ATV

Blog

  • Ballkani njofton që ka shitur një futbollist te Prishtina

    Ballkani njofton që ka shitur një futbollist te Prishtina

    Klubi i futbollit ‘Ballkani’ ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Prishtinën për shitjen e futbollistit Marco Olivier tek skuadra e kryeqytetit.

    “Ju njoftojmë që Marco Olivier nuk do të jetë më pjesë skuadrës tonë. Futbollisti do ta vazhdojë karrierën te Fc Prishtina“, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kampioni i Kosovës.

    Klubi nga Suhareka ka falënderuar lojtarin për kontributin e dhënë deri më tani në skuadër.

     

  • Presidentja Osmani pret që Kongresi do ta miratojë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën

    Presidentja Osmani pret që Kongresi do ta miratojë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas pranimit të kërkesës për blerjen e raketave antitank “Javelin” ka thënë se Kosova tani po hyn në një fazë të re dhe vendimtare për aftësitë mbrojtëse, duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar edhe më marrëdhëniet me ShBA-të.

    Osmani tha se si Komandante e Përgjithshme e FSK-së i përgëzon të gjitha përpjekjet dhe energjitë që institucionet mbrojtëse të vendit kanë bërë ndër vite për të siguruar që të përmbushen kriteret e përshtatshmërisë së Programit të Shitjes së Jashtme Ushtarake të Departamentit të Shtetit.

    “Në veçanti, dëshiroj të falënderoj Sekretarin e Shtetit Blinken, me të cilin ne u angazhuam në diskutime në lidhje me Programin e Shitjes së Jashtme Ushtarake në korrik 2022, Departamentin e Mbrojtjes së ShBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tani ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit”, ka shkruar Osmani në FB.

    E para e shtetit tha se ka besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje ndaj kombit, të cilin ajo e quajti më “pro-amerikan në tokë, si një akt që do ta rrisë sigurinë në Kosovë, rajon dhe kontinentin evropian”.

    Dje, Departamenti i Shtetit përmes një njoftimi për raketat “Javelin” tha se kjo shitje do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të ShBA-së duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian – Kosova, e cila sipas tyre, është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë.

    “Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe për të përmbushur kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhej në njoftimin e DASh-it.

     

  • Arrestohet një person në Jarinje, dyshohet se ka vjedhur një veturë në Deçan

    Arrestohet një person në Jarinje, dyshohet se ka vjedhur një veturë në Deçan

    Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një person në vendkalimin kufitar në Jarinje, i dyshuar për vjedhje të një veture në Deçan.

    Zyrtarët policorë gjatë realizimit të detyrave të tyre në Pikën e Kalimit Kufitar-Jarinje në dalje, sot rreth orës 01:55, gjatë kontrollimit kufitar të udhëtarëve, në autobusin e vijës së rregullt Mitrovicë-Beograd, është hasur personin V.O., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar), i cili nuk posedonte asnjë dokument identifikimi, përveç një raporti mbi ‘raportimin e dokumenteve të humbura’.

    Policia me qëllim të verifikimit të identitetit të personit dhe sqarimit të rrethanave, ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo-hetimore (kontakti me SP Deçan dhe intervistimi i personit).

    Në njoftim thuhet se gjatë realizimit të procedurave policore, ka rezultuar se personi është i dyshuar për vjedhje të automjetit më 11 janar 2024 rreth orës 21:30 në një fshat të Deçanit. Rasti është raportuar në Stacionin Policor Deçan, gjersa është zbuluar edhe vendndodhja e veturës së vjedhur (rruga ‘Isa Boletini’ Mitrovicë Jugu).

