ATV

Blog

  • S’ka fatura për rrymën në veri, elektrosever kërkon “paushallin”

    S’ka fatura për rrymën në veri, elektrosever kërkon “paushallin”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    As më 1 Shkurt, në Mitrovicë të Veriut, Elektroseveri nuk i shpërndau faturat e energjisë elektrike.

    Televizioni merr vesh se kjo kompani nuk i ka printuar ende faturat.

    Megjithëkëtë, punonjës të saj u kanë thënë qytetarëve në këtë komunë se duhet të paguajnë paushall 25 deri në 30 euro, për muajin Janar.

    Mes paqartësish për faturat, asamblisti në Mitrovicë të Veriut, Betim Osmani, tregoi se punonjësit e Elektroseverit i kanë paralajmëruar qytetarët se në rast se nuk paguajnë tash, do t’iu grumbullohet borxhi.

    “Jo, jo, fatura për këtë muaj nuk ka. Vetëm u është bërë me dije qytetarëve që e kanë një lloj paushalli 25 Euro dhe se më mirë është tash të shkoni ta paguani, që në fund të muajit shkurt ose mars, të mos u bëhen 25+25 ose 30+30, 60, dhe mos u ankoni pastaj që janë shumë, por llogariteni si një lloj minimumi i shpenzimit është 25-30 euro”, tha Osmani.

    Praktika e paushallit pritet të vazhdojë deri në vendosjen e plotë të matësve.

    Këtë situatë, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi si përpjekje për ta shtyrë zbatimin udhërrëfyesit për energjinë.

    “Ky tentim për me shty po vjen prej Elektroseverit, një kompanie që është bërë shumë luftë për t’u licencuar, për të fituar të drejtën për të bërë faturimin në atë pjesë. Në këtë rast, është një bashkëpunim i Elektroseverit me qytetarët serbë për të gjetur mënyra, si të mos paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar”, tha Shabani.

    Sidoqoftë, Shabani theksoi se kostoja buxhetore më nuk rëndon mbi taksapaguesit.

    “Elektroseverit tash i mbetet barra që ose ta paguajë vetë energjinë e shpenzuar prej qytetarëve, të cilët e kanë pranuar atë energji, ose të gjejë alternativa për ta paguar shpenzimin e energjisë elektrike”, tha Shabani.

    Të hënën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e liroi KOSTT-in nga barra për mbulimin e humbjeve, si pasojë e energjisë së shpenzuar dhe të papaguar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Nga 1 Janari, energjia e shpenzuar në këto komuna i llogaritet Elektroseverit.

  • Thesari i pakontrolluar i bankës kombëtare serbe vazhdon punën në veri

    Thesari i pakontrolluar i bankës kombëtare serbe vazhdon punën në veri

    Përgatiti: Haris Ademi

    Të enjten nuk u sollën kontingjente me para të gatshme nga Serbia në Kosovë.

    Mirëpo, në ditën kur hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për moslejim të dinarit brenda republikës, punën e vazhdoi zakonshëm institucioni që përkujdeset për importin dhe praninë e kësaj valute brenda territorit.

    Objekti nuk kontrollohet prej institucioneve të Kosovës dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Financave të Serbisë.

    Neni 40 i rregullores thotë se importi i monedhave bëhet vetëm me licencë dhe autorizim të veçantë të BQK-së.

    Kjo e fundit nuk ktheu përgjigje gjatë ditës, nëse ka në plan ta marrë nën kontroll kasafortën në veri.

    Ndërsa, Veton Elshani nga policia rajonale në veri tha për ATV-në se nuk ka asnjë urdhër për zbatim të rregullores në këtë hapësirë.

    Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se nevojitet veprim shtetëror për t’i hequr dinarët nga tregu.

    “Policia e Kosovës në koordinim me forcat ndërkombëtare në Kosovës, zyrat e QUINT-it dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, duhet të veprojë duke futur fillimisht nën kontroll kasafortën me dinarët e Serbisë. Duhet të veprojë duke i larguar ato nga tregu, apo edhe duke i konfiskuar”, tha Elezi.

    ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në Qeveri, mirëpo nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi thanë se nuk kanë koment për këtë çështje.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli mohon deklaratat e dhëna në polici

    Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli mohon deklaratat e dhëna në polici

    Përgatiti: Nora Luta

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka vazhduar ta marrë në pyetje të dyshuarin për organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, i cili nisi dëshminë e tij të mërkurën e kaluar.

    Murseli e ka mohuar versionin e dhënë në polici.

    Kështu ka thënë mbrojtja e Murselit, e cila ka shtuar se ai i ka mohuar edhe lajmet e publikuara rreth raporteve me viktimën.

