ATV

Blog

  • Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva

    Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, Artiol Abdullahut dhe Elton Kadrit për vrasjen e 18-vjeçarit, Lulzim Zejnullahu në Podujevë.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Është marrë vendimi ndaj tyre, tashmë iu është caktuar masa dhe janë dërguar në mbajtje”, tha ajo.

    18-vjeçari Lulzim Zejnullahu vdiq të shtunën si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga dy të dyshuar të moshës së mitur.

  • Haxhiu takon përfaqësues të shoqërisë civile, diskuton për reformat në drejtësi

    Haxhiu takon përfaqësues të shoqërisë civile, diskuton për reformat në drejtësi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile me të cilët ka diskutuar për një sërë çështjesh që ndërlidhen me reformën në drejtësi, dhunën në familje, krimet e luftës, fuqizimin e profesioneve të lira dhe shërbimet sociale dhe familjare.

    Në këtë takim, Haxhiu me theks të veçantë foli për vazhdimin e punës pas publikimit të Aktgjykimit të plotë lidhur me Vetingun, reformën në sistemin prokurorial, plotësim ndryshimin e Kodit Civil, digjitalizimin për Provimin e Noterisë dhe Jurisprudencës, zbatimin e Strategjisë kundër Dhunës dhe rregullimin e fuqizimin e mekanizmave si: QPS-të, Strehimoret, OJQ-të e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

    Ministrja Haxhiu falënderoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për punën e tyre dhe premtoi transparencë dhe vazhdimësi të bashkëpunim në hartimin e politikave të Ministrisë së Drejtësisë.

  • Bulliqi: Njëri nga vrasësit e 18-vjeçarit është i dënuar me 3 vjet burgim, ka 9 vepra të ndryshme penale

    Bulliqi: Njëri nga vrasësit e 18-vjeçarit është i dënuar me 3 vjet burgim, ka 9 vepra të ndryshme penale

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se njëri prej dy sulmuesve të mitur që e rrahën për vdekje 18-vjeçarin Lulzim Fejzullahu, është i dënuar me 3 vjet burgim për një rast të mëhershëm.

    Bulliqi tha se ai ka pasur “9 vepra të ndryshme penale”.

    “Njëri prej individëve që dyshohet se është pjesë e këtij rasti, është nxënës i një shkolle të mesme në qytetin e Podujevës, ndërsa tjetri ka dy apo tri vite që ka qenë nxënës i shkollës, i cili për sjellje jo të mira është larguar nga shkolla dhe ka braktisur shkollimin e mëtejshëm pas disa veprave që i ka bërë qoftë në shkollë, qoftë në ambientet tjera. U informuam nga organet e rendit që organet e rendit e kanë kryer punën e tyre, kanë inicuar rastet. Me këto raste është marrë gjyqësia dhe prokuroria, dhe njëri prej tyre, në këtë fazë kur ka ndodhur tash rasti, faktikisht ka qenë i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim për një rast të mëhershëm dhe faktikisht ka pasuar ky rasti që është aktualisht”, tha Bulliqi para gazetarëve, pas një mbledhje të Këshillit për Siguri në Bashkësi në Komunën e Podujevës.

    “Njëri prej tyre është me diku 9 vepra të ndryshme penale, i cili është hetuar dhe organet e drejtësisë dhe prokuroria e kishin dhënë fjalën e tyre me këtë dënim”, tha Bulliqi.

    “Ndërsa i dyti, që është bashkëpjesëmarrës, që duket nga ato video-incizimet që u publikuan, nuk është që ka të hapur ndonjë rast nga organet e rendit”, tha ai.

    Për të dytin, Bulliqi tha se “ai nuk është që është nxënës i mirë”.

    “Është nxënës i cili nuk ka treguar rezultat të mirë në shkollë. Është nxënës të cilit i është thy nota e sjelljes prej organeve të shkollës dhe është nxënës që ka pasur një numër mungesash në shkollë”, tha kryetari i Podujevës.

    Ai tha se nuk kanë evidentuar ndonjë lëshim nga organet e Arsimit në këtë Komunë.

    “Rasti ka ndodhur jashtë objektit të shkollës. Drejtoria e shkollës ka marrë veprime. Është larguar për një muaj. Është kthyer prapë në shkollë dhe prapë ka vazhduar me veprime të tilla”, tha Bulliqi. “Prindi i tij ka shkuar dhe i ka tërhequr dokumentet nga shkolla”, tregoi ai.