    “Po ashtu, gjatë kontrollit të detajuar, personit të dyshuar i janë gjetur një palë çelësa që dyshohet se i përkasin veturës së vjedhur. Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • GAP: 338 mijë qytetarë kanë emigruar nga Kosova për dhjetë vjet

    GAP: 338 mijë qytetarë kanë emigruar nga Kosova për dhjetë vjet

    Në tremujorin e parë të vitit 2024, planifikohet që 28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18 vjeç të emigrojnë pas liberalizimit të vizave. Ndërkaq, sektorët që pritet të preken më së shumti nga largimi i punonjësve janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj ai i tregtisë dhe prodhimit. Ndërsa, në dhjetë vjetët e fundit nga vendi kanë emigruar 338 mijë qytetarë.

    Kështu u bë e ditur në konferencën për media të organizuar nga Instituti GAP me temën “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, ku u tha se arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.

    Përmes një ankete të realizuar me mbi 1 mijë qytetarë nga Kosova, Instituti GAP kishte për qëllim që të vinte në pah se cilat janë arsyet kryesore që nxisin ata për të emigruar, cilët sektorë do të preken më shumë dhe çështje të tjera.

    Hulumtuesja e lartë në Institutin GAP, Anisa Zogaj tha se rreth 28 për qind e qytetarëve konsideruan se mundësitë më të mira për punësim janë arsyeja kryesore për të emigruar.

    Ajo theksoi se sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj tregtisë 18.1 për qind dhe prodhimit 12.9 për qind.

    Zogaj potencoi se shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm me 58 për qind, derisa shtoi se destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, ndjekur nga Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind.

    “28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç kanë plane për të emigruar në periudhën e parë të këtij viti…Sektorët të cilët preken në masë më të madhe nga largimi i punëtorëve në këtë periudhë janë sektori i ndërtimtarisë me 18.7 për qind, hotelerisë dhe gastronomisë po ashtu me 18.7 për qind, tregtisë me 18.1 për qind dhe prodhimit me 12.9 për qind. Të njëjtit janë po ashtu sektorë të cilët kanë numrin më të lartë të punëtorëve në Kosovë dhe kanë produktivitetin më të lartë, por që pagat i kanë në pagën mesatare të Kosovës. Disa sektorë të tjerë të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia nuk priten të preken në të njëjtën masë sikurse sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe gastronomisë…Arsyet ekonomike janë arsyet kryesore të cilat i shtyjnë qytetarët të emigrojnë. Gjithsej 28 për qind e qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore për të emigruar…Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm me 58 për qind, ndërsa destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, ndjekur nga Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind”, tha Zogaj.

    Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Blendi Hasaj tha se në periudhën 2012/2022 rreth 338 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova.

    Ai shtoi se liberalizimi i vizave sjell probleme në ekonomi, duke përfshirë mungesën e punonjësve në treg.

    Hasaj theksoi se nëse nga Kosova emigrojnë shumë kuadro të cilat janë të shkolluara, pritet që të ulet produktivitetin në tërë vendin. Ai shtoi se kjo ndo të ndikojë edhe në uljen e konsumit, duke përfshirë në rënien e pagave.

    “Kemi trajtuar disa çështje që lidhen me migrimin e qytetarëve të Kosovës me rastin e liberalizimit të vizave, ku fokusi jonë ka qenë veçmas me ato dinamikat që do të ndodhin ose që pritet të ndodhin në tregun e punës…Viteve të fundit Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor po përballen me një shkallë të lartë të emigrimit të qytetarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në periudhën 2012-2022 nga Kosova kanë emigruar gjithsej 338 mijë qytetarë, apo që është ekuivalente 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Emigrimi i një shkalle të lartë të qytetarëve nga Kosova, sjell probleme të ndryshme në ekonomi. Në periudhën afatshkurtër kjo krijon mungesë të punonjësve në treg dhe varësisht nga sektorët që afektohen më shumë….Pastaj në periudhën afatgjate kjo del të jetë pak më problematike, nëse nga vendi emigrojnë shumë kuadro të cilat janë të shkolluara, emigrojnë të cilat janë produktive dhe ndërmarrës ose ndërmarrëse, krijojnë inovacion në ekonomi. Kjo pritet që ta ul produktivitetin në tërë vendin, gjithashtu do ta ul edhe konsumin dhe rrjedhimisht do të ndikojë në rënie të pagave në vend”, tha Hasaj.

