ish-ushtarëve të tjerë të UÇK-së ndër vite, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.

    “Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive, edhe këtë vit po e trashëgojmë një fqinj që vetëm po përkeqësohet. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje, kjo është një sjellje dashakeqe e Serbisë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga autoritetet e Serbisë, përgjigje nuk kemi pranuar kurrë”, tha Kurti.

    Sipas mediave serbe, autoritetet në Beograd ndërvite kanë lëshuar rreth 100 fletëarrestime për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

  • Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

    Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut kanë edhe dy javë kohë për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve, derisa në Zveçan pesë ditë më shumë.

    Lidhur me këtë proces, sipas ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë të informuar edhe diplomatët e shteteve të QUINT-it, me të cilët u takua të martën.

    Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok, më 22 dhjetor, ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Në Zveçan filloi më 27 dhjetor.

    Derisa, afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë, sipas njohësve të proceseve politike vështirë që ky proces mund të mbarojë kaq shpejt.

    Sipas udhëzimit administrativ të lëshuar nga Ministria e udhëhequr nga Krasniqi nevojiten nënshkrimet e 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote për t’i hapur rrugë votimit për shkarkimin e kryetarit. Kjo realizohet vetëm nëse për shkarkim të kryetarit votojnë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar.

  • Fillon gjykimi ndaj Dragisa Milenkoviqit

    Fillon gjykimi ndaj Dragisa Milenkoviqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Për secilin nga këta ish-të burgosur shqiptarë gjatë 1999-s, Prokuroria Speciale po kërkon drejtësi.

    Ajo e bën përgjegjës Dragisa Milenkovicin se në mënyrë sistematike i kishte keqtrajtuar, e kanosur me jetë, në bashkëpunim me ish-drejtorin e burgut të Lipjanit, dhe dy gardianë të tjerë të nacionalitetit serb.

    Ndaj Millenkoviqit, arrestimi i të cilit gjatë qershorit të 2023-s, në Graçanicë nxiti reagime të banorëve lokalë e protesta agresive, rëndon edhe një akuzë tjetër.

    Për këtë pikë të aktakuzës, ish-gardiani e pranoi fajësinë, por për të tjerat pritet ta vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë.

    Fillimi i këtij procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ish-të burgosurve politikë, u ka kthyer në kujtesë torturat, e nxitur shpresën për drejtësi.

    Ndërkohë, edhe mbrojtja e Millenkoviqit ka kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit me dorëzani, ose arrest shtëpiak, me arsyetimin se ai nuk do të largohet nga Kosova, por do të qëndrojë me familjen e tij në Graçanicë.

    Prokuroria nuk është pajtuar me këtë, e kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, njoftoi se Gjykata për kërkesën do të vendosë me aktvendim të veçantë.

  • Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Për t’u pajisur me licencë të avancuar, mësimdhënësit pritet t’i nënshtrohen testit me shkrim. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret që në qershor të këtij viti, një numër i madh i mësimdhënësve t’i nënshtrohen këtij testimi.

    “Synojmë që nga qershori i këtij viti do të nisemi edhe për prodhimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve që janë përcaktuar mbi bazën e standardeve profesionale dhe jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, tha Nagavci.

    Por, atë nuk e mirëpresin mësimdhënësit.

    “Sa i përket vlerësimit ose testimit në aspektin teorik nuk e shoh si të arsyeshme për arsye se çdo mësimdhënës, i cili është në proces mësimor është testuar sa i përket njohurive teorike, ndërsa sa i përket testimit apo vlerësimit të performancës besoj që është shumë e nevojshme dhe kjo ndikon në ngritje dhe cilësi”, tha Naxhie Fejzullahu, mësimdhënëse.

    Për testim me shkrim të mësimdhënësve ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, ministrja e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit. Mirëpo, për dallim nga Sindikata njohësit e arsimit konsiderojnë që testimi është i domosdoshëm.

    “Është një proces i mirë-strukturuar për kalim nga licenca e karrierës në licencë të avancuar për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kenë këtë kategori të licencës, pra ky testim është për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kalojnë nga licenca e karrierës në licencë të avancuar”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

    Ndërkaq, sipas ministres së Arsimit tashmë janë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.

  • Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, duan të punojnë në shtetet e BE-së

    Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, duan të punojnë në shtetet e BE-së

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pas tri ditësh përfundon gjysmëvjetori i parë. Por, të dytin nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku”, do ta nisin me dy mësimdhënës më pak.

    “Për neve është një hendikep i madh se janë mësimdhënës që kanë dhënë një kontribut të madh, por mbetet të shihet se si do të lëvizin gjërat dhe si do të rekrutohet stafi i ri”, tha drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Këta dy mësimdhënës nuk janë të vetmit që u larguan nga vendet e punës. Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, tha se një numër i madh i mësimdhënësve kanë kërkuar pushim pa pagesë.

    “Janë mbi 300 që kërkuan pushimin pa pagesë, qoftë 3 muaj, 6, apo një vit. Por dita-ditës po rritet ky numër, që po kërkojnë pushim për të ikur nga Kosova, sepse në vendet e Evropës po gjejnë vende më të mira të punës, thjesht po e mësojnë gjuhën e vendit ku po ikin dhe po kanë mundësi edhe me hy në arsim”, tha Shala.

    Lëvizjet në arsim po shihen me shqetësim nga njohësit e kësaj fushe. Nga situata e krijuar, sipas Argjend Osmanit, më së shumti do të pësojnë nxënësit.

    “Do të ndikojë negativisht në sistemin e arsimit, sepse e kemi një situatë më të rëndë, sepse zëvendësimi i tyre do të jetë i vështirë, edhe efikasiteti nuk do të jetë i njëjtë. Nxënësit do të jenë sërish viktima të këtyre lëvizjeve”, tha Argjend Osmani, njohës i arsimit.

    Sindikata e Arsimit tash e një kohë të gjatë ka alarmuar që pas 1 janarit një numër i madh i mësimdhënësve mund të largohen nga vendi. Për të parandaluar ikjen e mësimdhënësve, SBASHK-u ka kërkuar kushte më të mira të punës për ta.