    Ai foli edhe për viktimën, për të cilin tha se qytetarët “thonë që ka qenë djalë i sjellshëm”.

    Duke folur për veprimet që tha se i ka marrë Drejtoria e Arsimit në Podujevë, Bulliqi tha se “pothuajse të gjitha institucionet shkollore i kemi mbuluar me kamera të sigurisë”.

    “Dukuri të tilla ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara të botës”, tha ai.

    “Ka një verdikt. A është i mirë a i keq ai verdikt, unë nuk jam kompetend të flas për të. Mirëpo nëse ka 10, 9, 8 vepra penale dhe kalon me këtë sanksion çfarë po thuhet që ka qenë, duhet me analizu këtë çështje se çka mund të jetë problemi”, tha Bulliqi.

    “Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës nuk është që është e keqe”, tha kryetari i Podujevës.

  • Kurti dhe Vuçiq në një tryezë, Rama thotë se komunikimi ishte pozitiv

    Kurti dhe Vuçiq në një tryezë, Rama thotë se komunikimi ishte pozitiv

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se të dielën ka pasur darkën e parë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku sipas tij, komunikimi në tryezë ishte pozitiv.

    Rama në konferencë për medie, pas takimit mes liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe BE-së dhe ShBA-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut, tha se në vendet e rajonit kanë harxhuar kohë dhe energji duke mos u pajtuar në terminologji për bashkëpunim ekonomik, derisa ka bërë thirrje që të shfrytëzojnë mundësinë e Bashkimit Evropian për të përfituar ekonomikisht.

    “Është hera e parë që jam në një darkë me Albinin dhe presidentin Vuçiq dhe më rezulton që u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve, ashtu si kundër më rezulton se ky format e këto kërkesa që i ka sot BE-ja nga ne, për të na dhënë mundësinë që të marrim më shumë më tepër prapa në aspektin ekonomik dhe financiar, flasin vetë për atë që më ka rënë goja për gjithë këto vite. Ne të integrohemi brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE. Nëse ne do t’i kishim bërë të gjitha gjërat që mund t’i kishim bërë në kundër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmat e ‘Ballkanit të Hapur’, si mekanizma pune për të vënë në jetën direktivat e Procesit të Berlinit, sot do të ishim gati. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji duke u marrë me terminologji”, ka thënë Rama.

  • Hill reagon për ndalimin e dinarit: Vendimi i Kosovës surprizë e panevojshme, më e rëndësishme të bëhet Asociacioni

    Hill reagon për ndalimin e dinarit: Vendimi i Kosovës surprizë e panevojshme, më e rëndësishme të bëhet Asociacioni

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se vendimi i Bankës Qendrore të ndalesë për pagesat me dinarë serbë ishte “një surprizë e panevojshme” dhe se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke monitoruar dhe analizuar nga afër zhvillimin e situatës.

    Christopher Hill, në një deklarim nga Sokobanja, një vendbanim në lindje të Serbisë, tha se veprime të tilla të njëanshme duhet të shmangen në këtë fazë të dialogut.

    “Në këtë fazë të dialogut që kemi arritur dhe që ka arritur zoti Lajçak duhet të shmangen surprizat e tilla të panevojshme dhe veprimet e njëanshme. Mendojmë se më e rëndësishmja tani është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, por edhe që Kosovës t’i jepet qasje në institucionet ndërkombëtare. Duhet të fokusohemi në këto tema dhe të shmangim temat që nuk janë me interes të përbashkët”, tha Hill.

    Banka Qendrore në Prishtinë ka bërë të ditur javën e kaluar se ka miratuar një rregullore të re e cila parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro.

  • Xhaxhai i 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu hap të pame për kryeshnosh

    Xhaxhai i 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu hap të pame për kryeshnosh

    Xhaxhai i të ndjerit Lulzim Fejzullahut, që ishte jetim, ka hapur të pamen në Podujevë.

    Motra dhe vëllai janë të vetmit në familjen e tij, ata jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

    18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, ndërroi jetë në QKUK gjashtë ditë pas rrahjes brutale, me shufra bejsbolli, nga disa të rinj në Podujevë.