    Ndër të tjera, Hasaj potencoi se sipas raportit të Institutit GAP, del se në vendet fqinje të cilat kanë fituar liberalizimin e vizave në periudhën 2009-2010 në vitin e parë, efekti i migrimit të popullsisë nuk ka qenë më i lartë se 2.9 për qind.

    Përveç këtyre, në këtë konferencë u tha se një ndikim pozitiv që mund ta sjellë emigrimi në Kosovë është rritja e pjesëmarrjes së grave në fuqi punëtore.

    Po ashtu u potencua se sipas përgjigjeve të të anketuarve del se disa nga arsyet kryesore që do të motivohen qytetarët për të mos emigruar, por për të qëndruar në Kosovë janë pagat më të mira, përmirësimi i kushteve të punës dhe gjendjes në shëndetësi dhe arsim.

  • KMDLNj: Vendosja e kamerave në Prishtinë, në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut

    KMDLNj: Vendosja e kamerave në Prishtinë, në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas njoftimit të Komunës së Prishtinës se në kryeqytet do të vendosen kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale.

    Në këtë reagim thuhet se vendosja e kamerave në kryeqytet është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe se KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë artificiale, pasi sipas tyre, vendosja e kamerave nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe bënë shkelje të privatësisë.

    “Në këtë kontekst KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë të fuqishme artificiale sepse nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë brutale krijon kushte për shkelje të privatësisë dhe të drejtat e njeriut. Kamerat për vëzhgim mund të vendosen vetëm në hapësira ku ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale dhe me leje të organeve ligjzbatuese apo në hapësira ku pritshmëritë për shkelje të privatësisë janë të vogla”, thuhet ndër të tjera në reagim.

    Reagimi i plotë:

    VENDOSJA E KAMERAVE NË PRISHTINË, NË KUNDËRSHTIM TË PLOTË ME TË DREJTAT E NJERIUT

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se së shpejti në kryeqytet do të vendosen kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale të fuqishme me të cilat Policia do të identifikojë lehtësisht të dyshuarit, shkelësit e rregullave të trafikut dhe t’i mbajë nën vëzhgim edhe personat që hedhin mbeturina vend e pa vend.

    Për të qetësuar qytetarët Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se kërkesa për blerje dhe vendosje të kamerave brenda hapësirave publike është bërë nga Policia dhe se Policia do të shërbehet me pamjet e nxjerra nga kamerat sikur që AIP, kohë pas kohe do të monitorojë këto kamera. AIP, gjithashtu ka njoftuar se sistemi i regjistrimit të të dhënave që do të bëhet nga kamerat që pritet të vendosen në kryeqytet nuk do të përfshijë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe se menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës. Përshkrimi dhe shpjegimi arsyetojnë vendosjen e kamerave sikur ato të mos shkelnin në mënyrë flagrante të drejtën për privatësi, si e drejtë elementare e njeriut.

    KMDLNj e rikujton publikun se pikërisht kjo organizatë ka propozuar të vendosen kamerat në perimetrin e kontejnerëve për mbeturina për të identifikuar qytetarët e papërgjegjshëm që hudhin mbeturina jashtë kontejnerëve. Vendosja e kamerave të sigurisë e sidomos këto me inteligjencë artificiale është e ndaluar në shumë vende shkaku i mundësisë së keqpërdorimit të të dhënave biometrike që i përpunojnë këto kamera. Pastaj, sipas legjislacionit në fuqi, vëzhgimi me anë të kamerave edhe për rastet më të rënda kriminale nuk mund të bëhet pa lejen e organeve ligjzbatuese dhe se ajo trajtohet si rast e jo si tërësi. Në rastin e vendosjes së kamerave në kryeqytet po mendohet që vëzhgimi të jetë i përhershëm, 24 orë dhe këtu do të përfshihen të gjithë qytetarët që janë brenda perimetrit që mbulohen nga kamerat pavarësisht nëse janë të dyshuar apo jo. Sipas ligjeve në fuqi, vetura llogaritet si shtëpi e dytë dhe për vëzhgimin e saj duhet leje e veçantë e organeve ligjzbatuese ndërsa kamerat vëzhgojnë pa asnjë leje duke shkelur rëndë privatësinë e mbrojtur me ligj. Se ky vëzhgim do të realizohet vetëm nga Policia e Kosovës nuk paraqet asnjë siguri për ruajtje të privatësisë dhe respektim të drejtave të njeriut për faktin se asnjë bastisje apo arrestim të personave që konsiderohen si persona publikë, pavarësisht kohës dhe kushteve nuk bëhet pa praninë e mediave që nënkupton se informatat rrjedhin nga Policia.

