ATV

Blog

  • Komisioni për Mjedis miraton Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor

    Komisioni për Mjedis miraton Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor

    Komisioni për mjedis ka miratuar Projektligjin për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave dhe Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor.

    Të njëjtat, u dërguan për miratim në seancë plenare, derisa u tha se kosto buxhetore për këto projektligje është e përballueshme.

    Miratimin e këtyre projektligjeve e mirëpriti, kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli.

    “Kosto buxhetore është e përballueshme, ku do të krijohen format organizative në zbatimin e procedurave të përshtatshme administrative. Opinioni ligjor i përshtatshmërisë me legjislacionin e BE-së, thotë se aktet ligjore të BE-së nuk kanë ndonjë direktivë specifike për rregullimin e kësaj fushe”, tha ajo.

    Komisioni po ashtu diskutoi për agjendën legjislative dhe prioritetet gjatë këtij viti kalendarik./kp/

  • Maqedonci vizitoi Komandën e Forcave Speciale turke

    Maqedonci vizitoi Komandën e Forcave Speciale turke

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot vizitoi Komandën e Forcave Speciale Turke, me ç’rast u prit në takim nga Komandanti i Forcave Speciale, gjeneral Omer Ertugrul Erbakan.

    Përmes një njoftimi, gjatë takimit u diskutua rreth programeve trajnuese të Forcave Speciale Turke që mund të ndjekin ushtarakët e Forcës Speciale të FSK-së.

    “Ministri Maqedonci falënderoi Gjeneralin Erbakan për mbështetjen e deritanishme, ndërsa u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin me qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së”, thuhet në njoftim.

  • Avokati Emmerson: Dëshmitari i 44-të e ka pranuar që është përpjekur të manipulojë procesin gjyqësor

    Avokati Emmerson: Dëshmitari i 44-të e ka pranuar që është përpjekur të manipulojë procesin gjyqësor

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pas dëshmitarit të 43-të, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Krasniqit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndërsa, për dëshmitarin e radhës, mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson ka kërkuar që dëshmia e tij të dëgjohet në seancë publike. Sipas tij, ky dëshmitar ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

    “Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.

    Kurse, prokurori Matt Halling pati kundërshtime për parashtrimin e Emmersonit lidhur me dëshmitarin e 44-të të ZPS-së.

    “Do të doja të kundërpërgjigjesha; vendimi i juaj ishte në seancë të hapur, por ama ju u kujdeset që të mos jepnit të dhëna identifikuese për këtë dëshmitar. Ne thamë në e-mailin tonë në ditën e diel, kur dërguam shënimet përgatitore pse masat mbrojtëse për këtë dëshmitar janë shumë të rëndësishme. Ka disa arsye të vlefshme pse ekzistojnë masa të tilla mbrojtëse dhe ne mendojmë se mënyra e mirë për transparencë të seancës gjyqësore është që kryesisht ta bëjmë seancën në mënyrë private, në mënyrë që dëshmitari të flas lirshëm dhe më pas të bëjmë redaktimet përkatëse të transkriptit, në mënyrë që edhe publiku të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm”, tha Halling.

    Lidhur me këto parashtrime, kryetari i trupit gjykues vendosi që ta rrezojë kërkesën e avokatit Emmerson, kështu që dëshmia e dëshmitarit të 44-të të ZPS-së të dëgjohet në sesion privat.

    “Redaktimet e transkriptit mendojmë që janë një masë e përshtatshme në mënyrë që publiku të informohet, për rrjedhojë rrëzojmë kërkesën tuaj për seancë publike dhe do të jemi në seancë private me këtë dëshmitar”, tha Charles Smith III.

  • “AS” raporton se Modric mund të largohet nga Real Madrid

    “AS” raporton se Modric mund të largohet nga Real Madrid

    Kapiteni i kombëtares kroate, Luka Modric, mund të largohet nga gjiganti spanjoll, Real Madrid, në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit.

    E përditshmja spanjolle AS, në tekstin kushtuar Modricit ka paraqitur të dhëna të caktuara që janë shumë shqetësuese për kroatin, por ajo që pa dyshim tërhoqi gjithë vëmendjen ishte largimi i mundshëm.

    Modric ishte zëvendësues në 17 nga 32 ndeshjet e Real Madridit këtë sezon, gjë që nuk i ka ndodhur kurrë më parë.

    Gazetarët e AS theksojnë se mesfushori me eksperiencë ka rënë në hierarki për sa i përket skuadrës së Carlo Ancelottit, për të cilën ka inat serioz.

    Në ndeshjen e fundit ndaj Las Palmasit, Modric nuk pati mundësi të luajë dhe është veçanërisht i mërzitur që Ancelotti nuk e dërgoi as në ngrohje.