    Xhaxhi i të ndjerit ka deklaruar se presin që organet e drejtësisë të zbardhin rastin, derisa tha se gjithçka rreth kësaj ngjarje kanë kuptuar nga kamerat-pamjet e regjistruara në vendin e ngjarjes të cilat janë publikuar në medie.

    I riu u varros të dielën në varrezat e qytetit në Podujevë, në praninë e një numri të madh njerëzish. Ai vdiq të shtunën pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të mëdha që ia shkaktuan dy të mitur më 14 janar, të cilët e rrahën brutalisht.

  • ​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga procesi i normalizimit me Serbinë

    ​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga procesi i normalizimit me Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Ai nga Shkupi, ku u mbajt samiti, “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor”, tha se aktualisht dialogu po zhvillohet vetëm në relacionin mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, për përcaktimin e hapave të mëtutjeshëm.

    “Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë… (Dialogu) Tash për tash kjo zhvillohet në relacionit midis kryenegociatorit dhe lehtësuesit evropian, përfaqësueset special zotëri Lajcak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të përcaktohen hapat e mëtutjeshëm, ndërsa në nivelin e takimit të liderëve nuk ka diçka të re, për çfarë ftesa na vjen nga Borrell”, tha ai.

    Kurti në konferencën për media pas samitit rajonal, nënvizoi sërish se që Ballkani Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të afrohen nevojitet që që paqja me sundim të ligjit të mbizotërojë, ndërsa kërcënimet e sigurisë të pushojnë.

    “Që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen, nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë. Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit dhe mallrave kërkon besim dhe njohje reciproke mes shteteve, institucioneve dhe njerëzve. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje, ka shtete dhe popuj që mund të përcaktohen për mos anëtarësim në BE. Por anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim i shtetit tonë, institucioneve dhe popullsisë së vendit tonë, në një mbështetje që sillet diku 94 për qind”, theksoi Kurti.

    Ai shtoi se masat e sigurisë të Kosovës ndaj Serbisë janë të domosdoshme, përderisa grupi paramilitar terrorist që kreu agresion ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë është i lirë.

    “Masat e sigurisë të Kosovës janë të domosdoshëm, ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë. Kemi vetëm masa të sigurisë, por duhet të theksoj se për shkak të kontrollove të shtuara në vendkalimeve kufitare ka mundësi që ndërmarrje të caktuara nuk janë aq të interesuara të kalojnë kufirin dhe të vijnë në Kosovë si dikur. Masat e sigurisë ne nuk mund t’i heqim përderisa e kemi atë grup paramilitar terrorist që vepron i lirë. Në të njëjtën kohë na vijnë informacione sesi po takohen dhe po riorganizohen pa ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre”, deklaroi kryeministri.

    I pyetur për Ballkanin e Hapur, Kurti tha se ai nuk është mjaftueshëm evropian dhe s’ka as strategji zhvillimi dhe as plan veprimi.

    “Ballkani i Hapur nuk është mjaftueshëm evropian. Ndërkaq Ballkani evropian është mjaftueshëm i hapur. Ajo iniciativa për Ballkanin e Hapur nuk ka kontratë themelore, nuk ka kornizë institucionale, s’ka mekanizëm për të zgjidhur mospajtimet, s’ka strategji zhvillimi dhe as plan veprimi. S’ka transparencë procesi dhe as informacion të publikuar, po ashtu si ka as rregullat e Bashkimit Evropian dhe financimin e BE-së”, tha Kurti.

    Krahas kësaj, Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut.

    “LVV nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë dhe zyrtarë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, por këtu nuk jemi formalisht të regjistruar. Andaj ne si LVV nuk është se marrim pjesë këtu”, tha ai.

    Ndërkaq, tha se nuk është i njoftuar se pse është anuluar konferenca e përbashkët e planifikuar e të gjithë liderëve rajonal./kp/

  • Avokati Bajraktari: Sipas kualifikimit aktual për vrasjen e 18-vjeçarit, të miturit mund të dënohen maksimum deri në 5 vite burg

    Avokati Bajraktari: Sipas kualifikimit aktual për vrasjen e 18-vjeçarit, të miturit mund të dënohen maksimum deri në 5 vite burg

    Avokati Ardian Bajraktari, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se, sipas kualifikimit aktual “Vrasje në bashkëkryerje”, dy të miturit për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, mund të dënohen në maksimum deri në 5 vite burgim.