    Vëzhgimi i paautorizuar ndikon ne rezultatin e hetimeve, në vendimmarrje gjyqësore dhe në mënyrë të pakundërshtueshme e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky vëzhgim i cili nuk ka monitorim efektiv krijon kushte për shkelje të rënda të privatësisë dhe të drejtave të njeriut përmes kontrollit të familjes, si në vende publike ashtu edhe në ato private. Gjithashtu, AIP, pavarësisht kohës që vepron (sot apo në të ardhmën) nuk mund të ofrojë asnjë siguri për ruajtje të privatësisë për faktin se kryesisht emërohet nga politika dhe është nën ndikimin politik. Në këtë kontekst KMDLNj kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë të fuqishme artificiale sepse nuk është paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrë brutale krijon kushte për shkelje të privatësisë dhe të drejtat e njeriut. Kamerat për vëzhgim mund të vendosen vetëm në hapësira ku ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale dhe me leje të organeve ligjzbatuese apo në hapësira ku pritshmëritë për shkelje të privatësisë janë të vogla.

  • “Associated Press”: Serbia e zhgënjyer me shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën

    “Associated Press”: Serbia e zhgënjyer me shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.

    Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar edhe “Associated Press“, gazeta e njohur amerikane.

    Në shkrimin e saj të publikuar, sqarohet se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa anti-tank “Javelin”, duke treguar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehu “zhgënjim të thellë”.

    Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ka thënë të enjten se ka miratuar shitjen e mundshme të 246 raketave dhe pajisjeve të lidhura me Kosovën për një kosto të vlerësuar prej 75 milionë dollarësh.

    “Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë,” ka thënë Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të SHBA.

    Tutje, “AP” ka shkruar se në një deklaratë të zyrës së Vuçiqit thuhet se ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i tha atij se Departamenti i Shtetit i SHBA-së do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongres, i cili shqyrton shitjet e armëve për vendet e huaja.

    Në këtë shkrim, po ashtu, theksohet se presidenti i Serbisë tha se “për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”.

    Shitja e propozuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në një kohë të tensioneve në rajon. Disa herë në muajt e fundit, Serbia ka zhvendosur trupat e saj në kufirin që ruhet nga trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, akte që nga Perëndimi u vlerësuan si veprime armiqësore.

    Vuçiç pohoi këtë muaj se Serbia ka një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke vënë në dukje “numrin e madh” të tankeve që kishte marrë nga Rusia para pushtimit të Ukrainës, shkruan “AP”. Ai u zotua se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sistemet kundërajrore, avionët luftarakë dhe dronët, raporton gazeta e njohur amerikane.

    Sistemi raketor “Javelin” është përdorur nga ushtria ukrainase për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara.

    Kosova ka forcuar forcat e saj të armatosura me dronë dhe raketa antitank kryesisht nga Turqia, gjë që ka zemëruar Beogradin.

  • Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëfinancim të projektit të rrugës Tetovë-Prizren

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëfinancim të projektit të rrugës Tetovë-Prizren

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut sot kanë nënshkruar projektin për bashkëfinancim e projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

    Dokumentin e nënshkroi ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe nga Maqedonia e Veriut zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjes, Bekim Rexhepi. Marrëveshja u nënshkrua në prani të ministrit maqedonas Blagoj Bochvarski, si dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi.

