ATV

Blog

  • Acari i vërtetë pushton SHBA

    Acari i vërtetë pushton SHBA

    Po përshkruhet si “një shkulm brutal ajri arktik” fronti i ftohtë që po i afrohet pjesës qendrore të SHBA-së pas një stuhie të fuqishme.

    Përfundimisht, thotë CNN, kjo do të sjellë acarin më të madh të dimrit deri në jug të Teksasit. Qytetarëve te Iowa-s, të paret që i drejtohen qendrave të votimit për parapraket 2024, do t`u duhet të përballen me ato që mund të kthehen në zgjedhjet më të ftohta në historinë e këtij shteti amerikan.

    Ngricat pritet të testojë për herë të parë këtë dimër edhe rrjetin elektrik, jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj temperaturave ekstreme të Teksasit. Zhiva e termometrit mund të bjerë ndjeshëm nën zero në rrafshinat veriore, e mbi 15 milionë njerëz në rajonet qendrore të vendit janë tashmë nën alarmin e erërave të akullta, ku ngrirja mund të ndodhë në vetëm 10 minuta ekspozimi të lëkurës.

    I ftohti, vazhdon shkrimi, do të përhapet ngadalë në lindje të vendit dhe përfundimisht do të përfshijë Teksasin dhe pjesë të tjera të Jugut deri në fundjavë, duke zgjatur deri nga mesi i javës së ardhshme. Më shumë se 200 njerëz vdiqën – shumica prej tyre nga hipotermia, gjatë një periudhe historike acari dhe një stuhie të ashpër dimërore shkurtin e vitit 2021, kur u aplikuan edhe ndërprerje masive të energjisë elektrike me qëllimin që nga kërkesa e madhe, të parandalohej një kolaps i plotë i rrjetit të energjisë.

  • Unai Emery, trajneri më i mirë i muajit në Premier Ligë

    Unai Emery, trajneri më i mirë i muajit në Premier Ligë

    Unai Emery e ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë të muajit dhjetor të vitit 2023 në Premier Ligë.

    Emery shpallet fitues pasi në garën për këtë çmim mposhti Andoni Iraolan, Jurgen Klopp dhe David Moyes, raporton KosovaPress.

    Emery dhe skuadra e tij po kalojnë një formë fantastike këtë sezon, ku Aston Villa momentalisht zë vendin e dytë në tabelën e Premier Ligës.

    “Jam mirënjohës dhe tejet krenarë për punën tonë. Gjëja më e rëndësishme është të vazhdojë kjo ecuri, të kërkosh, dhe të përmirësohemi çdo ditë”, tha Emery.

    Aston Villa humbi vetëm njërën prej shtatë ndeshjeve që i zhvilloi në dhjetor, duke përfshirë këtu fitoret radhazi kundër Manchester Cityt dhe Arsenalit.

  • Jason Momoa: Nuk kam shtëpi, për momentin jetoj në rrugë

    Jason Momoa: Nuk kam shtëpi, për momentin jetoj në rrugë

    Aktori Jason Momoa tregoi se si është jeta pas divorcit të tij nga Lisa Bonet.

    “Unë nuk kam as shtëpi tani”, ka rrëfyer ai për “Entertainment Tonight”. “Unë jetoj në rrugë’’.

    Momoa foli për projektin e tij të ri, “On The Roam”, një seri që e tregon atë duke udhëtuar në të gjithë vendin për të folur me një shumëllojshmëri të gjerë individësh për pasionet e tyre.

    Aktori mund të shihet duke udhëtuar në të gjithë vendin me një motoçikletë.

    “Unë jam gjithmonë vende të çuditshme. Më gjeni në rrugë. Kjo ndodh gjatë gjithë kohës. Njerëzit thonë: Çfarë dreqin po bën në qytetin tonë?”

    Më 8 janar, Momoa dhe Boneu u divorcuan zyrtarisht dhe aktori siç shpjegon është ende në një fazë të çuditshme të jetës së tij./atvlive.tv/

  • “As Kurti, as Osmani”, deputeti i PDK-së thotë se negocimin dhe kontraktimin e armatimit nga ShBA-ja e ka bërë Kadri Veseli

    “As Kurti, as Osmani”, deputeti i PDK-së thotë se negocimin dhe kontraktimin e armatimit nga ShBA-ja e ka bërë Kadri Veseli

    As Albin Kurti e as Vjosa Osmani.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se Kadri Veseli i ka kontraktuar armët e blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pas miratimit nga ShBA-ja të kërkesës për blerjen e raketave antitank “Javelin”, deputeti Haxhiu tha se e vërteta për blerjen e armatimit nga ShBA-ja është e ndryshme nga ajo që është paraqitur nga zyrtarët në pushtet.

    Sipas tij, negocimin dhe kontraktimin e ka bërë ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në vitin 2018.