    Kroati dyshohet se është zemëruar me drejtuesit e klubit mbretëror dhe i ka inat që nuk reagojnë ndaj injorimit të Ancelottit, ndaj situata është shumë e tensionuar dhe çdo gjë mund të përshkallëzohet këto ditë.

    Sauditët janë shumë të interesuar për shërbimet e tij, kështu që Modric shumë shpejt mund të kalojë në Al-Hilal, i cili tashmë ka sjellë një seri të tërë yjesh.

  • Kombëtarja e Kosovës pritet të luajë një ndeshje miqësore me Hungarinë

    Kombëtarja e Kosovës pritet të luajë një ndeshje miqësore me Hungarinë

    Kombëtarja e Kosovës pritet që ta zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj një skuadre e cila është pjesë e “EURO 2024”.

    Kundërshtari i “Dardanëve” do të jetë Hungaria, ku edhe njoftimi u bë I ditur nga Federata e Futbollit e kësaj të fundit.

    Përveç Kosovës, në fazën përgatitore Hungaria do të luajë edhe ndaj Turqisë që po ashtu është pjesë e kampionatit evropian, Irlandës dhe Maltës.

    Ende nuk janë bërë të ditura datat se kur do të luhen këto ndeshje.

    Sipas Federatës hungareze, ende nuk janë nënshkruar kontratat për këto lojë, pasi që kanë mbetur të sqarohen edhe disa detaje.

    Por, në njoftim thuhet se sapo kjo të ndodhë, do të bëhet i ditur edhe orari i këtyre lojëve.

  • Osmani pret në takim Lajçakun

    Osmani pret në takim Lajçakun

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të martën Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

    Lajçak për disa minuta u detyrua që të pres në shkallë, derisa u përgatit presidentja Osmani.

    Mediat në këtë takim janë lejuar që të marrin pamje vetëm ne fillim të takimit.

    Po ashtu gjatë ditës Miroslav Lajçak, do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Lajçak të hënën ka qëndruar edhe në Serbi, ku ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

  • ​Filmi “Krahët e punëtorëve” fiton në Festivalin e Filmit në Roterdam

    ​Filmi “Krahët e punëtorëve” fiton në Festivalin e Filmit në Roterdam

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se e kanë nisur mbarë vitin në kinematografi, pasi filmi “Krahët e punëtorëve”, i regjisorit tonë, Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A.

    Çeku ka shkruar se edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

    “Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, ka shkruar ai.

  • Gjykata merr vendim për katër të akuzuarit për terrorizëm dhe lidhjet me ISIS

    Gjykata merr vendim për katër të akuzuarit për terrorizëm dhe lidhjet me ISIS

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar lartësinë e dënimit për katër të dyshuarit, Ardian Gjuraj, Egim Syla, Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa të cilët në fund të vitit të kaluar i dënoi për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

    Së bashku katër të akuzuarit janë dënuar me 30 vjet e gjysmë burgim.

    Ardian Gjuraj është dënuar me dënim unik me 9 vite burgim për veprat penale, “Përgatitje e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje”.

    Egim Syla është dënuar me dënim unik, 6 vite e gjashtë muaj për veprat penale, “Përgatitje e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje”.

    Mentor Bellaqa është dënuar me 6 vite e gjashtë muaj burgim për veprat penale, “Përgatitje e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje”.

    Nehrudin Skenderi dënohet me 8 vjet e gjashtë muaj burgim për financim në kryerjen e terrorizmit edhe pesë mijë euro gjobë.

    Ndryshe, një sulm terrorist që po planifikohej të kryhej në Kosovë vite më parë, e parandaluan institucionet e sigurisë.

    Nën operacione speciale policia arriti të kap edhe të dyshuarit.

    Në pranga në vitin 2021 përfunduan Ardian Gjuraj, Egim Syla, Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa.

    Ata paraprakisht kishin organizuar blerjen e armatimit të kalibrave të ndryshme, e të cilin e kishin fshehur në pronën e Egim Sylës.

    23 detonatorë të granatës, 6 granata dore, 1 mitraloz, mbi 3700 fishekë si dhe shumë armë të tjera ishin gjetur të fshehura në pyllin e Ergim Sylës, që ndodhet në fshatin Bokshiq të Klinës.

    Por, këta persona tashmë të dënuar nuk ishin në dijeni që ishin nën masa të vëzhgimit nga Njësia Antiterror i policisë.

    Përmes përgjimeve, Prokuroria Speciale ka zbuluar se të pandehurit janë të interesuar që t’i blejnë disa armë.