    “Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, me sot ka përfunduar deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes, ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar në lidhje me raportet e tendosura mes bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre, i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, deklaruan avokatët Teuta Zhinipotoku dhe Shemsedin Piraj.

    Ndërkohë, paraditen e të enjtes, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar në intervistim sërish edhe të dyshuarin tjetër për përfshirje në vrasjen e Lirdona Ademajt, Kushtrim Kokallën.

    Por ai ka vendosur të mbrohet në heshtje, duke e shfrytëzuar kështu të drejtën e garantuar me ligji, për të mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë.

    Javën e kaluar, Prokuroria kishte intervistuar edhe Granit Plavën, i cili dyshohet se e vrau 30-vjeçaren, dhe Tomë Dodajn, nga i cili dyshohet se e blenë bashkë me Murselin armën.

  • Hapet Zyra e Punësimit në Komunën e Leposaviqit, MFPT: Hap shumë i rëndësishëm

    Hapet Zyra e Punësimit në Komunën e Leposaviqit, MFPT: Hap shumë i rëndësishëm

    Në objektin e Komunës së Leposaviqit sot është hapur Zyra e Punësimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

    Nga kjo ministri, e kanë cilësuar këtë si hap shumë të rëndësishëm.

    “Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Agon Dobruna dhe Drejtoresha e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Znj. Jehona Rexha vizituan sot Komunën e Leposaviqit ku u takuan me Kryetarin e Komunës, Z. Lulzim Hetemi. Njëra ndër pikat e takimit ishte edhe përurimi i hapjes së Zyrës së Punësimit në objektin e Komunës së Leposaviqit. Ky hap është shumë i rëndësishëm, pasi nga kjo zyrë qytetarët do të mund të pranojnë këshillim profesional, të ndërmjetësohen në vende të ndryshme të punës, por edhe të marrin trajnimet e nevojshme për aftësim dhe ri-aftësim në punë”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se është nënshkruar edhe një memorandum përmes së cilit parashihet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Punësimit dhe Komunës së Leposaviqit “ashtu që të garantohet zhvillimi profesional i qytetarëve si dhe avancimi i mëtutjeshëm socio-ekonomik në këtë komunë”.

  • Azemi: Nga e hëna disa shkolla të Prishtinës do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik, shkak greva

    Azemi: Nga e hëna disa shkolla të Prishtinës do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik, shkak greva

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka njoftuar se disa shkolla në Prishtinë do të mbesin pa shërbime.

    Kjo pasi që, punëtorët teknik do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

    Ai bërë të ditur se nëse greva nuk do të jetë e suksesshme punëtorët nuk do të kthehen në shkolla.

    “Shumë shkolla në Prishtinë nga e hëna do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik , pasi që ata do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Këta punëtor kan mar vendim që nëse nuk do të ketë sukses greva brenda javës së ardhshme”, ka shkruar Azemi.

  • ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) kanë reaguar ndaj Projektligjit për KPM, duke thënë se propozimi ligjor, për herë të parë në historinë e re të Kosovës, ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video, nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.

    Ky projektligj detyron mediat online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet në Kuvend ku edhe është dërguar për miratim nga Qeveria në muajin janar 2024.

    AGK dhe KPM thonë se ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropianë janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se këto ndryshime i shohin si një përpjekje të re të qeverisë aktuale të sulmojë mediat me tendencë për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë duke përfshirë edhe nevojën që të licencohen në mënyrë të veçantë.

    “Arsyeja e kësaj konference është ligji i ri për KPM-në, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në fund të vitit të kaluar dhe e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës …Ky ligj do të ndikojnë direkt në punën e mediave online…Ndryshimet ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për ti kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të video duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe këtë e shohim si një tjetër përpjekje sulm tjetër të qeverisë ndaj lirisë së mediave…E ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshime,” tha Rexha.

    Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, tha se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit duke i detyruar mediat që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

    “Projektligji për KPM është aprovuar në mbledhjen e qeverisë 4 ditë para vitit të ri dhe është publikuar online në faqen e Zyrës së kryeministrit pas kërkesës sonë që ky dokument të bëhet publik… Për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit, duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror. Secila media online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet… Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare detyrohen që të hapin kompani për të plotësuar kërkesat e licencimit. Mediat online do të detyrohen që të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, do të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40 mijë euro”, tha ajo.

    Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, theksoi se qëllimi i projektligjit është pikërisht dobësimi i mediave të shkruara.

    “Qëllimi i projektligjit të KPM-së është pikërisht dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës…I bëjmë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë projektligj”, theksoi Mushkolaj.