    Haxhiu tha se një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara “Humvee”, kishin arritur në Kosovë nga ShBA-ja më 25 korrik të vitit 2020.

    “Pse ka pasë vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet te japin llogaridhënie qeveritarë e sotëm. Sot, kur dezertorët dhe sabotuesit e luftës çlirimtare flasin për luftë e kupton hipokrizinë e këtij pushteti, që abuzojnë me sigurinë e vendit për populizëm elektoral”.
    “Krahasuar me fuqinë ushtarake të Serbisë, Kosova vendi ynë do të jetë e sigurt vetëm me anëtarësimin në NATO dhe aleancë të përhershme me ShBA dhe BE”, shkroi Haxhiu.

    Tutje, ai tha se 10 vjet më parë, Vetëvendosje dhe LDK nuk kanë votuar ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në ushtri, ku sipas tij, sikur atëherë të votohej transforimi i FSK-së në ushtri, sot Kosova do të ishte pjesë e NATO-s.

    Dje, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të Ushtrisë së Kosovës kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë raketat “Javelin”.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuar dje se e kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 264 raketave antitank “Javelin”, të cilat kapin vlerën totale prej 75 milionë euro.

  • Ariana Grande shprehet pozitive dhe mirënjohëse për gjërat në jetën e saj

    Ariana Grande shprehet pozitive dhe mirënjohëse për gjërat në jetën e saj

    Ariana Grande këtë vit të ri siç duket e ka filluar me pozitivitet dhe mirënjohje.
    Këngëtarja përmes një shkrimi rrëfeu se ka reflektuar për vitin 2023 dhe tregoi për mësimet që ka mësuar dhe njerëzit që takoi gjatë gjithë vitit të kaluar.

    “Një nga vitet më transformuese, më sfiduese, e megjithatë më të lumtura dhe më të veçanta të jetës sime. kishte kaq shumë ndjenja të bukura”, shkroi Grande. “Unë kurrë nuk jam ndjerë më e plotësuar apo e pranishme në punën time, duke qenë në gjendje të vlerësoj çdo moment.”

    Tutje Grande theksoi se kishte dhënë gjithçka nga zemra për projektet në të cilat pati fatin të ishte pjesë dhe siç shpjegoi ajo, kishte mësuar shumë nga çdo shpirt i njerëzve që ka takuar.

    Por, mbase viti i kaluar për këngëtaren nuk ishte edhe aq i lehtë sa mund të tingëllojë sepse ajo u nda nga Dalton Gomez pas dy vitesh martesë.

    “Kurrë nuk jam ndjerë e mbajtur më e fortë apo e mbrojtur nga ata që më duan dhe më kuptojnë (miqtë, familja dhe fansat). Ndihem e sigurt, edhe në mes të shumë gjërave nga të cilat zakonisht do të kisha frikë. Unë jam duke dëgjuar dhe besuar veten time, edhe kur frika apo trauma më thotë që të mos bëj. Unë jam duke reaguar ndaj gjërave që meritojnë vetëm energjinë time dhe po largoj dhe mbrohem nga gjërat që nuk e meritojnë’’, u shpreh Grande./atvlive.tv/

  • Mashtrimi me inteligjencë artificiale: Taylor Swift në një reklamë të rreme për produkte kuzhine

    Mashtrimi me inteligjencë artificiale: Taylor Swift në një reklamë të rreme për produkte kuzhine

    Një video është shpërndarë në rrjetet sociale, që përmes inteligjencës artificiale përdor imazhin e Taylor Swift për të promovuar produkte të kuzhinës pa autorizimin e saj. Në këtë video, e cila po përhapet me shpejtësi, shihet një version virtual i yllit.

    Në video shihet Taylor Swift që ofron “falas” një koleksion tenxheresh luksoze nga marka e njohur “Le Creuset”.

    Kompania “Le Creuset” ka bërë një deklaratë, nëpërmjet të cilës sqaron se nuk ka organizuar promovim të tillë duke shtuar se reklama është mashtruese.

    Gjithashtu, shuma prej 9.96 dollarësh që përmendet për transport në video mbetet tërësisht e paqartë, duke lënë hapësirë për dyshime në lidhje me qëllimet e vërteta të autorëve të videove.

    Taylor Swift nuk është e vetmja që është bërë cak i shfrytëzimit të imazhin e saj në internet nga inteligjenca artificiale.

    Disa të famshëm kanë filluar të ndjehen të kërcënuar nga inteligjenca artificiale për shkak të mundësisë që teknologjia të keqpërdoret për të krijuar përmbajtje mashtruese që mund të dëmtojë reputacionin dhe të drejtat e tyre./atvlive.tv/

     

  • Kosova sërish nikoqire e “Defender Europe”

    Kosova sërish nikoqire e “Defender Europe”

    Kosova do të jetë sërish nikoqire e ushtrimit ushtarak “Defender Europe” që do të organizohet në vitin 2025.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

    “Po, Kosova do të jetë sërish nikoqire e Defender Europe, që do të organizohet në vitin 2025″, tha ai shkurtimisht.