    “Sipas kualifikimit aktual, mirëpo që nuk përjashtohet mundësia që të rikualifikohet mbase në fazat e më pastajme, bazohem edhe në indikacionet të cilat mund të hasen gjatë procesit të më pastajmë. Sipas kualifikimit aktual që është “Vrasje në bashkëkryerje”, e që maksimumi i dënimit për këtë vepër penale që mund t’u shqiptohen të miturve është deri në 5 vite”, tha avokati Bajraktari.

    Ai tha se rrethanë determinuese në rastin e përcaktimit të moshës, është momenti i kryerjes së veprës penale.

    “Rrethanë determinuese në rastin e përcaktimit të moshës është momenti i kryerjes së veprës penale, sepse kemi dëgjuar dje se ‘jo duhet me i mbajt në paraburgim deri sa të arrijnë moshën 18-vjeçare, të ngjashme’, që kryesisht kanë qenë mbase edhe laik të fushës jo të profesionit, megjithatë unë e kuptoj reagimin edhe shqetësimet e opinionit publik në lidhje me pamjet të cilat janë shpërfaqur nga ana e mediave, megjithatë duhet me e pasë parasysh që këta i përkasin kategorisë së kryerësve të mitur, që nënkupton që ndaj këtyre zbatohen dispozitat e kodit të drejtësisë për të mitur gjatë gjithë ecurisë së procesit për çka zhvillohet ndaj tyre”, tha Bajraktari.

    Avokati tregoi se kodi i drejtësisë për të mitur është i vitit 2013, i cili është edhe kësaj në harmoni edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian.

    “Personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale hynë në kategorinë e personave të mitur të rritur që nënkupton se plotësohet kushti bazë për shqiptimin e dënimit me burgim, e kur jemi tek dënimi me burgim, atëherë kodi i drejtësisë për të mitur përcakton që të mund të shqiptohet dënimi me burgim, duhet të kryhet një vepër e dënueshme me 5 vite e më tepër burgim, e që natyrisht vrasja hyn në këtë kategori dhe kohëzgjatja e dënimit me burgim për të mitur është nga 6 muaj deri në 5 vite, maksimumi i përgjithshëm, përveç në raste kur kryhen vepra të rënda, të dënueshme me burgim të përjetshëm, ose kryhen dy e më shumë vepra penale me të paktën 10 vite burgim, atëherë mund të dënohen deri në 10 vite. Këto janë limitet dhe kushtet me të cilat përcaktohen me dispozitat e kodit të drejtësisë për të mitur e kur jemi te kodi i drejtësisë për të mitur, ai është i vitit 2013 dhe në rrjedhë të kësaj është në harmoni edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian”, tha Bajraktari. /atvlive.tv

  • O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

    O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

    Ndihmësekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

    O’Brien në konferencën për medie, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, tha se ShBA-ja e mbështet fuqishëm ujdinë e Ohrit dhe i bëri thirrje palëve të angazhohen në zbatim e saj brenda kornizave të dialogut.

    “Ne e mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin që është miratuar në Ohër, në marsin e kaluar. Besojmë se të dy shtetet duhet të operojnë brenda dialogut për të zbatuar udhërrëfyesin plotësisht”, tha ai.

    Kosova e Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë më 18 mars të 2023-s, në Ohër, mirëpo kanë ngecur deri tani në zbatimin konkret të tij.

  • Vuçiq i ankohet O’Brien-it për ndalimin e dinarit në Kosovë

    Vuçiq i ankohet O’Brien-it për ndalimin e dinarit në Kosovë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka biseduar me ndihmësekretarin amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien për çështjen e “ndalimit të transaksionit të pagesave” të Kosovës me Serbinë dhe po ashtu “për ndalimin e shitjes së mallrave serbe” në Kosovë.

    Vuçiq ka thënë se këto janë “sulme histerike ndaj popullit serb në Kosovë e M.”, raporton “Tanjug”.

    Ai në prononcim për gazetarët në Shkup ka thënë se do të vazhdojë bisedimet me O’Brienin për këtë çështje.

    “Ne do të jemi gjithmonë me njerëzit tanë, do të përpiqemi e do të kërkojmë dhe do të gjejmë përgjigje”, ka thënë Vuçiq.,

    Ai ka thënë se që nga viti 2021 “10 marrëveshje dhe iniciativa të rëndësishme s’mund të miratohen në CEFTA, shkaku i bllokimit të një anëtari”.