    AGK dhe KMSHK janë përgatitur që t’i informojnë Këshillin e Evropës, OSBE-në, Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera.

    Ndryshe, ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja; mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja; mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%; mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro; KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht; anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

  • Pezullohen nga puna dy zyrtarët e ATK-së që u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia

    Pezullohen nga puna dy zyrtarët e ATK-së që u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia

    Janë pezulluar nga puna dy zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.

    Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi-Sefa.

    “Janë pezulluar nga puna dy zyrtarët serbë, që janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia”, ka thënë ajo.

    Ndryshe, dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.

    Dy zyrtarët e dyshuar, Lazar Peroviq dhe Tomislav Janiçjeviq, kanë qenë duke punuar në “Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme të ATK-së” me seli në Prishtinë.

    Të njëjtit më parë ishin pjesë e “Mbrojtjes Civile”.

  • “Ky ministri Luci a Peci qysh e ka mbiemrin, po na largon biznesin”- Pronari i pompës së derivateve “Patroni” i ashpër me deklarata

    “Ky ministri Luci a Peci qysh e ka mbiemrin, po na largon biznesin”- Pronari i pompës së derivateve “Patroni” i ashpër me deklarata

    Pronari i pompës së derivateve “Patroni”, Habib Morina ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për mbylljen e biznesit të tij, me ç’rast i njëjti me apo pa dashje ia ngatërron mbiemrin ministrit të Bujqësisë.

    “Ky ministri Luci a qysh e ka mbiemrin, a po Peci, po na largon biznesin”, thotë ai, ndërkohë që deklaroi se ata do të presin një vendim nga gjykata për të parë se kush ka të drejtë.

    Ndryshe, gjatë ditës së sotme inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë të asistuar nga Policia e Kosovës kanë vendosur shirita në prona që gjenden përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, në Prishtinë.

    Kjo hapësirë ishte shfrytëzuar nga një biznes privat që shërbente si pompë e derivateve dhe kishte kontratë qiramarrëse nga viti 2018.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Durmishi: Në e-Kosova mund të bëhet aplikimi për termine për provimin teorik dhe praktik për patentë shofer

    Durmishi: Në e-Kosova mund të bëhet aplikimi për termine për provimin teorik dhe praktik për patentë shofer

    Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se nga sot në platformën e-Kosova është publikuar shërbimi për aplikim dhe ndarje të termineve për provimin teorik dhe praktik për patentë shofer.

    Ai ka thënë se ky projekt synon lehtësimin e procedurave të aplikimit për patentë shofer për qytetarët e vendit.

    Njoftimi i plotë:

    Në Platformën e-Kosova tani kemi publikuar shërbimin për aplikim dhe ndarje të termineve për provimin teorik dhe praktik për Patent Shofer.Me qëllim të zbatimit të zotimit për transparencë të plotë, në kuadër të MMPHI-së, në bashkëpunim me ASHI, kemi lansuar projektin lidhur me aplikimin dhe ndarjen e termineve per provimin teorik dhe praktik për Patent Shofer. Prej sot, përmes platformës së E-Kosova, fletëpagesat mund të realizohen në mënyrë digjitale. Si Ministri jemi kujdesur që deri në finalizimin e plotë të digjitalizimit, të drejtën e aplikimit qytetarët e kanë edhe përmes zyreve në njësitë rajonale.Ky projekt synon lehtësimin e procedurave të aplikimit për patent shofer për qytetarët e vendit. Ky është një hap tjetër i domosdoshëm e i rëndësishëm drejt digjitalizimit si reformë e rëndësishme për rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës.

  • Bislimi i bën thirrje BE-së që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor

    Bislimi i bën thirrje BE-së që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë forcë shtytëse për Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar që të vendet evropiane të jenë unike si në rastin e Ukrainës.

    Pas vendimit të BE-së që t’ia ndajë Ukrainës një pako ndihme prej 50 miliardë eurosh, Bislimi ka thënë të enjten se sigurimi i financave për Planin e Rritjes të Ballkanit Perëndimor është hap i madh drejt integrimit.

    “Vendimi i sotëm i BE-së tregon rëndësinë e unitetit dhe bashkimit. Të njëjtat pariem morale që duhet të jenë forcë lëvizëse edhe për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuptim, sigurimi i financave për Planin e Rritje së Ballkanit Perëndimor është hap i madh drejt integrimit”, ka thënë Bislimi në rrjetin social X.

    BE-ja tha se marrëveshja për ndarjen e pakos për Ukrainën “mbyll një financim të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën”.

    Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian me disa “masa të përkohshme”.

    Zyrtarët e BE-së patën thënë se sanksionet janë vendosur për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.