    Një nga të përfshirët që tashmë ndaj tij është veçuar procedura, Shkodran Krasniqi ishte personi që do t’i siguronte armët. Me të, kontaktuan disa efektiv të njësisë antiterror të angazhuar nga Prokuroria, të cilët u prezantuan si shitës të armëve. Me të takimi ndodhi më 10 tetor të vitit 2021.

    “Shkodran Krasniqit i është thënë që armët janë në veturë dhe është pyetur nëse ai dëshiron me i shiku. I pandehuri ka kërkuar që armën dhe municionin vetëm t’i ngarkojmë në veturën e tij dhe pas ngarkimit, armët Shkodrani i ka paguar me para në vlerë 1.500 euro dhe atë në monedha 28×50 dhe 1×100, dhe pas kësaj ai ka filluar të largohet dhe sapo është nisur për të dalë nga vendi i ngjarjes, është arrestuar nga njësitet e policisë”, thuhet në aktakuzë.

    Ardian Gjuraj është gjykuar edhe disa vite më parë për një vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte liruar atë nga akuza.

  • Edi Rama: Paga mesatare e mësuesve do shkojë 950 euro

    Edi Rama: Paga mesatare e mësuesve do shkojë 950 euro

    Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në takimin e mbajtur në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

    Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal dhe te rroga e mësuesve, për të cilën tha se paga e tyre shumë shpejt do të shkojë drejt një mesatareje prej 950 euro.

    Rama theksoi se qeveria duhet të ndryshojë gjithashtu mekanizmin e rritjes çdo 5-vjet të pagës duke u bazuar vetëm te vjetërsia e mësimdhënësve.

    “Shqipëria sot ka një portë të re të të ardhmes së saj në aspektin ekonomik dhe reflektim i këtij fakti janë rritjet domethënëse të pagave të cilat do të vazhdojnë. Në ndërkohë që ne sot jemi në kushtet që mund ta vëmë shumë më tepër se dje, potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë dhe familjeve shqiptare, përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë përpara të gjithëve ne, nevojën për kapital njerëzor, për njerëz të kjualifikuar dhe forca pune në të gjitha nivelet. Ky nuk është moment që ka vetëm një zgjidhje është një moment që kërkon shumë zgjidhje dhe jo vetëm në arsim. Ama fokusi te arsimi është jetik, pasi fatmirësisht nuk jemi më në kohën që ishim, jo përpara 100 vjetësh, por disa kohë më parë, kur mësuesit ishin të braktisur dhe të pa mbrojtur. Nuk jemi më në kohën që ishim kur vendi i secilit prej jush këtu përcaktohej nga partia, përcaktohej nga lidhjet politike dhe nga arbitrariteti i ryshfetit. Sot jemi në një kohë tjetër, ku çdo mësues e ka vendin e garantuar për shkak të aftësisë së vet. Dhe askush nuk e lëviz dot nga vendi për asnjë arsye tjetër që nuk është ngushtësisht e lidhur me profesionin, ama ky është themeli fillestar, por nuk mjafton. Ashtu si nuk mjafton edhe rritja e pagave.

    Pagat së shpejti për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin. Mekanizmin e rritjes çdo 5-vjet për shkak të vjetërsisë në punë, ne duhet ta reformojmë komplet”, tha Rama.

    Gjithashtu kryeministri theksoi se përveç pagës uniforme, mësuesit duhet të kenë dhe nivele të ndryshme pagash duke u bazuar tek meritat dhe kontributet e tyre.

    “Ne duhet të bëjmë të mundur se përveç pagës uniforme, garancisë bazë për të gjithë të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Për këtë na duhet një sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh dhe kreditesh”, tha Rama.

  • Policia e Kosovës gjen thasë me rërë në një objekt në Zveçan, i cili përdorej nga grupet terroriste në kohën e barrikadave

    Policia e Kosovës gjen thasë me rërë në një objekt në Zveçan, i cili përdorej nga grupet terroriste në kohën e barrikadave

    Policia e Kosovës, pas informacioneve që ka pranuar se në një objekt në Komunën e Zveçanit ka gjëra dhe materiale të cilat janë përdorur nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave, pas kontrollave ka gjetur thasë me rërë.

    Lajmin për ATV-në e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në një objekt publik në komunën e Zveçanit, ka disa gjëra materiale të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave. Sot, gjate kontrolleve që ka bërë Policia, ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që kane qene si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan”, thuhet në përgjigjen e Elshanit.

    Ai thotë se ky objekt publik është shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut.

    “Kjo është edhe një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rend dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, thuhet në përgjigjen e Elshanit. /atvlive.tv