    Ndryshe, edhe të enjten zëvendësministri, Shemsi Syla për Front Online ka thënë se ushtria e Kosovës në vitin 2025 do të jetë pjesë e “Defender”.

    “Në 2025 do jemi pjesë e “Defenderit”, kemi filluar kontaktet, planet dhe përgaditjet”, ka thënë ai shkurtimisht për Front Online.

  • SPAK-u kërkon 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun Safet Gjici

    SPAK-u kërkon 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun Safet Gjici

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 4 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun Safet Gjici dhe 1 vit e 6 muaj burg për Alma Kaçajn.

    Në përfundim të hetimit, SPAK ka lexuar këtë të premte pretencën për dy të pandehurit Safet Gjici, për akuzën e korrupsionit pasiv dhe Alma Kaçaj, gjithashtu për korrupsionit aktiv. Si ish kryebashkiaku Gjici, ashtu edhe Alma kanë kërkuar gjykim te shkurtuar, kërkesë e pranuar dhe nga gjykata. Nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Gjici do të vuajë 3 vite burg ndërsa Kaçaj 1 vit.

    Gjatë leximit të pretencës, SPAK ka kërkuar po ashtu që Gjicit t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Sakaq, për Alma Kaçajn, SPAK ka kërkuar dënim me burg 1 vit e gjashtë muaj, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 1 vit burg.

    Ish-kryebashkiaku i Kukësit, u arrestua më 24 qershor me urdhër të SPAK. Hetimi ndaj Gjicit nisi në 16 qershor, pas një videoje kompromentuese të publikuar në rrjetet sociale.

  • Viola von Cramon, të hënën nis vizitën katërditore në Kosovë

    Viola von Cramon, të hënën nis vizitën katërditore në Kosovë

    Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, do të qëndrojë në Kosovë për katër ditë.

    Vizitën e saj do ta nisë të hënën më 15 janar, kur edhe do të mbajë një konferencë për media.

    Von Cramon ka qenë e zëshme në mbështetje të Kosovës tash e sa vite, si për çështjen e vizave, ashtu edhe për situatën me Serbinë në përgjithësi.

  • Zlatan Arsic mbetet në paraburgim, akuzohet për krime lufte në Kamenicë

    Zlatan Arsic mbetet në paraburgim, akuzohet për krime lufte në Kamenicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka refuzuar kërkesën për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Zlatan Arsic, i cili akuzohet se ka kryer krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Vendimi për refuzimin e këtij propozimi të mbrojtjes është marrë në fund të seancës nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj. Në këtë seancë cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar prindërit e të dëmtuarit.

    Aktakuza ndaj Arsic është ngritur më 28 korrik 2023. Ai ngarkohet se mars 1999 në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe i armatosur, e kishte ndalur në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë të tipit Llada me ngjyrë të bardhë, ku nga ajo veturë kanë dalë dy policë, njëri ndër ta i akuzuari dhe i ‘u kanë drejtuar të dëmtuarit me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

    Sipas njëjtit dispozitiv të dëmtuarin B.M e kanë detyruar që të niset para tyre me biçikletë, duke e përcjell mbrapa me veturë deri në stacionin e policisë në Kamenicë, ku pastaj i akuzuari e ka kapur nga krahu të dëmtuarin dhe kur janë afruar te shkallët e stacionit policor, i akuzuari ka filluar që ta godasë të dëmtuarin me shufër gome deri sa e ka dërguar në zyrë në katin e dytë, ku posa e ka futur në zyre ka filluar ta godas përsëri në pjesë të ndryshme të trupit me shufër gome, shkelma dhe grushte duke e torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Sipas dispozitivit të dytë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Arsic, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars të vitit 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e me pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë venë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

    Tutje sipas dispozitivit të dytë thuhet se i dëmtuari B.M së bashku me familjen e tij, disa ditë pasi ishte torturuar e maltretuar nga i akuzuari, të përshkruara si në pikën 1 të kësaj aktakuze, kishte shkuar te shtëpia prej të cilës ishte dëbuar dhe ishte djegur, në të cilën ai me familje kishin banuar me qira, ishte takuar me të akuzuarin në oborrin e shtëpisë në fjalë dhe i akuzuari në këtë rast e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt duke e kërcënuar se mund ta ekzekutonte dhe pas një kohe policia serbe, e kishin liruar të dëmtuarin dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij, ku të njëjtin kishin vazhduar për në shtëpinë e dajës së të dëmtuarit, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve. vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSF-së./ BetimipërDrejtësi