ATV

Blog

  • Vdes zyrtari i MASHT-it Fehmi Krasniqi

    Vdes zyrtari i MASHT-it Fehmi Krasniqi

    Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka vdekur zyrtari i kësaj ministrie, Fehmi Krasniqi.

    Nagavci ka thënë se si punëtor shumëvjeçar në MAShTI, Krasniqi dha kontribut të madh dhe shpesh u priu proceseve të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

    “Jeta e tij ishte e lidhur me arsimin deri në frymën e fundit. Prandaj, do ta kujtojmë gjithmonë si njeriun e urtë, kolegun dhe mikun e mirë që u bë një me arsimin, i bindur se vetëm me arsim cilësor Kosova do të ecte përpara. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Krasniqi, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën!”, ka shkruar Nagavci.

  • Axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu i jep besë një muaj familjes së dorasit

    Axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu i jep besë një muaj familjes së dorasit

    Rrahim Fejzullahu, axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu, e nderojë Zotin e kombin tonë me dhënie të besës një muaj nga sot për familjen e dorasit.

    Kështu ka shkruar kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, duke u lutur që Zoti ta mëshirojë Lulin dhe ta bekojë familjen e Rrahimit.

    18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, nga Podujeva, më 14 janar u godit me veturë nga persona të dyshuar të cilët më pas e rrahën për vdekje me shufra metalike.

    Fejzullahu u dërgua për trajtim në Spital, pasi mori lëndime jashtëzakonisht të rënda, ku pas disa ditë ndërroi jetë.

    Lidhur me rastin gjykata ka vendosur paraburgim nga një muaj për dy të dyshuarit të mitur.

  • Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar në Izmir

    Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar në Izmir

    Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar të shtunën në rajonin turk të Egjeut të Izmirit, tha Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të qeverisë turke (AFAD).

    Tërmeti u regjistrua në orën 08:19 sipas orës lokale (07:19 sipas orës bullgare). Epiqendra ishte në det pranë qytetit të Menderes në një thellësi prej 8.5 kilometrash.

    Tërmeti ka shkaktuar panik tek qytetarët turq.

    Guvernatori i Izmirit, Suleyman Elban ka treguar në llogarinë e tij në rrjetin social X se në këtë fazë nuk ka të dhëna për persona të lënduar dhe dëme materiale.

    Ekipet e AFAD janë dërguar në zonë për të kryer një vëzhgim në terren për dëmtime të mundshme./BTA/

  • Tharja e syve nga telefoni – Kujdesi që duhet të tregoni

    Tharja e syve nga telefoni – Kujdesi që duhet të tregoni

    Tharja e syrit është një problem shëndetësor që prek shumë njerëz në botë. Ai shkaktohet në mungesë të lotëve të mjaftueshëm që lubrifikojnë syrin.

    Një nga arsyet kryesore që shkakton tharjen e syve është përdorimi i tepërt i telefonave celularë por edhe kompjuterëve.

    Tharja e syrit është shumë e parehatshme sepse shoqërohet me djegie.

    Syri ka tendencën të thahet në situate të caktuara ku përfshihen: udhëtimi me avion, ajri i kondicionuar, ngarja e biçikletës ose qëndrimi para kompjuterit.

    Simptomat e Tharjes Së Syrit
    Shenjat dhe simptomat e tharjes së syrit janë si më poshtë:
    Kruarje dhe djegie e syrit,
    Sklepa në sy,
    Ndjeshmëri ndaj dritës,
    Ndjesia e të paturit një lëndë të huaj në sy,
    Lëngëzim të syve,
    Lodhje të syrit dhe mjegullim të shikimit.

    Kurat Më Të Mira Natyrale Kundër Tharjes së Syrit
    Ekspertët e AgroWeb.org sugjerojnë që njerëzit duhet të pasurojnë regjimin e tyre ushqimor me produkte që janë të pasura me acide yndyrore.

    Acidet omega-3 nxisin prodhimin e lotëve.

    Përpos ushqimeve, ekspertët rekomandojnë edhe disa produkte që mund të aplikohen së jashtmi.

    Vaji i Arrës Së Kokosit
    Ky vaj Lufton inflamacionin dhe ka efekt zbutës.

    Merrni dy-tre pika nga ky vaj dhe fërkoni zonën rreth syve për dy ose tre minuta.

    Prisni deri sa lëkura ta përthithë plotësisht dhe përsëriteni sërish.

    Kastraveci
    Për shmangien e kruarjeve dhe skuqjes së syrit, ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të mbani feta kastraveci mbi sy për rreth pesëmbëdhjetë minuta.

    Kastraveci është një burim shumë i mirë i vitaminës A që luan rol ushqyes për sytë.

    Kosi
    Kosi përmban vitaminat D, B dhe A.

    Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë ngrënien e kosit rregullisht dhe mundësisht çdo ditë.

    Ngrënia e kosit do ju ndihmojë kundër kruarjeve por do të ofrojë ushqyesit e duhur për shëndetin e syve.

    Kompresa Me Ujë Të Ngrohtë
    Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë gjithashtu që të mbani kompresa të ngrohta mbi sy për rreth 7 deri në 8 minuta.

    Ngrohtësia do të stimulojë qarkullimin e gjakut rreth syve dhe do të nxisë lubrifikimin e tyre./AgroWeb.org

  • Erërat e fuqishme, Komuna bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjes te rrugët rreth objektit komunal që i ra çatia

    Erërat e fuqishme, Komuna bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjes te rrugët rreth objektit komunal që i ra çatia

    Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë lëvizjes, në veçanti në rrugët “Ardian Krasniqi”, “Radovan Zagoviq” dhe “Nora e Hotit”, të cilat gjenden rreth objektit të Komunës së re, ku ditë më parë ra çatia e objektit duke lënë të lënduar një 23-vjeçare.