    Rexhepi tha se kësaj marrëveshje i kanë paraprirë disa takime të grupeve të të dyja shteteve dhe se kanë gjetur një zgjidhje optimale se kah duhet të kalojë kjo rrugë.

    “Sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës sepse po fillojmë një kapitull të ri të zgjerimit të rrjetit rrugor të lidhjes rajonale. Kisha nderin që së bashku me Ministrin Aliu të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëfinancimin, kompletimin dhe ndërtimin e tunelit në drejtimin e aksit rrugor Tetovë-Prizren. Kësaj marrëveshje ndërshtetërore i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet, të cilat i falënderoj sepse gjetën zgjidhjen më optimale për këtë projekt. Në bazë të studimit të fizibilitetit nga ana jonë janë ofruar opsione të ndryshme për zgjedhjen e trasesë së rrugës Tetovë-Prizren dhe e pranueshme për të dyja vendet ishte traseja në ndërtimin e tunelit 6.4 km të gjatë. Traseja e rrugës së re fillon në Tetovë përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në vendbanimin Veshallë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”.

    Ai tha se është edhe në të mirën e turizmit në Maqedoninë e Veriut meqë kalon edhe kah Kodra e Diellit – qendër turistike.

    Ndërkaq, ministri Aliu tha se kjo rrugë ka rëndësi edhe rajonale dhe nuk po bëhet vetëm që të lidhë Prizrenin me Tetovën.

    “Është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme që s’e lidh vetëm Prizrenin me Tetovë, por edhe me autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën, rrjedhimisht krijon mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit”.

  • Fruti “ilaç” që mbron kujtesën dhe zvogëlon rrezikun e demencës

    Fruti “ilaç” që mbron kujtesën dhe zvogëlon rrezikun e demencës

    Molla mbron zemrën, rregullon sheqerin dhe kontribuon në humbjen e peshës.

    Jo rastësisht ky frut konsiderohen si një “ilaç” natyral, pasi konsumimi i shpeshtë forcon mbrojtjen e organizmit dhe mbron nga sëmundjet kronike. Megjithatë, duket se mollët janë po aq të vlefshme për shëndetin e trurit.

    Siç thekson Dr. Vincent Candrawinata, një shkencëtar ushqimor, studiues dhe nutricionist klinik, ka prova shkencore që konsumimi i rregullt i mollëve mund të përmirësojë kujtesën dhe të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes Alzheimer.

    Por ku atribuohen këto përfitime të vlefshme? Mollët përmbajnë vitamina dhe minerale të rëndësishme që lidhen me ruajtjen e kujtesës, si flavonoidet. Këta përbërës specifikë kanë veti antioksiduese dhe përveç mollëve, gjenden edhe te çokollata e zezë, manaferrat, çaji dhe vera.

    Dr. Vincent Candraëinata përmendi një studim amerikan me 2800 pjesëmarrës me një moshë mesatare 50 vjeç, i cili zbuloi se ata që hanin ushqime më pak të pasura me flavonoidë, kishin dy deri në katër herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundjen e Alzheimerit dhe gjendjet e lidhura me to gjatë një periudhe 20-vjeçare. Flavonoidet janë komponime fenolike që gjenden në fruta të tilla si mollët dhe dardhat dhe perimet si lakra jeshile dhe spinaqi. Mund t’i gjeni edhe në çokollatë dhe verë! Këto komponime, kur absorbohen siç duhet, janë të dobishme për shëndetin tonë. “Studimet kanë treguar se marrja më e lartë dietike e flavonoideve dhe nënklasës së tyre, flavonoleve, mund të shoqërohet me një rrezik të reduktuar të sëmundjes së Alzheimerit,” thekson ai.

    Duke konsumuar më shumë ushqime të tilla bimore, trupi furnizohet me vitamina dhe minerale të rëndësishme që mbrojnë qelizat e trurit nga neurotoksiciteti, i cili mund të çojë në çrregullime të tilla neurodegjenerative.

    “Neurotoksiciteti ndodh kur sistemi nervor i trupit është i ekspozuar ndaj substancave toksike natyrore ose të krijuara nga njeriu dhe ndryshon aktivitetin normal të sistemit nervor. Në fund të fundit kjo mund të çojë në ndërprerjen ose vdekjen e neuroneve të trurit”, shpjegon Dr. Candraëinata.

    Megjithatë, mund të jetë edhe për shkak të faktorëve të tjerë.

    “Neurotoksiciteti mund të ndodhë si rezultat i ekspozimit ndaj substancave të përdorura në kimioterapi, terapi rrezatimi, trajtime me ilaçe apo edhe ekspozimi ndaj metaleve të rënda si merkuri dhe disa aditivë ushqimorë, pesticide, industriale dhe tretës pastrues dhe kozmetikë”, vëren ai.

    Nutricionisti klinik arrin në përfundimin se ndërsa nuk ka asnjë kurë apo edhe një shkak të njohur për sëmundjen e Alzheimerit, është e rëndësishme të përqendroheni në adoptimin e një stili jetese të shëndetshëm, si dieta dhe ushtrimet, për të reduktuar gjasat e zhvillimit të sëmundjes. /Top Channel

  • Specialja refuzon apelin e Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Specialja refuzon apelin e Isni Kilajt për ndërprerje të paraburgimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se Paneli i Gjykatës së Apelit e ka refuzuar apelin e Isni Kilajt që t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

    Ish-kryetari i Malishevës vazhdon të mbahen në paraburgim pasi i njëjti akuzohet për pengim të drejtësisë.

    Kilaj u arrestua më 3 nëntor pas një urdhërarresti të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.

    “Kilaj u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës… dhe shkeljen e sekretit të procedurave”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

  • Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Nga 1 mijë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Shengen në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë migruar 338 mijë qytetarë apo 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Kështu u tha në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”.

    Sipas raportit të prezantuar të premten, arsyet kryesore që i përmendin qytetarët janë kushtet ekonomike, ndërsa sektorët që do të preken më shumë janë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia.

    Blendi Hasaj, hulumtues i lartë në GAP, tha se Instituti ka bërë një hulumtim ku ka anketuar mbi 1000 persona, ku sipas kësaj gjetje pritet që 28 për qind e popullësi të emigroj gjatë periudhës së parë të këtij viti.

    “Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se liberalizimi i vizave e gjen Kosovën në një dinamikë më ndryshe se shtetet tjera të rajonit në kohën kur atyre i’u ofrua lëvizja e lirë në BE.

    Në vitin e parë pas liberalizimit të vizave për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e emigrimit nuk ishte shumë e lartë, duke arritur në maksimum 2.9% të popullsisë së një shteti, por tendenca për të emigruar është bërë shumë më e theksuar në tërë Ballkanin Perëndimor pas vitit 2015.

    Kjo kryesisht si rrjedhojë e kërkesave të mëdha dhe zbutjes së kritereve nga shtetet e BE-së për punëtorë të huaj”, tha Hasaj.

    “Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore jo-aktive është zvogëluar për 14,698 persona.

    Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore jo-aktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm.

    Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”.

    Anisa Zogaj, hulumtuese e lartë në GAP, tha se sektorët që do të preken më shumë nga emigrimi i popullsisë janë sektori i ndërtimtarisë, sektori i hotelerisë dhe gastronomisë, sektori i tregtisë dhe sektori i prodhimtarisë.

    Sipas saj, Gjermania është destinacioni kryesor i emigruesve dhe se kushtet ekonomike janë ndër arsyet kryesore që i nxisin qytetarët që të emigrojnë.

    “Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%).

    Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë.

    Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, deklaroi ajo.

    “Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.

    Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%).

    Destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%”, u shpreh ajo.