    Për çdo rast rreziku, Komuna ka publikuar disa numra kontakti.

    “Për shkak të erërave të fuqishme që po mbizotërojnë në #Kryeqytet, ju bëjmë thirrje të keni kujdes gjatë lëvizjes, e në veçanti në rrugët “Ardian Krasniqi”, “Radovan Zagoviq” dhe “Nora e Hotit” të cilat gjenden në lagjen “Arbëria” rreth objektit të Komunës së re deri në sanimin e plotë dhe evitimin e rrezikut në kulmin e ndërtesës.

    Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”, thuhet në njoftim.

  • Kryeministri Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi

    Kryeministri Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi

    Kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve e miqve të Akademikut Feriz Krasniqi, i cili vdiq dje në moshën 93-vjeçare.

    Kurti ka treguar se takimin e fundit me të e kishte pasur më 17 dhjetor të vitit që shkoi, derisa tha se e kishin lënë që më 15 shkurt të takoheshin për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës.

    Kurti ka thënë se Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë

    “Gjashtë javë më parë, më 17 dhjetor, kur bashkë me Profesor Ferizin i shkuam në vizitë mikut të tij Profesor Minir Dushit, ai mbështetej në bastunin e tij për të ecur dhe mbështetej në kujtesën e kthjellët dhe përvojën e gjatë prej 93 vjeçari për të biseduar. Shumë i këndshëm në bisedë dhe fort dashamirës mes miqsh, Profesor Feriz Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

    Krasniqi ka qenë fillimisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës mes viteve 1973 – 1975, para se ta merrte drejtimin e tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1979. Ai e udhëhoqi Universitetin e Prishtinës në një dekadë kyçe, kur u themeluan dhe u ngritën shumë fakultete dhe degë të tij. Si rektor i UP-së, Feriz Krasniqi e ka bartur procesin e arritjeve dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, në një kohë kur pedagogët nga Tirana dhanë shumë kontribut për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

    Osmani ngushëllon familjen e akademik Feriz Krasniqit: Kontributi i tij për themelimin e UP-së është tejet i çmuar

  • Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit: Kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja

    Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit: Kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit ka thënë se kujtohen miliona jetë të pafajshme të humbura, siç tha ajo, në një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore.

    Osmani u shpreh se ai shërben si një kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja, paragjykimet dhe fanatizmi.

    “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne kujtojmë miliona jetë të pafajshme të humbura në një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore. Ai shërben si një kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja, paragjykimet dhe fanatizmi”, thuhet në shkrimin e saj në “X”.

  • Arrestohen nënë e bijë në Pejë, dyshohen për dhunë në familje

    Arrestohen nënë e bijë në Pejë, dyshohen për dhunë në familje

    Policia ka arrestuar një grua dhe vajzën e saj si të dyshuara se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre.

    Sipas njoftimit të Policisë, nga dhuna e ushtruar nuk ka pasur të lënduar, ndërsa të dyshuarat pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar.

    “Pejë 26.01.2024 – 00:20. Janë arrestuar nënë e bij, të dyshuara femra kosovare, pasi që kanë ushtruar dhunë ndaj burrit (babait) dhe djalit (vëllait) meshkuj kosovarë. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.

  • IKShPK: S’ka raste të fruthit në Kosovë, vaksinimi e parandalon

    IKShPK: S’ka raste të fruthit në Kosovë, vaksinimi e parandalon

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar ditëve të fundit një paralajmërim për përhapjen e fruthit në Evropë.

    IKShPK-ja njofton se numri i rasteve është rritur për 30 herë në muajt e fundit në rajonin evropian, që përbën një rritje shqetësuese, ndërkaq raste të fruthit janë regjistruar edhe në vendet e rajonit.

    Instituti bën të ditur se në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara me fruth, por u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë.

    “Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës rithekson faktin se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar fruthin dhe përhapjen e tij te njerëzit e tjerë, krahas masave të tjera të kujdesit.

    Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus dhe mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje”, bën të ditur IKSHPK.

    Instituti Kombëtar më tej thekson se pandemia e COVID-19 ka çuar në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mbikëqyrje të dobësuar të sëmundjes në vende të ndryshme globalisht, gjë që ka rritur rrezikun e përhapjes së fruthit.

    “Vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe ajo aplikohet në Kosovë që nga viti 1971. IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë”, thuhet më tej në njoftim.

  • Këndimi legjendar i gjelit që magjepsi gjermanët

    Këndimi legjendar i gjelit që magjepsi gjermanët

    Ne shqiptarët bëjmë lajmë kudo nëpër botë, por a e dini se edhe kafshët tona autoktone si në këtë rast gjeli i një zotërie në Gjilan, ka marrë vëmendjen e disa gazetarëve gjerman. Kjo, për shkak të intervalit të gjatë kohorë të këndimit të tij.

    Gazetarja e ATV-së ka realizuar një storie me fermerin Bajram Ilazi, i cili ndau kuriozitete interesante për gjelin e tij, i cili këndon për 70 sekonda pa asnjë ndërprerje, duke i dhënë atij një avantazh evolucionar.

    Gjeli me qafë të gjatë në Kosovë është një racë pulash me një talent të veçantë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: